Dënimi për dinjitet i doktor Yllit, vëllait të Trifon Xhagjikës

0
1305
blank

Një jetëshkrim i përmbledhur i mjekut të njohur, Ylli Xhagjika, shkruar nga e bija, Lorena, për kujto.al. Si u kufizua karriera dhe jeta e mjekut, pasi i dënuan me pushkatim të vëllanë, Trifon Xhagjikën. Presionet për të bashkëpunuar me Sigurimin me premtimin e rremë se kështu do shpëtonte të vëllanë, ndërkohë që atë e kishin pushkatuar. Vitet e burgut, të internimit dhe të survejimit. Dhe qëndresa e pathyer e Ylli Xhagjikës që kravatën e zezë, në shenjë zie për të vëllanë e pushkatuar nga komunistët, nuk e hoqi as ditën e dasmës, ndërsa kapelën, që e hoqi kur i thirri të vëllait te dera e gjykatës «Trifon, kokën lart», e hiqte më pas, në shenjë respekti, për të burgosurit e Rubikut

Nga Lorena Xhagjika

Ylli Xhagjika lindi në Peshtan, Tepelenë dhe u rrit në Tiranë. Ai kreu studimet e larta dhe doktoraturën në Leningrad (St. Petersburg). Me t’u kthyer në Shqipëri, filloi punë si drejtor i repartit të radiologjisë në Spitalin Ushatarak Tiranë dhe më pas si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë. Në fillim Ylli ishte shumë entuziast për sistemin e kohës, ai kishte ardhur shumë i motivuar nga Bashkimi Sovjetik.

blank

Por vëllai i tij i vogël Trifoni, i cili ishte nëpunës ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, i flet mbi torturat e njerëzve në birucat e hetuesive dhe persekutimin e njerëzve të pafajshëm, një sistem i ngritur në terror dhe survejim. Ndërkohë Trifoni bënte pjesë në një grup bashkë me Fadil Kokomanin, Vangjel Leshon dhe te tjerë, të cilët kundërshtonin vijën staliniste të Shqipërisë dhe shkëputjen nga Blloku Lindor.

Në vitin 1963, arrestohet vëllai Trifoni bashkë me anëtarët e grupit të tij. Kjo ishte një tronditje për të gjithë familjen. Ylli bashkë me vëllain e madh Anastasin, me të marrë vesh datën e gjyqit, shkojnë në  Gjykatën e Lartë dhe pritën para ndërtesës. Kur morën vesh dënimin me vdekje të Trifonit dhe me ta parë të dilte nga gjykata, Ylli i afrohet makinës së të dënuarve, heq kapelen dhe thërret: «Trifon, kokën lart». Në këtë moment ai arrestohet menjëherë dhe dënohet me 4 vjet burg nën akuzën «Agjitacion e propagandë». Sipas gjykatës, ai kishte biseduar edhe me anëtarë të grupit të Trifonit dhe kishte shprehur pakënaqësinë ndaj politikës së Partisë së Punës dhe lavdëronte politikën e Hrushovit. Gjatë hetuesisë, mes torturave, i bëhej presion që të bashkëpunonte me Sigurimin për t’i shpëtuar jetën vëllait. Atëherë Ylli përgjigjet: «Vëllai nuk do të ma falte kurrë po ta dinte se jeta e tij shpëtoi duke marrë në qafë jetën e të tjerëve».  Kjo ishte vetëm një rrengë sepse ndërkohë Trifoni kishte qenë ekzekutuar. Midis torturave hetuesi i thotë për ta demoralizuar: «Shiko more Ylli si je bërë”. Dhe ai i përgjigjet: “Këtu ku jam dhe kështu si jam, jam më mirë se ti.»

Dënimin e kreu në Burrel, në Spaç dhe në minierën e Rubikut, ku u njoh me Engjëll Çobën, Dom Simon Jubanin, At Zef Pllumin, Pajo Islamin etj.. Këtu shkëmbeheshin mendimet e kaheve të ndryshme politike që para Luftës së Dytë Botërore e më pas. Për Yllin, Burreli kishte qenë si një universitet i dytë, «Universiteti i Brukselit» e quante ai me shaka. Me ndihmën e bashkëvuajtësve mësoi në burg edhe frëngjishten. Ne ende në shtëpi mbajmë një libër me tregime në frëngjisht «Á batons rompus» dhuruar nga një mik i burgut, V. Kujxhija. Tregimet e librit, Ylli i përmendte herë pas here në familje si mësime të kulturës së vjetër perëndimore. Për shembull ai preferonte të ulej në kolltukun e tij, të cilin nuk ua lironte as mysafirve që vinin për vizitë: «Chacun est roi en sa maison» «Secili është mbret në shtëpinë e tij» thoshte.

Mbas dënimit, Yllit iu ndalua të jetonte në Tiranë dhe qytetet e tjera të rëndësishme të kohës. Kështu ai zgjodhi Rrëshenin, si një nga qytetet më të persekutuara nga regjimi dhe ndoshta mendonte se do të jetonte në një shoqëri me rezistencë më aktive. Atje jetoi 19 vjet, ku krijoi dhe familjen e tij. Pas tetë vjetësh në Rrëshen, u martua me mamin, Asika Toptanin dhe më vonë lindëm motra dhe unë.

blankQë mbas daljes nga burgu babi mbante kravatë të zezë, si shenjë zije për humbjen e vëllait dhe për të treguar se nuk e mohonte vëllain tashmë të vdekur.blankKravatën e zezë e mbajti edhe ditën e martesës. Atë e hoqi vetëm me lindjen e vajzës së parë, motrës sime Keti.

blank
Rreshen 1976 me vajzen e pare Ketin
blank
Ylli Xhagjika me vajzen e madhe, Keti, 1986

Heqja e kapeles mbeti një simbol rezistence për Yllin. Tani në Rrëshen ai e hiqte kapelen si  shenjë respekti për të burgosurit që punonin në Minierën e Rubikut, sa herë kalonte me makinë pranë saj, kur shkonte në punë apo në Tiranë.

Për një kohë të gjatë punoi si mjek i përgjithshëm në disa fshatra të Mirditës dhe vitet e fundit në spitalin e Rrëshenit si pediatër, pasi në atë kohë Mirdita kishte një mortalitet të lartë të foshnjave. Fatkeqësisht në Rrëshen nuk gjeti qetësi, por vazhdoi të përndiqej nga spiunët e sigurimit. I mërzitur nga përndjekjet shkoi në rajonin e policisë dhe u thotë që spiunët nuk i do prapa shpine, ai tani kishte familje dhe nuk kishte ndërmend të bënte ‘agjitacion’, por po të donin shkonte vetë dhe paraqitej në mëngjes para pune dhe në mbrëmje, kur kthehej nga puna. Dhe kështu u bë. Gjithashtu sa herë donte të shkonte në Tiranë për të takuar prindërit vëllain e madh dhe motrat, i duhej të merrte leje nga dega e rajonit.

Në vitin 1973, arrestohet përsëri dhe dënohet për mosdhënie ndihme të një pacienti. Ylli kishte vajtur në mëngjes në punë, kur pacienti kishte vdekur (ose ishte në momentet e fundit). Por fajtor duhet të bëhej Ylli sepse ai nuk e kishte biografinë e mirë. Falë ndihmës së prokurorit ai kreu një dënim të lehtë, vetëm me një vit “punë korrektonjëse” në ndërtim dhe ulje të pagës, por fatmirësisht akuza nuk u transferua dhe në akuzë politike.

Populli i Mirditës dhe kolegët e respektonin dhe e vlerësonin Yllin jo vetëm si mjek i aftë, por edhe shumë i drejtë dhe njerëzor. Kolegët e tij të ngushtë e kanë ndihmuar gjithmonë në momente të vështira, kur rrezikohej të arrestohej përsëri apo të internohej. Ai shkonte dhe në shtëpitë e të sëmurëve për t’i kuruar. Unë, vajza e tij, ndiehesha gjithmonë krenare si “vajza e doktorit”, njeriut më humanist që ndihmonte njerëzit në nevojë: Madje mendoja se nuk do të sëmuresha kurrë rëndë, pasi babai ishte shumë i zoti, prandaj të gjithë pacientët vinin e kërkonin në shtëpi dhe nuk shkonin në spital.

Për shumë vite bëri përpjekje të ikte nga Rrësheni, por ishte e vështirë. Prindërit e dinin shumë mirë se ishte e pamundur të ktheheshin në Tiranë, por për ta kishte më shumë rëndësi të shkëputeshin nga Rrësheni dhe të shkonin në një vend tjetër me më pak përndjekje. Kjo gjë u mundësua me ardhjen e Ramiz Alisë në pushtet, kur u transferuam në Mamurras, një qytezë e vogël kooperativiste, 10 minuta me makinë larg Laçit. Atje babi ishte më i qetë. Sistemi ishte zbutur ca dhe mesa duket tregtarët krutanë dhe kosovarët e ardhur prej vitesh nuk interesoheshin shumë për politikën popullore socialiste. Mbaj mend që babi ndonjëherë vinte vonë në shtëpi sepse luante shah tek lulishtja aty afër. Edhe vizitat e kushërinjve nga Tirana u shpeshtuan, tani kishte tren direkt Mamurras-Tiranë.

Me rrëzimin e diktaturës, në mars 1991, më në fund u kthyem në Tiranë. Fillimisht ndejtëm te shtëpia e një kushëriri, që kishte emigruar për në Itali. Disa vite më vonë hymë në apartament të ri, në bllokun e ndërtuar për ish-të përndjekurit.

Me ardhjen e sistemit pluralist, Ylli bashkë me motrat dhe vëllain botuan poezitë e Trifonit, që vëllai i madh Anastasi i kishte fshehur në derën e dollapit: “Atdheu është lakuriq” 1994 dhe “Poezia” 2002. Ata organizuan dy aktivitete përkujtimore dhe një film dokumentar mbi aktivitetin politik të grupit. Ylli ndërroi jetë në 2009. Për sa kohë që ishte mirë me shëndet, ai u përpoq të gjente eshtrat e vëllait.

Babi nuk ia ka treguar kurrë jetën e tij në mënyrë kronologjike familjes apo miqve, por ndonjëherë përmendte disa fragmente të shkëputura. Këto shënime janë mbledhur nga vajzat, kujtimet e familjes dhe shokëve të tij.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here