1978/E riatdhesuara nga Italia u dënua në moshën 63-vjeçare

0
2985
blank

Lena Mark Nika, lindur në vitin 1915 në Kastrat të Shkodrës, e larguar nga Shqipëria në vitin 1945 me bashkëshortin e saj ish-ushtar italian, pas 30 vjetësh qëndrim në Itali, kërkoi të riatdhesohej pranë të vëllait. Ishte 60 vjeçe dhe mendonte që vitet e fundit të jetës t’i kalonte e qetë në Shqipëri. Në fakt, kjo dëshirë rezultoi tragjike. Deri në vitin 1972 ajo nuk njihej nga ambasada shqiptare në Romë. Këtë vit ajo dhe bashkëshorti i saj Eugenio Brahueri (ish-aviator e më pas korrier diplomatik. Thuhej se nuk kishin bërë celebrim), takojnë sekretarin e ambasadës dhe Lena kërkon të vijë si vizitore te i vëllai Kolë Nika në Divjakë. Pasi qëndroi një muaj te i vëllai, kërkoi të riatdhesohet, veprim që u krye më 14.8.1975.

Nga Divjaka, Lena u vendos në Lushnjë. Menjëherë u mor në kontroll nga organet e Sigurimit më 8.10.1975 për tendencën e agjitacionit e propagandës dhe “agjente e mundshme e zbulimit italian”, madje Dega e Punëve të Brendshme Lushnje e ndoqi si problemin e centralizuar “Mysafirja”.

Me shkresën nr.20, datë 5.1.1978 Dega e Punëve të Brendshme Lushnje, me firmën e kryetarit Tahir Malo, i dërgoi Degës së 1-të të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, dosjen formulare nr.1248 në ngarkim të Lena Mark Nikajt, si dhe propozimin për arrestimin e saj.

U arrestua më 28.1.1978 në moshën 63-vjeçare. Ndryshe nga dosja e Sigurimit, ajo u akuzua vetëm për agjitacion e propagandë në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. “Spiunazhi” nuk u shkrua në asnjë rresht. Gjatë periudhës së paraburgimit, gjendja e saj ishte e rënduar edhe në pikëpamje psikike. Ishte ndjekur kur shkonte për të marrë pensionin nga Italia në shumën e 488 dollarëve. Ky udhëtim në Tiranë paraqitej sikur kryente detyra spiunazhi.

Më 12-14 prill 1978 organet e Sigurimit dilnin në konkluzionin se ardhja e saj lidhej me detyra të “zbulimit italian për zonën e bregdetit”, por edhe problemet psikike nuk përjashtoheshin. Ky përfundim jepej nga oficerët e drejtimit Skënder Myftari e Xhevat Lluri dhe shefi i hetuesisë Shaban Shazivari.

Çështja i kaloi gjykatës, e cila shënonte se Lena ishte shprehur për racionin e ushqimeve dhe bollëkun në Itali. Ajo citohej të kishte thënë: “Jeta në Itali është më e mirë, është vend i pasur, gjen çdo gjë, ndërsa në Shqipëri nuk mund të jetohet. Në Shqipëri nuk mund të qarkullosh lirisht, ndërsa në Itali mund të shkosh ku të duash”.

Gjykata vlerësonte se: “Mbas riatdhesimit, e pandehura Lena, rendin tonë socialist nuk e ka konsideruar të drejtë dhe ka filluar të agjitojë e propagandojë kundër pushtetit popullor dhe kundër shtetit tonë socialist. Këtë veprimtari kjo e pandehur e ka filluar qysh në vitin 1976 dhe e ka vazhduar deri në fund të muajit tetor 1977, duke biseduar me persona të ndryshëm në fshatin Divjakë dhe në qytetin e Lushnjës...Këtë qëndrim ajo e kishte bërë edhe botërisht në pastiçerinë “Myzeqeja”.

Në përfundim, gjykata theksonte pse dha dënim maksimal për të pandehurën: “Në masën e dënimit, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të krimit të agjitacionit e propagandës antisocialiste e fetare për dobësimin dhe minimin e shtetit të diktaturës së proletariatit. Ajo gjithashtu ka parasysh edhe rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurës Lena, e cila rrjedh nga familje e varfër fshatare, moshën e kaluar të saj, mossinqeritetin dhe mospendimin për krimin që ka kryer, shkallën e gjerë të veprimtarisë kriminale, duke e zhvilluar edhe botërisht”.

blank

Gjykata e Rrethit Lushnje, e drejtuar nga Sofokli Papajani, me pjesëmarrjen e prokurorit Nestor Cani, me vendimin nr.85, datë 23.8.1978, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe me shpenzimet gjyqësore në shumë 19.20 lekë.

Në foto: Reparti nr.318 Kosovë, vend ku gratë vuanin dënimet e formës së prerë në vitet 1976-1990

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here