Padër Mark  Harapi u arrestua më 5 nëntor 1946 dhe u dënua me 10 vjet burg. Pas kryerjes së dënimit, ai u internua edhe për pesë vite të tjera, për t'u kthyer në qytetin e tij të lindjes, në vitit 1965.  Ishte vëllai i klerikut të nderuar Atë Anton Harapi, i cili ishte ndër klerikët e parë që u pushkatua nga regjimi komunist. Në moshë të thyer, ai e la amanet te miqtë e tij klerikë që kur të ndërronte jetë, të varrosej në vendin e tij, në Shirokë. Padër Mark Harapi ndërroi jetë më 10 shkurt të vitit 1974, duke lënë pas respektin e besimtarëve dhe gjithë qytetarëve të Shkodrës, por edhe kalvarin e mundimeve nëpër burgjet e internimet e diktaturës komuniste. Atë Ferdinand Pali dhe At Gjergj Vata u kujdesën të çojnë në vend amanetin e Padër Mark Harapit, për ta përcjellë me ceremoni fetare e për ta varrosur në Shirokë. Për të plotësuar amanetin e padër Markut, nuk ishte aq e lehtë sepse prej shtatë vitesh, ishte ndaluar nga regjimi komunist aplikimi i çdo riti fetar. Megjithatë, dy klerikët miq të padër Markut, ia dolën të çojnë në vend amanetin e tij, me ndihmën e disa qytetarëve të nderuar shkodranë.

Pak ditë pas ceremonisë së varrimit të padër Mark Harapit, pesë persona u ndëshkuan nga regjimi komunist, ndër të cilët spikat Luigj Bushati, që në atë kohë ishte përgjegjës i zyrës në ndërmarrjen e riparim-shërbimeve në Shkodër, që kujdesej për ceremonitë e varrimit në këtë qytet.

Burimi: Artikull i botuar nga Fritz Radovani, në portalin "Zemra Shqiptare", me titull: Hapni dosjet!
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.