Telegrami në ATSH/ E vramë vdekun majorin reaksionar Sul Kurti

0
607
blank

"...mbas nji rrethimit me datë 9 të vazhduesit, të bamun në katundit Zmaç të Matit prej dy kompanive të Brigadës 17, dhe me bashkëpunimin me komandën e vendit Prellë ora 13 u vra vdekun ish majori reaksionar Sul Kurti nga Derjani i Matit..."

Një telegram me 50 fjalë nisur nga Peshkopia në adresë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, njoftonte me “krenari” se komunistët e Brigadës 17 kishin rrethuar më 9 janar 1945 fshatin Zmaç në Mat dhe kishin vrarë në orën 13, Sul Kurtin, një prej ish-majorëve të kohës së Zogut, nga Derjani i Matit, i njohur si kundërshtar i komunistëve. Telegrami dërgohej në adresë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare për ta bërë të njohur botërisht për publikun eliminimin e këtij kundërshtari që në telegram cilësohet  si reaksionar.

Ja teksti i plotë i telegramit:
Agjencisë Telegrafike Shqiptare
Tiranë
U muar më 11 janar 1945 ora 15:55
Prej: Peshkopie
Telegram nr.25
Numri i fjalëve 50
Dtata 11.1.
Ora 12.
Ekstra Komanda e qarkut lokale na njofton se mbas nji rrethimit me datë 9 të vazhduesit, të bamun në katundit Zmaç të Matit prej dy kompanive të Brigadës 17, dhe me bashkëpunimin me komandën e vendit Prellë ora 13 u vra vdekun ish majori reaksionar Sul Kurti nga Derjani i Matit.
Për këshillin N.Çl. të prefekturës,
sekretar Sulejman Baholli.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.