“Djalë, a e shef si jam?”

0
689
blank

Atë ditë, komunistët nuk i vunë prangat vetëm një prifti 66 vjeç që po e linin fuqitë, por hodhën në qeli edhe një çelës të të vërtetave historike. Pal Dodaj kishte qenë epror i Provincës Françeskane dhe më pas, mbajtës i arkivit të Provincialit Françeskan. Kur u vendos diktatura, bëri çmos për t’i seleksionuar dhe fshehur dokumentet, ditaret, letërkëmbimet me vlerë historike, të cilat ai e ndiente se rrezikoheshin të shkatërroheshin nga komunistët. Mirëpo, nëse këtë e kishte parashikuar saktë, nuk e kishte imagjinuar se deri në ç’shkallë do arrinte mizoria e tyre. 75 vjet nga arrestimi, në nëntor 1946 dhe 70 vjet nga ndarja nga jeta, shtator 1951, sjellim një shkrim për Pal Dodajn, klerikun e ditur, publicistin dhe historianin që bëri çmos për të mbrojtur thesaret kulturore me vlerë jo vetëm për françeskanët, por për gjithë Shqipërinë, por u mposht nga dhuna e komunistëve

Zef Pllumi

Pal Dodaj lindi në vitin 1880 në Janjevë të Kosovës prej nji familjeje shqiptare. Studimet e para i bani në Kolegjën Françeskane në Troshan e Shkodër. Studimet e nalta në Itali dhe Austri. Kje njeri i dijtun e i shetitun. Pat nji karakter shumë të qetë. Dukej si i fjetun, por kishte nji mpreftësi mendjeje si pak kush. Dashunia e madhe që kishte për Atdheun, dishiri i flaktë për t’i dhanë nji zhvillim të gjithanshem këtij populli të mbrapambetun, e bani që në rininë e tij të parë të bahej jo vetëm nji adhurues i Fishtës, por edhe bashkëpuntori ma i ngushtë i tij. Mund të themi pa dyshim se edhe kur Fishta, me vrullin e tij të papërmbajtun në mbrojtjen e të drejtave të Fesë dhe Atdheut, mund krijonte situata të vështira me kundërshtarët politikë, ishte vetëm Pater Pali ai, që me ngadalësinë e tij karakteristike, me ngulmimin e tij të palëkundshëm, me dashamirësinë e nji miku, herë tue lëshue, herë tue kërkue, vetëm ai, Pater Pali mbërrinte, ma shpejt se sa mund parashifej, që t’i rregullonte çashtjet në atë mënyrë që të mos këputeshin, por të shkojshin përpara. Ky kishte krijue jo vetëm njoftuni, por edhe miqësi personale me të gjithë njerëzit e të gjitha rrymave politike që n’ato kohë qarkullojshin në popullin tonë.

Gjatë studimeve të teologjisë Pater Palin e kam pasë profesor të së Drejtës Kanonike dhe të Moralit. Aso kohe kishte funksionin e sekretarit të Provincës Françeskane. Ishte në moshën rreth 65-vjeçare, mjaft i lodhun fizikisht, ndërsa mendjen e kishte pipzë. Nji ndër detyrat e tija ishte edhe mbajtja e arkivit.

Arkivi i Provincialatit Françeskan ishte nji visar i paçmushem i Atdheut tonë. Fillonte që nga viti 1415, kur Kustodija Françeskane e Shqipnisë shkëputej nga ajo e Raguzës (Dubrovnikut), dhe vazhdonte, me disa ndërpremje, deri ndër ditët tona…

Pater Pali aso kohe ishte në nji moshë që nuk mund e përballonte punën e randë që kërkonte arkivi. N’anën tjetër ato ditë ishin tepër të vështira jo vetëm për njerëzit, por aq ma shumë për arkivat, bibliotekat, muzeumet e çdo gja tjetër që mund i shërbente kulturës. Kujtoni brigadat partizane të cilat kërkojshin me hi në çdo vrimë e skutë, dhe gjithçka shifshin u dukej vepër fashiste, balliste o reaksionare, dhe me supozime fantastike bajshin akuza imagjinare nga të cilat njerëzit burgoseshin o pushkatoheshin si pa gja të keq, bilë me krenarinë se po i shërbejnë popullit e parties.

Pater Pali kishte nji preokupacion të madh se si mund shpëtohej ky arkiv nga vandalët e shek. XX. Si njeri i regjun i diplomacisë ai e shifte se komunizmi në Shqipni nuk ishte nji lëvizje nacionale, nji çashtje e mbrendshme e popullit, porse ishte rrjedhojë e nji diplomacie të paskrupullt që sakrifikonte gjysën e Europës, mjaft që t’i siguronte lirinë e mirëqenien gjysës tjetër. Pater Pali nuk i shifte të numrueme ditët e komunizmit në Shqipm’, sikursë mendojshin shumë tjerë. Ai ishte i bindun se ramja e tij kërkonte shumë e shumë vite. Nganjiherë më thonte: “Duhet të mendojmë edhe për mundësinë e nji epoke tjetër që do të thirret ‘epoka e komunizmit'”.

Këtu filloi edhe puna për mshefjen e Arkivit Françeskan. Kërkohej nji punë tepër e randë e seleksionuese e zhvillueme ndër kushte sekrete…Në të vërtetë bashkë me Pater Palin un punojshem vetëm natën, mbasi të gjithë tjerët bijshin me fjetë. Kishim dyshime të bazueme se ndonji nga studentat tonë kishin hi në lidhje me Sigurimin e Shtetit.

Gjatë seleksionimit për kohët e reja Pater Pali ishte ai vetë nji arkiv i vërtetë: truni i tij mbante mend edhe letrat ma të voglat të shkrueme prej iksit o ypsilonit, dhe ishte në dijeni të plotë të gjithë çashtjes. Megjithkëta ai tashma ishte i plakun; kohëve t’ardhshme do t’u flitshin vetëm ato copa letrash.

Nji natë pruni nji valixhe plot me korrespondencën e tij personale, dhe që deri atëherë nuk kishte ba pjesë në arkiv. Nji leterkëmbim i çuditshem. Të gjithë personat që kishin dhanë kontributin e vet pozitiv ose negativ për çashtjen e indipendencës ngjalleshin aty, Kishem kurjozitetin e pamasë që t’i lexoj të gjitha, ndërsa ai më bërtiste: Mos humb kohë! I di un kush janë. E vërtetë Pater Pali i dinte, por dojshem me i dijtë edhe un. Ma të madhen përshtypje ndër ato letra e kam pasë prej atyne të Esad Pashë Toptanit me Pater Palin. Letra me të vërtetë të çuditshme. Figura e errtë e njollosun, e poshtër, ajo që mësohej ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë, që paraqitej në të gjithë shtypin kombëtar, e përshkrueme ndër të gjitha tekstet e historisë të kohëve të reja të Shqipnisë, aty shifëj në nji dritë tjetër dhe të jepte përshtypjen se djalli nuk asht aq i zi siç e pikturojnë. Në të vërtetë un aty formova bindjen se historia nuk asht gjithmonë ajo që shkruhet e mësohet. E vërteta rrin e ndryme ndër kasaforta arkivale me shumë çelësa sekrete: nji ndër këta çelësa sekretë ishte edhe Pater Pali, përsa i përket kohës në të cilën jetoi. Shpeshherë un i bajshim ndonji pyetje naive ose provokuese për këto çashtje, dhe ai më përgjegjej: “Fra Zef’, politika asht politikë! Të gjithë ujqit, çakajtë, qenët, dhelpnat etj. janë në nji mendje që të mbytet cjapi, por ngatërrohen mandej mes vedit se kush ta hajë, kush të marrë copën ma të majme. Përfitimi e lavdia zakonisht i mbeten dikuj tjetër.”

…Edhe tash shpesh i rikujtoj ato net të shkreta, plot msheftësie lodhje, sidomos për moshën e thyeme të Pater Palit. Në të shumtën e rasteve ai binte me ijetë rreth orës katër të mëngjesit, dhe mandej e merrte gjumi e dremitej gjithë ditën. Tjerët e shifshin e qesheshin, dikush edhe mund thonte se duhet të ketë pi ndonji gotë, sepse kurrkuj nuk i shkonte nëpër mend për ato përpjekje vigane që ai bante për me ruejtë ata çka mund pshtohej në përmbytjen e përgjithshme të kulturës shqiptare… Si përfundim, të gjitha këto, së bashku me dy kashuj të mëdhaj plot me dokumentat e arkivit i murosëm në pjesën e njaj dhome. Pater Pali gjatë jetës së vet kishte mbajtë gjithmonë ditare. Por tash, tue pa se njerëzit akuzoheshin mjaft që t’u dihej emni, katër ditarët e viteve të fundit m’i dha me i mshefë. Un ata i shtina në valixhet ku ishin dorëshkrimet e P. Shtjefën Gjeçovit.

Me të gjitha përpjekjet që bamë punët nuk na shkuen mirë. Pater Gjon Shllakun e arrestuen në mbarim të janarit dhe e pushkatuen me 4 mars 1946, ndërsa Pater Palin e arrestuen në 8 nandor 1946. Me 14 nandor të po atij viti kje rrethue e izolue Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit, rrethim që zgjati pothuej nji muej. Nëpër Kuvend siellej nji skuadër ekspertash të vandalizmit. Në Seksionin e Sigurimit të Shtetit, me terrorizmin ma të madh, hetuesia u bante pyetje të gjithë fretënve. Pater Palit i kishin kërkue ata katër ditarët e fundit që mungojshin. Kur më ballafaquen me atë, të cilin e kishin kthye në gjysënjeri, ai më tha: “Fra Zef, dorëzoji katër ditarët që t’i kam dhanë”. Un nuk kishem si me i dorëzue, mbasi do të delshin edhe të tjerat, prandej iu përgjegja: “Ditarët që m’i ke dhanë nji herë, un t’i kam kthye përsëri mbasi mbaroi kontrolli; kush e di ku i ke harrue”. Atëherë ai më tha: “Djalë, a e shef si jam?… në daç me më pshtue dorëzoji!…”

Katilave iu ndritën sytë prej gëzimit. I shoqnuem prej tyne m’u desht me i çue te ai trapazani ku në dy valixhe metalike kishem mshefë dorëshkrimet e Pater Gjeçovit. Prej andej nxora katër ditarët e Pater Palit dhe i dorëzova. N’e nesret oficerat e Sigurimit prunë Gegë Marubin dhe më fotografuen me ato dy valixhe atje n’atë trapazan. Që me atë ças mbrenda Kuvendit filloi nji valë e rë vandalizmit. Nuk mbet mur pa u thye e drrasë dyshemje pa u çue. Arkivi u gjet i plotë. Jo vetëm ndër ata dy kashujt drrase, por edhe ndër të gjitha valixhet metalike e arkat e fishekëve ku i kishim mshefë. Po ashtu na u desht me dorëzue edhe atë pjesën ma të çmueshmen të Muzeut të At Gjeçovit…

Oficerat e Sigurimit krekoseshin si triumfatorë mbi atë plaçkë lufte. Erdhën edhe disa specialista jugosllavë me kamera filmit e xhiruen si deshtën vetë.

blank
Fotografi e urdheruar nga oficeret e Sigurimit ne Kuvendin Franceskan

… Me datën 14 dhetor 1946 edhe mue më vunë prangat. Kuvendi Françeskan u kthye nga nji vend paqje, mirësie, lutjesh e qandër kulture në nji ferr të vërtetë, ku çdo ditë njerëzit vdisshin prej torturave ma të mnershme, pa kurrnji faj; ose edhe mund e kishin nji – se kishin dashunue popullin shqiptar. Të gjithë ishim të lidhun ndër pranga, kambësh e duersh, veçmas ose me tjerët…Nganjiherë më jepej rasa me pastrue edhe dhomat e atyne që ishin destinue me vdekë ose ishin sakatue aq shumë prej torturave sa nuk mund i bajshin shërbim vedit.

Nji rast i tillë më solli te dhoma e Pater Palit. Kur gardjani hapi drynin te dera duel nji vajzë e re dhe më mori fshesën. U bana shumë kurjoz. Msheftas e pyeta:

–    Kush je?

–    Drita Kosturi.

Drita Kosturi për mue ishte nji emën kreijt i panjoftun. A thue mund ishte ajo ndonji spiune e provokatore për t’i nxjerrë sekretet të shkretit Pater Pal? Kur u ktheva në qelinë time, ku ishem i lidhun dorë për dorë e kambë për kambe me fratelin jezuit Gjon Pantalinë, u vuna menjiherë në takim rae dhomën përbri ku ishte i vetëm Gac Çuni. Ndërmjet drrasave të dyshemes dhe perdes së murit, me bishtin e lugës së drujtë kishim çilë nji vrimë sa me kalue nji kokërr ulli, që mund i ofrojshim si ndihmë ekonomike shoqishojt. Por ajo vrimë ishte edhe telefoni ynë sekret. Ai më pyeste për të gjitha të rejat ose mizerjet që më kishte rastisë me pa gjatë orëve të pastrimit. E pyeta me ngut:

–    Kush asht Drita Kosturi?

Ai e përsëriti pyetjen time, por me çudi të madhe shtoi:

–    Pse, edhe atë e paskan shti në burg?

–   E njef ti?

–    Jo, jo, nuk e njof, por me të ndigjueme: ajo ishte e fejuemja e Qemal Stafës. Si mund jetë ajo në burg? Ndoshta mund jetë ndonji tjetër që ka të njajtin emën: këtu s’merret vesht kurrgja!

…Mbas disa muejsh ndodhi që un gjindesha kojshi me dhomën ku ishte Pater Pali. Në këtë rast ai ishte i vetëm. Ato vrimat sekrete ndërmjet dyshemes dhe murit, të çiluna me bishta të lugëve të drujta, për ne të burgosunit nuk ishin ma sekrete se i dijshim të gjithë. Sinjali se folësi i anës tjetër nuk ishte polici, o provokatori ishte ajo perplasja e prangave të duerve për drrasa.

–    Pater Pal je vetëm?

–    Tash po.

–    Kush ishte ajo Drita Kosturi?

–    Për mue nji engjull i dërguem prej Zotit për me më ngushllue.

–    A nuk ke dyshime në te?

–    Dyshime? Çfarë dyshimesh?! Ajo asht nji vajzë e ditun, idealiste e vërtetë, që mendon vetëm për të mirën e popullit.

–    Ajo ishte e fejuemja e Qemal Stafës, komuniste.

–    Komuniste po, por me atë ideal të sinqertë që karakterizon rininë. Mos i gjyko njerëzit ashtu. Kjo asht nji amazonë që lufton kundra çdo tiranije, prandej edhe kundra tiranisë komuniste.

–    Atëherë përse e kanë prue te ti?

–    Shif, – më tha, – ti nuk din gja. Gjatë torturave të hetuesisë un nuk mujta me durue ma. Nuk ishte puna vetëm per veten time, kërkojshin ma tepër që të marr në qafë të tjerët. Në nji moment disprimi, un humba gjykimin, jam çmendë dhe u hodha për dritarje e poshtë. Kam humbë ndjenjat dhe mbasi më kanë ardhë un nuk mundshem me lëvizë, diçka kam thye. Atëherë më kanë pru këtë vajzë që ka studiue në Itali si farmaciste. Më ka shërbye jo si t’ishem baba i saj, por sikur t’ishem per te nji femijë i vogel. Sakrificat e saj për mue kurrë nuk do t’i harroj dhe po të porosis se në kjoftë se vjen ndonjiherë dita e lirisë, ajo duhet konsiderue si mike e Urdhnit Françeskan.

Mbas pak ditësh Pater Pali duel në gjyq; dënimi me vdekje i kje shndërrue në burgim të përjetshëm. Vdiq në burg me 5 shtator 1951.

Marrë nga “Histori kurrë e shkrueme”. Zef Pllumi i përshkruan këto ngjarje edhe në “Rrno vetëm për me tregue”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.