Dokumentet/ Sigurimi torturon deri në vdekje një vajzë 20-vjeçare

2
3971
blank

“I shkulën dhëmbët, e torturuan derisa e çmendën, dhe në fund, trupin ia hodhën në një gropë…”

Një punonjës i Sigurimit të Shtetit ka lënë dëshmi me shkrimin e tij, mbi një varg torturash makabre që janë ushtruar mbi një vajzë të pafajshme, deri sa ajo ka dhënë shpirt. Dëshmia e tij përforcohet edhe nga një dëshmitar tjetër okular, i cili e përforcon më tej përshkrimin e të parit me aktin e përdhosjes së trupit të vdekur.

Kujto.al i sjell për lexuesit këto dy dokumente, të marra nga fondi 14 në AQSH.

Dokumenti i parë, drejtuar me 20 janar 1949, komitetit Qendror të Partisë Komuniste,  është shkruar nga një punonjës i strukturave të Sigurimit të Shtetit, i quajtur Anastas Dushku. Ai dëshmon me detaje, se në sytë e tij është torturuar deri në vdekje, një vajzë e pafajshme nga oficerët e Sigurimit.

Ai dëshmon si më poshtë:

“…nga muaj Prill-Maj 1945, në ish Batalionin e IV të Brigadës I M.P. (ish Kuestura e vjetër, në rrugën e Barikadave), silleshin të burgosun prej Drejtorisë së Sigurimit dhe mbaheshin në birucat, të cilat i kishte krijuar që me kohë fashizmi. Atëhere kanë sjellë aty të arrestuar dhe një shoqe, për të cilën mësova që ishte anëtare Partie. Vinin nga Drejtoria. e Sigurimit çdo natë oficera dhe e mernin në pyetje duke e torturuar gjithë natën. Kështu vazhdoi mjaft kohë dhe dukesh se kjo shoqe nuk tregonte gjë, sepse torturat vazhdonin gjithnjë, deri sa një ditë ajo u çmend fare. Në këtë gjendje e merrnin përsëri në pyetje dhe nga jashtë dhomës së pyetjeve digjonja që ajo të përsërisë dendur emnin e Partisë.

Kështu të çmendur e mbanin në një birucë të tmerrshme. Atëhere më ishte dhënë rasti t’a shoh, ishte katandisur në një gjendje që unë nuk jam në gjendje t’a përshkruaj këtu në letër. Dhëmbët e para i kishte të thyera, pastaj nga që nuk ishte në mënt, ndyente vetvetene dhe kështu ishte mbushur plot morra dhe krimba nga ndyrësira. Nuk mund t’i afroheshe nga era e qelbur që nxirrte. Me këtë pamje ajo i përgjiste një shtrige dhe jo një vajze 18-20 vjeçare.

Por oficerat e Sigurimit vazhdonin t’a mernin në pyetje edhe në këtë gjendje, por me sa mësova ajo nuk kish treguar gjë me gjithë torturat barbare që i bënin, kështu që ata u siguruan që ajo ishte e pafajshme…

Pjesën tjetër të historisë tragjike të kësaj gruaje të dhunuar barbarisht, e gjejmë në dokumentin tjetër të nënshkruar nga një tjetër dëshmitar, Hamdi Sollaku. Ai zbulon se gruaja e dhunuar quhej Hatlije Tafa dhe ishte arrestuar pa asnjë provë. Në letrën e tij dëshmitari i dytë shkruan ndër të tjera: 

“Hatlija u pyet dhe ngaqë ajo thoshte se s’dinte asgjë dhe mohonte çdo akuzë me këmbëngulje, u torturua. Hatlija është torturuar jashtëzakonisht rëndë, sa s’ngrihej dot nga krevati. Këtë e ka parë nga dritarja një ditë e ëma tek i shpinte ushqimin. Hatlija i kishte hedhur nga dritarja dhëmbët e shkulura nga torturat, të cilat e ëma i ruan akoma sot dhe i kishte thënë: “Nënë, do të vdes nga torturat pa ditur shkakun ... aman çfarë kam bërë që më rrahin kështu ... më janë ngjitur plagët e trupit pas çarçafit të krevatit”.

Një ditë Hatlijen e dërguan në spital: kishte pirë helmin për t’u mbytur, por arritën ta shpëtonin. Rrugës tek e shpinin nga spitali në burg, ajo ishte hedhur nga karroca në vendin që kryqëzohet me rrugën që të shpie në shtëpinë e saj (udhëkryq): Rruga e Dibrës, Shenasi Dishnica, Siri Kodra. Ishte ulur në tokë dhe duke qarë kërkonte ta shpinin në shtëpi. Kjo tregonte se ishte bërë krejt anormale.

Pasi e shpien ku ishte më parë, e torturojnë prapë, thuhet se një ditë e morën në pyetje lart në zyrën e katit të tretë (ish-kuestura në Rrugën e Barrikadave) dhe Hatlija duke parë dritaren hapur u hodh vetë nga ajo poshtë. Nga e rëna theu një krah dhe një këmbë dhe i humbi fare ndjenjat. E shpunë në spital ku i prenë krahun dhe këmbën, por thuhet ngaqë iu bë gangrenë vdiq. Kufomën nuk ia dorëzuan së ëmës, por e futën në thes dhe e varrosën vetë. E ëma e diktoi varrin vetëm pas një jave…..

 

Të dy dëshmitë e mësipërme kanë rëndësi të veçantë për detajet që japin rreth mjeteve të torturës, detaje që i ndeshim pothuajse në të gjithë dëshmitë gojore të ish të burgosurave politike të regjimit, apo ato që u mbajtën të mbyllura në kampet e internimit me tela me gjemba. Këto dy dokumente faktojnë plotësisht aktet ekstreme të dhunës ndër birucat e Sigurimit, ku të qenit femër nuk përbënte stepje për këta “burra” që përdornin torturat më të përbindshme, si armë për të mbërritur qëllimet e regjimit të Hoxhës./Kujto.al

blank

blank

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

2 KOMENTE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here