“Beun e Kavajës e dënuam me vdekje dhe sekuestruam 3000 napolona ar e 15 kv serm”

0
430

Dokumenti i marsit 1947 mbi dënimin e 107 kundërshtarëve të regjimit komunist në qarkun e Durrësit

Gjykimi dhe dënimi i gjithë kundërshtarëve politik të regjimtit komunist ishte shtrirë në të gjithë vendin.  Spastrimi i tyre ishte kusht për të forcuar dhe mbajtur pushtetin e  marrë me dhunë menjëherë pas mbarimit të Luftës. Vitet 1945 dhe 1946 ishin të mbushura me këto aksione. Pushkatimet pa gjyq, arrestimet, sekuestrimet e pasurive dhe internimet ishin masat më të përhapura. Goditjet më të mëdha ishin përqendruar në veri të vendit, ku regjimi ndihej i pasigurtë dhe i pakonsoliduar në vitet e para. Por siç dëshmojnë dokumentet e viteve të para të regjimit, luftë e hapur dhe e ashpër po bëhej ndaj kundërshtarëve dhe sidomos shtresës së pasur edhe në  Shqipërinë e mesme dhe në jug të vendit. Shkresa zytare që sjellim sot, është hartuar në zyrat partiake të qarkut Durrës dhe bën një raport të hollësishm mbi goditjen që po i bëhej kundërshtarëve të regjimit në këtë qark e sidomos në Kavajë. Shkresa e hartuar dhe firmosur nga Iljaz Reka njofton se me 13 mars 1947 Gjykata Ushtarake e Tiranës sapo kishte mbyllur gjykimin e 107 të pandehurve. Ai shprehet i kënaqur në raportin e tij për masën e ndëshkimit që ju kanë dhënë kundërshtarëve të regjimit, duke u ndalur kryesisht në rastin e “një beu të fuqishëm në Kavajë”, Nazmi Beja Alltuni, të cilin e kanë dënuar më vdekje, por dhe për rezultatet e kënaqshme që kishin arritur në sekuestrimin e arit dhe argjendit.

“Si kurse u theksonim dhe në raportin mujor patëm të arestuarë për kontrabandën e arit 48 veta që u kemi sikuestruarë 3000 napolona arë dhe 15 Kv sermë në Tiranë”, shkruan Iljaz Reka në shkresën e tij.

Kujto.al e sjell këtë dokument të plotë, zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH.

F – L P.

PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE

KOMITETI QARKOR

D U R R Ë S

Nr. 73/4 Prot.

Durrës, më 13/III/1947

KOMITETIT QENDROR TË PARTIS K.SH.

T I R A N Ë

Dje mori fund gjykimi i 107 të pandehurve të qarkut t’onë nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Këta të pandehur qenë t’akuzuarë për kriminalitete e veprimtari anti Pushtet, për tentativë arratisjeje n’Itali, strehuesë, shkelës t’urdhënesave ekonomike dhe kontrabandistave të arit.

Me gjykatat ushtarake kemi patur nji bashkpunim dhe mirkuptim të mirë.

Për pjesën dërmonjëse të të pandehurve kemi patur faktet e duhura dhe prova bindse, gjygji u zhvillue mjaftë i mirë, populli e ndoqi me nji interesim të math proçesin, veçanërisht për kontrabandistat e arit. Të gjithë të pandehurit para gjygjit pohuan fajet e tyre me përjashtime të pakta. Gjykimi u ba i shpejtë, por dhe i drejtë e i ligjshëm, dhanja e dënimeve u ba në bazë të fajit dhe të ligjeve të reja në fuqi.

Gjatë këtij proçesi u dha dhe nji dënim kapital për Nazmi Beja Alltunin. Opinioni i Komitetit Qarkor të Partisë si edhe i tanë popullit të Kavajës, ka qenë i këtillë. Këtë ja thamë qyshë në fillim shokve të gjygjit, por ata na thanë që ashtë e pamundur me ligjet e reja në fuqi me i dhanë këtij dënimin me vdekje, dhe kështu mbeti. Mirpo gjat proçesit dollën fakte të shumta, për krimet çnderimet dhe tjera vepra kur ka qenë komandant i Ballit dhe antari i Komitetit të Ballit në Kavajë, dëshmitarët qenë të shumtë që sollën nga Kavaja gra, burra, pleq, të rinj. Më së fundi vet trupi gjykues vendosi për këtë dënimin me vdekje. Dënimi me vdekje i Nazim Beut do të jetë nji sukses politik në Kavajë se pse as nji nga fisi i këtyre bejlerve nuk janë shtie në dorë, nuk kanë mësuarë ndo nji dam, se pse me dhjetra fshatarë kanë marrë tokën e këtyre dhe si kurse dihet fshatarët e kanë shumë të madhe frigën e tyre dhe po të mbetet 101 vjet i burgosur (po të mos ekzekutohet) ato do t’a kenë gjithnji dyshimin dhe frigën e tijë. Pastaj ajo që ashtë ma e madhe se ky ka qenë komandant në Kavajë dhe ka dhanë urdhëna për burgosje, internime dhe vrasje, korjeri i tij u dënue me vdekje dhe jo ky, vetë korjeri ka pohuar në gjygjë që beu ka vrarë e çnderuarë me fakte konkrete. Për këtë mejtimi i ynë është që edhe ju të ndërhyni pranë gjykatës së lart ushtarake për aprovimin e vendimit të gjykatës së këtushme për Nazim Beun.

Si kurse u theksonim dhe në raportin mujor patëm të arestuarë për kontrabandën e arit 48 veta që u kemi sikuestruarë 3000 napolona arë dhe 15 Kv sermë në Tiranë. Që të gjithë këta janë tregtarë e sekser të vjetër. Gjygji i dënojë si pasë fajit 1 e deri 5 vjet, me punë të detyrueshme dhe me konfiskimin e pasuris (që janë dyqane, mallë, shtëpija e mobilje). U liruanë tre veta dhe dy u dënuanë me punë të detyrueshme, këta patën fajë ma të kufizuarë dhe ishin shumë të varfër Mustafa Varoshi, Myftiu i Durrësit i arestuarë për çështje politike u dënue me tre vjet burgim, opinioni qe dhe për ma shumë po kështu edhe për disa kriminel të tjerë si p.sh. Jusuf Divi agent i Simit u dënue me 20 vjet, opinioni priste për shumë ma tepër.

Ka patur dhe disa lirime dhe me dënimin e para burgimit për të tillë që mungonin faktet dhe ishin informata jo të sakta dhe të studjuara si duhet.

Pë fushatën e mbjelljeve pranverore kemi ba nji mobilizim të mirë të Partisë Pushtetit dhe Organizatave, punën e kemi organizuarë dhe deri më tani ka shkuarë mjaftë mirë, mbrenda datës 15 plotësohen të gjithë formularët, plani konkretizohet në fshatë dhe kemi bindje se do t’arijmë suksese në këtë ndërmarrëje, në raportin 15 ditor do ju shkruajmë në detaje pë fushatën e mbjelljeve në përgjithësi dhe për bimët industriale dhe kontratat. Lidhja e kontratave përfundon mbrenda ditës së nesërme, plani ashtë tejkaluarë në përqindje të madhe; nukë dimë në se do të jemi në gjendje t’u përgjigjemi me farë fshatarve.

Sot shpallëm në gjith qarkun urdhënesën Nr. 10 tris të Ministrisë së Tregtisë për denoncimin e bereqetit. Gjat dy ditve të fundit bamë të gjitha pregatitjet, komisjonet për ç’do tre fshatra të përbame nga nji A. P. nji ekspert e nji student për të rregjistruarë, për ç’do tre komisjone kemi caktuarë nga nji istruktor që të ndihmojë dhe t’i udhëzojë për pengesat që hasin dhe për të mbajtur në lidhje këta janë shokët e kursit të Partisë, antar Komitetesh Partije dhe antar të Komiteteve ekzekutive. Sot puna ka filluarë në ç’do fshat e lagje dje para dite u ba nji mbledhje të përgjithëshme të celulave në Kavajë u foli Xhim Peti, në Shijak Jorgj Shuli në qendër u ba në mbramje ku fola unë. Shokët janë skjaruarë mirë. Sot zhvillohen konferenca dhe në qendrat e punës dhe me grat ndër blloqe, mbasi këta duhen sjkaruarë ma mirë se po thuajë se të gjithë pakënaqësit mbi bukën deri më tani janë ndigjuarë nga gratë.

Për këtë problem si pasë udhëzimeve t’uaja ashtë ngrejtun në kambë e tërë Partija hollësina mbi punën e ditës ju a çojmë në mbramje.

  1. KOMITETIN QARKOR

(Iljaz Reka)

(firma, vula)

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here