Kadrije Kadare, objekt i Sigurimit: "Flet shumë ashpër kundër udhëheqësve të partisë"

0
1026
blank

E ndarë nga jeta pak ditë më parë, motra e Ismail Kadaresë, e njohur si Kakuja në redaksitë e gazetave dhe shtëpive botuese ku punoi si korrektore për dhjetëvjeçarë me radhë, Kadrie Kadare, survejohej gjatë diktaturës. Kastriot Dervishi ka publikuar disa nga pohimet e saj të raportuara nga bashkëpunëtorët e Sigurimit

 

Disa pohime të Kadrije Kadaresë të raportuar nga disa bashkëpunëtorë të Sigurimit:

“Sistemi socialist dhe komunizmi është një doktrinë që mbështetet në baza jo reale, përderisa njeriu që fëmijë, kur mban diçka në dorë dhe e shtrëngon fort e nuk lë t’ia marrësh, si mund të besosh se kur të bëhet i madh nuk do të rritet në përpjesëtime akoma më të mëdha interesi i tij personal. Është absurde të besosh se mund të ekzistojë një shoqëri e tillë kur vetë njeriu është me të meta. Si mund të besosh atëherë se u dashka vënë interesi i përgjithshëm mbi atë personal”.

“Stalini ka bërë krime të rënda, në fillim vrau shokët e tij dhe më pas, kohë pas kohe eliminoi të tjerë me radhë. Stalinit i kish hyrë frika në palcë dhe 15 vjetët e fundit jetoi në një dhomë pa dritare”.

“Një sistem i tillë nuk mund të ndërtohet në asnjë kohë dhe në asnjë vend se s’ka asgjë njerëzore. Sot ka diferenca në mënyrën e të jetuarit, ato nuk eliminohen por sa vijnë e thellohen. Ç’janë këto gjepura që trumbetojnë se gjoja u vënka interesi i përgjithshëm mbi atë personal. Këtë nuk e ha as bufi”.

“Unë tani jam në moshë të madhe, jam plakur dhe po të pi, kushedi se çfarë do të më nxjerrë goja nga ato që të më fusin brenda”.

“Pardje jemi shqyer gazit. Ishim në kinostudio për të parë filmin (“Nusja dhe shtetrrethimi”-shënim). Tema e filmit ishte e rrahur dhe stërrrahur, se si heroina rrethohet nga gjermanët, se si çan rrethimin, etj, që është bërë bozë. Boll me këto temat e luftës nacionalçlirimtare, i pamë dhe i stërpamë. Kaq e pati dhe ajo. A ka ndonjë gjë të re? Unë jam kureshtare të di se çfarë do të ndodhë te ne pas vdekjes së udhëheqësve, pasi të moshuar e të sëmurë janë. A do ta mbajnë vallë linjën e tillë apo do të devijojnë?! Dhe po ta kesh vënë re, me vdekjen e njerëzve të mëdhenj ndryshojnë situatat: vdiq Stalini, ndryshoi vija, vdiq Mao Ce Duni, ndryshoi situata. Populli popull është. Ku merr vesh ai se ç’bëhet. Udhëheqësit i dinë gjërat. Të lidhemi me këtë apo të prishemi me atë. Unë mendoj se shtetet e mëdha nuk mund të rrinë pa na u afruar se kanë interes pozitën tonë strategjike. Do të na afrohet ndonjë, do të na bëjë lajka dhe ne do të afrohemi. Pastaj do të prishemi me ta. Nuk e di, nuk e di, por se si do të bëhet pas vdekjes së udhëheqësve tanë, nuk e imagjinoj dot. Po lëre pastaj për komunizmin që nuk e besoj fare, më duket se është vetëm një frazë e thjeshtë”.

Marrë nga fb i studiuesit Kastriot Dervishi

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here