Të humbësh tre fëmijë në internim

0
2310
blank

“Nëna takohet me nëndrejtorin e kampit, që quhej Syrja. I drejtohet me fjalët:-Zotni, më ka vdekur djali!-Mirë e ka bërë-i përgjigjet ai.” Historia e plotë e familjes së Ramazan Habilit që humbi tre fëmijë dhe dy nipër në internim, ndërsa Ramazani dhe një djalë tjetër i tij, Hamidi, u vranë në mal

 

Studiuesi Kastriot Dervishi postoi para disa ditësh në faqen e tij në FB, foton e një gruaje në mes të dy fëmijëve të saj, që i mbante prej duarsh. Në postimin "Të humbësh tre fëmijët në internim", përshkruhet sesi zonjës Vathe Habili, bashkëshortes së Ramë Habilit, gruaja në qendër të fotos, i vdiqën tre fëmijë në Berat dhe Tepelenë ku e internuan familjen e tyre, pasi Ramazani, ishte arratisur në mal bashkë me nacionalistë të tjerë antikomunistë.

Nuk duhen shumë fjalë, as nuk dalin shumë, për të përshkruar përmasat e kësaj tragjedie, por kujto.al kërkoi të mësonte më shumë detaje, nisur nga komenti i Peter Saraçit, që shkruante se ai e njihte historinë e Vathe Habilit dhe familjes së saj. Peter Saraçi është djali i Fatbardha Saraçi Mulletit, një nga autoret më të rëndësishme të librave që dëshmojnë vuajtjet e viktimave të diktaturës dhe historia e familjes Habili është pjesë e librit të parë të saj, “Dhimbje”, botim i ISKK.

Kjo histori rrëfehet nga Asije Habili, vajza e Ramë dhe Vathe Habilit, në pak radhë të thukëta me atë ndjenjën që i jep titullin tërë këtij botimi dhe prej saj, mëson se ajo tragjedia rrëqethëse për të cilën flet në postimin e tij Kastriot Dervishi, ka qenë edhe më e rëndë për këtë familje.

Asija tregon në librin e Fatbardha Saraçi Mulletit, sesi i ati, bir i një familjeje të pasur dhe të njohur kavajase, kishte marrë pjesë në mbrojtjen kundër pushtuesve në vitin 1939 dhe më pas ishte bashkuar me nacionalistët dhe që nga viti 1944 konsiderohej armik nga komunistët, për këtë arsye ishte arratisur në mal, bashkë me një nga djemtë e tij, Hamidin dhe nacionalistë të tjerë. Për shtatë vjet me radhë, Ramën nuk e kapën dot dhe në vitin 1951, ai ndërroi jetë, me shumë mundësi i helmuar. Edhe djali i tij, Hamidi, u vra në mal. Por ndërkohë, që Rama po kthehej në një legjendë të gjallë që nuk e zinte plumbi, regjimi komunist goditi familjen e tij të pambrojtur.

U internuan të gjithë: bashkëshortja Vathe dhe fëmijët, Asija, Xhevati, Qefsereja, Mukadesi dhe Nexhmija; njerka e Ramës, Pashja; motra, Laja me djalin e saj Osmanin; nusja e një prej djemve, Hamidit, që ishte në mal, Nafija, e cila ishte shtatzënë si dhe vëllai i Ramës, Dalipi.

 

“Na internuan në Berat në lagjen “Mangalem”, më vonë në Kalanë e Beratit. Na çonin në Kuçovë të punonim në bujqësi, pa kurrfarë pagese, pra punë të detyruar. Këtu na mbajtën katër vjet. Këtu na vdiqën Nexhmija, motra e vogël trevjeçare dhe Fatmira gjashtë muajshe (vajza e djalit të Ramës, Hamidit, e cila lindi në internim, pasi e ëma, Nafija ishte shtatzënë kur i internuan)…Këtu sëmuret edhe Mukadesi, enjtet në trup, me sa mbaj mend kishte problem me veshkat…asnjë mjekim nuk iu dha, nuk e shtruan në spital…Ndërkohë na transferojnë në kampin e Tepelenës”, tregon Asija.

U vendosën në Turan, ku vuajtjet ishin të paimagjinushme.

“Na lanë tetë ditë pa bukë. Ndërkohë, drurët e shkurret rrotull kampit u “pastruan” nga gjethet që filluam t’i ziejmë sa për të shuar urinë. Në këto kushte Desi-motra ime tetëvjeçare, vdiq nga uria. E varrosëm Design e vogël në shpatin e Kodrës në Turan. E futën direkt në tokë, pa arkivol apo dërrasë varri, që mund të mbronin kufomën. E mbuluan me gurë.”

Kastriot Dervishi, sipas të cilit, vajza e vogël u nda nga jeta më 3 qershor 1949, shkruan se “nga të dhënat paraprake, rezulton se Mukadesi është fëmija i parë i vdekur në Kampin e Tepelenës së bashku me një foshnje tjetër disamuajshme me emrin Fijar nga Thethi i Shkodrës”.

Pas një viti, nga Turani, ku rrinin përtokë, i zhvendosën në kampin e Tepelenës të përbërë nga kazermat ushtarake që kishin lënë pas italianët. Ushqeheshin me racion nga një kazan i përftuar nga pjesa e poshtme e një fuçie të prerë në mes, ku në pesëdhjetë litra ujë zienin 3-4 kg makarona, nga të cilat zor se binte ndonjë në racion, ose presh të palarë me rrënjë e gjethe të kalbura. Puna e detyrueshme vazhdonte. Zbrisnin drutë të lidhura në shpinë me litar, si kafshë barre, nga mali i Bënçës në kamp ose në rrugën automobilistike. Nuk kishte asnjë tolerancë nëse sëmureshin ose plagoseshin në punë. Asija tregon sesi një herë, kur kishte dëmtuar këmbën aq sa mezi ecte, përgatiti një barrë më të lehtë drush, por kur e pikasi polici, i bërtiti, ia rrasi barrën me këmbë dhe i ngarkoi sipër barrën e një gruaje tjetër duke e detyruar të zbriste dyfish e ngarkuar.

“Në këtë kamp, ishte muaji gusht, një vit pas vdekjes së Desit, Xhevatin e zuri dizenteria, u sëmur të premten, pas tetë ditësh dha shpirt. Ishte vetëm trembëdhjetë vjeç…

Nëna takohet me nëndrejtorin e kampit, që quhej Syrja. I drejtohet me fjalët:

-Zotni, më ka vdekur djali!

-Mirë e ka bërë-i përgjigjet ai.

-Mirë thua ti, por unë kam hall ta varros, e s’kam qefin,-i thotë nëna e shkretë…

-Ka sa të duash fier, gurë, dhe!-ia ktheu zyrtari me emrin Syrja.

Na ndihmuan të rregullojmë një arkivol. Një grup pleqsh e morën dhe e varrosën te këmbët e urës së Tepelenës, rreth 400 m nga kampi.”

Ishin mbushur 5 vite në internim. Vathe Habili kishte humbur tre fëmijë, Nexhmijen 3 vjeç në Berat dhe Mukadesin e Xhevatin, fëmijët që mban për dore në foto, tetë dhe trembëdhjetëvjeç në Tepelenë. Torturat shpirtërore dhe fizike për familjen do të vazhdojnë.

Asija tregon se një vëlla tjetër i saj, Ragipi, duke qenë i ri dhe i fuqishëm për punë, ishte internuar në Vlorë ku punonte me bashkëvuajtës të tjerë në punë më të rënda, ndërsa xhaxhai Dalipi nga përndjekja, dhuna, dhembjet shpirtërore, humbi kthjelltësinë mendore dhe shpesh e gjeje të mbledhur kruspull, të pagjumë, me sy të skuqur, duke u dridhur dhe duke thënë: “Po vijnë të na marrin e të na pushkatojnë”.

Në atë gjendje e morën nga Tepelena dhe e çuan në Porto-Palermo, bashkë me të motrën Lajen, ku ajo humbi të birin Osmanin. Ishte fëmija i pestë i asaj familjeje të internuar në vitin 1945, që dha shpirt në internim. I liruan në vitin 1951. Atëherë kur Ramën e helmuan dhe të birin Hamidin ia vranë në mal.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here