Frederik Rreshpja u lind në Shkodër më 1940 në një familje me origjinë nga Dukagjini. Në vendlindje kreu shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit "29 nëntori", studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë me korrespondencë.
Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare”.
Më 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhërin e një qarkoreje të ministrisë së Arsimit dhe Kulturës firmosur nga zv/ministri Mantho Bala. Arrestohet dhe dënohet “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…”.
Frederik Rreshpja u burgos dhe vuajti 17 vjet burg.
Pasi doli nga burgu, botoi vëllimet “Erdhi ora të vdes përseri” - 1994, “Lirika të zgjedhura” - 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi” që u botua në vitin 2004, i cili i solli titullin – “poet i vitit 2004”.
Ai ishte kryeredaktor i gazetës “Ora“, udhëheqës i një shtypshkronje dhe pronar i Shtëpisë Botuese “Evropa”.
Përfshihet në vëllimin "Historia e Letërsisë Shqiptare" e Robert Elsie-t të 2003.
Përfaqësohet me disa poezi në "Antologji e poezisë shqiptare" të Aleksandër Zotos ( 1998) dhe në "Antologjinë e poezisë shqipe”
Frederik Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetëm, sepse nuk ishte i martuar.
Vdiq më 17 shkurt 2006 në Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllëzërit dhe familja e gjerë dhe u varros më 18 shkurt, në varrezat “Rrëmaj” të kishës katolike në Shkodër.

Burimi: Muzeu Kombëtar "Shtëpia me Gjethe"
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.