Për të shmangur paqartësinë që krijojnë fjalët e shumta ndonjëherë, kërkohen shifra, por kur lexon shifra njerëzish të vrarë pa gjyq, grash e fëmijësh të ekzekutuar në dyert e shtëpisë, kupton se matematika nuk është bërë për të mbledhur këto lloj numrash
Kanë kaluar disa vite që nga koha kur Aranit Hoxha, nga Vezhdanishti i Vlorës, djali i Sulo Hoxhës, mësuesit të ekzekutuar nga komunistët, ka shkruar librin “Gjëma e komunizmit në trevën e Vlorës”. Ky libër me të dhëna mbi krimet e komunizmit në Vlorë, me data, vende, emra viktimash, të identifikuar me vendlindje, ditëlindje, atësi, është botuar në vitin 2013 dhe që prej asaj kohe, pavarësisht botimeve dhe përpjekjeve të ndryshme, nga ish-të dënuar apo fondacione që i janë kushtuar kësaj kauze, ende Shqipëria nuk ka treguar vullnet të plotë për ta trajtuar shkencërisht periudhën komuniste në Shqipëri, për të vënë në pah krimet dhe kriminelët e asaj epoke dhe për të përmbushur detyrimet morale dhe shtetërore ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre.
Çdo krahinë dhe e gjithë koha e regjimit komunist është e mbushur me krime, me vrasje pa gjyq, ose të urdhëruara nga gjyqe pa drejtësi; është e mbushur jo vetëm me dënimin e kundërshtarëve të saj, por edhe me atë të familjarëve të tyre. Ende sot, madje dhe në komentet në faqen e kujto.al, shprehen mendime që justifikojnë dënimet e asaj epoke si zbatim të ligjeve dhe që i konsiderojnë të dënuarit si fajtorë që e kanë merituar dënimin. Këta komentues nuk e besojnë realitetin komunist të dëshmitarëve të rremë, të akuzave false që çonin njerëzit në litar, të komandantëve të kampit që pa u mbështetur në asnjë rregullore, u mohonin ndihmën mjekësore të dënuarve apo i torturonin deri sa jepnin shpirt. Por me sa duket, nuk është thjesht çështje besimi apo mosbesimi (nga, në fund të fundit, varen gjërat më të rëndësishme). Me sa duket, është vendimi për të mos i konsideruar këto padrejtësi edhe kur asgjë nuk mund t’i justifikojë ato, siç është rasti i internimit, burgosjes, madje edhe vrasjes së grave, adoleshentëve dhe fëmijëve, për hir të burrave të shtëpisë të shpallur armiq. Është vendimi për të ngritur një barrierë mbrojtëse me blloqet “janë punët e shtetit”, “shteti ka ligje”, “ne pse nuk na gjeti gjë?”, “pse në demokraci, pak gra e fëmijë janë vrarë (nga krimi, dhuna në familje)?” dhe për të mos parë përtej. Por “përtej” është këtu, mes nesh, sado që po tentohet të shtyhet larg me një shkop vitesh nga njerëzit që nuk duan ta prekin me duar. Është e mbushur me emra që kanë qenë njerëz; me data dhe vende, kur dhe ku kanë ndodhur krime. Është e mbushur me numra si këto që sjell Aranit Hoxha, por që nuk i takojnë matematikës. Nga një trajtim që i ka bërë Enver Lepenica këtij libri, në kohën e botimit, po sjellim disa prej këtyre shifrave tronditëse.
Të vrarë
Në gjithë trevën e Vlorës, vetëm gjatë vitit 1943 u vranë pa gjyq 114 vetë, nga të cilët 14 gra, ndërmjet të cilave Merxhane Sadikaj, Kafaze Birçaj e Refie Kondi nga Kuçi, Veno Toto nga Kudhësi etj..
Në Bolenë, u zhdukën dy familje ndërmjet tyre një vajzë 17-vjeçare. Në Kuç, vetëm nga familja Sadikaj, u pushkatuan 8 vetë 5 burra dhe tre gra.
Në Gorisht, vranë në derë të shtëpisë nënë e bir Zenepe dhe Halim Çaushaj e kështu me radhë deri te shifra tronditëse, 257 të vrarë, vetëm në dy vite 1943-1944. Tronditëse është që shumë nga të pushkatuarit ishin adoleshentë ose fëmijë. Kështu në Bolenë u vranë, me atentat: Fuat Çelomeme 19 vjeç, Bilbil Çelomeme 14 vjeç, Dyzene Novruzaj, vajzë 19-vjeçare, Gani Çelomeme 17 vjeç. Në Treblovë u vra Bajram Lamaj që ishte vetëm 16 vjeç, e kështu vazhdojnë me radhë vrasjet në Drashovic, në Gorisht, në Kuç, në Gjorm, në Kaninë, në Lepenicë.
Të burgosur
Dënimet e të miturve vazhduan edhe pas Çlirimit. Të dënuar politikë, nën moshën 20 vjeç, në libër janë evidentuar me dokumente, 120 vetë. Një numër që bëhet më i rëndë e më i madh, në mes të popullsisë së atëhershme të Vlorës dhe prej moshës së vogël të të dënuarve.
Ndër ta përmendim: Bahri Çeprati 17 vjeç, Bejo Shaqiri nga Dukati 15 vjeç, Zenepe Selimi 17 vjeç nga Treblova, Klito Lamaj 17 vjeç nga Kanina, Eqerem Malaj 18 vjeç nga Ramica, Luan Llupa 17 vjeç nga Vlora, Reshat Kripa 15 vjeç nga Vlora, e kështu me radhë. Mosha nuk ua ulte dënimin më pak sesa 5 vjet dhe as ua bënte më të lehtë burgun ku i çonin për t’i shfrytëzuar në punë të rënda.
Përveç 14 grave të pushkatuara, kanë vuajtur nëpër burgje 31 gra të tjera vlonjate.
Të mbetur në tokën e internimit
Disa ndërruan jetë në internim, bashkë me fëmijët e tyre, nga uria dhe mungesa e ndihmës mjekësore. Kështu vdiqën në internim nga sëmundja e urisë Lino Alikaj, nëna e Lahe Nuros, nacionalistit që luftoi me komunistët deri sa u vra në vitin 1946. Ndërkohë që ai ishte në mal, nënën e tij dhe të vëllanë vetëm 6 vjeç i internuan. Perie Mustafaraj, bashkëshortja e Muço Çepratit pushkatuar, u internua në Krujë, ku gjatë vitit 1946 i vdiqën dy vajza të mitura.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.