Rafineria e Ballshit, historia e uzinës së ngritur mbi vuajtje dhe shfrytëzim

0
574
blank

Është e pamundur të të mos ngjallë trishtim situata aktuale e naftëtarve të Ballshit. Është një trishtim që të gozhdon në çastin që ndodh, por edhe që prek shpejt themelet e kësaj uzine, edhe pse ato kanë nisur të ndërtohen që në vitin 1972. I afron këto dy çaste të largëta, padrejtësia që iu është bërë punëtorëve, shfrytëzimi i tyre, sëmundjet, rreziku ku e vënë veten...Kujto.al sjell historinë e ndërtimit të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh, me punën e të dënuarve politikë, larg, por edhe afër së tashmes

Ndërsa Shqipëria është vënë përballë shqetësimit jetik të punonjësve të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, pa punë dhe të papaguar prej muajsh, nuk mund të të mos vijë në mendje historia e ngritjes së kësaj rafinerie, nëse ke dëgjuar mjaft edhe një herë të vetme për të.

Në vitin 1972, kur ishte vendosur ngritja në Ballsh, e Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës, një nga më të mëdhatë në vend, në këtë qytet u formua Reparti 309 me të dënuar nga shkrirja e tri reparteve të tjera, të cilët do të punonin për ndërtimin e kësaj uzine. Siç shkruan në librin e tij “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”, studiuesi Kastriot Dervishi, në një shkresë të datës 24 prill 1973, Dega e Punëve të Brendshme e qytetit të Fierit, listonte të burgosur “elementë armiq të kategorisë së parë” 110 persona, ndër të cilët Dom Nikoll Troshani, Dom Frano Ilija, Dom Ndoc Sahatçija, Nasho Gërxho, Avni Zhiti, Hamdi Hasko, Haki Slatina, Mustafa Bylyshi etj..

Tre vite më vonë, ndërsa vazhdonin punimet për ndërtimin e rafinerisë, numri i të dënuarve politikë arriti 550, ndërsa numri total i të burgosurve një vit më parë kishte qenë rreth 900. Punimet për rafinerinë vijuan disa vite, por të dënuarit e kampit të Ballshit, u detyruan të punonin edhe në ndërtimin e apartamenteve të banimit, siç figuron në dokumentet e vitit 1977. Në këtë vit, statistikat tregojnë dhe për një numër të lartë të sëmurësh të regjistruar në këtë kamp, që për hir të së vërtetës kishin qenë me qindra që në krijimin e tij: në vitin 1972, 304; në vitin 1973, 338; në vitin 1974, 247; në vitin 1975, 325; në vitin 1976, 423...

Ndërkohë repartit të Ballshit, iu bashkuan edhe reparte të tjerë. Puna ishte e rëndë dhe duheshin sa më shumë të dënuar, që të kequshqyer dhe të patrajtuar vijonin punën për realizimin e planeve të qeverisë komuniste. Disa prej tyre nuk mbijetuan dot në këto kushte. Vetëm gjatë ndërtimeve në Ballsh, shkruan në librin e tij, studiuesi Dervishi, ndërruan jetë 93 të dënuar të cilët u varrosën në varrezën e fshatit Panahor.

Disa të dënuar, tentuan arratisjen, edhe pse dihej që kjo sipërmarrje ishte me shumë rrezik, por mesa dukej të punoje në ato kushte, ishte edhe më shumë. Asnjë prej tyre nuk ia doli të largohej. Durim Veledi u godit nga rojet e frontit të punës teksa i maskuar me gjethe po kalonte nën telin e rrethimit dhe mbeti i vrarë. Pesë të dënuar të tjerë që kishin hapur një tunel që niste që nga dhoma e tyre e izolimit, gjithashtu u kapën.

Puna, sakaq, vazhdonte me një numër gjithmonë e më të lartë të dënuarish politikë. Në 1977-ën, në repartin e Ballshit punonin 633 shqiptarë dhe 39 të huaj, të dënuar për arsye politike. Dashnor Mamaqi, Vasil Kati, Dom Aleks Baqli, Llazar Lubonja, Fatos Lubonja, Andon Sheti, Vaid Lame, Milto Vako, Teki Biçoku, Galip Sojli, Gaqo Peci, ishin disa prej tyre. Në Ballsh ka vuajtur dënimin dhe meshtari Zef Pllumi, që prej moshës dhe gjendjes shëndetësore, punonte si bahçevan i repartit. Një tjetër i dënuar i këtij kampi, Gëzim Peshkëpia, në librin e tij “O njeri”, shkruan se kur në vitin 1980 në kamp u vendos televizori, të dënuarit panë ngjashmërinë e kampit të Mathauzenit me burgjet shqiptare.

Pas përfundimit të punimeve për uzinën, të dënuarit vijuan punën për ndërtimin e pallateve të banimit. Dy vitet e fundit, 1977-1979, ishte shfaqur problemi i kontratës me ndërmarrjen që ndërtonte uzinën, për mungesë fondesh. Megjithatë uzina u ndërtua dhe filloi të funksionojë në vitin 1979, ndërkohë të dënuarit e Ballshit punuan edhe për katër vite të tjera në këtë qytet derisa reparti u mbyll në mars të vitit 1983 dhe të burgosurit u shpërndanë në reparte të tjera, duke lënë pas Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës, katër pallate dhe 93 varre.

Të dhënat janë bazuar në librin "Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste" të Kastriot Dervishit, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here