Në përpjekje për arratisje humbi gruan dhe fëmijët, vuajti 16 vjet burgim

0
270
blank

Historia tragjike e Nazmi Haki Shehu, lindur më 2.5.1909 në Velesh të Trojakut të Dibrës, nis në vitin 1953. Duke qenë me origjinë shtresë e mesme, si dhe më parë, në kohën e Zogut, xhandar në Sarandë, i parë keq nga pushteti, u orvat të largohej nga Shqipëria. Hyri në burg 44 vjeç dhe për herë të dytë, doli 76 vjeç, duke u dënuar dy herë e duke vuajtur mbi 16 vjet burgim. Asnjë mëshirë nuk treguan komunistët për humbjet që pësoi.

 

Dënimi i parë

U arrestua më 8.1.1953. U akuzua në bazë të neneve 64 dhe 277 të Kodit Penal.

Më 7.1.1953 së bashku me gruan e dy fëmijët u nis në drejtim të kufirit në zonën e Kukësit për të realizuar arratisje. Nga kushtet e vështira të kohës u detyrua të kthehej. Familjen e la në një stan dhe vetë u dorëzua në Bicaj të Kukësit. Arsyeja e arratisjes ishte që të shkonte tek i vëllai në Turqi. “Gjykata vëren...se i pandehuri nuk është vetëm një tradhtar, pse ka dashur të mohonte e të linte atdheun e tij, por ai është një kriminel dhe shkaktar i vdekjes së gruas së tij dhe sidomos fëmijës së tij që me aq kujdes i rrit dhe i edukon Partia jonë e Punës, duke hequr kështu një fatos nga radhët e brezit të ri, të cilët në pamundësi t’i rezistonin dëborës, të ftohtit dhe tufanit dhanë shpirt në mes të Bjeshkëve”-thuhej midis të tjerëve në vendimin e gjykatës.

Gjykata Ushtarake Tiranë, me veprim në Peshkopi, me vendimin nr.57, datë 21.3.1953, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.176, datë 5.5.1953 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 14.3.1961. U internua menjëherë në Shtyllas dhe Roskovec të Fierit dhe më vonë, në vitin 1966, në Luz të Krujës.

 

Dënimi i dytë

U arrestua më 26.3.1977. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal.

Ishte martuar dhe kishte një fëmijë. Në vendim thuhej: “I gjykuari, megjithëse është dënuar më parë për tradhti ndaj atdheut, ai përsëri nuk ka hequr dorë nga veprimtaria armiqësore kundër pushtetit popullor. Kështu, pas vuajtjes së dënimit me heqje të lirisë dhe dënimit plotësues me internim në fshatin Shtyllas të Fierit, kthehet në fshatin Luz të Krujës. Me ardhjen në këtë fshat, filloi aktivitetin e tij armiqësor. Kështu, gjatë viteve 1967 e deri në momentin e arrestimit, ai ka zhvilluar, me persona të ndryshëm, veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit dhe të propagandës kundër pushtetit popullor”. Citohej të kish thënë se kushtet e jetesës ishin të vështira, punonin e nuk arrinin të jetonin si njerëz, se qeveria po e rripte popullin, etj., shprehje të cilat sipas gjykatës “nuk i përgjigjeshin realitetit tonë socialist”, sepse vetë jeta në fshat e qytet e demaskonte “këtë mbeturinë armiqësore”. Bëhej fajtor për një sërë shprehjesh kundër pushtetit, për gjendjen ekonomike, për kushtetutën e re, për prishjen e fesë, për prishjen e moralit, etj.. Sipas tij, Enver Hoxha e Mehmet Shehu, vetë shkruanin e vetë vulosnin. Gjykata e Rrethit Krujë, e drejtuar nga Leon Thomo, me pjesëmarrjen e prokurores Zamira Martini, me vendimin nr.96, datë 30.8.1977, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.301 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 26.3.1985. Dënimin e vuajti 100%.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here