“Në emër të Zotit, të ngarkoj të jesh dëshmitar i vuajtjeve tona, kur një ditë ne s'kemi për të qenë”

0
910
blank

Amaneti që i la Visarjon Xhuvani Viktor Martinit, në oborrin e burgut të Burrelit. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, një ndër të burgosurit politik si intelektual i shquar i kohës, po e ngarkonte të riun 18-vjeçar, me misionin për të rrëfyer krimet e komunizmit, brenda birucave të Burrelit

Viktor Martini ishte i mitur kur u arrestua nga diktatura komuniste, me akuzën për tentativë arratisje, i katërti prej vëllezërve të familjes Martini, të gjithë në burg. Ishte viti 1956 kur u arrestua Viktori, në moshën 16 vjeç. Ndërkohë, i ati kishte vdekur në burgun e Burrelit. Viktor Martini u arrestua në Shkodër, ku dhe kaloi disa kohë si i burgosur, më pas, u transferua në burgun e Rinasit, dhe në moshën 18-vjeçare, u transferua në burgun e Burrelit, atje ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë, që regjimi komunist i kishte shpallur armiq të popullit. Natyrisht që burgu është një ndër “ëndrrat” më të këqija të jetës së tij, por atje ka diçka pozitive për të kujtuar, dhe e thotë me shumë krenari, dijet e mirësinë që mori nga ata intelektualë shqiptarë që u dënuan padrejtësisht nga regjimi komunist. “Nëpërmjet nji akuze false, më arrestuen për tentativë arratisjeje, dhe më dënuen me 7 vjet burg. Por kjo fatkeqësi më krijoi mundësinë të bashkohem me atë pjesë krenare të kombit, prej të cilëve mora mësimet e para intelektuale e morale. Njeni nga këta mësues asht Fisniku i pashoq, intelektuali e i papërkuluni Ali Mena. Kanë kalu 60 vite, por falenderoj Zotin që më ka ruejtun memorien të freskët. Jo vetëm për mos me i harru këta heronj, por dhe për t’ia ba të njohun pjesës ma të randësishme, rinisë shqiptare, të cilët nuk kanë pasë rastin të ndigjojnë historitë e antikomunistëve”, rrëfen Viktor Martini, në intervistën e dhënë për Dritan Kolgjinin, pak kohë më parë.

Një ndër detajet më interesante të jetës së Viktor Martinit në burg, është amaneti që i ka lënë Visarjon Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, në oborrin e burgut të Burrelit.

“Unë ndihem tepër i kënaqun që po kryej nji amanet që me la Visarjon Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, kur në oborrin e burgut të Burrelit me tha: “Në emën të Zotit, të ngarkoj të jesh dëshmitar i vuejtjeve të tona, kur nji ditë ne s'kemi për të qenë.” Isha 18 vjeçar e unë do vazhdoj të jem dëshmitari i vuejtjeve të njerëzve të ndershëm, që sakrifikuen për lirinë e dinjitetin e popullit shqiptar”, rrëfen Viktor Martini, në intervistën dhënë Dritan Kolgjinit, botuar në gazetën Dielli, në mars të vitit 2015.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here