Si e kujtoj 1 Majin, kur populli duhet të përshëndeste gjakpirësit e tij në tribuna

0
159
blank

Filip Guraziu kujton paradat dhe festimet e 1 Majit, gjatë regjimit diktatorial, kur një popull i uritur, pa të drejtë fjale e mendimi, në varfëri ekstremeduhej të brohoriste për njerëzit që e kishin çuar në atë gjendje 

Nga Filip Guraziu

Në të gjithë botën, dita e 1 Majit, përkujton sakrificat e punëtorëve, në përpjekjet e parreshtuna kundër shfrytzimit të pronarve, me qëllim fitimin e të drejtave të tyne, ekonomike e njerëzore.

 

Gjatë protestës masive të punëtorëve në Çikago, në datën 1 maj 1886 (në kujtim të fitores së orarit të punës, prej 8 orësh), pati përplasje me policinë ku u vranë dy punëtorë, si dhe shumë të tjerë u plagosën.

Për këtë arsye, pati qenë marrë vendim, që dita e 1 majit të përkujtohet në nderim e respekt të atyne që dhanë gjakun për fitoren e të drejtave të punëtorëve. Pra, dita e 1 Majit, nuk asht festë, por ditë përkujtimore dhe unë personalisht e respektoj, pikërisht, për kët motiv.

Dita e 1 Majit, përkujtohet ose “festohet” në të gjithë botën, por nuk e di, ashtu si pa dashje më vijnë në mend, organizimet që diktatura komuniste bante në Shqipni.

Me urdhën të Partisë, “I madh e i vogël”, ishin të detyruem me parakalue para udhëheqjes, që rrinte në tribunë, me kapela republika mbi krye, të cilët duheshin përshëndetë me entuziazëm të papamë e me britma histerike (udhëheqjen), si falënderim, për jetën e “ndritun”, që i kishin sigurue popullit!

Sa ma e madhe, histeria e britmave dhe e duertrokitjeve, aq ma i madh ishte suksesi i ditës së 1 Majit dhe aq më të gëzuem ishin shokët e udhëheqjes!

A ka ma gja të turpshme, a ka ma poshtnim që i bahej popullit shqiptar?

Nji popull, që ishte transformue vetëm “në qenie të gjalla”, prej shtypjes e mungesës së lirisë, pa të drejtë mendimi, i vorfën në ekstrem (fshatari në kooperativë paguhej me 30 lekë të vjetra, në ditë, e nuk kishte të drejtë me mbajt për jetesë as edhe 1 pulë. Mungonte mishi, tamli, djathi, buka, vojguri…; mungojshin deri patatet, se për agrume, molla etj., as që bahej fjalë…).

Mendoni, nji popull, që jetonte në terror fizik e psiqik; pushkatime, burgosje, internime pa gjyqe edhe për motive krejtësisht idiote, si p.sh. pëlqimi i muzikës huej, veshka me modë prendimore, korrespondencë me nji person prej Europës, biseda se buka nuk asht me cilësi…etj..

Mendoni, që nji popull komplet i uritun, me personalitet të shkallmuem, pa të drejtë fjale e mendimi, në vorfni ekstreme, i kthyem në skllavni prej luftës imorale të klasave, duhej me brohoritë me sa za që kishte e me përshndetë e falënderue gjakpirësit e tij, vrasësit e tij kriminela, që e kishin çue në atë gjendje! S’ka ma për faqe të zezë, s’ka ma poshtnim, s’ka ma përdhunim!

Kështu e kujtoj unë “festën” e 1 Majit, në kohën e diktaturës komuniste.

Marrë nga “Mollat e vjetit të ri-Dromca kujtimesh”, libër i Filip Guraziut, botim i ISKK, Tiranë 2021

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here