Historia e oficerit të guximshëm që ishte betuar të ikte nga Shqipëria e rrethuar, për të siguruar për veten dhe të bijën një të ardhme më të mirë. Njeriut që provoi tri herë të arratisej deri sa humbi jetën nën breshërinë e armëve. Fjalët e fundit të një babai për të bijën 2-vjeçare, dobësinë që e bënte edhe më të fortë
Askush nuk mund të gjykohet për deklaratat nën tortura, instinktin e mbijetesës, thyerjen e pashmangshme, por Sazan Hadëri nuk bëri asnjë nga këto. Ai nuk mohoi kurrë qëllimet dhe nuk u tërhoq nga vendimet e tij. Sot, ai është një legjendë e burgjeve të diktaturës, megjithëse me një fund të trishtë. Tentoi plot tri herë për t’i shpëtuar rrethimit të diktaturës, por herën e fundit mbeti i vrarë në telat e burgut të Burrelit.
Herën e parë kur tentoi të arratisej ishte i lirë. Donte të shkonte në Itali. E kishte parë me sytë e tij jetën e Perëndimit kur shoqëronte personalitetet në vitet e para të punës si oficer dhe donte të jetonte atje, me mundësitë dhe perspektivat e një njeriu të lirë. E donte këtë jetë jo vetëm për vete, por edhe për vajzën e vogël, fëmijën e parë që ishte kthyer në dashurinë e tij të madhe. Zgjohej natën për të parë në merrte frymë vogëlushja dhe kur ajo u rrit edhe pak, e nxirrte çdo ditë shëtitje me karrocë në parkun "Rinia". Ajo ishte pika e vetme e dobët e këtij burri që nuk thyhej para asgjëje.
Një karakter tjetër mund t’i ishte gëzuar profesionit dhe afërsisë familjare me një prej funksionarëve të regjimit, Shefqet Peçit që ishte ungji i tij, por këto për karakterin e Sazanit ishin veç vargonj. Sazan Hadëri donte të ishte i lirë…dhe si kushdo që kishte këtë dëshirë, përfundoi në burg.
Në hetuesi dhe në gjyq pranoi çdo gjë. “U nisa me bindje, por më kapët. E dija çmë priste po të bija në duart tuaja. Tani bëni ç’të doni. Në fund të fundit nga burgu në burg do të shkoj”, tha Sazan Hadëri. Krimi, por edhe qëndrimi i tij u dënuan rëndë. Më 9 gusht 1966, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për «krimin e tradhëtisë ndaj atdheut» dhe e dënoi me 25 vjet burg dhe konfiskimin e pasurisë të tundshme e të patundshme.
Përfundoi në kampin e Laçit. Ishte vetëm 27 vjeç. Regjimi kishte vendosur ta mbyllte në burg gjatë viteve më të mira. Këtë, Sazani i fuqishëm, me mendje dhe sy të hapur, nuk mund ta pranonte. "Nuk ka pranga për mua, shprehej Sazani dhe thoshte se do shpërthente burgun e do ikte. Çdo dite thurte plane si te kapercente telat me gjemba...", ka shkruar në kujtimet e tij, ish-i dënuari Neim Pasha, i cili e përshkruan Sazanin si një djalë me trup të shkurtër, por të mbledhur, të aftë për çdo lloj mundjeje edhe për shkak të profesionit të tij. E vetmja gjë që mund ta stepte ishin pasojat që do binin mbi familjen dhe të bijën, por ai po luftonte edhe për të. Mendonte se nëse do shpëtonte ai, edhe jeta e saj do ishte më e mirë. Dukej se mendja e tij rrihte vetëm në një pikë, arratisjen. Asgjë tjetër nuk i hynte në sy. Vetëm se të bijën donte ta shikonte edhe një herë, ndaj i tha së ëmës që shkoi ta vizitonte t’i sillte një herë vajzën e pastaj mos të mundohej më. Dhe nëna e gjorë ia çoi, por rojat nuk e lejuan që ai ta takonte. Ishte ndëshkimi i vetëm që mund t’i dhimbte të burgosurit rebel dhe policët e kampit e shfrytëzuan mundësinë e hakmarrjes. E ka treguar vetë Alma Hadëri, sipas asaj që i kanë thënë në familje sepse ajo në atë kohë ishte shumë e vogël.
Të gjitha këto vetëm sa e forconin bindjen e tij që nga ky vend e nga ky regjim duhej ikur sa më parë. Në dhjetor të po atij viti kur e burgosën, ai tentoi largimin nga kampi i Laçit duke rrëmbyer, bashkë me Naun Kondakçiun dhe Murat Martën, maunen e shkarkimit me të cilën çanë rrethimin dhe dolën në rrugën nacionale. Mirëpo aty u ndalën, u rrethuan dhe ndërsa ishin duke u larguar me vrap, u kapën. Nauni mbeti i vrarë, ndërsa Sazani me Muratin u sollën zvarrë në kamp, të shfytyruar dhe me duar të lidhura me tel. Pas kësaj tentative, Sazani shihej si armik edhe më i betuar, edhe më i rrezikshëm, ndaj e çuan në burgun e projektuar për këta lloj armiqsh, në Burrel. Nëna shkoi sërish ta takonte. Sërish mori me vete vajzën e vogël. Sërish Sazanin nuk e lejuan ta takonte. Sazani e kuptoi që në burg do të ishte përgjithmonë i ndarë nga vajza.
“Unë prapë do iki”, thoshtë ai dhe sado e pamundur të dukej, në gojën e Sazan Hadërit me siguri tingëllonte kërcënuese. Dhe ashtu veproi. Edhe atje, në Burrelin hermetik, gjeti dy shokë me të njëjtat mendime, Dhori Gërnjotin dhe Adem Allçin dhe përgatitën planin e arratisjes. Një natë gushti të vitit 1967, tetë muaj nga tentativa paraardhëse, Sazan Hadëri dhe dy shokët e tij vendosën ta vinin në jetë planin e tyre.
Gjithçka vendosej atë natë për Sazanin, që jo vetëm ishte dënuar me 25 vite burg, por kishte tentuar edhe një herë tjetër të arratisej. Nëse nuk ia dilte të shpëtonte, për të nuk kishte më asnjë shpresë. Me siguri e ka menduar këtë. Kjo nuk e bëri të trembej, as të smbrapsej, por të gjente një copë letër e të shkruante ca rreshta…
“Meqenëse ty të kam këtu, unë të them të mos më marrësh për të çmendur. Këtë e vendosa me vullnetin tim. Po shkoj drejt vdekjes, prandaj në rast se unë vritem, të gjitha rrobat e mija, që mbeten ti marrësh ti.
Amanet po më takove vajzën ndonjëherë t’i thuash se e kam dashur shumë. Për atë do punoj po shpëtova.
Të falat e fundit
Sazan Hadër Hadëri”.
E palosi me kujdes dhe ia dha Xhelal Cufajt, shokut të qelisë.
Pak minuta më vonë, në qeli hynë rojat. Tre djemtë kishin përgatitur gjithçka. I thanë që kishin një letër për udhëheqësit dhe duke u afruar për t’ia dorëzuar, i goditën, u morën çelësat dhe dolën në tarracë. Duke marrë frymë me nxit, kanë ndier ajër lirie, por këto ishin të fundit çaste për Sazanin. Ndërsa dy të tjerët mundën ta kalojnë rrethimin, ai u qëllua nga një breshëri armësh dhe mbeti pa jetë. Për dy ditë, trupin e tij të vrarë, do ta ekspozonin si një trofe të çmuar në oborrin e burgut, ndërsa Dhorin dhe Ademin do i kapnin dhe do i ridënonin.
Pak minuta pas ngjarjes, u kontrollua qelia dhe Xhelalit ia gjetën letrën me fjalët e fundit të Sazanit. Siç ka thënë në një intervistë për Afrim Imajn, para 10 vitesh, Alma e gjeti atë letër në dosjen e të atit. Një dosje ku përshkruhej historia e dënimit të tij, që Alma e mësoi pak nga pak teksa rritej, në formën e goditjeve të paparashikueshme poshtëruese që i përplaseshin në fytyrë në sy të të gjithëve. Fillimisht nuk i dhanë shami pioneri, pastaj nuk e pranuan në organizatën e rinisë, më vonë nuk e lejuan të vazhdonte studimet e larta megjithëse ishte nxënësja më e mirë e shkollës. Shumë pasoja prej babait që as nuk e lejuan ta njihte. E megjithatë, e mësoi, sa shumë e kishte dashur ai.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.