Ditë dimri në Shkodër, sigurimsi sulmon në rrugë 79-vjeçarin, Mark Harapi

1
754
blank

Edhe kur nuk ishte më në burg, jeta nuk ishte e thjeshtë për Atë Mark Harapin. Komunizmi i kishte hequr zhgunin e klerikut dhe mundësinë për t’u ushqyer, por nuk ishte i kënaqur. Ai përndiqej për t’u poshtëruar sa herë të shfaqej mundësia, edhe pse në moshë të thyer dhe në gjendje ligsht shëndetësore.

Shkodrani Pjetër Logoreci ka sjellë për kujto.al kujtimet nga një ditë dimri e vitit 1969, kur një punonjës i Sigurimit e sulmon, e pështyn dhe më pas, e rrëzon në rrugë atdhetarin, poliglotin, filozofin Mark Harapi

I masakruemi

Nga Pjetër Logoreci

blankDikur, si nxanës 12 vjeçar, u kthejshe n’ shpi te Arra e Madhe, tuj kalue nëpër nji rrugicë t’qetë t’Shkodres, ku gjindet shpia e Pashko Vasës. Ashtu si misteri i dyerve t’vjetrueme e i mureve t’nalta t’ksaj rrugice, m’kuriozonte edhe nji kalimtar i moshuem, me pamje t’ mjerueme e t’ lodhun, qi përshkohej aty pothuejse çdo mesditë. Kasketa e vjetër e rrasun mbi sy, nuk pengonte me vrojtue te i mjeri, tiparet e nji burrit fisnik, me fytyrë t’ mprehtë, me sy gri e autoritar, mustakë t’thinjun e t’ dendun, e nji hundë me kurriz, si shkabë malesh... Korpi i tij kocë e lkurë, i mbluem me nji pallto t’vjetër t’arnueme, kambët me plagë e shika prej galosheve t’çame qi i tërhiqte zvarrë, dy duer t’thata plot njolla t’zeza qi i dridheshin, qindronte n’kambë ndihmue prej bastuni t’moçëm me dru bjeshket. Baba em m’diftoj, qi ky skamnuer ishte At Mark Harapi, nji gjigand i atdhetarisë, poliglot, filosof e përkthyes i vepres s’Aleksander Manzonit, qi dha ndihmesen e tij intelektuale n’fusha t’veçanta t’kulturës shqiptare. M’diftoj qi u “shpërblye me 20 vjet burg e internim politik” dhe qi mbijetonte nga lëmoshat e qytetarve t’Shkodres... por atë çka ndodhi me te, nji ditë t’akullt dimni t’vjetit 1969, tronditja e trishtimi ma mbyllën n’mende e n’zemren teme fmijnore për mos me e harrue kurr ma... N’mesditen e asaj dite t’kristalizueme, tuj çapitë kadalë, skamnori plak, po bante metrat e fundit për me mbrritë te dera e nji familjes zemerbardhë, qi për mshirë shpenzonte çdo ditë vaktin e mesditës për te, kur, ...nga bryli i rrugës (te shpija e Gjonejve), po duket nji alamet burri. Veshja tij, pardesyja teritalit me rryp në mes, pantallonat e ngrituna mbi nyje t’kambës si dhe kasketa stil kinez, i jepte atij nji pamje qesharake, por t’frigshme sigurimsit... Mbasi ktheu kryet mbrapa, siç duket me u sigurue qi ishte vetëm, tuj injorue prezencën teme, ju afrue plakut dhe filloj me i folë tanë inat e zëmrim, me nji ton urrejtje qi mue m’drithtoj ma shumë se t’ftohtit. Shfrynte, shante e turfullonte me egërsi tuj i pengue rrugën viktimës, deri qi e rrasi për mur... Mandej, zgjati doren tuj e mbërthye t’mjerin e pafuqishëm prej jaket, e afroj drejt vedit dhe e pështyu mbi ftyrë... At Marku, i mbeshtetun mundishëm mbi bastuni e vet, tuj mos dashtë me u përballë me t’keqen, u mundue pa bëza, tuj i kthye shpinden, me vazhdue rrugën. Sigurimsi, qi u ndi i sfiduem, me sa fuqi pat, i shkelmoj bastunin plakut qi hupi drejtpeshen u rrëzue tuj përplasun mbi ngricën e rrugës kryet e ftyren, qi ju mblue n’gjak. Edhe sot e ksaj dite, nuk di se si nuk m’plasi zemra, tuj mbetë i palëvizun si gur zallit, i pafuqishëm me vu dorë mbi çka ndodhi. Ndër kohë, nji grue shpijake qi siç duket, mbas grilave, e kishte vrojtue krejt ndodhin, duel prej nji dere tuj i ofrue ndihmë Atit të plaguem qi tregonte me dorë e sy kah dera e mëshirës, aty afer...

Pjetër Logoreci

Vjenë, 25.10.2019

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here