Dokumentari “Varret pa emër”

0
267

Dokumentari “Varret pa emër” sjell historinë e zhdukjes së mijëra shqiptarëve gjatë regjimit komunist nëpërmjet dëshmive të familjarëve dhe dokumenteve arkivore.

Regjimi totalitar komunist në 45 vite e ktheu territorin e Shqipërisë në një varrezë masive. Statistikat zyrtare njoftojnë vdekjet, me dhe pa gjyq, të mijëra kundërshtarëve të regjimit, ndërsa familjarët e tyre kërkojnë me shpresë prej dekadash të gjejnë eshtrat e tyre e t’u ndërtojnë një varr. Pas viteve ’90 një pjesë e tyre u gjenden nga përpjekjet e familjarëve, por 30 vite pas rënies së komunizmit, mijëra të tjerë figurojnë akoma të zhdukur.

Fondacioni Kujto – Arkiva online e viktimave dhe krimeve te komunizmit  ka realizuar projektin “Varret pa emër” , një dokumentar me dëshmi të familjarëve dhe dokumente arkivore që tregojnë se si regjimi i Enver Hoxhës u soll me kundërshtarët politikë, duke i vrarë, burgosur e internuar dhe në mijëra raste duke u zhdukur varrin.

Nga Veriu në Jug, anash lumenjve, në male, pranë burgjeve, apo kampeve-burgje, pranë reparteve ushtarake, apo dhe pranë fshatrave të banuara, gjenden varre të humbura të përdorura nga ish-sigurimi i shtetit për pushkatimin dhe më pas varrosjen e kundërshtarëve politikë. Në të dhënat zyrtare janë të paktën 35 vendvarrimeve të tilla, por sipas dëshmive besohet se janë shumë më tepër.

Dëshmitë e familjarëve dhe dokumentet arkivore kanë ndihmuar për të krijuar një perceptim më të qartë mbi shtrirjen e këtyre vendvarrimeve sekrete dhe krijimin e një harte dixhitale interaktive që do të pasurohet me informacione hap pas hapi. (https://kujto.al/harta-e-vendvarrimeve/) Çdo njeri që ka dijeni për këto vendvarrime mund të ndihmojë në plotësimin e kësaj harte me informacione të reja duke klikuar në pikat në hartë dhe duke plotësuar formularin përkatës.

Projekti  i realizuar nga Kujto.al u mbështet nga “ICMP Small Grant project” në kuadër të projektit të Bashkimit Europian “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste” të zbatuar nga ICMP-AIDSSH, financuar nga BE dhe Ambasada e Zvicrës në Tiranë.

Projekti do t’u mundësojë studiuesve shqiptarë dhe të huaj informacion bazë mbi këtë fushë, lehtësisht të aksesueshëm, duke rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë për krimet komuniste. Po ashtu u vjen në ndihmë familjarëve që të sjellin dëshmi dhe dokumente për të afërmit e tyre të zhdukur gjatë periudhës konuniste 1944-1991./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here