Dita e kujtesës...Kujto çdo ditë

0
390
blank

23 gusht-Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit. Një ditë për të përkujtuar me dinjitet dhe paanësi viktimat e gjithë regjimeve totalitare

Kambanat e krimeve të komunizmit bien herë pas here. Por në kishën e pranimit të mëkateve në Shqipëri nuk ka shkuar askush në këto vite. Nëse ne si shoqëri, vazhdojmë të mos i nderojmë ato tinguj, vështirë të kemi paqe

23 gushti është Dita e Kujtesës së Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit në Bashkimin Evropian, por edhe në SHBA Kanada dhe shtete të tjera, përfshirë Evropën Lindore dhe Shqipërinë. Kjo ditë si një përkujtimore zyrtare është propozuar nga Václav Havel, Joachim Gauck dhe një grup luftëtarësh për liri dhe ish-të dënuarish politikë të Evropës Qendrore dhe Lindore. U zyrtarizua formalisht nga Parlamenti Evropian i viteve 2008-2009 si "Dita evropiane e Kujtesës për viktimat e të gjithë regjimeve totalitare, për t'u përkujtuar me dinjitet dhe paanësi".

Është zgjedhur 23 gushti për shkak të paktit të vitit 1939, kur regjimi komunist i Bashkimit Sovjetik dhe regjimi nacional-socialist i Gjermanisë, nënshkruan paktin e njohur si Pakti Molotov-Ribbentrop ose Stalin-Hitler. Ky pakt bëri të mundur që dy fuqitë e mëdha të koordinonin sulmin mbi Poloni në shtator 1939, që solli pushtimin e Polonisë. Shteti u nda dhe mbi popullsinë e tij, filloi terrori. Sovjetikët pushtuan Lituaninë, Letoninë dhe disa pjesë të Rumanisë në vazhdim. Menjëherë nisi sovjetizimi dhe shtypja masive e grupeve të shumta sociale. Në përputhje me paktin, Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën në fund të nëntorit 1939. Ndërsa Gjermania Naziste nisi fushatën në Evropën Perëndimore pa frikën e presionit që mund t'i vinte nga Lindja. Kjo u shoqërua me masivizimin e holokaustit. Pakti pushoi së funksionuari më 22 qershor 1941, kur Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik, por krimet e të dyja regjimeve vazhduan, madje ato të komunizmit shumë më pas mbarimit të luftës.

Në Shqipëri, gjatë regjimit komunist, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike; 59,009 shqiptarë janë internuar në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 prej tyre kanë humbur jetën; 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës dhe shumë prej tyre rezultojnë të zhdukur.

Vendi ynë, i fundit ku ra regjimi komunist në Evropë, është gjithashtu ndër më të vonuarit në zbardhjen e krimeve të komunizmit. Të dënuarit politikë janë të zhgënjyer nga çdo qeveri gjatë këtyre viteve pluralizëm ndërkohë që opinioni publik ende nuk është i ndërgjegjësuar dhe i informuar për padrejtësitë e sistemit që sundoi Shqipërinë për thuajse 50 vjet dhe është përgjegjës për vrasjet dhe vuajtjet e mijëra njerëzve, për shkatërrimin e elitave intelektuale dhe imponimin e frikës dhe prapambetjes në tërë shoqërinë shqiptare.

Kujto.al që prej themelimit të saj ka mision zbardhjen e këtyre krimeve dhe dhënien e nderimit që u takon viktimave të regjimit komunist. Sot duhet të jetë gjithmonë një ditë kujtese. Sado që të jetë data. Që nesër të jetë një ditë më e mirë!

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here