Nga kampet e nazizimit, te burgjet e komunizmit

0
140
blank

Si dy ideologji të skajeve të kundërta, kush ishte dënuar si armik i fashizmit ose nazizmit, nuk pritej të dënohej edhe si armik i komunizmit, por gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri u burgosën disa persona të cilët kishin vuajtur në rininë e tyre në kampet e fashizmit dhe nazizmit. Disa prej tyre ishin patriotë e mendjelirë që ishin si kundër pushtuesve të huaj dhe kundër komunistëve. Të tjerë, i ishin bashkuar partisë komuniste me idenë se ajo përfaqësonte drejtësinë dhe humanizmin, por shpejt do e shihnin veten të burgosur në një sistem të padrejtë dhe antihuman. Kujto.al sjell historinë e njërit prej tyre, Simo Xhoxhit, i cili, 17-vjeçar, provoi kampet e përqendrimit të nazizmit dhe pas 35 vjetësh, edhe burgjet e komunizmit në vendin e vet.

Nga Xhafer Sadiku

Një nga anëtarët e partisë që sigurimi e mbajti nën kontroll agjenturial për vite me radhë ishte Simo Stefo nga katundi Badëlonj, i njohur edhe si Simo Xhoxhi. Qysh në moshë të re, 17-vjeçare, ai kishte provuar kampet e përqendrimit të nazizmit, por në jetën e tij do të provonte edhe burgjet e komunizmit.

Në kuadrin e fushatave shtypëse të sigurimit, ai u vu në përpunim aktiv, krahas 21 komunistëve të tjerë. Në një raport të sigurimit, në dhjetor 1960, përshkruhej me hollësi kontrolli agjenturalo-operativ që i bëhej Simo Xhoxhit. Bashkëpunëtori “Seanca e parë” informonte për bisedat që kishte bërë me të, që në të vërtetë, ishin shpifje të vetë agjentit të sigurimit. Megjithë kontrollin e rreptë me më shumë se dy agjentë, sigurimi vinte në dukje vështirësitë që kishte në përpunimin e tij, pasiqë Simo, sipas tyre, “paraqitet nga ana e jashtme i qetë dhe punëtor, i rregullt në punë, matet shumë kur bisedon dhe çdo gjë e merr me rezervë”.

Sigurimi raportonte se “Simo ka survejuar punëtorët operativë dhe më në fund ka mundur që të zbulojë vendin e takimit, orën, datën dhe të deshifrojë dy b.p. t’organeve tona”.

Në të vërtetë, ai punonte shofer në ndërmarrjen bujqësore dhe, kur kthehej në shtëpi pas pune, shpesh shikonte punëtorin operativ të sigurimit, kur takohej me bashkëpunëtorët, në rrapet buzë Vjosës.

Pas më shumë se 15 vjet përpunimi, Simo Xhoxhin e arrestuan dhe më 8 mars 1975, gjykata e rrethit Përmet e dënoi me 10 vjet heqje të lirisë. Akuza që i bënë ishte agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Simo Stefo u dënua me dëshmitarë të rremë. Sipas dëshmitarëve, ai i kishte paraqitur dënimet e dhëna kundër Beqir Ballukut etj., si arbitraritet të partisë e të shtetit. Në vendimin gjyqësor lexohet: “ai e ka paraqitur gjendjen ekonomike të nivelit të rëndë për masat punonjëse, të cilat sipas tij, punojnë tërë ditën dhe nuk nxjerrin as bukën e gojës. Sistemin e pagave e ka quajtur mashtrim dhe ka bërë krahasim duke folur, se në Gjermani sistemi shoqëror kapitalist u siguron punonjësve një jetesë më të mirë”.

Në të vërtetë, si të gjithë të dënuarit politikë, edhe Simo Stefa (Xhoxhi) u arrestua e dënua nga shpifjet e agjentëve të sigurimit. Në një raport të atyre ditëve shkruhej: “falënderim me shkrim kemi rast që t’u japim b.p. të cilët kanë kontribuar dhe dhënë material për goditjen e objektit Simo Xhoxhi që është bërë kohët e fundit”.

Marrë nga “Skenarë të përgjakur (Përmeti, 1943-1990)”, i Xhafer Sadikut, botim i ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here