Letra nga Shqipëria komuniste drejt SHBA-së: Të gjithë do të vdesin…shpresat janë të kota

0
3179
blank

Viti 1952/ Lina Radoja i shkruante të afërmit të saj jashtë Shqipërisë: "Po të mos kisha fëmijën do t’i kisha dhënë fund jetës, por ai m’i lidh këmbët. Prapë se prapë do ta bëj ndonjë ditë”

Shqipëria komuniste e vitit 1952 ishte skëterrë për shumicën e popullsisë.  Varfëria, persekutimi dhe dhuna shtetërore ndaj qytetarëve e kishin bërë të pamundur mbijetesën për shumicën. Komunistët kishin shtatë vjet që kishin marrë pushtetin dhe prej ditës së parë, nisën represionin ndaj intelektualëve dhe shtresave të pasura të Shqipërisë. Ishin shpronësuar të gjithë pronarët dhe më pas kishin përfunduar në burg. Shumë prej tyre u vranë. Familjet e tyre u burgosën, jetonin nëpër kampet e internimit apo nëpër bodrumet e shtëpive të tyre. Situata e vitit 1952 në Shqipëri vjen përmes disa letrave që familjarë të të burgosurve ose ish-pronarë, iu dërgonin të afërmve në SHBA e vende të tjera të botës. Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar disa prej tyre. Letrat e tregojnë mjerimin e asaj kohe, dhunën shtetërore dhe pesimizmin e popullit shqiptar nën diktaturën komuniste.

blank

Në letrën që Lina Radoja nga Shkodra i dërgon të afërmit të saj në Itali, Bresan Carko, duket dëshpërimi që kishte mbërthyer familjen e saj: “Ju vë në dijeni se në 9 të këtij muaji bëhen 3 muaj që Ndoci është burgosur e deri tash nuk dihet gjë. Deri kur do durojmë këto kondita? Jeta është e vështirë të kalohet kështu. Punë nuk na japin. Për fjalë të nderit por të mos kisha fëmijën do t’i kisha dhënë fund jetës, por ai m’i lidh këmbët. Prapë se prapë do ta bëj ndonjë ditë”. Më poshtë publikohen edhe letra të tjera të ngjashme.

-Kostaq Koki nga Korça, për Q.K.Mina në SHBA: “Kisha arritur në një pasuri të mirë dhe kisha shumë qejf të vija me gjithë zonjën të piqeshim që me të gjallë. Kemi 5 vjet që rrimë në qilar. Muret janë me ujë. Qajmë për të gjitha vuajtjet”.

-Jorgji  Papa i shkruan Stefanos Muqelis në SHBA: Ekonomikisht jam i shkatërruar. Nga familja nuk kam asnjë ndihmë. Vetëm ti je për mua”.

blank

-Kleoniqi Pano nga Korça për Miche Mile në SHBA: “Këtu Vangjelica nuk ka asgjë. Është e tmerrshme që të shkruaj. Hamë bukë misri 400 gramë në ditë. Mos pyet. Mjerë populli i cili ka arritur fazën e tuberkulozit. Ç’të them! Në rast se gjendja do të mbesë kështu, që të gjithë do të vdesin. Shpresat janë të kota”.

-Zyra Hariz Kamenica nga Korça për Hariz Rakip Kamenicën në Australi: “Këtu ka halle shumë. Nuk ka tregtarë të marrësh borxh. Po nxore vetë ndonjë lek po mirë. Je se vdiqe. Këtu duhen 100 dollarë në vit për shtetin, veç të tjerave. Kështu ta marrç vesh mirë se nuk ta shpall dot se e kam gjuhën e shkurtër. Kuptoje vetë”.

-Fotini Ago nga Sinica e Korçës për Kristo Dinon në SHBA: “Sot që po të shkruaj letrën kam bukë vetëm për një javë. Ju lutem mos na lini të vdesim për një copë bukë, të cilën nuk e dimë ende në do ta marrim. Mësoje se dyqani që ka hapur qeveria për të blerë me dollarë, nuk ka asgjë”.

-Jani Litis nga Klishari, letër për George Litis në SHBA: “Jeta e babait është rënduar këtu, një sandale për të veshur nuk ka. Sikur të kishte një mënyrë të vija atje. Mamaja nuk do të vijë për arsye se ka Janin ushtar, por ty të shkruaj që në rast se nuk do vij unë, nuk të dërgoj letër tjetër”.

blank-Evjeni Kaçi nga Vanistra për John në SHBA: “Kemi qenë shumë keq për bukë si dhe për borxhet që kemi pasur. Po mos na vinin këto të holla nuk dinim si do t’ia bënim. Me këto morëm disa ushqime, por ne e dimë si hamë. Nuk mjafton me kaq, por ndodhemi në dimër dhe jemi pothuaj lakuriq. I marr rrobat për të qepur, por grisen nga gjilpëra. Mallëngjehem dhe i njom me lot. Kam edhe shokë të tjerë në këtë gjendje. Këtë letër ta jap ta lexojnë edhe të tjerët dhe ju lutem të na ndihmoni pasi jemi në gjendje të mjerueshme”.

 

-Nasho Cani për Petron Canin në SHBA: “Peço, u shpenzuam shumë këtë vit. Jemi shtrënguar shumë në rrezik sepse kishim 240 napolona që ia paguam financës. Nuk di si do ia dalim këtë vit. Kemi mbetur të zhveshur e zbathur se nuk na tepruan para të rregullohemi për vete se na ranë pagesa të mëdha”.

-Izet Emin Koçibelli nga Qatromi i Korçës për Tefik Tahirin në SHBA: “Jemi keq për bukë. Do turpërohem. Plani i shtetit do detyrimin. Neve aq bëjmë e s’mund ta lajmë. Që kur ishit ju e deri tani një ditë të bardhë s’pamë. Më mirë të vdesim”.

-Bujar Bexheti nga Bilishti i shkruan Mustë Mustafait në SHBA: “Të falënderoj për paret që na dërgove. Je shpëtimtari ynë se babanë e kanë dënuar me 10 vjet burg. Pasurinë na e sekuestruan. Dënimi iu dha për inat personal”.

-Artemisi Kozilla nga Korça i shkruan  Kosta Kozillës në SHBA: “Themi ditë e natë, shyqyr Zotit që të kemi ty andej e që je mirë. Se po të ishe këtu do të punoje dhe me bukë nuk do ngopeshe”.

blank

-Hetem Hamiti nga Kamenicë e Korçës i shkruan Hazis Sadikut në Australi: “Më thua se je bërë 200 okë. Unë jam 40 kile dhe kjo vjen nga ushqimi i mirë që kemi se në vend të mishit hamë hudhra e qepë. Na dërgoni ndonjë letër për sevap se neve nuk e kemi mendjen në vend”.

-Xhevahir Sulejmani nga Deraniku Korçë, i kthyer nga Australia i shkruan Istref Lazes nga Kamenica me qëndrim në Australi: “Ju pyes si vini me bostanet se neve kemi borë. Në hamë dëborë, ju hani domate. Po të pyes për drutë, nuk shkojnë fare. Sa herë që të pini birrë më kujtoni se unë ia harrova emrin fare”.

-Marije Petu nga Dukati i Vlorë i shkruan Franc Betjus në SHBA: “Vëlla Foto, mos më harro. Vuajmë urie. Me 20 dollarët mora 30 kg misër që të mbajmë shpirtin. Jeta jonë është me lakra dhe këto pa kripë se nuk kemi. Kam për të paguar dhe 1500 lekë tatim dhe ku t’i gjej nuk e di”.

-Zenel Rushani nga Korça për Haki Rushanin në SHBA: “Na thua edhe për Bajram që është mirë! Ju faleminderit. Vërtet ai mirë është, por ne po vuajmë për shtëpinë e tij se qeveria na griu plaçkat dhe jemi si mos më keq. Juve nuk mund ta kuptoni këtë regjim që na ka marrë me sy të keq. Se ku do dalë nuk e dimë. Ju nuk mund ta kuptoni komunizmin”.

blank

Shënim: letrat janë publikuar nga studiuersi Kastriot Dervishi ne gazetën 55.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here