Si u përjashtuan nga lagjja e re e pastërmetit, familjet kundërshtare

0
957
blank

Me punë vullnetare, për pesë muaj, në Shkodrën e vitit 1979, u rindërtuan lagje dhe fshatra të reja, të shkatërruar nga tërmeti katastrofik i atij viti. Por në lagjen e re të Bahçallëkut, të cilën erdhi ta përuronte vetë Enver Hoxha, tre familje nuk u lejuan të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Namik Mehmeti sjell arsyen e kësaj mase të marrë ndaj banorëve të tre familjeve nacionaliste

Pasoja që la tërmeti i 15 prillit 1979, në Shkodër, ku humbën jetën 35 persona dhe u shkatërruan pothuajse plotësisht lagjja Bahçallëk dhe fshatrat e N/Shkodrës, pranë bregut të Bunës, edhe sot pas 40 viteve janë të freskëta në kujtesën e shkodranëve, në qytet e fshatra. Duke lexuar mbresat e ish-sekretarit të parë të Komitetit të Partisë Shkodër, Muho Asllani, për atë që ishte realizuar në pesë muaj, duke ngritur në këmbe lagje e fshatra të rinj, nuk mund të vihet në diskutim se solidariteti dhe puna vullnetare e gjithë Shqipërisë, demonstrohej në vitet e diktaturës komuniste, ku çdo neglizhim e mungesë pjesëmarrjeje në këtë aksion kombëtar, konsiderohej, siç thotë vetë autori, “punë armiqësore”.

Aksioni kombëtar në Shkodër, u kurorëzua me mitingun e inaugurimit të Lagjes se Re Bahçallëk, ku ishte vetë i pranishëm diktatori Enver Hoxha me Byronë Politike. Por këtë të drejtë, për të gëzuar në trojet e tyre shtëpitë e reja, nuk e patën tri familje nacionaliste, të njohura në Shkodër e gjithë Shqipërinë. Familjet Daca, Nika e Dizdari që kishin jetuar në shtëpitë e tyre në hyrje të Urës së Bahçallëkut u detyruan me forcë të linin shtëpitë e tyre, edhe pse nuk ishin dëmtuar sa për t’u rrafshuar. Trashëgimtarët e këtyre familjeve, Tomorr Daca e Albert Zef Nika, tregojnë se si në praninë e kryetares së Komitetit Ekzekutiv të qytetit, Lajde Banushi, u detyruan të linin shtëpitë e tyre, duke jetuar në çadra, ose në të kundërt, për moszbatimin e urdhrit do të internoheshin. Me shpresën se edhe ato familje do të hynin në shtëpitë e reja të Bahçallëkut, ndodhi zhgënjimi më i papritur e i hidhur, pas vuajtjeve në burgjet politike dhe internimet.

Komiteti i Partisë kishte hartuar edhe një herë, si në vitet e para të çlirimit, dëbimin, një projekt ogurzi që në Bahçallëk e në Shkodër, la shije të hidhur. E kjo bëhej për të vetmin fakt që trashëgimtarët e familjeve Daca, Nika e Dizdari, si familje të njollosura në biografi, nuk duhej të ishin prezent në këtë inaugurim përballë diktatorit.

Po kush ishin familjet nacionaliste Daca, Nika e Dizdari?

Trashëgimtarët e familjes Daca, vëllezërit në moshë mbi 50-60 vjeçare, Sabrija e Feridi, e kishin ndier deri në palcë persekutimin komunist, pasi vëllezërit e tyre, Ruzhdi e Danish Daca, eksponentë të Ballit Kombetar, ishin larguar nga Shkodra me grupin e nacionalistëve të njohur të Ballit Kombëtar e Legalitetit, disa ditë para hyrjes në Tiranë të Qeverise Komuniste të Enver Hoxhës. Këtë persekutim kjo familje e kishte pësuar jo vetëm nga të arratisurit Ruzhdi e Danish Daca, por edhe për faktin se bashkëshortja e Sabrise, Mejremja, ishte bijë e nje familjeje të njohur në Shkodër për tradita patriotike, atdhetare e fetare. Babai i saj, Hirësia e tij, Salih Myftija, kryemyfti i Shkodrës dhe Kosovës, po në prag të ardhjes në fuqi të regjimit komunist, së bashku me djalin e madh, Fuadin, ishin larguar nga Shkodra me grupin e zogistëve shqiptarë. Fuadi, në mërgim, që arriti të bashkohet me motrat e vëllezërit e tij me fitoren e demokracisë, për katër dekada kishte një veprimtari antikomuniste, pasi ishte kryetar i Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit në New York. Më pas, një tjetër legalist i kësaj familjeje arratiset nga Shqipëria nga Liqeni i Shkodrës, Zija Myftija, ndërsa i vëllai i Fuadit, Feriti provoi vuajtjet në burgjet e diktaturës. Pas gjithë këtyre diskriminimeve, zhgënjimin e radhës e pësoi kur iu mohua e drejta e pronës së trashëguar nga të parët e tyre.

Familja Nika, pinjollë të patriotit, atdhetarit, shkrimtarit, fetarit Dom Ndoc Nikaj që kishte vdekur nga torturat në burgjet e diktaturës, kishte treguar një urrejtje ndaj sistemit diktatorial. Djali i kësaj shtëpie, Zef Nika 15 vjet i kaloi nga një kamp burgimi në tjetrin, në bonifikim kënetash së bashku me një tjetër emër të njohur të nacionalizmit shqiptar, Sami Qeribashi. Më pas edhe Luigji, pronar i shtypshkronjes Nika, pësoi të njëjtin fat si i vëllai, Zefi. Edhe nga lidhjet martesore, kjo familje njihte persekutim të dyfishtë, pasi babai i së shoqes së Luigjit, Loro Rasha ishte pushkatuar pa gjyq me vendosjen e diktaturës enveriane, pasi kishte studiuar ne Itali.

Familja tjetër Dizdari, kishte ardhur në Shkodër nga Delvina për t’i shpëtuar persekutimit komunist, por babai i tyre, Alush Dizdari, përfaqësues i Ballit Kombëtar, edhe pse e shoqja e tij, Pacizja, ishte vajza e tezes e Enver Hoxhës, nuk i shpëtoi një persekutimi të egër ku humbi të gjithë pasurinë që gëzonte në vendlindjen e tij, Delvinë. Djemtë e tij, Muharremi, Mubareqi e Mustafa, kudo që punonin, ndienin mbi shpinë këtë persekutim.

Në shtëpitë e reja të lagjes Bahçallëk, edhe pse kishte hyrje të lirshme, në vend të tyre, u sollën familje komuniste nga fshati Bërdicë.

Me vendosjen e demokracisë, familjet nacionaliste të strehuara në apartamentet parafabrikat tek ish-fabrika e këpucëve, afër zallit te Kirit, pas 12 vjetësh, u kthyen në trojet e tyre ku ndërtuan shtëpi të reja duke i rikthyer gjelbërimin karakteristik të Bahçallëkut me shegët e njohura.

Shkolla tetëvjeçare e Bahçallëkut mban emrin e Ruzhdi Dacës, i cili nuk arriti të rikthehet pranë njerëzve të tij, pasi vdiq në New York.

Namik Mehmeti
Firenze

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here