2019-a është viti i 100-të i krijimit të klubit sportiv Vllaznia, themeluar më 16 shkurt 1919. Vllaznia është një prej klubeve që i ka dhënë më shumë sportit shqiptar, por edhe që është goditur më fort gjatë diktaturës komuniste. Shoqata publicistike sportive “Anton Mazreku” ka krijuar një listë të sportistëve që iu ndërpre në mes karriera, për shkak të përndjekjes komuniste. Edhe pse ndoshta jo e plotë, nënkryetari i kësaj shoqate e ka sjellë për kujto.al këtë listë kampionësh që diktatura i goditi, duke dëmtuar njëkohësisht edhe sportin shqiptar, që, pa këto talente, humbi shumë vlera dhe rezultate
Nga Namik Mehmeti
Sporti shkodran në vitet e diktaturës enveriste, ndjeu deri në palcë genocidin komunist. Emra të mëdhenj të sportit, të njohur jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë për talentin dhe mjeshtërinë sportive, u keqtrajtuan për biografi të keqe dhe ishin gjithnjë në shenjestrën e Komitetit të Partisë dhe të Sigurimit të Shtetit. Në zyrat e klubit Vllaznia dhe të Komitetit të Fizkulturës e të Sportit, është hartuar në vitet e diktaturës komuniste, një listë e gjatë me emra të sportistëve shkodranë, shumë prej tyre mjeshtra të sportit në shumë lloje sportesh, të shoqëruar edhe me disa shënime, pse ishin protokolluar në okelion "me biografi te keqe”.
Shoqata publicistike sportive "Anton Mazreku", që u krijua në Shkodër në vitet e para të demokracisë, u angazhua seriozisht për të sjellë në memorie persekutimin e këtyre personaliteteve sportive, nëpërmjet botimit të portreteve të tyre në gazetën e kësaj shoqate "Vllaznimi sportiv" dhe në gazetën "Sporti Shqiptar", ku ish-kryeredaktori i saj, Besnik Dizdari, u dha shumë hapësira në faqet e kësaj gazete, emrave të sportistëve që ishin keqtrajtuar, duke ndjerë dhe poshtërimin më të madh, përjashtimin nga sporti, mospjesëmarrjen në ekipet kombëtare, disa prej të cilëve edhe janë burgosur apo u detyruan të arratiseshin nga Shqipëria.
Shoqata publicistike “Anton Mazreku" u kërcenua kur desh të botonte këtë listë, e cila u hoq nga shtypshkronja në mënyrë të fshehtë. Megjithatë, kryetari i kësaj shoqate dhe kryesia e saj, ku bënte pjesë artikullshkruesi i këtyre radhëve, i ndjeri Ymer Striniqi, komentatori i njohur i futbollit, gazetari Gasper Marku etj., nëpërmes ndihmës së drejtuesve të sportit në fillimin e demokracisë, z.Skënder Bushati e z.Mehdi Milla dhe në mënyrë të veçantë të ish-kryetarit të Bashkise z.Filip Guraziu, emri i të cilit ishte në këtë listë pasi, me gjithë talentin e tij, ai u pezullua nga ekipi i basketbollit të Vllaznisë, arritën t'i bëjnë vlerësimin e tyre, duke i shpallur jo vetëm mjeshtra të merituar sporti, por me vendim të Presidentit të Republikës z.Sali Berisha edhe "Martirë të Demokracisë" apo "Pishtarë të Demokracisë" si futbollistët: Myzafer Pipa, Ndue Pali, Qazim Dervishi, Cin Sarreqi, atletët: Pjetër Guraziu e Nazmi Kryeziu, një brez futbollistësh veteranë të lënë në harresë prej vitesh, si Ramadan Kazazi, Shaqir Meta, Asim Golemi, Kin Bushati, Hile Topalli.
Po ashtu, shoqata në fjalë portretizoi në faqet e shtypit sportiv lokal e kombëtar, figurat e ndritura të sportit shkodran, që ishin detyruar të arratiseshin nga atdheu i tyre nga keqtrajtimi i familjarëve të tyre apo atyre personalisht si Ragip Lohja, Bahri Kavaja, Qemal Tafilica, Gani Ymeri, Dode Tahiri, Jaus Kuci, Nazmi Ulqinaku, Hajrullah Zaganjori, Cesk Jana, Bajram Ballani, Arvid Hoxha, Lulzim Bershemi, Gaqo Goga, Arshi Pipa, Fuat Zajmi, Faik Anamali, Tonin Marku.
Në të njëjtën kohë, ishin burgosur edhe sporistë të njohur si Qazim Dervishi, Mark Berisha, Nazmi Halili, Nikolin Thana, Nino Kurti, Ferit Tahja, Ahmet Ashikja, Simon Jubani, Mark Temali, Abdyl Rusi, Tahir Shkreli Sabri Quku, Ruzhdi Daca, Nikolin Pali, Viktor Luka, apo edhe ishin vrarë duke kaluar kufirin si Ndoc Gjoni, vëllai i trainerit të mirënjohur të Vllaznisë, Zef Gjoni.
Këta sportistë shkodranë, kanë qenë pothuajse të gjithë figura intelektuale, profesorë, juristë, gazetarë, qoftë studentë apo thjesht punëtorë, të familjeve të nderuara të qytetit të Shkodrës.
Ky shkrim u përgatit duke u bazuar në listën e hartuar nga shoqata publicistike sportive "Anton Mazrreku", e cila mori përsipër të organizojë një ekspozitë me fotografitë e këtyre sportistëve. Ndoshta mund të jenë lënë jashtë kësaj liste edhe sporistë të tjerë që janë persekutuar dhe janë dënuar, duke u përjashtuar nga sporti, si rasti i mjeshtrit të merituar të sportit, basketbollistit Luan Shatku.
Në vitet e mëvonshme të demokracisë, shumë prej këtyre emrave të kësaj liste, u janë dhënë tituj të tjerë sportivë, deri tek Urdhri "Naim Frashëri".
Namik Mehmeti, nënkryetar i shoqatës publicistike sportive “Anton Mazreku”
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.