Nexhipe Taraku, me babanë të pushkatuar, 8 vite në burg...edhe një dëbim të përjetshëm!

0
1879
blank

Nexhipe Taraku ishte një vajzë e re 20 vjeçe, kur Lufta mbaroi në Shqipëri dhe nisi të instalohej regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Nexhipja kishte lindur në vitin 1924 në Pejë, por rrethanat e kishin sjellë të jetonte në Shqipëri për shkak të pozicioneve të të atit, Osman Taraku në administratën e Luftës. Ajo nuk e dinte se fundi i luftës do të shënonte për të fillimin e një kalvari të pafund dhimbjesh e vuajtjesh në Shqipërinë mëmë, pasi i ati, Osmani do të pushkatohej që në verën e 1945-ës e ajo vetë do të vuante burgjeve të komunizmit dhe më tej edhe në internim.

Ishte qershor 1945. Burgu i vjetër i Tiranës ishte kthyer në një vend torturash të tmerrshme, pushkatime të përditshme, presione të panumërta psikologjike. Gjithkund shihej hija e vdekjes. Çdo ditë, merrnin dhe pushkatonin 3 apo 4 të burgosur. Ishin shpallur të gjithë armiq të regjimit dhe në gjyqet farsë hidheshin çdo ditë dhjetëra firma për dënime me vdekje.

Siç dëshmon dekada më vonë pas rënies së diktaturës, Xhemal Alimehmeti një prej eksponentëve të Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë Luftës, i burgosur në fund të vitit 1944 pikërisht në këtë burg, torturat dhe pushkatimet bëheshin hapur e në dritë të diellit. Madje një ditë, ishin dërguar për pushkatim nga ai burg 13 të burgosur. Mes tyre ishte edhe Osman Taraku, babai i Nexhipes.

Mbasi i kishin vënë në rresht dy e nga dy, i kishin nisur për t’i pushkatuar në Breg të Lumit, një vend rreth 20 minuta larg burgut. Në momentin kur i kishin nisur ata ishin mbledhur kokë më kokë e kishin nisur të këndonin me zë të lartë himnin e flamurit e kishin vijuar ashtu derisa ishin tretur në horizont….

Rreth 20 minuta më vonë ishin dëgjuar krismat. I kishin vrarë të gjithë…

Prej asaj dite familja Taraku, nuk do ta shihte më njeriun e saj të dashur, ndërsa goditja mbi ta nuk do të rreshtte. Nexhipja, vajza e Osmanit mbahej nën vëzhgim të rreptë nga strukturat e reja të regjimit  për çdo hap që hidhte e çdo fjalë që thoshte. Që në dhjetor të atij viti, pak  muaj pas pushkatimit të të atit, Nexhipja kundërshton farsën e zgjedhjeve të para politike që regjimi po zhvillonte në Shqipëri, duke e nuhatur si tentativë për të vulosur pushtetin e Hoxhës. Në zyrat e Minsitrisë së Brendshme shkonin njoftime se Nexhipe Taraku “kishte organizuar një grup vajzash për të sabotuar zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945”.  Një vit më vonë pas survejimeve të vazhdueshme Nexhipen e akuzojnë si agjente amerikane pasi e kishin parë të hynte e të dilte nga zyrat e UNRRA-s. Me këto dy akuza, regjimi do të çonte pas hekurave vajzën e Osman Tarakut, duke e vijuar hakmarrjen mbi këtë familje që nuk e deshi dhe e kundërshtoi regjimin. Pak dihet rreth viteve të burgut të kësaj vajze të re, ndërsa dokumentet e zbuluara deri më tani dëshmojnë se pas arrestimit në vitin 1946, Nexhipe Taraku vuajti 8 vite burg dhe menjëherë pasi ajo lirohet dhe kthehet në shtëpinë e saj në Tiranë,  në fillim të vitit 1954, drejtuesit më të lartë të Minsitrisë së Brendshme urdhërojnë internimin e saj të menjëhershëm.

Siç dëshmojnë dy dokumente të Ministrisë së Brendshme, në shkurt të vitit 1954, kur sapo kishte dalë nga burgu, në moshën 30-vjeçare, Nexhipe Taraku, nuk kishte mundur të krijonte familje dhe regjimi do t'i rezervonte asaj një jetë të mjeruar si e dëbuar “përjetësisht” në Lushnje. Fillimisht, për fatin e saj mësojmë nga një dokument tepër sekret i datës 19 shkurt 1954, ku, listoheshin një varg kundërshtarësh të regjimit të Enver Hoxhës në qarqet Korçë, Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Berat dhe Durrës, të cilët propozoheshin të internoheshin e të izoloheshin në zona, ku nuk do të përbënin më rrezik për regjimin. Lista bashkë me biografitë e secilit kishte kaluar nën lupën e Sigurimit të Shtetit dhe ishte hartuar një propozim nga Komisioni i Internim-Dëbimeve, për t'i internuar apo dëbuar pjesëtarët e asaj liste, si njerëz të rrezikshëm për pushtetin. Propozimi ishte miratuar nga ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu.

Mes të propozuarve ishte edhe Nexhipe Osman Taraku nga Peja. Ja çfarë shkruajnë për të në këtë dokument:

blank

 

 

blank

Nexhipe Osman Taraku

E bija e Osmanit, datelindja 1924, lindur ne Pejë (Jugosllavi dhe banuese në Tiranë. Me kombësi jugosllave e nënshtesë shqiptare, rrjedh nga nji shtresë e pasur fshatare, arsim të mesëm e pamartuar e dënuar për aktivitet kundërshtar e sot pa punë.

Gjatë regjimit të Zogut, në moshë të vogël, ndërsa gjatë okupacionit ka simpatizuar  fashizmin italian e Gjerman, këtë qëndrim ka pasur gjithë familja, kanë qenë të lidhur me organizatat kundërshtare Ballin e Legalitetin dhe kane propaganduar kundra levizjes N.Çl. Babai i saj ka qenë oficer i xhandarmërisë. Mbas çlirimit për aktivitet kundërshtar, babaj i saj dënohet si kriminel Lufte me vdekje. Nexhipeja në zgjedhjet e dy dhjetorit 1945 u mundue të organizojë nji grup vajzash për të sabotuar zgjedhjet dhe kanë propaganduarë ndër elementa të pakënaqur kundëra Pushtetit.  Në vitin 1946 është konstatuarë të frekuentojë zyrat e UNRRA-s dhe simpas udhëzimeve te spiunazhit Amerikan është munduar të mbledhij informata me karakter ekonomik, ushtarak dhe politik. Për gjithë këtë aktivitet është arrestuarë dhe dënuar me tetë vjet burgim. Mbas çlirimit nga burgu vazhdon aktivitetin e saj kundra Pushtetit, përbuz Pushtetin, bën lëvizje të shumta në takimin me elementa kundërshtarë. Si e tillë paraqet rrezikshmëri qenia e saj në Tiranë”.

Pak ditë më vonë, më 30 mars 1954, Komisioni i Dëbimeve dhe Konfiskimeve firmoste  shkresën që do ta dëbonte përgjithmonë nga Tirana Nexhipe Tarakun. Ja çfarë shkruhet në këtë vendim me siglën "tepër sekret":

blank

Komisioni i dëbimeve dhe konfiskimeve pranë Ministrisë së Brendshme i përbërë prej:

Gjeneral lejtnanat Mehmet shehu, kryetar

Gjeneral major  Kadri Hazbiu zv.kryetar

Gjeneral major Delo Balili, anëtar

N/Kolonel Nevzat Haznedari, anëtar

N/Kolonel Rexhep Kolli anëtar

N/Kolonel Jashar Kasimati anëtar.

Në seancën e datës 15 mars mbasi mori në shqyrtim propozimin e Minsitrisë së Brendshme për internimin  e Nexhipe Osman Turaku, lindur në Pejë, Jugosllavi dhe banuese në Tiranë, shtresë e pasur fshatare, e papunë,

KONSTATOI se

E nalt përmendura e ka babanë e saj të pushkatuar si Armik i Popullit. Mbas çlirimit kjo asht arrestuar dhe dënuar me 8 vjet burg për arsye se ishte agjente  e amerikanëvet, sot kjo paraqet rrezikshmëni dhe nuk mban qëndrim të mirë, në mbështetje të nenit 1 të ligjës  nr. 649 datë 10 janar 1949 mbi zbatimin e dëbimeve dhe konfiskimeve,

Vendosi:

Dëbimin nga Tirana të Nexhipe Osman Taraku për në Lushnje me qëndrim të detyrueshëm të përhershëm.”

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.