Telegramet nga populli ku kërkohej ekzekutimi me vdekje i inxhinierëve dhe teknikëve të akuzuar për sabotim gjatë tharjes së kënetës së Maliqit…
Më 8 nëntor 1946, në kinemanë Nacional në Tiranë u hap gjyqi ndaj 11 inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit, arrestuar një pjesë prej tyre që në datën 28 shtator 1946 dhe pjesa tjetër në vijim deri në datën 24 tetor 1946. Ata ishin ing. Abdyl Sharra, ing. Aleks Vasili, gjeometrat Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, bashkëshortja e ing. Vasil Manos, kroatja Zyrika Mano dhe punëtorët Jani Vasili dhe Anastas Risto, të cilët i akuzonin si korrierë të të parëve. Në valën e dytë të arrestimeve ishin prangosur ing. Vasil Mano, gjeometri Mihal Stratobërdha dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo, për ta mbyllur këtë fazë me arrestimin e ing. Kujtim Beqirit më 24 tetor 1946. Të 11 të arrestuarit akuzoheshin për sabotim. Gjyqi po bëhej i hapur. Jashtë ndërtesës së kinemasë ishin vendosur altoparlantë të mëdhenj, me anë të të cilëve qytetarët e Tiranës ndiqnin gjithçka flitej brenda.
Akt-akuza vinte në dukje se: “Të gjithë të pandehurit e mësipërm që kanë qenë me përgjegjësi të ndryshme për tharjen e Maliqit dhe që kanë pasur lidhje me elementë të jashtëm, janë të akuzuar se kanë kryer sabotime të rënda duke i shkaktuar shtetit dëme të mëdha. Gjithashtu specifikohet se për të kryer këto sabotime, të pandehurit kanë kryer mbledhje të fshehta, që u kanë raportuar të huajve rreth punimeve dhe që kanë ndjekur urdhëresat e tyre për kryerjen e sabotimeve”.
Të gjithë të akuzuarit, me përjashtim të gjeometrit italian Mario Guarnieri, e pranuan akuzën për sabotim dhe kërkuan mëshirën e trupit gjykues. Shumë prekëse ishte fjala e fundit para gjyqit e ing. Vasil Manos, i cili nuk kërkoi mëshirë për vete, por për bashkëshorten e tij, Zyrikën.
Gjykata vendosi fajësinë e të gjithë të pandehurve duke i cilësuar si sabotatorë dhe armiq të popullit. Dy drejtuesit e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, u dënuan me varje në litar; ing. Vasil Mano, bashkëshkortja e tij Zyrika dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo u dënuan me pushkatim; gjeometrat Pandeli Zografi dhe italiani Mario Guarnieri me burgim të përjetshëm; gjeometri tjetër Mihal Stratobërdha u dënua me 10 vjet burg dhe punë të detyrueshme; punëtori Anastas Risto 2 vjet burgim e punë të detyrueshme; ndërsa 16-vjeçari Jani Vasili u dënua “1 vjet burgim me kondicional, me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira”. Për të dënuarit me burgim u urdhërua gjithashtu konfiskimi i pasurisë së tyre personale dhe humbja e të drejtave qytetare e politike. Ekzekutimi i dënimit me vdekje u vendos të bëhej në Maliq.
Ndërsa perdja e pjesë së parë të kësaj tragjedie kishte rënë, një skenar i dytë po thurej me shpejtësi në zyrat e larta të Sigurimit të Shtetit. Ata kishin vendosur ta shfrytëzonin mirë këtë ngjarje për të eliminuar të gjithë kundërshtarët potencialë të regjimit komunist dhe këshillonin të vazhdonin arrestime të tjera në Maliq dhe të gjendeshin lidhjet që inxhinierët dhe teknikët e Maliqit mund të kishin edhe me inxhinierë dhe teknikë në Ministrinë e Punëve Botore në Tiranë, apo gjetkë në Shqipëri. Kështu, ende pa mbaruar procesi i parë i Maliqit, një tjetër proces po ndërtohej. Më 29 tetor 1946, organet e Sigurimit të Shtetit arrestuan ing. Aleks Vasili, gjeometrat Mirush Përmeti, austriakun Hans Vala, shoferin Lambi Napuçe dhe mjekun italian, Golfredo Paskual Rizo. Akuza ishte e ngjashme si për grupin e parë. Ata po gjykoheshin si armiq të popullit, sabotatorë të pushtetit dhe anëtarë të grupit të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit .
Më 21 nëntor 1946, gjithashtu në sallën e kinemasë "Nacional" filloi gjyqi i hapur edhe për këtë grup.
Gjatë zhvillimit të gjyqit, ata pranuan hapur që nuk kishin simpati për regjimin e vendosur në Shqipëri, ata gjithashtu pranuan se në Maliq punët nuk kishin ecur siç duhet, kishte pasur vonesa, mungesë organizimi etj.. Ata, madje, e konsideruan veten fajtorë që nuk kishin folur më herët për këto problematika që kishin vënë re në Maliq, por në përfundim të procesit ata nuk pranuan që të kishin sabotuar dhe të kishin qenë pjesë e ndonjë grupi sabotatorësh. Mungesa e pranimit të fajësisë nuk e pengoi prokurorin e çështjes të kërkonte dënim me vdekje për ing. Aleks Vasilin dhe gjeometrin Hans Vala dhe burgime të rënda për tre të tjerët. Ajo nuk e pengoi as gjykatën që në përfundim të gjyqit të jepte dënim me vdekje për ing. Aleks Vasilin dhe gjeometrin Mirush Përmeti. Hans Vala, gjeometri austriak, i cili kishte punuar në shumë zona të Shqipërisë që prej vitit 1940, u dënua me 30 vjet burgim, mjeku italian Golfredo Rizo me 10 vjet burgim dhe Lambi Napuçe me 5 vjet.
Këto dy procese shënojnë një prej njollave më të errëta në historinë e regjimit komunist. Ata shënuan fillimin e një lufte pa kompromis që do të zhvillohej në të gjithë shtresat intelektuale në vend.
Për ta legjitimuar në popull edhe për procesin e inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit, regjimi do të organizonte “revoltën” popullore ndaj tyre, me letra e telegrame ku ende pa u mbyllur gjyqi kërkohej dënimi me vdekje për ta.
Kujto.al sjell këtu një grup telegramesh dërguar nga të katër anët e vendit, ku kërkohej me ngulm dënimi kapital për ta. Gjuha e urrejtjes në këto telegrame është gjuha që do të përdorë regjimi që prej këtyre proceseve të para e për dekada me radhë, deri në ditët e fundit të tij.
Telegramet
Qeverisë Demokratike Tiranë
Ne puntorët dhe nëpunësit e Minierës Bakrit Rubikut, të mbledhun në nji konferencë të gjanë, shprehim kënaqësinë për aprovimin e vendimit të gjyqit kundra bandës së sabotatorëve të liqenit të Maliqit.
Ne që punojmë me të gjithë forcat, na që kemi dhanë dëshmorë në punë për të ngritur sa ma parë ekonominë t’onë, kërkojmë që qeverija të jetë e pamëshirshme kundra këtyne elementave që për të robëruar popullin shiten tek të huajtë.
Kundra mbeturinave të fashizmit neve do të jemi të pamëshirshëm. Gjyqi i Tiranës na hapi sytë. Ende anmiqtë e popullit nuk ngopen me djersën dhe gjakun tonë, pra neve për këtë kërkojmë:
VDEKJE ANMIQVE TE POPULLIT.
RROFTE PUSHTETI POPULLOR.
VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT
Punetoret e Minierës Bakrit Rubikut
Firmat
***
Vlorë Skelë
Neve vullnetarët e punës për ngritjen e Distillerisë Skenderbeg të mbledhur nga enthuziasmi i punës na u vue në dukje grupi i sabotatorëve në liqenin e Maliqit. Për këtë çfaqim urrejtjen tonë më të madhe dhe kërkojmë dënimin e tyre të merituar.
Vullnetarët e Skelës Uji i ftohtë.
****
Neve populli i katundit Seferaj kërkojmë qi sabotatorët e Maliqit të dënohen pa mëshirë.
Ymer Ajazi
Osman Skënderi
Ramazan Ajazi
****
Shënpal 18 nëntor
Na populli i krahinës fande të nënprefekturës Mirditës mbledhun në datën e sotme kërkojmë dënimin e ingjinjerëve të Maliqit me ekzekutimin e tyre në litar aty ku kanë krye sabotimin. Tue pas besim në qeverinë tonë besojmë që drejtsija e popullit ka për të godasë të gjith ata kriminela që duen të prishin ekonominë tonë.
Komisioni
Mark Zezi
Dod Prendi etjer…
***
Korçë 18 nëntor
Me rastine vendimit të gjyqit kundër sabotatorëve të Maliqit populli i Lubonjës shprehu në manifestim se do të jemi gjithmonë me sy hapët kundra elementëve të tillë
Populli Lubonjës Vithkuqit
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.