Hekuran dhe Anica Troka, të ndarë pa përqafim

0
1546
blank

Djali i një prej viktimave të shkurtit 1951, pas incidentit në Legatën Sovjetike në Tiranë, Osman Kaceli, po kujton ngjarjen makabre duke botuar biografitë e njerëzve të pafajshëm që u pushkatuan natën e 26 shkurtit, 80 vite më parë. Një prej tyre ishte tregtari i ri Hekuran Troka, që mbrëmjen e 20 shkurtit kur e arrestuan duke e marrë nga shtëpia, nuk arriti dot as t’i jepte përqafimin e fundit bashkëshortes, Anica, vajzës së madhe 3-vjeçare dhe më të voglës, vetëm 1-muajshe

Nga Osman Kaceli

Hekuran Troka lindi në vitin 1919 në qytetin e vogël të Kuçovës në një familje të mesme qytetare. Që në moshë të vogel ai u dallù për natyrën e tij të thjeshtë e kureshtare gjë të cilën e manifestoi me rezultatet e mira në shkollë. Në moshën e rinisë së hershme të Hekuranit, Kuçova u bë qendra e zhvillimit të industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Në këtë kohë ai përfitoi nga kontakti  me specialistët italianë, ai perfeksionoi italishten e mësuar shumë mirë që në bankat e shkollës në saj të aftësive të tij, këta të fundit i ofruan atij kërkesën për të punuar në to.  Ai vazhdoi një kohë të gjatë në punë të ndryshme me të cilat pati përfitime jo vetëm materiale. Më vonë mbasi ai krijoi një bazë të mirë materiale dhe mbasi krijoi miqësi me tregtarë të Durrësit si të familjes Dovana, Fani, Shijaku etj., ai u transferu në këtë qytet ku hapi një dyqan dhe zhvilloi aktivitet të frytshëm tregtar: mbas mbarimit të L2B, Hekurani që kishte kriju marrëdhënie biznesi edhe me Babën e atij që po shkruan këto radhë Jonuz Kacelin e me tregtarë të tjerë si Këllezi, Tugu, Shijaku etj..u vendos në Tiranë. Aktiviteti i tij ka qenë kryesisht manifaktura dhe kinkaleria. Ai u dallù gjithmonë nga korrektësia e ndershmëria. Hekurani e ka pas dyqanin në rrugën Mbretnore, sot e Barrikadave, deri në fillim të vitit 1951.

blank

Gjatë gjithë kësaj periudhe aktiviteti tregtar, ai ka ndihmuar vullnetarisht e pa asnji pagesë organet shtetnore të tregtisë, si për shembull, së bashku me shokë të tjerë, në vlerësimin e përcaktimin e çmimeve të mallnave të manifaturës, duke ndihmuar në eliminimin sa më shumë të spekulimit nga spekulatoret e paskrupullt. Gjatë kësaj kohe në lagjen e tij në rrugën e Durrësit, mbrapa Shtëpisë së oficerave, sot Ministria e Kulturës, ai ka qenë aktivist i kësaj lagjeje që sipas dëshmisë jo vetëm të  bashkëshortes së tij Anica Troka, por edhe dëshmive të banorëve të atij blloku, ai kishte zgjidhur shumë probleme që normalisht lindnin ndërmjet qytetarëve. Ndërkohë Hekurani ishte martuar me Anicen që e përmenda më parë, e datëlindjes 20 korrik 1920, një zonjushë e pashme dhe e miredukuar, jugosllave me origjinë. Ai adhuronte Anicen, e cila i dhuroi dy vajza të mrekullueshme që e gëzuan pa masë: Liljana e datëlindjes 20 tetor 1947 dhe Zhaneta e ditëlindjes 15 janar 1951. Edhe në familjen e thjeshtë të këtyre qytetarëve shembullorë, në natën e 20 shkurit 1951, ra një rrufè në qiell të paster. Pak para mesit të natës, bishat e egra me fytyrë njeriu ndërsyen me një sulm të furishëm derën e shtëpisë. Nuk pritën që i zoti i shtëpisë ta hapte atë, por e shtynë me forcë e duke ulërit se ti Hakuran Troka je armik i popullit e si i i tillë do të arrestohesh. Nuk duhet të kesh një imagjinatë të veçantë për të përfytyruar gjendjen  e llahtarshme të Anices 30- vjeçare, që Hekurani me shumë mundim u përpoq që ta qetësonte, por edhe të bindte përbindëshat se ai nuk kishte kryer asnjë krim, por pa ia arritur qëllimit. Ata ndërkohë i kishin mbërthyer prangat e hekurta në duart e buta të 30-vjeçarit Hekuran Troka, e nuk i kishin lënë asnjë mundësi jo vetëm që të përqafonte gruan e Lilianën 3-vjeçare, por as që t’i hidhte vështrimin e fundit vajzës se porsa lindur, Zhanetës vetëm 1 muajshe!

Sikur në rastin fatlum, tregimi im të mbaronte këtu, do të ishim në skajet e një kallximi penal për krim kundër njerëzimit, që në të gjitha qeveritë me legjislacion normal, demokratike ose autokratike qofshin ato, nuk kanë parashkrim. Një femër e re që ishte lehonë 35-ditëshe, u sulmua në folenë e saj bashkëshortore, nga një grup banditësh që pa zbatuar rregullat me elementare të ligjeve të sanksionuara me kushtetutë të konsoliduar e aq më tepër në një shtet të vetëquajtur Republikë Popullore, e masakrojnë atë barbarisht vetëm se tentoi të përqafonte bashkëshortin e saj me foshnjën e porsalindur në krahë, që qante pa ndërprerje!

Por nuk kishte mbaruar me kaq. Nuk di nëse Anica e mjerë e kishte ndëgju fjalën e urtë popullore shqiptare që po të hyri e keqja, hapi udhën. Për fatin e keq ajo edhe pa e ditur atë, ashtu e pësoi! Nuk ka dëshmi të saktë sesi ajo e mjerë me dy kërthij të njome, i kaloi ditet e netët, deri ditën e enjte 1 mars 1951, kur u rikthyen bishat e egra e  i komunikuan Anices me qesëndi e urrejtje se burrin  tënd e kemi pushkatuar si armik të popullit, e ti me gjithë dy vajzat të shtunën, më 3 mars 1951 do të internoheni në Berat!

Këto ngjarje që tronditën në themel familjen e heroit të tregimit tonë HEKURAN TROKA, kishin ndjekur sekuencën të cilën i lutem lexuesit ta ndjekë me vëmendje:

Në 19 shkurtin e vitit 1951, rreth orës 19 e 30 minuta, në oborrin mbrapa ambasadës sovjetike në Tiranë, u hodhën dy llokume dinamiti, nga njerëz të paidentifikuar, pa shkaktuar asnjë lloj demi të rëndësishëm. Kjo shkaktoi një “tërmet” të paparë në të gjithë strukturat e shtetit të diktaturës enveristo-komuniste e sidomos në të tre drejtoritë e Sigurimit të Shtetit, të drejtuara nga kriminelët vrasës Pilo Shanto e Zoi Themeli të Sektorit të Parë, krimineli e gjaksori i pa mëshirshëm Rasim Dedja i Sektorit të Dytë dhe krimineli tjetër Edip Cuçi i Sektorit të Tretë.

Në 20 shkurt, pra të nesërmen në mbledhjen urgjente të Byrose Politike, i ashtuquajturi në atë kohë “Komandanti”, xhahili e hapi mbledhjen ku kishin mbetur vetëm anëtarët e Byrosë me fjalët se Mehmeti gjoja do të bënte një propozim, që në fakt ishte urdhër i prerë i vetë atij. Krimineli Mehmet Shehu pasi përshkroi ngjarjen e një nate më parë vazhdoi……. “aktit terrorist ne do t’i  përgjigjemi me terror, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Të arrestojmë 100 apo 150 individë intelektualë e 10 apo 15 prej tyre të tipit Qemal Kasoruho, t’i pushkatojmë. Pastaj mbrenda një muaji familjet e tyre t’i internojmë. Ne listat i kemi gati dhe nëse ju jeni dakord, ne fillojmë arrstimet që sonte…”…….. e mbasi servilat e aprovuan unanimisht, ai vazhdoi me …….etj.

Po në 20 shkurt, pak para mesnatës filluan arrestimet që vazhduan deri më 23 shkurt. U arrestuan rreth 220 persona, intelektualë të shquar!

Në datën 26 shkurt, Fadil Kapisyzi dhe Mehmet Shehu firmosën propozimet për të arrestuarit që prokurori Sirri Carçani gjoja i lejoi po atë ditë.

Po në 26 shkurt pak para mesnatës, 22 intelektualë të shquar të lidhur së bashku barbarisht me tela me gjemba, u pushkatuan dhe u hodhën në gropën e përbashkët, të hapur dy ditë më parë, ndërmjet të cilëve heroi i tregimit tonë Hekuran Troka  që kryqin me laps jeshil ia kishin vu Pilo Shanto dhe Zoi Themeli, si dhe një femër e re shkencëtarja e shquar Sabiha Kasimati, që e kishte shënuar me katror të kuq krimineli Rasim Dedja!

Në datën 27 shkurt 1951, Kryetari i Gjykatës Ushtarake Shuaip Panariti dhe një nga anëtarët e asaj Gjykate, Vangjel Kocani, firmosën vendimin numër 64 të asaj gjykate që denonte 22 persona të shquar e atdhetarë të mirë me pushkatim! Anëtari tjetër Nonda Papuli si dhe sekretari i asaj Gjykate Hydai Bejo, nuk e kanë firmos vendimin!

Mehmet krimineli nuk e kishte mbajtë fjalën: arrestoi 220 persona atdhetarë e intelektualë të shquar, pushkatoi 22 prej tyre dhe i internoi familjet e 22 martirëve brenda tri diteve! Raporti 1 me 10 ishte fatal apo i parashikuar!

Më 3 mars 1951, Anica Troka dhe dy foshnjet e saj, i hipën me forcë në kamionin e familjeve që u caktuan për t’u internuar në Berat, ku mbërritën në mbrëmjen e asaj dite ku provizorisht kaluan natën në Han “SKRAPARI”  dhe të nesërmen policia i futi në një bodrum në kalanë e vjetër të Beratit… Kush ka imagjinatë, le ta vazhdojë rrjedhën e ngjarjeve……….

Shënim: Shkrimi dhe fotot janë marrë nga faqja e Osmon Kacelit në Facebook

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here