Letrat nga Shqipëria: Jemi të uritur dhe të zbathur

0
511
blank

Buletinet e Kontrollit Postar (KP) të Degës së 8-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të vitit 1953 janë tejet tronditëse në lidhje me letrat nga Shqipëria që shkonin në vende të ndryshme të botës. Pavarësisht se kishin kaluar shumë vjet nga lufta, vërehet një uri masive e popullatës. Buka është elementi i parë që kërkohet. Pastaj është veshja. Janë edhe tatimet e taksat e rënda që regjimi komunist kish vendosur. Gjendja është kaq dëshpëruese dhe e pashpresë, saqë letërshkruesit nuk pyesin fare se mund të kontrollohen, por mjaft që t’u vijnë dollarë nga jashtë shtetit, kryesisht nga SHBA-ja. Tekstet e këtyre letrave drejtuar të njohurve të tyre, flasin më shumë se çdo gjë se çfarë ishte Shqipëria nën komunizëm.

 

Buletini i datës 31.3.1953

 

-Vasil Drazho nga Hllomoja, Gjirokastër për E.Bezhanin në SHBA: “Mëso se këtu kemi shumë shtrenjtësi të madhe. Të gjithë ata që marrin dollarë nga Amerika, disi e kalojnë më mirë, sepse i marrin më lirë në dyqanet e shtetit, kurse ne zanatçinjtë me rrogën që marrim nuk na del për ngrënë në restorant. Po në shtëpi? Tash për tash nuk jemi mirë. Më tepër nuk mund të shkruaj. Hallet e atdheut nuk mbajnë kurrë. Ta dija kështu do të qëndroja në Stamboll që të bëja qejf. Këtu nuk jemi si më parë që shkoje në Vurg dhe merrje oriz. Tani na ka mobilizuar shteti dhe marrim vetëm atë mëditje të caktuar. Në shtëpi nuk të lejon të shkosh më shumë se 15 ditë në vit. Mëditja nuk na mjafton ne, e jo për familjen. Nejse. Ike atje dhe shpëtove nga hallet e këtushme. Jam shumë i kënaqur që ike”.

 

-Efthim Lito nga Leshnica, Sarandë për George Liton në SHBA: “Tani po të shkruaj mbi taksat që i kanë vënë katundit tonë për ndërtimin e hidrocentralit. Ka filluar me 2000 lekë detyrimi ta paguajnë ne dhe 1500 lekë të paguajmë huan shtetërore. ...nuk di sa taksa të tjera kam për të paguar. Jo vetëm ne, por rëndohen më shumë familjet e atyre që kanë njerëz në Amerikë”.

 

-Evathtia Hido nga Gjirokastra i shkruan Elios Bensit në SHBA: “Vangjeli merr një rrogë sa për bukë, kurse të tjerat mungojnë të gjitha. S’kemi me se të blejmë ushqimet. Në rast se pyesni për veshmbathjen, ajo është si mos më keq. Nuk kam dashur baba të t’i shkruaj këto, por nevoja më detyron. Ju lutem shumë na dërgoni para të vishemi e të rrojmë si njerëz”.

 

-Athina Terpini nga Durrësi për Thomas Zolton në SHBA: “Mora letrën tënde dhe jam mërzitur që je sëmurë. Të paktën ju ndodheni në Amerikë me gjithë të mirat, me doktorë, me ilaçe dhe me ushqime të mira, ndërsa këtu ne nuk vdesim, por ngordhim sepse na mungojnë të gjitha. As ilaçe s’kemi e as ushqime. D.m.th. na mungon çdo gjë”.

 

-Ymbri Isufi nga Vërleni, Devoll, për Sam Xhaferrin në SHBA: “Unë kam mbetur keq se nuk di si të ta them. As me bukë e as me plaçka. Të lutem të dërgosh disa të holla. Ta dish sikur edhe hua t’i marrësh e të m’i dërgosh. Isufin e kam në burg. Prandaj kështu janë hallet tona”.

 

 

Buletini i datave 4-5 prill 1953

 

-Frosina Kore nga Gjirokastra për Vasil Koren në SHBA: “Këtu kemi shtrenjtësi të madhe, 1 kg misër kushton 100 lekë. Jemi të zhveshur dhe të zbathur, pa pikë vaji. Si rrojmë, unë nuk di më keq vuajtje”.

 

-Kosta Palo nga Gjirokastra për Kristo Makariadhin në SHBA: “Jemi shumë keq për bukë, ashtu si gjithë gjërat e tjera, por për ato nuk na intereson. Ky vit duket shumë i keq te ne nga ai i kaluari. Prandaj na ndihmoni se jemi keq”.

 

-Aleksandra Jovani nga Gjirokastra babanë në SHBA (emri i padallueshëm): “Morëm të hollat dhe na shpëtove për bukë po me 50 dollarë çfarë të bëjnë se një okë djathë kushton 150 lekë. Kemi shtrenjtësi të madhe. Ju dërgoni dhe ne vuajmë. Punojmë natë e ditë dhe asgjë s’bëjmë. Na hëngri puna. Çfarë të them baba, është kohë e keqe”.

 

 

Buletini i datës 6.4.1953

 

Katina Gjini nga Vanistra, Gjirokastër për Marie Klironomu, Itali: “Vuaj kaq shumë Marie sa nuk mund ta përfytyroni. Që të mbetemi me bukë nga dhjetori e këtej, kemi shitur plaçkat e shtëpisë, por shumë shpejt edhe këto do mbarojnë. Tani kuptoje se çfarë jete mund të bëjmë dhe sa është e mundur nga kontrolli i regjimit. Më pyesni për vjehrrin në punon. Të gjitha dyqanet janë të regjimit, kurse tregtarët e tjerë janë armiq.

 

-Frosina Katra nga Jorgucati, Gjirokastër për George Karas në SHBA: “Kam një muaj që më ka zënë gripi dhe akoma ashtu jam. Me se të shërohem? S’kam asgjë send, na mungon buka që është kryesorja, po lëri të tjerët. 50 dollarët i mora. Po çfarë të bëj më parë me to? Bukë të marr apo detyrimisht të paguaj? Ka 3 muaj pa rënë shi dhe grunjërat janë djegur. Ne vuajmë shumë tani. Prandaj, porsa të merrni letrën, na dërgoni 100 dollarë, sepse sivjet jemi shumë keq. Ju përulem sepse sivjet jemi shumë keq. Kemi mbetur zhveshur e zbathur. Misri koston 100 lek kg. Çfarë i bëjmë këto para? S’kam çfarë të them. Sivjet do të vdesim nga uria”.

 

-Llambro Zhonga nga Pepeli i Gjirokastër, për Stavro Zhongën në Turqi: “Hallet tona janë të padurueshme. Nuk mendojmë për veten tonë se si do të rrojmë, si do të shlyejmë detyrimet e shtetit.

 

Buletini i datës 8.4.1953

 

-Athina Mitru nga Klishari, Gjirokastër, i shkruan Kristo Mitros në Turqi: “Neve këtu vuajmë shumë. Na mungon çdo gjë. S’kemi çfarë të hamë, përveç ndonjë qepe. Djathi kushton 150 lekë oka. Unë nuk mund ta blej. Përveç ushqimit kemi detyrimet të rënda nga qeveria.

 

-Ksanthulla Gjika nga Vodhima, Gjirokastër, për Angjelia Lakon në SHBA: “..Për taksën që të pata shkruar, tani që erdhi Vasili, nuk e kishin lënë urrejtjen e tyre, por shkuan dhe e raportuan se gjoja se unë kisha punuar me argat dhe duhet të paguaja...U lajmëruam nga Tirana që të paguajmë 90 napolona, por unë u thashë se s’kam për të paguar. Dje erdhi tagrambledhëse dhe na kërcënoi se po nuk paguam do marrin masa të tjera”.

 

-Jorgaq Opingari nga Durrësi, i shkruan Efterti Vishës (?) në SHBA: “Pasi mbarova studimet në Institutin Pedagogjik, u emërova në shkollën pedagogjike në Durrës si profesor. Të ardhurat janë të pakta. Marr 4500 lekë në muaj që nuk më dalin për vete e jo më për familjen”.

 

-Kapter Mitat Dokoli, nga Tirana i shkruan Zenel Dokolit në Australi: “Më dërgo ca dollarë se me paret tona duhen 70.000 lekë për të prerë rrobat”.

 

-Panajot Shersti nga Sinica e Korçës, i shkruan Irakli Sherstit: “ Të të vijë keq për mua që ngrihem në mëngjes dhe më japin një copë bukë. Kafe jo. Nuk kemi nga ta marrim se është e shtrenjtë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here