Nga Brukseli në hetuesinë e Tiranës, historia e Gjyljana Preçit

0
2102
blank

Pas 18 vitesh nga arratisja, tashmë me nënshtetësi belge, Gjyljana vjen në Shqipëri me një grup turistësh, por në Shqipëri asgjë nuk kishte ndryshuar 

Gjyljana Nikolla Preçi, lindur në vitin 1941 në Nenshat të Shkodrës, me origjinë fshatare të mesme, ishte arratisur nga Shqipëria në Jugosllavi, në shtator 1960, në moshën 19-vjeçare, së bashku me dajën e saj, Zef Mati Jaku. Qëndroi 8 muaj në Jugosllavi, një muaj në Triste dhe rreth 2 vjet e gjysmë në Paris. U vendos në Bruksel. Vitin 1966 u martua me shtetasin belg Hanri Decene dhe mori shtetësinë belge. Duke besuar se kishte kaluar një kohë e gjatë nga arratisja e saj, se ishte shtetase belge dhe se në gjithë botën njihet parashkrimi i veprave penale të këtij lloji, pasi iu dha viza më 27.7.1978, ajo bën gabimin e jetës dhe vjen me një grup turistësh belgë në Shqipëri. Pavarësisht se ishte me pasaportë belge, nisur nga shënimi i vendlindjes, emrit dhe moshës, organet e Sigurimit e të Shtetit e dyshuan dhe e arrestuan më 4.8.1978. U akuzua për tradhti ndaj atdheut në bazë të nenit 64 të Kodit Penal. Ndaj saj u zhvillua një hetuesi intensive. U nxor shpejt në gjyq. Me këtë rast regjimit do ta trumbetonte si sukses spektakolar në zbulimin e një “agjenteje”, por ngjarjet nuk rrodhën siç ata deshën.

Gjykata vërente se babai i saj ishte dënuar me 18 vjet për bashkëpunim me “kriminelët e arratisur” dhe kish vdekur gjatë vuajtjes së dënimit. Në arsyetimin e gjykatës thuhej:

“Duke qenë me predispozicion armiqësor si dhe nën influencën e nxitjen e Zef Jakut, e pandehura bashkë me këtë të fundit më 5.9.1960 u arratisën nga RPSH për në Jugosllavi, ku pasi qëndroi 6 muaj në kampin e emigracionit u largua ilegalisht në Itali. Nga Italia e pandehura shkoi në Francë ku qëndroi rreth 2 vjet. Në Francë bëri një operacion në shpinë pasi kur ishte e vogël kishte rënë nga një pemë dhe kishte mbetur me defekt e kërrusur”.

Gjykata theksonte se jepte masën e dënimit nga “rrezikshmëria e theksuar e krimit”, i cili drejtohej “kundër pavarësisë dhe sigurimit të jashtëm të atdheut, si dhe rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurës”.

Gjykata e Rrethit Tiranë, e drejtuar nga një grua, Leonora Pando, me pjesëmarrjen e prokurorit Andon Çerepi, me vendimin nr.411, datë 28.9.1978, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Duke përmendur efektet e dekretit nr.3603, datë 23.11.1962, iu ul 1/6 e dënimit, duke e dënuar përfundimisht me 8 vjet heqje lirie.

Vendimi i dhënë kundër një shtetase të huaj, 18 vjet pasi vepra kishte ndodhur, ishte një precedent i rrezikshëm në marrëdhëniet midis shteteve. Diplomacia ndërkombëtare ndërhyri menjëherë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme u krijua një dosje voluminoze me letërkëmbime të ndryshme. Shteti komunist u frikësua nga një ndërkombëtarizim i çështjes, i cili do ta bënte humbës, por edhe qesharak në të gjitha marrëdhëniet dhe gjyqet në botë. Për këtë arsye, nxitoi ta mbyllë vetë këtë skandal. Ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, iu drejtua Presidiumit të Kuvendit Popullor të nxirrte një dekret faljeje, pasi nuk rezultonte që e dënuara të kishte kryer ndonjë veprimtari kundër RPSH-së, gjë e cila në fakt nuk kishte qenë shkaku i dënimit të saj. Kësisoj, me dekretin nr.5775, datë 7.10.1978, Presidiumi i Kuvendit Popullor, me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i fali dënimin e dhënë nga gjykata. Gjyljana u kthye në Belgjikë.

Presioni i ushtruar, i mundësoi vijimin normal të jetës.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here