Raporti në Komitetin Qendror ’46: Si po nënshtrohet kleri katolik dhe antikomunistët e Dukagjinit

0
170

Në raport, shkruhet se fushata e komunistëve në Veri po haste pengesa, pasi sipas tyre, kleri katolik po bënte mbledhje me famulltarët e rretheve dhe po lëshonte parulla se komunistët po e prishin fenë, ngaqë kanë marrë urdhra nga Moska

Nga raportet që komitetet qarkore të Partisë Komuniste nisnin për Komitetin Qendror, në vitet e para të regjimit, kupton qartë se me çfarë dore të hekurt, regjimi i Hoxhës forcoi pozitat e pushtetit të tij. Në këto raporte, shkruhej gjithçka mbi punët e partisë dhe mjetet me të cilat ata punonin për të forcuar pushtetin. Në mënyrë të përmbledhur ekstrakte të këtyre raporteve qarkullonin më tej në Komitetin Qendror. Dy-tre ekstrakte nga një raport i janarit 1946, na zbulojnë gjendjen politike në zonën e Shkodrës, dhe specifikisht me fokus klerin katolik dhe antikomunistët e Dukagjinit.

Që në fillim, theksohet se në Shkodër kishte nisur demaskimi i hapur ndaj klerit katolik, madje komunistët kërkonin të nxisnin edhe përçarje me klerin musliman. Më tej në raport, shkruhet se fushata e komunistëve në Veri po haste pengesa, pasi sipas tyre kleri katolik po bënte mbledhje me famulltarët e rretheve dhe po lëshonte parulla, se komunistët po e prishin fenë ngaqë kanë marrë urdhra nga Moska.

Po ashtu edhe esktrakti i dytë i raportit mbi lëvizjen antikomunsite në Dukagjin, zbulon se vëmendja e regjimit ishte përqëndruar në atë zonë, ku as strukturat e Partisë dhe të pushtetit nuk po funksiononin dhe se kundërshtarët e regjimit ishin mjaft të organizuar.

Më poshtë, Kujto.al sjell dy prej ekstrakteve të këtij raporti që ishin nënvizuar nga drejtuesit e Komitetit Qendror, në janar të 1946.

***

Përmbledhje e raportit janar 1946

Gjendja politike. -  Fushata kundër klerit katolik.

Me vajtjen e shokut Nako është shtruar mënyra e demaskimit të klerit reaksionar. Muslimanët e presin mirë këtë, por kjo vjen më tepër nga armiqësitë fetare. Kleri katolik është duke sabotuar fushatën, ka bërë mbledhje me famullitarët e rretheve dhe lëshon parrulla se ne jemi duke e prishur fenë meqë kemi marrë urdhër nga Moska. Në metingjet për shpalljen e republikës Pop. shquhesh mungesa e elementit katolik. Tok me forcat operuese  janë nisur edhe ekipe për të bërë fushatë kondra klerik reaksionar nër rrethe. Në lagje të ndryshme zhvillohen konferenca; në një lagje dështojë (katolike). Më 21 Janar janë bërë konferenca për Leninin. Kleri thotë se së shpejti do na marrin edhe kishat( jetimoret që u morën nga M.Asis.Sr.)

Pushteti

Punë politike në Pushtet nuk ka. Ka përmirësime si në atë të qarkut ashtu edhe në të N.Pref. Nga Komitetet më i dobët është ay i Dukagjinit dhe i Mirditës.

Shkodra - Lëvizja e t’arratisurve nga Dukagjini, tentative e tyre për të shtuar ilegalët me anë kompromentimi. Hjedhin parrulla mbi pa-sigurinë e situatës. Organizata t’onë shumë e vogël. Komiteti në pamundësi ta kryejë punën. Rinija gjithashtu e dobët. Fronti dhe pushteti me njerëz të huaj dhe që bëjnë punën e armikut. Forcat operuese kanë qëndruar mirë, por udhëheqësit s’kanë ditur të punojnë dhe s’ka patur kombinim. Me gjithë këto, presjoni t’onë ka bërë  që të dorëzohen disa të pakompromentuar.Të goditen bajraktarë të lidhur me ilegalët. Organizata e Shkodrës ka dërguar shokë me qëndrim në Dukagjin, që kanë qenë në punët e dyta të Pushtetit; ekipe dhe ka forcuar K.E të Dukagjinit.

Mbi zgjedhjet e frontit; Reaksioni nuk tenton të sabotojë zgjedhjet, por t’i nenvleftesojë duke hedhur  vëmendjen në situatën  ndërkombëtare.Një pjesë prej tij rrijnë në pozitat e mos ekspozimit që të mund të marrë teserën e Frontit. Është shtruar në mbledhjen e qarkorit ndihma që duhet dhënë rinisë gjatë zgjedhjeve për kongresin e III-të.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here