Kur shndriste e shuhej dielli ndër barakat e internimit...

0
273
blank
"....një dritë e fortë na verboi sytë, ndërsa pas drite shquheshin silueta ushtarësh dhe policësh. Të gjithë të armatosur me pushkë dhe automatikë. Burri që mbante elektrikun e dorës foli me za të naltë: - Me vendim të Komisonit Qëndror të Dëbim Internimeve ju njoftojmë se që prej këtij momenti, e gjithë familja do të internohet në Vlorë. Keni 30 minuta kohë të bëheni gati..."
Nga Erl Kodra
Ishte ora 4:30 e mëngjesit. Atë natë dimri me temperatura nën zero, e gjithë familja po flinim në dhomën e zjarrit, ku nana kujdesej që zjarri të mos shuhej në oxhak. Unë bashkë me vëllezërit e mi ishim shtrirë në një shtrat të stërmadh të improvizuar me dërrasa. Nëpër gjumë dëgjoj goditje të forta në derë; bam, bam, bam, bam! Sa hap e mbyll sytë u çova në këmbë, dhe u përplasa me nanën në derë.
- Kush asht? A ka ra shkau, a çka kini? - tha nana me za të nalt.
Dera prej dërrase lisi sa nuk po shembej prej të goditurave. Nana më kapi përdore e më kaloi pas vetes, sikur donte të më mbronte prej ndonjë rreziku. E hapi derën përgjysëm. Një dritë e fortë na verboi sytë, ndërsa pas drite shquheshin silueta ushtarësh dhe policësh. Të gjithë të armatosur me pushkë dhe automatikë.
Burri që mbante elektrikun e dorës foli me za të naltë:
- Me vendim të Komisonit Qëndror të Dëbim Internimeve ju njoftojmë se që prej këtij momenti, e gjithë familja do të internohet në Vlorë. Keni 30 minuta kohë të bëheni gati, ndërkohë që ushtarët dhe policët do të ju ndihmojnë të ngarkoni plaçkat në kamion.
Një drithërimë më përshkoi trupin, ndërsa nana sikur ngriu në kambë. Pastaj e pashë kur mvrenjti ballin, shtrëngoi nofullat dhe foli:
- Unë nuk lëvizi prej shtëpie. Nuk kam ku mbytem me katër jetima. Ma mirë më vrisni këtu.
E kuptova se duhet të merrja situatën në dorë. Si një burrë i madh e kapa nanën për krahu dhe i thash:
- Hajde ulemi pak vetëm. Nuk kanë se çka na bajnë, po hajde pak nanë.
Ashtu u ulëm te këmbët e krevatit. Vëllezërit e tjerë sapo u çuan prej gjumit dhe shihnin të trembur. Në derë u shfaqën një ushtar dhe një polic, të armatosur.
E qetësova disi nanën, por ndërkohë më duhej ta pyesja se çfarë do të marrim dhe çfarë do të lëmë.
- Do marrim gjithçka - tha nana - po i lamë këtu, nuk kemi me i pa ma. Në fakt i morëm edhe dërrasat e shtratit. Përgjatë pesë viteve të ardhshme, ne do të flinim në të njëjtin shtrat të improvizuar me ato dërrasa.
Pas dy orësh ne ishim shtrirë në karrocerinë e një kamioni ushtarak, të mbuluar me jorgana të trashë. Të nesërmën nga dreka, më 22 janar 1986 ne shkuam në një fshat të Lumit të Vlorës, në një vend ku uji vinte dy herë në ditë me një bot që tërhiqej nga një zetor kinez. Ishte hera e parë shikoja "botë" me sy. Përgjatë atij udhëtimi mbi 24 orë, unë shkrova me mendje poezinë "Pikëpyetje"
Pikëpyetje
Kur shndrit dhe shuhet dielli,
Kur ndodh eklips i gjatë,
Kur lind dhe sapo lind vdes foshnja,
Ku vyshket pa çelur një gonxhe.
A duhet të shohim gurëzit?
Gurëzit e shndritshëm të lumit,
Apo të ngjitemi në majë të malit,
Dhe të thithim ajrin e rrallë?
Kur dielli në qiell shuhet,
A duhet të kërkojmë nëpër terr?
Të gjejmë pak fosfor eshtrash
T’i bëjmë dritë shpirtit të gjallë?
21 Janar 1986
blank
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here