Telegrami/ Mehmet Shehu: Do të pushkatojmë 31 mirditorë

0
1185
blank

Telegram dërguar Enver Hoxhës, 2 ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës/ Hakmarrja e Shehut: Do të arrestojmë 132 mirditorë, 31 prej të cilëve do të pushkatohen me urgjencë, 84 do të burgosen e 17 të tjerë do të dërgohen në internim…

Menjëherë pas vrasjes së Bardhok Bibës në Mirditë, Mehmet Shehu kishte dhënë urdhër për të kryer një masakër, në formë hakmarrjeje. Telegrami i dërguar prej tij nga Rrësheni, në adresë të Enver Hoxhës (Komandanti), vetëm dy ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, zbulon aksionin e paprecedentë që komunsitët do të kryenin në 24 fshatra të Mirditës. Listat e arrestimeve ishin gati. Madje, Mehmet Shehu kishte bërë kategorizimin në tre grupe, ku veçonte se cilët do të pushkatonte, cilët do të burgoste dhe cilët do të çonte në internim.

Telegrami zbulon se në listë për t'u arrestuar, ishin 132 mirditorë, 31 prej të cilëve do të pushkatoheshin me urgjencë, 84 do të burgoseshin e 17 të tjerë do të dërgoheshin në internim.

Telegrami mban datën 9 gusht 1949. Aksioni për arrestimet do të niste që atë natë kur nisej telegrami dhe ishte planifikuar të mbyllej në 11 gusht, në mëngjes. Ai njoftonte se në 12 gusht, pra një ditë pas aksionit të arrestimeve, në Rrëshen, të shkonte Gjykata Ushtarake për të dhënë vendimet e për t’i hapur rrugë ekzekutimeve të planifikuara, që siç dëshmon, historia do të ishin një tmerr i paparë kurrë më parë prej mirditorëve.

Në fund të këtij telegrami Mehmet Shehu nuk mjaftohet me këtë mandatë mbi këtë ngjarje horror që po gatuante në Mirditë, por i lutet Enver Hoxhës të ndërhyjë në presidium që të aprovohet  dënimi me vdekje për “3 të dënuar nga Burreli”. Ai kërkon që t'i njoftohet aprovimi i presidiumit telegrafisht që t’i ekzekutonte ata.

Më poshtë, Kujto.al e sjell të zbardhur sipas origjinalit, këtë telegram të Mehmet Shehut, si dhe faksimilen e dokumentit origjinal:

Telegram –shifër

N-kolonel Beqir Ndout për Komandantin

Sonte fillon operacioni  në 24 katunde të Mirditës, e cila ka gjithsej 33 katunde. Arrestimet marrin fund më datë 11  në mëngjes dhe janë 31 të kategorisë së parë, 84 të kategorisë së dytë, 17 të kategorisë së tretë. Ata të kategorisë së parë janë për dënim me vdekje simbas parashikimeve tona sadoqë mund t’ekzekutohen vetëm 15 ose 17. Ata të kategorisë së dytë janë për burgim dhe ata të kategorisë së tretë për internim. Gjithashtu do të internohen edhe 9 familje të fisit Gjon Markut dhe reth 15 arrestime në rrethin e Leshit. Gjykata Ushtarake mund të vijë në Rshen datë 12 gusht. Lutemi ndërhyni në presidium për të aprovuar 3 të dënuarit me vdekje të Burrelit e na njoftoni telegrafisht që t’i ekzekutojmë. Unë sot shkoj  Shkodër për çështjen e Peros e do kthehem prapë këtu.

Mehmet

Rshen 9.8.1949

blank

Masakra e Qafës së Valmirit me 17 gusht 1949

Ajo që quhet “Masakra e Qafës së Valmirit”, është ngjarja makabre që rrodhi pas këtij aksioni të ndërmarrë nga Mehmet Shehu në 24 fshatra të Mirditës. Sipas planifikimit të tij, Gjykata Ushtarake dënoi me ekzekutim 14 burra nga grupi që Shehu propozonte për ekzekutim. Në prani të afro 2500 grave e burrave mirditorë dhe sipas rrëfimeve të një varg dëshmitarëve okularë, …“Aty poshtë Qafës së Valmirit, buzë një prroske ishte hapur një gropë e madhe, e buzë saj ishin rreshtuar 10 burra të lidhur njëri me tjetrin me duar pas shpine e kur krisën pushkët e mitralozët mbi ta, ata përnjëherë ranë në gropë duke tërhequr njëri-tjetrin pa u dalë ende shpirti. E atje nga gropa dëgjoheshin thirrjet e burrave që jepnin shpirt, “Aman qëlloni se jemi gjallë e mos na lini të na dalë shpirti me zor, he katila!”. Dhe si rrufe që bie nga qielli ranë mbi ta plumbat e armëve të rënda, atje në fundin e gropës së zezë e prej andej copat e mishit fluturonin e bienin në prroskë. Ndërsa 4 të tjerët i varën në litar në katër lisat rreth gropës së zezë, aty ku jepnin shpirt 10 të pushkatuarit”.

Viktimat e kësaj masakre ishin: Të varur në litar: -Preng Dedë Gjomarkaj, (Orosh), Pjetër Dedë Vila, (Kaçinar), Dodë Marka Biba, (Tenë-Kthellë), Pjetër Paloka, (Kaçinar), Të pushkatuar: -Nikoll Bardhok Bajraktari, (Rrëshen-Kthellë), Llesh Gjon Melyshi, (Malaj-Kthellë), Ndrec Mark Ndoj, (Kaçinar), Nikoll Llesh Bajarktari, (Orosh), Gjokë Gjin Kaçi, (Bukmirë), Ndoc Gjetë Çupi, (Pshqesh-Blinisht), Bardhok Dodë Gjini, (Prosek-Kthellë), Gjergj Keç Beleshi, (Kthellë-Epër), Preng Shkurt Nikolli, (Orosh), Frrok Gjetë Mata, (Kaçinar).

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here