Bardha Gjon Markagjoni: Çdo natë i rrihnin, pa pushim…dëgjoja britmat e tyre

0
486
blank

Tajfur Haznedari, që kishte 11 muaj nën torturë (ishte 60 vjeç) ia kishin lidhur duart aq fort, sa i ishin infektuar kycet. Mjeku erdh t’ja mjekonte plagët, por i kishin zënë krimba dhe hetuesit i thonin: të kemi thënë që do të të lemë të të hanë krimbat”.

Bardha Gjon Markagjoni ishte 20 vjeç kur e internuan në vitin 1945. Pasi i mbajtën pak kohë në burg në Shkodër së bashku me familjet e  Muharrem Bajraktarit, Kolë Bibë Mirakajt e Llesh Marashit, i internuan në Berat. Vitet e para të internimit e  më pas burgimin, Bardha Gjon Markagjoni ja ka rrëfyer kështu Fatbardha Saraçit për librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”:

Internimi në Berat

“Mbas nëj viti na dërguan me punë të detyruar në ullishtat e Beratit dhe në fermën e Kuçovës. Si shpërblim për punën na jepnin vetëm bukë, ndërsa në Kuçovë edhe gjellë kazani që ishte më shumë lëng e barishte. Ne ishim të persekutuar politikisht sepse djemtë ishin me rezistencën antikomuniste. Më mbajtën 4 vjet në Berat. Por këtu më burgosën”.

Kujtime nga burgu

Më mbajtën  5 muaj nën arrest, pa fletë arrestimi. Më kanë mbajtur të lidhur nga këmbët, që të mos takoja të arrestuarit e tjerë, që ishin bejlerët e Beratit. Më kanë futur në një gropë, pa dritë, mandej në një dhomë të madhe, vetëm, fare vetëm, ndërsa në dhomat e tjera ishin të arrestuarit e grupit të Sami Ceribashit, që çdo natë i rrihnin, i rrihnin pa pushim dhe britmat e tyne i dëgjoja edhe unë. Me sytë e mi kam pa si i arrestonin pa fletë arresti. Të dënuarit i torturonin, tortura të pafund të lloj llojshme.

Më kujtohet ishim të izoluar. Hamit Myftiun e kishin future në një musandër (një dhomë e vogël brenda dhomës së madhe, pa dritare që shërbente për vendosjen e shtrojeve të fjetjes si dyshekë, jorganë etj), ndërsa mua më kishin futur nën shkallë.

Dizinfektantin e UNRRA-s që ishte dhënë  për dizinfektimin e burgut nga insektet parazitë, rojet e përdornin si mjet torture. Dizinfektuan musandrën, ku kishin futur brenda  Hamit Myftiun, ia mbyllën kapakët dhe e lanë nën torturë. Ai nuk mbushej me frymë dhe kështu e lanë gjithë kohën, ndërsa i burgosuri tjetër Tajfur Haznedarin, që kishte 11 muaj nën torturë (ishte 60 vjeç) ia kishin lidhur duart aq fort, sa i ishin infektuar kycet. Mjeku erdh t’ja mjekonte plagët, por i kishin zënë krimba dhe hetuesit i thonin: të kemi thënë që do të të lemë të të hanë krimbat”.

Mbas shumë e shumë torturash që s’mund të përshkruhen, se çdo ditë kishte një model të ri torture, të gjithë grupin e Sami Ceribashit i pushkatuan. Eshtrat e tyre u gjendën nga familjarët  në vitin 1991, në një gropë të përbashkët dhe skeletet që u gjendën ishin të lidhura me pranga.

Ditën që dola nga burgu gjeta gjyshen Dave, që sapo kishte mbushur të 90-at, e cila vdiq në internim. E varrosa në Berat, më ndihmoi gruaja e vëllait, që ecte me vështirësi dhe më vonë u paralizua plotësisht. Gjyshes Davë i humbi varri…

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here