Frederik Rreshpja, poeti që skandalizoi pushtetin popullor

0
782
blank

Kujtojmë sot, në ditën e lindjes, poetin shkodran që u ndalua dhe u burgos në vitet ‘70 sepse me guximin e vargjeve të tij moderne, ishte një rrezik për pushtetin e asaj kohe

Më mirë sesa çdo gjë tjetër, jetën dhe vuajtjet e tij, i përshkruajnë vargjet që ka shkruar vetë. Të drejtpërdrejta, të fuqishme, pa kompromis, si vetë karakteri i tij që skandalizoi regjimin komunist, i cili pasi i ndaloi veprën e burgosi Frederik Rreshpjan, duke e dënuar me 17 vjet. U dënua “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…”. Dënimi ishte i padrejtë, por akuza qe e vërtetë. Frederik Rreshpja mbeti poeti skandaloz që nuk do të pajtohej kurrë me regjimin komunist dhe me asnjë regjim tjetër të ngritur mbi padrejtësi dhe servilizëm.

Ndaj, poeti i lindur më 19 korrik, 79 vjet më parë, nuk do të gjente hapësirën që i takonte as në vitet e pluralizmit, përveçse do të mund të shihte të botuara vargjet e tij që na tregojnë kohën e errët kur shkrimtarët prangoseshin për idetë dhe kohën që pasoi, që ende nuk ka sjellë dritën e drejtësisë.

Deklaratë shtypi

Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje

Te këmbët e diktatorit jeni shtrirë,

Dhe më keni quajtur mua skandaloz

Për fjalën time të lirë.

Enveri lëshonte urdhër-vdekje

Por prangat m'i keni vënë ju

Tani shkruani për mua parrulla nëpër gazeta

Dhe i varni si prangat nëpër mure

Skllevër mosmirënjohës dhe të marrë

Kope hipokritësh servilë,

Unë muret dhe prangat i pështyj,

unë kam lindur skandaloz dhe i lirë.

Poezi nga Frederik Rreshpja

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here