Prelë Syku: Ju rrëfej tmerret në burgun e Spaçit, ishte kamp shfarosjeje“

0
1958
blank

"Ata dy arkivolë, i lanë te dera e kampit vertikalisht, që sa herë numëroheshin të burgosurit, t’i shihnin aty. Kur vinin të burgosur të rinj, tmerroheshin...” 

 “Përditë vdisnin të burgosur në minierë, dhe nuk i lejonin as familjet të merrnin kufomat, por i varrosnin nëpër prroska. Bile ndodhi njëherë që vdiqën dy vetë; këta ishin të burgosur ordinerë, sepse kemi pasur edhe ordinerë në Spaç, jo të përzier me ne, por të ndarë, madje edhe frontet e punës ishin të ndara për ordinerët dhe politikët”, kështu rrëfen Prel Syku, I burgosur politik në diktaurë. Ai ka kryer 22 vjet burg në burgje të ndryshme të diktaturës komuniste por ai i Spaçit, ka mbetur si dhimbje e madhe në kujtesën e tij.  Komanda atë kohë kishte zdrukthtari, furrë pjekjeje dhe një ekonomi ndihmëse me derra. Përgatitën në zdrukthtari dy arkivole për të burgosurit që vdiqën në minierë, sepse sipas ligjit, kufomat e ordinerëve lejohej që t’i merrte familja. Dhe ata dy arkivolë, i lanë te dera e kampit vertikalisht, që sa herë numëroheshin të burgosurit, t’i shihnin aty. Kur vinin të burgosur të rinj, tmerroheshin.

Pastaj nja treqind prej nesh, na transferuan në qytetin e Bulqizës. Përgjegjës kishim Shkëlqim Bumçin, i cili kishte qenë i martuar me të bijën e Spiro Kolekës. Ishte burrë i mirë, të them të vërtetën. Ia ndau vajzën Spiros, dhe e dënuan 20 vjet. Në Bulqizë na lanë nja tre muaj për të ndërtuar qytetin, dhe pastaj na kthyen prapë në Spaç.

blankKur vdiq Enver Hoxha, na mblodhën të gjithëve në sallën e televizorit. Ndërkohë ne e dinim, sepse u mor vesh. Komandanti i burgut na tha: “Është bërë nami. Ka vdekur Enver Hoxha!” Në çdo burg, atë kohë, kishte një zyrë që e quanin “zyrë rehabilitimi” dhe zgjidhnin një person, si kryetar i Këshillit të Rehabilitimit. Dhe si të tillë, në Spaç kishin zgjedhur një person nga Shkodra, i cili kishte qenë kolonel. Ai u ngrit dhe i tha komandantit: ”Duhet të na lini që t’i bëjmë telegrame ngushëllimi familjes dhe Komitetit Qëndror !” “Kush ju ndalon ju, more?!” - u hodh komandanti. “Ju e keni këtë të drejtë. Letrat zyrtare unë nuk mund t’jua hap. Keni të drejtë t’i shkruani kujt të doni. Unë ju hap letrat familjare, por jo letrat zyrtare.“

Dhe ngrihen këta të Rehabilitimit, dhe i qëndisin një telegram me ngushëllime Komitetit Qëndror edhe familjes së Enver Hoxhës, dhe e vënë në stendë të emulacionit, sepse ata që punonin në minierë, kishin edhe stendë emulacioni. Një i burgosur nga Mallakastra, që flinte afër meje, shkoi, e lexoi dhe erdhi dhe më tha: “Këqyr se çfarë kanë bërë këta qelbësira!” Ai quhej Fetah Malasi; kishte qenë i arratisur  dhe ishte kthyer me amnistinë e rrejshme që shpalli shteti shqiptar për të arratisurit. Filloi të shante me vete dhe u ul dhe shkroi një letër, pak a shumë të tillë:
KOMITETIT QËNDROR

Letrat dhe telegramet e ngushëllimit për Enver Hoxhën janë fallso. Ato i ka shkruar Komanda me spiunët e vet. Neve nuk na ha meraku për Enver Hoxhën. 

E mbylli letrën dhe e nisi. Komiteti Qëndror, pasi e merr, dërgon dy të deleguar në kamp. I tregojnë Komandantit dhe Komisarit si ishte puna, pra për letrën që kishin marrë. “Ne e kemi verifikuar; ata kanë dashur vetë të shkruajnë telegrame” - përgjigjet komanda. “Ne do të verifikojmë, gjithsesi” -  këmbëngulin të deleguarit. Erdhën në kapanonin ku isha unë; ishim 200 vetë në atë kapanon, me shtrerërit të ngjeshur si të ishim pula, sepse neve politikëve, na nxorën nga pallatet dhe na futën në kapanone kur u bë amnistia, ngaqë mbetëm më pak. Kur hynë, ishte momenti i leximit të shtypit. Na detyronin të lexonim për ditë librin “Mërgata e qyqeve”, që ishte shkruar për të arratisurit. Këtë dhe veprat e Enverit. Kur hynë, m’u tek ishte një Pirro Frashëri, prej Berati. Edhe ai i burgosur si unë, blankpër herë të dytë. I drejtohen atij dhe i thonë: “Duam të të pyesim për letrat dhe telegramet e ngushëllimit që janë bërë për Enver Hoxhën.” Dhe ai i përgjigjet: “I ka bërë Komanda, jo ne. Nuk më ha meraku për Enver Hoxhën mua.” Atëherë ia filluan me radhë duke marrë firmat, se kush është dakord me ngushëllimet. Asnjëri nuk vuri firmë. Vetëm nja tetë inxhinierë nafte që ishin martuar me gra ruse firmosën. Të deleguarit dolën të pakënaqur dhe atëherë na e përkeqësuan trajtimin. Për ajrosje, na nxirrnin në taracë. Na sollën 40 policë prej Tirane, me uniforma të zeza, sepse në kamp policët mbanin uniforma blu. Na e prisnin katramën e rripit, dhe na e jepnin në dorë, veç për të na provokuar. Na i prishën tavllat, tabelat e shahut, çarçafët i hidhnin për tokë, jastëkët  po kështu; enët e kuzhinës, kusi a tepsi, na i hodhën në përroin që kishim afër. Arrestuan edhe nja njëzet vetë dhe i çuan në Burrel. “Ju ja keni bërë vetes. Enver Hoxha pyet për ditë për ju. Do të liroheshin shumica prej jush.“- na thoshnin. Njërin me mbiemër Blloshmi, Demir Blloshmi më duket, i cili kishte ngritur paguren e ujit në formë dollie atë ditë që vdiq Enver Hoxha, e futën në birucë dhe pastaj e çuan në Burrel.

Po me atë zotërinë prej Mallakastre që shkroi letrën çfarë ndodhi?

Atij nuk i bënë zë fare për ca kohë. Pas një muaji, erdhën dhe e morën; e çuan në birucë. Fati i atij qe, se i erdhi transferimi për Burrel brenda njëzet e katër orëve dhe nuk e mbajtën shumë atje, se do të vdiste. E rrahën dhe e torturuan boll atë natë, e munduan boll, por pastaj e çuan në Burrel...

blank

Në atë periudhë, mua më vdiq baba. Erdhën familja në takim dhe më kallëzuan. I shkrova një letër ngushëllimi familjes, të cilën e ruaj edhe tani, ku i thosha “Zoti ju dhashtë forcë e ju ruajtë tjerët çka jeni. Baba ka pasur kohën e vet, por më vjen keq që ka shkuar i dëshpëruar, se nuk kam qenë as unë në shtëpi…” Më thirri operativi dhe më tha: “Ti je Prelë Syku?” “Po” - i thashë. “Ti shkruake bukur,” - më tha. “Kam pasur kohë boll me mësue.” – i thashë.”Letra nuk lejohet të shkojë, se ke përmendur Zotin” - tha dhe i vuri një kryq të madh letrës. “Zoti është i ndaluar me ligj.”

“Por ne nuk e kemi si ju, - i thashë. Ne nuk  themi “të rroni vetë”, por themi “Zoti ju dhashtë forcë e t’ju rrojnë të tjerët.” “Nuk lejohet, - më tha; mirë që nuk ta kam shqyer.” Dhe ma dorëzoi letrën. Letra nuk i shkoi familjes. Merre me mend si ishte puna: nuk lejohej të përmendje ‘Zotin’, as në një letër drejtuar familjes.

Deri kur ndejtët në burg?

Derisa e plotësova dënimin krejtësisht: deri në vitin 1988. Në burgun e dytë, i bëra të plota të dhjetë vjetët. Në burgun e dytë e lashë gruan me katër fëmijë; më të madhin 8 vjeç dhe më të voglin 4 muajsh. Pra, kam bërë 22 vjet burg gjithsej.

Rrëfimi është marrë nga "Zërat e Kujtesës" me autorë Agron Tufa e Luljeta Lleshanaku.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here