Dosja e Havzi Nelës, 21 vjet burgje e ridënime deri sa e varën në litar në mes të Kukësit

0
400

1967/Arratisja e Havzi Nelës dhe kthimi i tij nga jugosllavët. 1975/Ridënimi i Havzi Nelës në Spaç, për deklarimet proamerikane e proeuropiane. 1975/Deklaratat e Havzi Nelës në hetuesinë e Spaçit: Në Perëndim ka demokraci e nivel jetese 1987/Internimi i Havzi Nelës pas 20 vjetësh burgim. 1988/ Trupi gjykues dhe prokurori Helmi që dënuan Havzi Nelën. 1988/Incidenti me Havzi Nelën, hetuesit dhe operativi i tij. Dokumenti i 1988/Ankesa  e Havzi Nelës për Gjykatën e Lartë: Kërkoj drejtësi...

 1967/Arratisja e Havzi Nelës dhe kthimi i tij nga jugosllavët

Havzi Nela  kishte punuar mësues në Klos të Matit deri në vitin 1953. Në fundin e vitit 1958 mbaron arsimin e mesëm në gjimnazin e rezervave të arsimit në Tiranë. Më pas punon në Shishtavec të Kukësit mësues në shkollën 7-vjeçare duke vazhduar shkollën e lartë me korrespondencë. Në 1963 transferohet nga Shishtaveci në Surroj, por kundërshton dhe e transferojnë në Krumë, ku punon vetëm 5 muaj. Nga kjo kohë deri në prill 1967 punon mësues në Topojan. Në këtë kohë, duke mos qenë dakord me “masat revolucionarizuese” të Partisë së Punës, pasi demaskohet në shkollë si “armik” arratiset me bashkëshorten.

Në komunikatën nr.97, datë 29.4.1967 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Rrethi Kukës njoftonte si më poshtë: “Më datën 26.4.1967 është arratisur në Jugosllavi, Havzi Nela, vjeç 27, lindur në katundin Kollovoz dhe me punë arsimore në katundin Topojan. Me vete ka dhe gruan e tij. Kufirin e kanë kaluar në kuadratin 56-67, 200 metra nën vrojtimin tonë. Në afërsi të kufirit ka lënë një letër, në të cilën shkruan: “Lamtumirë atdhe i dashur”. Ditët e fundit është demaskuar në fshat dhe para arsimtarëve, lidhur me masat revolucionarizuese, ka qenë në përpunim 2B si kontingjent i zbulimit jugosllav, por aktualisht nuk ka pasur ndonjë të dhënë”.

Pra, thënë ndryshe, Havzi Nela akuzohej si “kontingjent i zbulimit jugosllav”, por në dosje nuk vërtetohej asgjë rreth këtij dyshimi. Në fund, jugosllavët e kthejnë në Shqipëri te Sigurimi.

1975/Ridënimi i Havzi Nelës në Spaç, për deklarimet proamerikane e proeuropiane

Kur Havzi Nela ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Spaçit, ndaj tij filloi një çështje tjetër penale, duke u përdorur kallëzimtarët e burgjeve. Shumë nga pohimet e tyre Havziu i pranon, pavarësisht se ato janë thënë në kohë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. Në përgjegjësi nga këto denoncime del se Havziu e njihte gjendjen, sidomos atë ndërkombëtare dhe nuk kishte as dyshimin më të vogël se tiranët e regjimit komunist, mund të bënin ndryshe. Ai ka pasur një besim të patundur se një ditë ky regjim do të binte, ndonëse nuk pati fatin ta jetonte këtë ndryshim. Por qartësia politike e Havziut për çështje politike është me të vërtetë për t’u vënë në dukje. Jemi pikërisht në vitin 1975, kohën kur regjimi kishte mohuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Sigurimit e Bashkëpunimit Europian (KSBE – sot OSBE). Anëtarësimin në këtë organizatë vendi ynë do ta merrte vetëm në qershor 1991. Por le të ndjekim denoncimet e kallëzimtarëve.

Më 8 gusht 1975 Havzi Nela u dënua me 8 vjet heqje lirie. Doli nga burgu më 19 dhjetor 1986, pas 19 vjetëve heqje lirie. Më poshtë, kam përzgjedhur, ekstrakte nga 6 kallëzimet kundër tij.

Denoncimet ndaj Havzi Nelës

1

Duke më folur për këto ai më tha se tani Konferenca e Sigurimit Europian me vendimet e saj do t’i detyrojnë edhe këta t’i zbatojnë patjetër, bile për këtë unë bëra edhe debate me të e fola ashpër duke kundërshtuar, por asi nuk bindej duke ia kundërshtuar, por ai nuk bindej duke thënë se këto gjëra i dinte mirë.

2

Havziu këtu në kamp flet vazhdimisht kundër partisë e pushtetit popullor me të dënuarit, kështu ka folur edhe me mua. Ai më ka thënë se këtu në Shqipëri nuk ka liri e demokraci për njerëzit, se pushteti i dënon njerëzit kot pse dalin e shkojnë jashtë shtetit, kur në vendet e tjera të botës nuk i dënon kush për këtë gjëra. Ekonomia e vendit është shumë më e dobët se në vendet e tjera, se nëpër kooperativa njerëzit vuajnë se nuk marrin asgjë, etj.

3

I dënuari Havzi Nela, hapi fjalë se heqja e presidentit amerikan Nikson do të thotë se në Amerikë e në Perëndim ka liri e demokraci, ndërsa unë menjëherë e kundërshtova se nuk kam pasur qejf kurrë të hyj në biseda të tilla. Ai vazhdoi duke thënë pse duhet t’i bënte gjithë këto vjet në burgje.

4

...kur ndodhi revolta e Spaçit, unë jam ndodhur këtu brenda dhe e kam parë Havziun se ky ishte nga më aktivistët aty duke hedhur parulla kundër pushtetit e partisë, ka marrë pjesë në mbledhjen krahinore të dënuarve nga Rrethi Kukës që u bë gjatë revoltës.

5

Aty nga mesi i janarit 1975, Havziut i erdhën në takim i vëllai dhe nusja e vëllait dhe mbasi u kthye nga takimi më tha se këlyshët e Enver Hoxhës ia kishin ndërprerë takimin. Kjo sepse kur ka pyetur i vëllai Havziu i ka thënë se punë e dajak kishin plot...

6

ndër bisedat që kam pasur me Havzi Nelëm, ai më ka thënë se këtu tek ne partia, nuk ka fonde për të financuar ndërtimin e veprave të ndryshme dhe i ndërton me punë vullnetare e me aksione pse s’ka të holla për të paguar punëtorët dhe ata që shkojnë në aksione nuk shkojnë nga vullneti i mirë...Këta që flasin nëpër gazeta për burgjet e Spanjës janë bërë më të tmerrshëm nga Hitleri e Franko. Ai tha se po të flasësh 2 fjalë dënohesh me 10 vjet privim lirie e punë të rëndë. Kampet e riedukimit janë në të vërtetë kampet e shfarosjes graduale të njeriut. Gjithashtu Havziu më ka thënë se në Perëndim ka liri e demokraci, se muzika, arti, kultura dhe standardi i jetës kanë arritur kulmin pasi ke ç’të shijosh...Havziu ka agjituar para të dënuarve.

1975/Deklaratat e Havzi Nelës në hetuesinë e Spaçit: Në Perëndim ka demokraci e nivel jetese

Në hetuesinë e zhvilluar me hetuesin e degës së punëve të brendshme të Mirditës, Shaban Dani, Havzi Nela dallohet për qartësi politike. Ai shprehet kundër kolektivizimit, ndalimit të besimit fetar, mungesën e lirive si dhe vlerësim për vendet demokratike si SHBA, etj. Të gjitha këto të thëna në vitin 1975.

Duke vazhduar sërish me pyetjet e datës 3 korrik 1975 ai thotë:

“Unë kam disa mendime të miat që i kultivoj e i ruaj e që ndoshta këto bien në kundërshtim me këtë sistem. Unë kam për të thënë se lidhur me fenë, ajo duhej të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej. Me një fjalë unë jam besimtar dhe besoj te feja. Për sa i përket kolektivizimit të bujqësisë, unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë se atje është përdorur edhe forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte përgatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë ishte kolektivizimi dhe nuk kishte kushte për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mundet të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e humbasin kohë njerëzit duke udhëtuar. Për sa i takon rinisë them se ajo duhet të lihet më e lirë në drejtim të veshjes, gustos së jetesës, dëfrimit e të mos diktohet sesi të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar...Për sa i takon standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca etj. Këtë e them pse njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë si televizor, automobila, e sende të tjera që bëjnë një jetë vërtet luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës. Po kështu them se në këto vende njerëzit kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik ekonomik, nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe. Gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat kohor vetëm për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojnë, bile e nxorën para gjyqit. Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim. Të gjitha këto përfundime e mendime, unë i nxora nga studimet që kam bërë në literaturën që del në vendin tonë dhe në shtypin e përditshëm”.

“Unë agjitacion e propagandë kundër pushtetit e konsideroj, kur njeriu të ngrihet e t’u bëjë thirrje të tjerëve për përmbysjen e pushtetit. Unë kam dëshiruar, e mundet të kem shprehur se ligjet e vendit tonë janë shumë të ashpra se të marrin jetën vetëm pse njeriu kalon kufirin dhe kam pasur shpresë se do të ketë ndryshime të ligjeve në favorin e të dënuarve me rastin e 30 vjetorit të çlirimit”

1987/Internimi i Havzi Nelës pas 20 vjetësh burgim

Pas gati 20 vjetësh burgim, Havzi Nela doli nga burgu më 19 dhjetor 1986. Pas disa muajsh liri, autoritetet komuniste vendosën t’i heqin lirinë në një formë tjetër, nëpërmjet internimit.

Komisioni Qendror i Internimit e Dëbimit pranë Këshillit të Ministrave, me vendimin nr.16, datë 26.9.1987, vendosi të internojë Havzi Nelën me motivacionin:

“Në vitin 1967 Havziu së bashku me gruan e tij është arratisur në Jugosllavi e pas 10 ditëve është kthyer nga pala jugosllave dhe është dënuar me 15 vjet heqje lirie. Në vitin 1975 është dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë armiqësore dhe është liruar në vitin 1986. Edhe pas daljes nga burgu, nuk mban qëndrim të mirë e bën lëvizje të dyshimta në afërsi të fshatrave kufitare. Ai është shprehur: “Unë sa të dal nga burgu do të arratisem jashtë shtetit dhe para se të arratisem do të vras dy kuadro që janë bërë sebep për të më futur në burg.

Të internohet për 5 vjet kohë në fshatin Arrën të Rrethit Kukës.

Afati i internimit i fillon më datën 26 shtator 1987 dhe i mbaron më 26 shtator 1992”.

Nga kushtet e këqija të internimit, Havzi Nela u përpoq të largohej. Pikërisht këtu luhet edhe drama e fundit e jetës së tij.

1988/ Trupi gjykues dhe prokurori Helmi që dënuan Havzi Nelën

Nga sa shihet nga gjithë dosja "Havzi Nela "nuk ka pasur tentativë vrasje nga ana e Havzi Nelës për policin. Qëllimisht është hartuar një aktakuzë rënduese. Të gjithë përpiluesit e kësaj përfundimisht e kanë akuzuar se “është larguar nga vendi i internimit pa lejen e organeve kompetente, ka tentuar të arratiset në Jugosllavi, por për shkaqe të pavarura prej tij nuk ka mundur ta realizojë këtë krim, ka kryer gjithashtu krimin e terrorit ndaj përfaqësuesit të shtetit Sahit Ibro duke e goditur me qëllim për ta vrarë me armë zjarr, të cilën e ka pa leje”.

Mbas mbylljes së hetimeve, gjyqtari i çështjes harton planin e masave për gjykimin e Havzi Nelës. Midis të tjerave ai shkruan:

“-Akuza është e bazuar dhe e kualifikuar drejt në dispozitat ligjore. Duhet të diskutohet nëse vepra penale e arratisjes është në tentativë apo ka mbetur në fazën e përgatitjes. Tentativa do të qëndrojë vetëm nëse i pandehuri ka kryer të gjitha veprimet që vareshin ndaj tij për kalimin e kufirit për në Jugosllavi. Praktikisht ai nuk i ka kryer këto veprime prandaj mund të qëndrojë në përgatitje.

-Vepra penale e terrorit pavarësisht se polici u plagos lehtë, është kryer plotësisht, sepse vepra e terrorit nuk është e domosdoshme që të shoqërohet me vdekje, mjafton vetëm veprimi i terrorit, i cili ka për qëllim jo vetëm jetën por edhe shëndetin e personit.

Problem për kualifikimin e veprës terroriste dhe penale, dalluar nga vrasja për motive të dobëta është ana subjektive (qëllim kundërrevolucionar), i cili duhet të dalë nga gjykimi i çështjes: Pse qëlloi pikërisht policin dhe jo njerëz të tjerë”.

Duke u ndaluar në vendin e zhvillimit të gjyqit, kryetari Hoxha mendonte se gjyqi duhej zhvilluar në sallën e gjykatës e jo në Topojan, pasi i pandehur “ai armik i betuar mund të agjitojë edhe në gjyq”. Mund të trajtohej në gjykim ndonjë problem, por pjesëmarrja e prokurorit do ta plotësonte këtë kuadër. Ngjitas me këtë kërkesë, gjykatësi kërkon thirrjen edhe të 21 dëshmitarëve.

Prokurori Nikollaq Helmi, përgatiti pretencën helm kundër Havzi Nelës. Qysh në fillim ai thotë se nuk ishte e nevojshme të zgjateshin në rrezikshmërinë e theksuar shoqërore “sidomos të krimeve kundër shtetit”. Ai ka folur për “jetën e lumtur” që bëhej në rendin socialist i siguruar ky nga përpjekjet e filluar qysh nga “lufta nacionalçlirimtare”. Prokurori lavdëron popullin vigjilent të fshatit, kushërinjtë e të pandehurit, të cilët nuk kishin parë lidhjet farefisnore por interesat e partisë dhe besnikërinë ndaj shokut Ramiz. Prokurori vërente se i pandehuri i mohonte akuzat. Duke kujtuar se si rrethanë rënduese ndaj tij ishte fakti se ishte përsëritës në një vepër penale, ai kërkoi të deklarohet fajtor për krimin e tradhtisë ndaj atdheut mbetur në tentativë (që nuk u provua), për krimin e terrorit dhe për kundërvajtje penale të armëmbajtjes pa leje. Në përfundim prokurori kërkoi që Nela të dënohet:

-Në bazë të nenit 47/gj-ll të Kodit Penal me 20 vjet heqje lirie.

-Në bazë të nenit 50/1 të Kodit Penal me varje në litar.

-Në bazë të nenit 224 të Kodit Penal me 2 vjet heqje lirie.

Duke u mbështetur në nenin 35 të Kodit Penal, duke u bërë bashkimi i dënimeve, të dënohej përfundimisht me varje në litar.

Me vendimin nr.59, datë 24.6.1988 Gjykata Popullore e Rrethit Kukës, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje në litar.

Trupi gjykues përbëhej nga: Agim Hoxha (kryetar), Osman Mula, Isa Laçi, Anëtar

Prokuror: Nikollaq Helmi

1988/Incidenti me Havzi Nelën, hetuesit dhe operativi i tij

Historia e Havzi Nelës deri në çastin e incidentit ishte ajo e një kundërshtari të spikatur të regjimit dhe jo e një njeriu të rastësishëm që largohet nga vendi i internimit dhe kërkon të vrasë. Regjimi komunist, por edhe agjitatorët e tij vitet e demokracisë janë orvatur ta interpretojnë ngjarjen nga politike në ordinere, tentativë për vrasje. Kjo gjë bëhej për të përligjur personat që u morën me ekzekutimin dhe karrierën e tyre. Padyshim që nuk mund të justifikohen sot ata që e kanë dhënë këtë veprim që në çdo pikëpamje është kriminal, gjenocidist dhe hakmarrës. Një shkelje e çdo ligji të çdo kohe. Është njësoj sikurse një shofer që ka gërvishtur makinën e një personi tjetër apo i ka shkaktuar një lëndim të lehtë dikujt pa qëllim, ta cilësosh vepër terroriste e ta dënosh me varje. Më 13 qershor 1988, Havzi Nela largohet nga internimi pa marrë lejen e punëtorit operativ të zonës. Shumë shpejt denoncohet në shtëpinë e dajës së vet dhe arrestohet. Në përpjekje për të mos rënë në dorë të policit që kishte shkuar për ta arrestuar është orvatur të vrasë pa sukses veten. Plumbi i nisur për vetëvrasje ka shkuar drejt policit duke e plagosur atë.

Në raportin e datës 15 qershor 1988 zëvendëskryetari i degës së Punëve të Brendshme Kukës, Ali Turabiu njoftonte Hetuesinë e Kukësit se Havzi Nela qarkullonte në fshatin Brekinjë e më 15 qershor ndodhej në shtëpinë e Hazir Islamit. Rreth orës 5.00 të kësaj date ka shkuar në shtëpi për ta shoqëruar polici Sahit Ibra, kryetari i kooperativës Mehmet Islami, sekretari i partisë Hasan Çupi.

Më 15 qershor 1988 me përpilimin e hetuesit Aristidh Cane dhe me miratimin e kryetarit të Hetuesisë, Vangjel Tanellari, hartohet plani i hetimit 5 ditor për Havzi Nelën në 3 opsione:

-Ka dashur të arratiset.

-Ka dashur të arratiset me persona të tjerë.

-Ka dashur të vrasë kuadro të pushtetit e partisë në Topojan.

Të gjitha këto pista ishin të gatshme në vendimin e Komisionit Qendror të Internim – Dëbimit.

Punëtor operativ ishte Arben Hamzallari.

Më 16 qershor 1988 kryetari i Hetuesisë Vangjel Tanellari, cakton grupin e hetuesve të përbërë nga ai vetë, Aristidh Cane dhe Kastriot Muço.

Më 20 qershor 1988 bëhej e ditur se arma që zotëronte Nela nuk ishte e regjistruar në evidencat e degës së punëve të brendshme. Në fakt ajo ishte një armë artizanale, pa shumë kushte garancie për të dhënë qitje të suksesshme.

Duke shpjeguar çastin e incidentit Nela shpjegon:

“Kam dashur të vras veten, por arma nuk më shkrepi më, sepse ka një defekt që unë e kisha provuar disa herë. Unë kam pasur 14 copë fishekë. Mbi policin kam qëlluar vetëm një herë dhe në asnjë rast tjetër unë nuk kam provuar me fishekë këto armë, pra nuk kam harxhuar asnjë fishek, sepse doja t’i ruaja, t’i përdorja kur të më linte ndonjë rast. Qejf kam pasur për ta provuar, por rast nuk më është dhënë”.

Nela vazhdon të thotë se kur ka ardhur polici për ta marrë ka qenë tepër i tronditur kur ai i ka thënë: “Vish çorapet dhe çohu”, gjë që e kishte përsëritur disa herë. Këto ishin të lagura e nuk visheshin me lehtësi. Duart i dridheshin dhe po vonohej. Polici këmbëngulte që t’i vishte shpejt çorapet. Pikërisht këtu i ka lindur mendimi të vriste veten. Polici vazhdonte të njëjtën fjalë, ndërsa Nela vazhdon: “Këtu qe tronditja ime arriti kulmin, unë nuk gjykova më, por kam nxjerrë revolen dhe në vend që t’i bija vetes si dhe nga frika se mos më kapnin dorën ku kisha revolen e kam drejtuar nga polici pa vetëdije dhe kam shkrepur. Sqaroj se unë nuk kam marrë shenjë ndonjë pjesë të trupit të policit”.

Pas këtij veprimi polici ka bërtitur me dhimbje, ndërsa ai është orvatur të vrasë veten me plumbin e dytë i cili nuk ka shkrepur. Këtu i janë hedhur sipër ndërsa djali i dajës i ka lidhur duart me litar.

Dokumenti i 1988/Ankesa e Havzi Nelës për Gjykatën e Lartë: Kërkoj drejtësi

Në sistemin e drejtësisë komuniste, në jo pak raste hasen mbiemra hetuesish, prokurorësh apo gjyqtarësh si: Helmi, Speci, Bandilli, etj. Pas dhënies së vendimit të shkallës së parë, Havzi Nela iu drejtua Gjykatës së Lartë. Kërkesa është dinjitoze, pa elemente të tjera që njeriu edhe mund t’i bëjë në kushtet e humbjes së jetës.

Me vendimin nr.85, datë 16.7.1988 Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Fehmi Abdiu (kryetar, relator) dhe Fatmira Laskaj e Lili Robo (anëtarë), duke pasur pranë prokurorin Skënder Breca, la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Ankesa ka këtë përmbajtje:

Ankim – Penal kundër vendimit të Gjykatës Popullore të Rrethit Kukës për veprat terrorizëm, arratisje jashtë shtetit të mbetur në fazën e përgatitjes, armëmbajtje pa leje në bazë të neneve 50/1, 31/a, 47/gj dhe 11 e 31/a, 2245 e 31/a jam dënuar me vdekje në litar.

Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë Tiranë.

Unë jam gjykuar nga Gjykata e Rrethit Kukës për veprat: terrorizëm, arratisje jashtë shtetit të mbetur në fazën e përgatitjes, armëmbajtje pa leje. Në bazë të neneve 50/1 dhe 31/a, 47/gj dhe 11 e 31/a, 224 e 31/a, jam dënuar me vdekje në litar. Unë nuk jam dakord me vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës për këto arsye: Kur kam ikur nga vendi i internimit nuk jam nisur për t'u arratisur, por për të vrarë veten. Nga ana e Gjykatës jam rënduar më tepër se sa kam bërë faj. Deponimet e dëshmitarëve nuk janë të vërteta, pjesërisht, qoftë për tradhti ndaj atdheut, qoftë për tentativë për vrasje për policin. Thëniet e Islam Gurit, që është operativ i zonës, sikur i kam thënë se do të arratisem, nuk janë të vërteta.

Unë për qëllim për me vra policin nuk kam pasur, por në tronditje e sipër, duke tentuar të vras veten, kam shtjerë pa adresë dhe kam qenë ulur. Kam bërë vetëm një shkrepje dhe jo siç del në seancën gjyqësore, sepse herën e dytë nuk ka punuar revolveri, sepse nuk sillej mulliri. E përsëris edhe një herë, se nga vendi i internimit kam ikur sepse doja të vrisja veten dhe, para se të kryeja këtë veprim doja që të takoja nënën. Unë i kërkoj Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të më japë drejtësinë që më takon. Ankuesi, Havzi Nela.

55/Kastriot Dervishi

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here