Dosjet e Sigurimit, shtator '83, Foto Çami: Ja dokumente që digjen. Alia dhe Hoxha: Fishat duhen ruajtur

0
795
blank

Diskutimet në mbledhjen e Komitetit Qëndror të datës 5 shtator 1983, mbi bashkëpunimin e organeve të sigurimit dhe udhëheqjen e Partisë dhe udhëzimet se si duhen klasifikuar dhe ruajtur dokumentet e dosjeve të Sigurmit të Shtetit

Foto Çami: Ka materiale që zhduken, ka të tjera që ruhen deri në 5 vjet, ka më së fundi materiale që ruhen për nëj kohë më të gjatë. Ka një shkallëzim, po ka dokumente që duhet të digjen, se nuk kanë asnjë vlerë për ti pasur në evidencë

Admirina Peçi

Me instancën më të lartë të Partisë punëtori i Sigurimit duhet të jetë i hapët, me ata të shkallës më poshtë, më pak i hapët, kurse me të tjerët nuk është nevoja të flasë... Me këtë udhëzim Enver Hoxha nënkuptonte se mjaft ishte lënë në terr informativ deri në këtë kohë. Në mbledhjen e 5 shtatorit 1983 mes sekretarëve të Komiteitt Qendror, Hoxha tregon rrugën se si duhet të bashkëpunojnë organet e Sigurimit me udhëheqësit e Partisë, duke mos i mbajtur të fshehta çështjet që punëtorët operativë ndiqnin.  Ndërsa flet për këtë gjë Enver Hoxha, Ramiz Alia, Foto Çami dhe Hekuran Isai nisin një diskutim tjetër, mbi ruajtjen e materialeve që mblidhen nga punëtorët e Sigurimit. Foto Çami tregon një detaj kurioz, se si klasifikohej materiali i mbledhur nga Sigurimi i Shtetit, se cilat dokumente digjeshin që në fillim, cilat ruheshin deri ne 5 vjet, e cilat ruheshin për një kohë edhe më të gjatë... KJo pjesë e shkëputur nga  procesverbali i mbledhjes së 5 shtatorit 1983, sjell pikërisht detaje mbi këto çështje.

blank

Pjesë nga procesverbali i mbledhjes  së Sekretariatit të Komitetit Qendror  5 shtator 1983.

SHOKU ENVER HOXHA: Sekretarët e parë duhet të nxjerrin mësime nga këto që kanë ndodhur, por mësime duhet të nxjerrim edhe ne për frymën e përgjithshme që ka ekzistuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, se nuk është e kollajtë të zhduket fryma që ka zënë vend atje për 40 vjet me radhë, e cila akoma mund të vazhdojë, se kemi të bëjmë me një organ që është në luftë të përditshme me armiqtë dhe nuk veprohet si në sektorët e tjerë, si, fjala vjen, në ata të ekonomisë, ku për shumicën e problemeve mund të diskutohet haptas. Në organet e Sigurimit të Shtetit problemet që trajtohen janë shumë sekrete, ato nuk mund të bëhen në asnjë mënyrë çështje pazari. Megjithatë, edhe këtu duhet të ketë disa zhvillime mendimesh, të bëhen diskutime dhe aprovime konkrete dhe më me partishmëri se më parë, por në rrethe të kufizuara njerëzish.

Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që sekretari i parë, në lidhje me degën e punëve të brendshme në rreth, duhet të ketë të përcaktuar disa caqe marrëdhëniesh si parti. Konkretisht ai e njeh gjendjen e rrethit nga ana e Partisë dhe e pushtetit, por, për diçka që ka zbuluar dega e brendshme, kërkon që edhe kryetari i degës t’i flasë konkretisht si qëndron puna. Si parti, fjala vjen, konstatohet se bëhen vjedhje nëpër dyqane. Këtë e konstaton edhe dega në linjën e vet. Prandaj kjo duket ta vejë në dijeni udhëheqjen e Partisë në rreth se, nga të dhënat që disponon, vjedhjet më të mëdha bëhen në këtë drejtim ose në atë tjetrin, ku duhet të jenë disa nga punonjësit, nëpunës, shitës etj., që i bëjnë këto akte të jashtëligjshme. Sekretarit të parë të Partisë nuk i duhet se kush ia ka dhënë degës informatën, por atij i duhet të dijë në ç’konkluzione ka arritur dega për këto që ndodhin, që të thotë edhe ai pastaj se në cilin drejtim duhet të vazhdojë të ketë ajo syrin.

Nga ana e Partisë, sekretari do të marrë masa në rrugë partie për ta shëndoshur gjendjen. Por në ç’mënyrë? Ja, do të shkojë në dyqan t’i sinjalizojë organizatës bazë të Partisë që aty ekzistojnë disa çrregullime, ka mungesë disipline, pakujdesi, liberalizëm etj., prandaj në këto drejtime duhet të forcohet puna nga ana e organizatës bazë, sepse, si pasojë e këtyre shfaqjeve, janë krijuar pluse ose minuse në arkë, në mallra etj., etj. Mirëpo këto pluse e minuse kanë edhe anën e tyre negative, pse krijojnë shtigje për vjedhje, për dëmtime etj. Ja, këto do të thotë sekretari atje nga ana e Komitetit të Partisë, me qëllim që organizata bazë të rrisë vigjilencën dhe të mënjanojë nga rruga e keqe të gjithë ata që janë futur, ose të kapë për zverku ata që janë të pandreqshëm.

Apriori, punonjësi i organeve të punëve të brendshme, të jemi të bindur për këtë, nuk mund të jetë më i zoti nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, pa lëre nga organizata e Partisë, pse aq sa shikon Partia, nuk mund të shikojë një njeri i vetëm. Në një dyqan, në një fabrikë, kooperativë apo institucion dega e brendshme ka një bashkëpunëtor të vetëm. Megjithatë më shumë në rrugën e sigurimit janë ndjekur keqbërësit dhe veprimet e tyre, megjithëse organizata bazë e Partisë kudo ka shumë komunistë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Përveç komunistëve organizata bazë ka rreth vetes edhe shumë aktivistë e patriotë pa parti.

SHOKU ENVER HOXHA: Kur në një kolektiv vihen re çrregullime të mëdha dhe organizata bazë e Partisë nuk merr masa për normalizimin e gjendjes, do të thotë se ajo është inaktive dhe zhdukjen e një gjendjeje të tillë jo normale e lë në duart vetëm të një informatori, i cili shpesh informon ashtu si shiu pas së vjeli, domethënë pasi janë bërë vjedhjet e dëmtimet dhe atëherë propozon të arrestohen të gjithë ata që janë ndërlikuar në to, 5, 10 ose shumë më tepër punonjës, sikurse ka ndodhur, fjala vjen, në Mirditë.

Prandaj gjithë kjo që thamë duhet të kthehet në një edukatë të shëndoshë, më duket mua, sepse puna për zhdukjen e këtyre shfaqjeve nuk mund të rregullohet sipas disa normave burokratike. Sekretari i parë i Komitetit të Partisë në rreth duhet ta dijë mirë detyrën e vet dhe ta kryejë këtë si duhet, por edhe shefi i degës së punëve të brendshme duhet të kuptojë qartë detyrën që i është ngarkuar në rrugë partie, të ruajë e të zbatojë me përpikëri normat atje ku duhet dhe jo atje ku nuk duhet. Kur është e nevojshme duhet të bashkëpunojë me dikë, por duhet të dijë edhe me cilët do të bashkëpunojë. Edhe për këtë duhet të ketë disa norma.

Ka shumë rëndësi, veçanërisht, që me instancën më të lartë të Partisë punëtori i sigurimit duhet të jetë i hapët, me ata të shkallës më poshtë, më pak i hapët, kurse me të tjerët nuk është nevoja të flasë. Megjithatë ai duhet të jetë i bindur se një çështje që i ka dalë përpara, kur ndjek rrugën e drejtë dhe ka hyrë në dijeninë e Partisë, do të zgjidhet në bazë të udhëzimeve të qarta të saj. Partia në rreth kontrollon kryetarin e degës së brendshme dhe vetë degën në rreth, punët që kryejnë punonjësit e saj për zbatimin e ligjeve, të rregulloreve dhe të kërkesave të luftës kundër armiqve të klasës. Në këto drejtime ajo i orienton e udhëzon këta si të veprojnë.

Është pra e domosdoshme të rrënjoset një edukatë e tërë në komunistët dhe kuadrot e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët, duke punuar në situatat që tashmë i dimë, edhe arrogantë ishin bërë, pavarësisht se nuk ishin si Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Ju e dini se sa njerëz hoqëm ne nga këto organe. Po pse? Ata nuk ishin të gjithë ndjekës besnikë të armiqve kryesorë, por i hoqëm se ishin edukuar me frymën e armiqve dhe kishin krijuar një situatë të rëndë kundër gjithë të tjerëve, duke bërë që me qëndrimin e tyre të krijohej opinioni se “këta të përvëlojnë”, “të djegin”, prandaj “nuk duhet folur” etj.

Në punën e sigurimit ka rëndësi çdo gjë. Të marrim, për shembull çështjen e pushimit të përpunimit ose informatat që vinë për një person ose për një tjetër. Unë mendoj se të gjithë ata që kanë dalë në rrugë armiqësore për një faj të vogël ose të madh dhe vjen koha që nuk duhen ndjekur më, organi përkatës i Sigurimit të Shtetit, që e ka ndjekur çështjen e tij, duhet ta mbajë në evidencë, në fish. Ky duhet të ekzistojë atje, prandaj nuk jam i mendimit që këta t’i heqim andej, por t’i klasifikojmë.

Në këto çështje ka rëndësi se nga vinë të dhënat dhe këtu lozin shumë rol rezidentët. Në qoftë se nuk organizohet mirë puna e këtyre dhe këta nuk e kanë të qartë detyrën, mund të bëhen gabime të mëdha, pavarësisht se mund të jenë caktuar disa norma në punët e sigurimit. Rezidentët duhet të jenë njerëz të zgjuar, të besuar, të ndershëm, që e kuptojnë dhe e kanë mirë të qartë vijën e Partisë dhe kontrollojnë me shumë kujdes informatat që marrin nga bashkëpunëtorët, qofshin këta anëtarë partie, qofshin njerëz pa parti, ndonjëri nga të cilët mund të jetë i mirë, por mund të jetë edhe element i dyshimtë. Pa kontroll të kujdesshëm të informatave, rezidenti nuk do të jetë në gjendje që të dhënat t’i gjykojë si duhet dhe me objektivitet.

Le të marrim një shembull: njëri nga bashkëpunëtorët i jep një informacion rezidentit që filan fshatar ka shprehur këtë ose atë pikëpamje kundër vijës dhe gjykon se thënia e tij është pak a shumë e rrezikshme. Rezidenti nuk e regjistron këtë informatë, as e jep më lart menjëherë, pse, po të veprojë kështu, do të bëjë gabim. Më parë ai duhet ta verifikojë informatën që merr, se mund të jetë e vërtetë që ky fshatar të ketë shprehur një pikëpamje të huaj, por duhet të studiohet origjina e tij, të shihen puna, sjelljet dhe qëndrimet e këtij personi dhe jo vetëm të një periudhe njëvjeçare, por të një kohe më të gjatë, disavjeçare. Pastaj rezidenti duhet të vejë të pyesë edhe sekretarin e organizatës bazë të Partisë të kolektivit ku punon ky njeri. Sekretari i organizatës bazë mund ta njohë këtë person me këto dobësi, po mundet edhe të mos e njohë kur punëtori i sigurimit ta pyesë. “More, çfarë njeriu është filani, si punon, si sillet, me kë shoqërohet, ç’mendime ka” etj. Për të gjykuar më mirë për çështjen që trajton, rezidenti duhet të ketë parasysh pra edhe opinionin e sekretarit të organizatës bazë, pastaj të krijojë bindjen nëse çështja e tij duhet raportuar apo jo. Rezidenti duhet t’ia tregojë çështjen sekretarit të organizatës bazë, natyrisht me shumë kujdes dhe duke gjykuar se deri ku duhet të flasë me të.

Punonjësi i sigurimit, rezidenti ose punëtori operativ etj;, duhet të ketë parasysh që për disa ngjarje që mund të ndodhin në jetë, për një arsye ose për një arsye tjetër, një njeri mund të qëllojë që të shprehë një pakënaqësi apo të flasë diçka jo të drejtë kundër një personi apo një grupi personash me detyra të caktuara. Në këtë rast kjo nuk do të thotë se ai është edhe kundër Partisë, kundër vijës së saj. Prandaj punëtori i sigurimit, në rastin konkret, duhet të ketë kujdes dhe të veprojë në rruge partie për ta korrigjuar, për ta ndrequr këtë person. Për këtë qëllim ai duhet t’i thitë dikujt, të këshillohet me të. Po kujt t’i thotë? Sikurse thashë, sekretarit të organizatës bazë të partisë, në radhë të parë, që ky ta ketë parasysh, ta mbajë afër e ta ndihmojë këtë njeri për të mos u futur në rrugë të gabuar. Në qoftë se do të punohet në këtë mënyrë nga punëtori i sigurimit, atëherë fishat që mbahen në zyrën e tij do të mbeten të bardha.

Punëtori i Sigurimit të Shtetit një informatë që i vjen nga një burim i sigurt dhe i kontrolluar mirë duhet të marrë masa ta ruajë, pra ta regjistrojë në fish, duke menduar se te ky njeri diçka do të ketë. Ndërsa merret apo nuk merret masë kundër tij, ndiqet apo nuk ndiqet çështja që ka dalë për këtë njeri, këto janë probleme që duhen gjykuar në veçanti e me shumë kujdes.

blank

Shoku Ramiz Alia: Kështu duhet të veprohet në të tilla raste, informata që merret, kur verifikohet që është e saktë, regjistrohet pastaj në fish.

Shoku Enver Hoxha: Vetëm sa e regjistron, po nuk e ndjek, kur e dhëna nuk ka të bëjë me diçka të rrezikshme dhe pastaj, siç thashë, kur gjykohet se duhet të merren masa që ky njeri të ndreqet, çështja mbetet me kaq.

Shoku Foto Çami: Këtu ka ca rregulla të tjera shoku Enver, që mendoj duhet ti shikojmë. Ka materiale që zhduken, ka të tjera që ruhen deri në 5 vjet, ka më së fundi materiale që ruhen për një kohë më të gjatë. Ka një shkallëzim, po ka dokumente që duhet të digjen, se nuk kanë asnjë vlerë për ti pasur në evidencë, kur shihet se kanë kaluar kaq vite dhe rezulton që një njeri që ka dalë në dukje, më pas nuk ka bërë asgjë të keqe, në të kundërtën ai vazhdimisht ka punuar dhe është sjellë mirë dhe ajo që i ka pas ndodhur, ka qenë diçka në të kaluarën, e rastit, dhe për këtë është këshilluar. Kështu që, kur bëhen këshillime, disa nga këto të dhëna duhet të hiqen.

Shoku Hekuran Isai: Problemit të një frymë të shëndoshë partie në këto raste i duhet dhënë rëndësi, shoku Foto, se, kur diskuton objektivisht për një informatë, nuk nisesh nga mendimi që ca të ruhen për një afat më të shkurtër dhe ca për nëj afat më të gjatë.

Shoku Ramiz Alia: Shënimet që regjistrohen në fisha, unë mendoj se nuk duhen zhdukur.

Shoku Hekuran Isai: Dhe ne nuk i zhdukim ato.

Shoku Enver Hoxha: Edhe unë i këtij mendimi jam, të mos zhduken fishat...

shqiptarja.com/

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here