I diplomuar në Perëndim, i burgosur dhe i survejuar në vendin e tij

0
2168
blank

Që nga dita që shkeli në Shqipëri, u vu në përpunim nga Sigurimi i Shtetit i dyshuar si agjent. Nuk pati asnjë provë për veprimtarinë e tij agjenturore, por mendimet kundër vendimeve të partisë-shtet për ekonominë, arsimin, kulturën, artin e fenë u kthyen në akuza që e dënuan me 20 vjet burg. Doli nga burgu në moshë të thyer, duke e mbyllur jetën në një shtëpi të moshuarish ku Sigurimi vazhdonte t’i vinte nga pas spiunë. Nuk mundi të kishte familjen, shtëpinë, punën që kishte ëndërruar kur kërkonte të kthehej në Shqipëri. Nuk mundi as të largohej më, pasi e kuptoi ku ndodhej. Historia e Zisi Vangjelit është ilustrimi sesi diktatura në Shqipëri mund të shkatërronte jetën e dikujt… të çdokujt

 

 

E vërteta të bën të lirë, por në sisteme të mbrapshta, gjithçka deformohet dhe përmbyset. Atëherë, e vërteta të çon në burg. Siç ndodhi me Zisi Vangjelin. Të vërtetat e tij nuk kishin asgjë të jashtëzakonshme kur i lexon sot. Ai mendonte se kolektivizimi i kishte varfëruar fshatarët, se mësuesit dhe nxënësit duhet t’i njihnin të gjitha shkollat e mendimit dhe të zgjidhnin qëndrimin e tyre, se artistët duhet të krijonin lirisht, se feja kishte lindur me njerëzimin e nuk duhej shkatërruar…Por në kohën kur ai i mendonte, këto përbënin krim. Një krim për të cilin u dënua me 20 vjet burg.

Dënimi i tij ishte finalizimi i një pune disavjeçare nga ana e Sigurimit të Shtetit, i cili që 4 ditë pasi Zisi Vangjeli shkeli në Shqipëri, pas 30 vitesh në SHBA e Francë, e deri ditën kur u propozua arrestimi i tij, aktivizoi 6 punëtorë operativë, 21 bashkëpunëtorë e 4 hetues dhe përpiloi 246 raporte agjenturiale operative me një përmbajtje totale prej qindra e mijëra faqesh të mbushura me raportet e spiunëve dhe përfundimet e punonjësve të Degëve të Punëve të Brendshme. Këto të dhëna, bashkë me përmbajtjen e dosjeve të shumta të përpunimit dhe rrjedhën e jetës së Zisi Vangjelit, i sjell në një libër monografi, me titull “Zisi Vangjeli-Intelektuali i madh i qytetit të vogël”, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), Xhafer Sadiku, botim të cilit i referohet kujto.al në këtë shkrim kushtuar njohjes së figurës së intelektualit shqiptar që diktatura e la gjallë, por i shkatërroi jetën.

Formimi i një intelektuali

Zisi Vangjeli u lind në Miçan të Përmetit në vitin 1915. Po atë vit, i ati emigroi në SHBA. Kur ishte dy vjeç, e ëma, i vëllai dhe e motra ndërruan jetë. Zisin e vogël e mori e motra e babait në shtëpinë e saj bashkëshortore në Përmet. Aty ai ndoqi shkollën fillore e ndërkohë punonte si çirak në farmacinë “Saqellari”. Gjatë kësaj kohe takon në Përmet një djalë që vinte nga jetimorja e Korçës dhe me ndihmën e tij, edhe Zisi shkoi në jetimore. Në Korçë, përfundoi shkollën fillore e më pas u regjistrua në Liceun Kombëtar të qytetit, ku studioi deri në vitin 1932. Në verën e atij viti, u nis për në SHBA te i ati. Punonte dhe studionte dhe në vitin 1935, u regjistrua në universitetin e Nju-Hempshajerit, në Durrham, ku studioi Histori-Gjuhësi, Shkenca Politike dhe Pedagogji. Pas përfundimit të studimeve, bëri punë të ndryshme sepse në arsim nuk mund të punonte ngaqë ende nuk e kishte marrë të plotë nënshtetësinë amerikane dhe filloi të shkruajë poezi, një pasion që e shoqëroi gjithë jetën. Më 5 shkurt 1942, e thirrën nën armë. Në tetor 1943, e caktuan në një shkollë ushtarake që e përgatiste kontigjentin e saj për zbarkimin në Francë. Aty ndenjën 3 muaj derisa shkuan në Angli dhe më 6 qershor 1944, zbarkuan në Francë. Reparti i tij kishte detyrën e grumbullimit të të dhënave për ushtrinë gjermane dhe partitë politike në Francë. Vazhduan me këtë detyrë deri në largimin e forcave gjermane. Në tetor 1945, i komunikuan lirimin nga ushtria. U rikthye në SHBA, por i ndjellë nga Parisi, kërkoi të rikthehet atje me studime. Departamenti i Shtetit i aprovoi kërkesën dhe në nëtor 1946, Zisi Vangjeli u regjistrua në Universitetin e Parisit ku kreu studime doktorature në Letërsi. Shpenzimet e jetesës për periudhën e studimeve, ia mbulonte qeveria amerikane, si veteran lufte. Më pas, ai jetoi përmes një pensioni mujor prej 75 dollarësh nga qeveria amerikane që e merrte si invalid lufte pasi vuante nga variçet dhe mësimet e frëngjishtes që u jepte emigrantëve. Merrej me studime letërsie, me përkthime e lexime të shumta, pasi mund të lexonte në të paktën 7 gjuhë të huaja. Dhe shkruante, shkruante poezi të cilat dëshironte t’i dërgonte për botim në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.

Një pre e re për diktaturën

Kishin kaluar shumë vite që ishte larguar nga Shqipëria, por Zisi Vangjeli nuk ishte shkëputur prej saj. Ai madje, që në vitin 1949, pasi përfundoi studimet në Paris, kishte kërkuar pranë ambasadës shqiptare në Francë të kthehej në atdhe më qëllim që të punonte në arsim në Tiranë ose në Korçë. E përsëriti për vite me radhë këtë kërkesë. Duket se Zisi kishte vendosur në Shqipëri vizionin e së ardhmes së tij jo vetëm profesionale, por edhe personale. Në një letër drejtuar një kushëriri të vet më 26 janar 1956, shkruan “Nuk jam martuar dhe nuk mund të synoj një martesë jashtë atdheut dhe racës sime shqiptare…”

Më në fund, pas gati 13 vitesh lutjesh, atij iu miratua kërkesa për riatdhesim. Zisi u kishte premtuar punonjësve të ambasadës shqiptare në Paris se me studimet dhe përkthimet e tij do të ndihmonte Bibliotekën Kombëtare dhe Universitetin e Tiranës, ndërsa, sipas dëshmisë së operativëve të cituar në vitet e mëvonshme, ai “i dhuroi legatës një sasi të madhe librash për Bibliotekën e Korçës”. Ndërkohë asnjë libër apo përkthim nuk u shfaq ndonjëherë me emrin e Zisi Vangjelit në Shqipëri.

Më 2 shtator 1962, Zisi u rikthye në Shqipëri. Kishte qenë 17 vjeç kur ishte larguar. Kishin kaluar 30 vite të plota që nga ajo kohë. Sado të kishte dëgjuar dhe mësuar për regjimin e ri në gazetat e kohës, nuk mund ta përfytyronte atë që e priste. Kur u kthye e bëri të drejtën e banimit në Përmet, duke besuar se shumë shpejt do të shpërngulej që aty, por zyrtarët e regjimit nuk do ta lejonin më të largohej nga qyteti i fëmijërisë së hershme, që për hir të së vërtetës duhet thënë se ishte shumë i vogël për potencialin e intelektualit. Ai kërkoi pajisjen me pasaportë shqiptare, të cilën, sipas kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Përmet, kur e mori, e puthi duke u ngritur në këmbë.

Zisi shfaqi dëshirën të punonte në Ministrinë e Arsimit, në Universitetin e Tiranës, ose në arsimin e mesëm në Korçë, por kërkesat e tij jo vetëm që nuk u realizuan kurrë, por u kthyen në dyshime se Zisi ishte “agjent në shërbim të zbulimeve të huaja” dhe “i ishte ngarkuar ndonjë detyrë e caktuar nga zbulimet e huaja” pikërisht në këto qytete, siç shkruhet në dosjet e tij të përpunimit.

Këto dosje vazhduan të mbushen për vite me radhë, për Zisi Vangjelin, të cilit, arritën deri aty sa t’i fusnin një provokator në dhomën e hotelit, ndërkohë që ishin instaluar më parë aparate përgjuese, siç do i fusnin pas arrestimit, edhe në birucën e paraburgimit e madje edhe në shtëpinë e të moshuarve, kur u lirua, pas 18 vitesh burg. Katër ditë pasi ai erdhi në Shqipëri e deri në fund të regjimit komunist, Zisi Vangjeli jetoi nën hijen e një ndjekjeje të afërt dhe të pandërprerë të njerëzve që e provokonin, që e nxisnin të fliste, që dëgjonin dhe spiunonin gjithçka thoshte. Nuk i jepnin punë e banesë aty ku e meritonte dhe ku dëshironte, por nuk e linin kurrë pa shoqërinë mbytëse të një spiuni. Zisi jetonte duke shpenzuar pak nga pak 300.000 lekët që kishte sjellë me vete, duke jetuar në hotel e duke ngrënë “ushqim të thatë, si djathë, sallam e marmalatë… me të njëjtat tesha që kishte sjellë në 1962, të cilat i lante vetë”, siç përshkruhet në dosjet e tij. Pensionin amerikan e kishte humbur për shkak të shtetësisë shqiptare. Të drejtën për t’u kthyer sërish në Francë, e cila u bë kërkesa e tij këmbëngulëse nëpër institucione pasi iu refuzan ato për punë, gjithashtu e kishte humbur me të kaluar kufirin me tela me gjemba të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Zisi Vangjeli ishte zënë në çark. Dëshpërimi dhe revolta i lexohet qartë në poezitë e sekuestruara si prova kundër tij dhe pse ai i pranoi edhe me gojë, mendimet e veta kundër politikave të Partisë së Punës gjatë hetuesisë apo gjyqit. Ishte ky njëri nga krimet, por akuza e agjitacionit dhe propagandës të dënonte maksimalisht me 10 vjet. Regjimit kaq i dukej pak për Zisin Vangjelin. Kështu që ai u akuzua edhe për tradhti ndaj atdheut, si agjent i amerikanëve dhe francezëve.

 

Sot, duke pasur mundësinë t’i krahasojmë, realitetin perëndimor dhe atë shqiptar në diktaturë, duket vërtet e pabesueshme që dikush të kërkojë të vijë në Shqipëri me motive të sinqerta, por Zisi Vangjeli nuk e njihte realitetin shqiptar. Edhe sikur mos të përfillej ky si argument, duhet patjetër të gjendeshin prova dhe fakte që provonin motivet e tjera të kthimit të tij, para se ta arrestonin, por, megjithë investimin disavjeçar të Sigurimit, nuk u vërtetua kurrë, asgjë për veprimtarinë e tij si agjent. Dosja është e mbushur me hamendësimet e zyrtarëve sipas të cilëve ishte e pamundur që Zisi Vangjeli të ishte kthyer për hir të atdhedashurisë në Shqipëri, por nuk ka asnjë fakt që dëshmon kundër tij. Dosja e tij shkruan që Zisi Vangjeli ishte vënë në kontroll postar, “por nuk kishte dalë asgjë”. Megjithatë kjo nuk e pengoi hetuesin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Shkëlzen Bajraktari të vendoste arrestimin e Ziso Vangjelit, i cili u vu më në fund nën pranga më 22 korrik 1968. Nuk e pengoi as prokurorin për të përpiluar pretencën kundër këtij “armiku”. Madje as “përfaqësuesit e popullit” të thirrur në sallën e gjyqit që u zhvillua në data 18-19 prill 1969 të kërkonin “dënim sa më të rreptë”. Dhe në fund Gjykata e Përmetit e dënoi me 20 vjet burg përmes një vendimi ku shkruhet se Zisi kishte folur “kundër sistemit kooperativist si një sistem që e pengon prodhimin, si një sistem që e varfëron fshatarësinë dhe është munduar të vërë në dukje epërsinë e sistemit privat ndaj atij kolektiv” apo “i pandehuri Zisi konsideron se fajtore për të gjitha të këqijat e popullit shqiptar, vuajtjet e mjerimet në të cilat ky është zhytur në vjershat e tij, është Partia e Punës së Shqipërisë”…

blankKur e arrestuan, Zisi Vangjeli ishte 53 vjeç. Doli nga burgu rreth 71 vjeç. I rrituri në jetimore e ngrysi jetën në shtëpi të moshuarish. I vetëm dhe i varfër. Me shoqërinë e pandarë të spiunëve. Vitet e shkollimit dhe jeta në SHBA dhe Francë nuk i vlejtën aspak për të ndërtuar një jetë më të mirë në Shqipëri. Përkundrazi, u bënë shkas që diktatura t’ia shkatërronte atë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here