“Një qeveri sekrete është ngritur në burg, do marrë drejtimin sa të vdesë Enver Hoxha”

0
475

Një informacion i marrë në rrugë operative në nëntor 1984, dëshmon se të burgosurit e gjithë Shqipërisë do të koordinoheshin në një kryengritje masive, sapo të vdiste diktatori. Dokumentet e përgjimit ruhen në dosjen e burgut të Qafë Barit…

Nga një përgjim në Shkodër, në nëntor të 1984, zbulohet se pak muaj para vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, qarkullonin fjalë mbi një megaplan, sipas të cilit, menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës, ose pas vrasjes së tij, do të organizoheshin në një kryengritje masive të gjithë burgjet e Shqipërisë. Po ashtu, thuhej se në burg ishte formuar edhe qeveria që do ta zëvendësonte menjëherë qeverinë e Hoxhës.

Informacionet ishin vjelë përmes rrugëve operative, nga një i arrestuar për veprimtari armiqësore në favor të zbulimit jugosllav, i quajtur Shtjefën Pjalmi. Ai i kishte marrë informacionet nga një ish-i burgosur, që kishte vuajtur 19 vite në burgun e Spaçit, i cili quhej Flamur.

Sipas këtyre informacioneve, të burgosurit ishin organizuar më së miri dhe kishin ndihmë edhe nga jashtë për koordinimin e veprimeve.

Nga ky informacion i marrë në rrugë operative, nga bashkëpunëtori “Furtuna”, ishin shkëputur pikërisht këto dy ekstrakte, që më vonë ishin depozituar në dosjen e burgut të Qafë Barit. Dy ekstraktet i sjellim në “Kujto.al”, të plota, si më poshtë, bashkë me faksimilet e tyre:

 

Sekret

Ekzemplar Nr.1

Shkodër, më 6.12.1984

EKSTRAKT

Nxjerrë nga e dhëna e bp. “Furtuna” e datës 2.11.1984

…Më pas Shtjefën Pjalmi i tregon burimit: ''Kam ndenjur para disa ditësh me një Flamur nga Shkodra, që ka qenë marinar dhe ka bërë 19 vjet burg në Spaç. Ai më ka thënë një gjë shumë sekrete që vetëm ti po e dëgjon nga goja ime. Të burgosurit janë organizuar në atë mënyrë që sapo të vdesë Udhëheqësi Kryesor ose ta vrasin, të gjithë të ngrihen në kryengritje në tërë burgjet e Shqipërisë. Ata e dinë veten të vdekur prandaj do të ngrihen. Më tha Flamuri se ky organizim është bërë në mënyrë të përsosur”…

Furtuna

Sqarim: Personi me emrin Flamur nuk njihet nga ana jonë, ndërsa Shtjefën Pjalmi është arrestuar për veprimtari armiqësore në favor të zbulimit jugosllav.

Punëtori operativ

Sokrat Paskali

(firma)

 

Sekret

Ekzemplar nr.5

Shkodër, më 6.12.1984

EKSTRAKT

Nxjerrë nga e dhëna e b.p. “Furtuna” e datës  12.11.1984

Burimi e pyet Shtjefën Pjalmin se më fole për atë Flamurin. Di gjë ai për organizimin e të burgosurve? Shtjefni përgjigjet: “Ai ka ndenjur disa vjet në burg me njerëz të mëdhenj. Atje në burg është formuar qeveria, që do të vendoset sapo të vdesë Udhëheqësi Kryesor i Partisë. Çdo gjë është gati. Pritet shpërthimi me rastin e vdekjes. Burimi i thotë se si ka mundësi  që të burgosurit të lidhen me njëri-tjetrin në burgje të ndryshme? Shtjefni tregon: “Mund të jetë ndonjë njeri i jashtëm që lëviz dhe organizon këtë  punë”…

Furtuna

Sqarim: Shtjefën Pjalmi është arrestuar për veprimtari armiqësore në favor të zbulimit jugosllav, duke u ndjekur në problemin e centralizuar “Majmuni”.

Punëtori operativ

Sokrat Paskali

(firma)

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here