Kur Sigurimi pranonte arrestimin dhe vrasjen ilegale të Galip Hatibit

0
1694
blank

Historia e Galip Hatibit, ndërtuar me dëshmitë e vetë oficerëve, zyrtarëve të lartë dhe prokurorëve të regjimit komunist

 

Galipi ishte vetëm 26 vjeç, i sapomartuar, kur e arrestuan. Ishte një arrestim në formë rrëmbimi, para godinës së Universitetit të Tiranës. Për të thuhej se “ka hyrë në shërbim të spiunazhit të imperializmit amerikan”, por një proces i rregullt hetuesie dhe gjykimi nuk u zhvillua kurrë. Ndërkohë sipas dëshmive, Galipi, rrihej dhe trajtohej shumë keq. U mbajt i izoluar në bodrumin e Seksionit të Sigurimit të Shtetit, te Selvia, deri në qershor-korrik të vitit 1948. Në një nga ditët e asaj vere, të katandisur si mos më keq, e çuan afër zonës së Kinostudios, ku e pushkatuan.

Kjo histori, nuk është ndërtuar në bazë të dëshmive të bashkëvuajtësve, por në bazë të dëshmive të oficerëve të Sigurimit dhe dokumenteve zyrtare.

Kur Koçi Xoxe, ish-drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (që më pas do të quhej Drejtoria e Sigurimit të Shtetit) (dhjetor 1944- mars 1946) dhe ish-Ministër i Brendshëm (1946-1948) u arrestua dhe nisi të gjykohej në procesin që e dënoi me vdekje, ai dhe vartësit e tij, herë në formë autokritike e herë duke implikuar emra të tjerë përgjegjësish, kanë dëshmuar edhe për arrestimin dhe ekzekutimin e Galip Hatibit. Botimi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, “Zhdukur-Sigurimi në fjalët e veta”, publikon dëshminë e ish-oficerit të lartë të Sigurimit, Vango Mitrojorgji. “Më 1946, me urdhër të Nestit (Kerenxhi-drejtues i Sigurimit të Shtetit prill-1946-shkurt 1948, që përfshin kohën e arrestimit të Hatibit) kam arrestuar ilegalisht Galip Hatibin…si agjent i amerikanëve. Ai merrej në pyetje nga Nesti dhe Thoma Karamello…Di se shpesh, Nesti me Thomain e kanë rrahur keq Galipin dhe shumë keq e kanë trajtuar. Është vrarë ilegalisht në korrik-gusht 1948 me gjyq special bërë me urdhër të Vaskës (Koleci, drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ndihmësministër i Punëve të Brendshme në atë periudhë) nga Angji Faber dhe Skënder Kosova”, pohonte Vango Mitrojorgji. Për sa i përket torturave, siç tashmë dihet nga dëshmitë e atyre që i kanë provuar mbi trup apo që i kanë parë t’u marrin jetën bashkëvuajtësve të tyre, Mitrojorgji, i pranon si një praktikë e zakonshme. “…lidhur me përdorimin e torturave, kur hasej rezistencë, përdoreshin me të madhe torturat derisa i arrestuari vdiste ose tregonte”.

Shefi i Mitrojorgjit, Koçi Xoxe, në gjyqin ku ishte i akuzuari kryesor, përfshin personazhe të tjerë si përgjegjës për ekzekutimin e Galip Hatibit. “Për Galip Hatibin, Vaska (Koleci) më tha se ishte katandisur në gjendjen mizerabël dhe kështu, edhe me vendim të Komandantit (Enver Hoxhës) u ekzekutua me një gjyq formal”.

Torturat, vrasjet e paligjshme, aktet makabër që kryeshin nga njerëzit e Sigurimit dhe Degëve të Brendshme, të mbajtura të fshehta gjatë gjithë kohës, dilnin në pah kur vinte puna që këta njerëz akuzonin njëri-tjetrin. Në gjyqet e ngjashme që pasuan, ku regjimi komunist dënonte drejtuesit e vet, përmendet përsëri rasti i Galip Hatibit. “Nga provat dhe faktet e grumbulluara nga organet e hetimit janë konkretizuar shumë raste të vrasjeve të tilla të bëra pa gjyq, me urdhër të tradhtarëve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti e Llambi Peçini. Këtu përmenden, ose siç janë vrasja pa gjyq e pastaj djegia në furrë nga Mihallaq Ziçishti e Galip Hatibit të arrestuar si spiun i amerikanëve, vrasjet e kryera në Pukë, Rrëshen, Krujë, Burrel, Berat etj”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë në gjyqin kundër Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut që u zhvillua gati 35 vjet pas vrasjes së Galip Hatibit.

Vrasja pa gjyq e një njeriu, mund të përdorej sa herë sistemin e merrte uria për të ngrënë bijtë e vet, por kjo nuk ndryshonte asgjë në qëndrimin ndaj familjes së tij. Përkundrazi, gjatë këtyre viteve, bashkëshortja e Galipit, Asambleja, survejohej dhe pakënaqësia e saj e shprehur në disa deklarata shumë të guximshme që akuzonin Enver Hoxhën për vrasje dhe figurë të keqe morale, do të ndëshkohej me burg, të cilin e vuajti nga tetori 1978 deri në nëntor 1982.

blank
Bashkeshortja e Galip Hatibit, Asamble Hatibi dhe i biri, Durimi. Poshte: Dosja e Galip Hatibit. Marre nga "Zhdukur-Sigurimi ne fjalet e veta", botim i AIDSSH

Survejimit nuk i shpëtoi as i biri që sipas Sigurimit ishte “tepër korrekt, tepër i mbyllur, por në gjoksin e tij zien një vullkan”. Duket se qëndrimi i mbyllur vetëmbrojtës që Durim Hatibi kishte përshtatur për t’i shpëtuar ndonjë dënimi të mundshëm, nuk e ndalte shikimin tejshpues të Sigurimit për të parë edhe atë që ndodhte në gjoksin e tij, por të paktën ai nuk u burgos siç ndodhi me të dy prindërit. Vetëm se, dhe pse i talentuar në futboll, siç shkruhet në botimin e AIDSSH-së, u la të punonte në ndërmarrjen ekologjike. Sa për fundin e të atit dhe vendin ku mund të prehen eshtrat e tij, nuk ka as sot një version zyrtar. Gjithçka dihet është ajo që zbulohet tërthorazi në akuzat e kundërakuzat e përfaqësuesve të pushtetit komunist.

kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here