Ishte 21 vjeç kur e internuan në vitin 1946 dhe jetoi në internim deri në 1991-shin, duke provuar kampet me tela me gjemba, ushqimin e kazanit dhe punën e rëndë. Kujto.al sjell dëshminë e Vasil Kokalit, që i kaloi të gjitha vitet e diktaturës si i dënuar: 40 vjet në internim dhe 6 në burg
Dëshmia e plotë
Unë kam lindur në 1924. Familja ime ka qenë një familje e mesme. Kishim blegtori, merreshim me tregti. Kam lindur në fshatin Aliko të Sarandës. Gjashtë muajsh kam qenë kur jam larguar sepse babai kishte filluar punë si tregtar në Sarandë dhe na tërhoqi si familje. Pastaj, gjatë luftës, në 1941, u larguam nga Saranda nga frika e bombardimeve dhe shkuam në fshat. Atje, filluam punën e bujqësisë, mirëpo në vitin 1943, kur filluan çetat partizane, i bënë thirrje babait tim të merrte pjesë në këto. Më tepër bënin propagandë për komunizmin, sesa për Luftën Nacionalçlirimtare. Na thoshin që do hani me lugë floriri. Në të vërtetë, ne nuk donim të hanim me lugë floriri, donim atë lugën që kishim. Kjo ka qenë arsyeja që na kanë internuar. Meqë nuk e përqafuam atë ideologji, u kategorizuam si familje që kishte qenë kundër komunizmit. Në vitin '43 kur gjermanët donin të kalonin në Shqipëri, babai ka thënë: Lërini të kaloni se ata kanë ardhur të kalojnë, nuk kanë ardhur të na pushtojnë.
Çfarë ndodhi pas vendosjes së regjimit komunist?
Ne gjithmonë shiheshim si armiq kundër pushtetit, kështu që na kanë keqpërdorur. Kur gjermanët kanë dashur të kalonin, e quajtën babanë si kolaboracionisht dhe si Kolona e 5-të dhe kështu që e dënuan me vdekje. Babai u detyrua të ikte sepse nuk kishte pse rrinte më këtu dhe pasi u arratis babai, ne na internuan. Na çuan në qytetin e Krujës.
Në cilin vit ju internuan?
Në 1945-ën. Por para se të na internonin, na morën krejt pasurinë. Kishim nja 100 krerë lopë, i kishim në Kakome të Nivicës, atje shkuan na i sekustruan, edhe depon e drithit na e kanë hapur dhe ne sigurisht që ishim të pakënaqur, përderisa na u bë kjo e padrejtë. Edhe në atë kohë, na kanë internuar. Madje nuk na lanë të merrnim asnjë gjë nga shtëpia, vetëm rrobat që kishim veshur. Kur kemi shkuar në Krujë, s'kemi pasur as lugë që të hanim, kemi ngrënë me lugë druri. Na kanë mbajtur në Krujë, dy vjet, me 600 gramë bukë misri, ajo ka qenë dhe gjella, edhe me punë të detyruar. Na kanë mbajtur atje me 600 gramë bukë misri, absolutisht asgjë tjetër...unë nuk e di si mendonin këta njerëz: si jetonim ne me 600 gramë bukë misri, pa gjellë, pa kurrgjë...Si përfundim në 1947-ën, ka qenë muaji korrik, kur na hoqën nga Kruja. Na transferuan, na ndanë.
Ku ju dërguan pas Krujës?
Një pjesë e dërguan në fermën e Sukthit, në sektorin Kullë, Rrushkull, ndërsa ne na çuan në Kashar, ku është radiostacioni. Atje kanë bërë kontratën me ndërmarrjen Rruga-Ura. Kur shkuam atje, çadrat i gjetëm të ngritura. Të nesërmen në mëngjes, na dhanë kazmën, lopatën, të shqepnim asfaltin që ishte më i fortë se betoni. Pasi mbarojnë punimet atje, shkojmë në Katër Rrugët e Shijakut. Atje takojmë disa të internuar që kishin ardhur nga kampi i Beratit. Ata punonin nga Katër Rrugët e Shijakut deri në Rrushbull, ndërsa ne nga Katër Rrugët e Shijakut deri në Kashar, domethënë kishim dy sektorë. Si përfundim, si mbaruan punimet atje, na prunë në Valias.
Si ishin kushtet e jetesës në kampin e Valiasit?
Në Valias s'kishte absolutisht asgjë. Dy shtëpi të vjetra ishin, me stallat e katundarëve. I kishin hequr dhe katundarët se u bë fermë, nuk e dinë ku i kishin çuar dhe në ato shtëpi të shkatërruara jetonim ne. Balta ishte deri në gju, duke bërë gropa, duke transportuar pleh që nga Xhafzotaj natën me ato zetora, binte shi a s'binte shi...Na përgatisnin dhe ushqim me ato lakrat e qepët që kutërbonte era 500 m larg. Pa vaj, pa kurrgjë. Atje kaluam nja dy vjet. Pas dy vitesh, na transferojnë.
Ku ju çuan?
Na ndajnë prapë nga familja dhe na çojnë në Lozhan të Korçës. Para se të na çonin në Lozhan, na mbajtën 17 ditë në qiell të hapur, pa kurrgjë. Atje, si përfundim, kanë ikur nja 9 veta. Një prej atyre Bajraktarëve, Nikollë Gjoni, djemtë e Cen Elezit, Esat Dine, atë e vranë në kufi, një e kapën andej nga Puka, një Selim, nuk më kujtohet mbiemri. Na shtrënguan shumë...Pas 17 ditësh, me ato rraqet tona që kishim nëpër këmbë, kalojmë Grabovën A, Grabovën B, Strelcë, Nikollarë, Shën e Premte...Pas tri ditësh, të rraskapitur e të lodhur, kemi mbërritur në Lozhan. Kemi ngrënë hardhi të egra nga uria. Katër ditë kemi qenë të shtrirë se ishte rrëzuar një makinë me ushqime, pas katër ditësh vjen një makinë tjetër dhe vënë ato kazanet që morëm atë racionin e gjellës. Kishim një punë të rëndë, kemi hapur rrugë në Lozhan. Puna ishte e vështirë, kush nuk realizonte normën futej në ujë deri në brez edhe janë rrahur njerëzit, të rrallë ishin ata që kanë shpëtuar. Është rrahur një Nikollë Biçuni dhe një Xhorxhi, çam ishte ai nga Gumenica...ata vetëm kur u plasi gjaku nga goja që i la ai togeri që i ka shqepur në hu. Atje, kanë prurë nja 80 çamë, për arsye se nuk kishin dëgjuar të shkonin të bashkoheshin me forcat e EAM-it, të luftonin kundër ushtrisë mbretërore edhe i prunë atje te ne. Ata më së fundi bënin të njëjta punë siç bënim ne, por një ditë, vjen një oficer, Zoi Themeli... Unë po punoja. Vjen ai ZIZ-i, ndalet atje, më thotë mua: "Çfarë je ti: i internuar apo nga këta çamët?". "Jo, thashë, i internuar jam". -"Ku është ai oficeri që është përgjegjësi i këtyre"?-"Atje, te ajo çadra". Ai dëgjoi. U përshëndetën me të. -"T'i kam liruar çamët", i thotë atij. Unë e dëgjova. Thashë: "Ata i liroi, ndoshta dhe ne ikëm një ditë". Ishim lodhur, ishim rraskapitur me atë punë. Unë kisha një shok të ngushtë çam, edhe i them: "Kam dëgjuar për lirime, por mos i thuaj njeriu se po ta marrë vesh togeri mua do më shqepë në hu".-"Jo, nuk i them njeriu". Por ky e hapi dhe u përhap që "jemi liruar", "jemi liruar" dhe u bë një si punë greve...Edhe e mori vesh togeri: "Kush ju tha?". Edhe filloi t'i rrihte çamët, por ai çami nuk e dha emrin tim. Mbas pak ne na transferuan. Kush e di si e pa të arsyeshme Ministria dhe mua dhe gjashtë shokë të tjerë që ishim të kampit të Veriut, na bashkojnë me kampin e Tepelenës. Nga Lozhani na transferojnë në Porto-Palermo. Gjatë rrugës na zë një shi. Atë natë fjetëm në Elbasan. Të nesërmen, shkuam në Porto-Palermo në 10.00 të natës. Atje fjetëm në një kishë aty afër. Në mëngjes, na prunë në kala.
Si jetuat brenda kalasë së Porto-Palermos?
Kalanë e Porto-Palermos është domethënë...me e pa nga jashtë, të zë tmerri, jo të futesh brenda. Ajo, ishte domethënë...Nuk e di sesi...çfarë mendonin këta njerëz. Nuk e di çfarë mendonin. Nuk kishin gjynah për ata fëmijë që ishin, kishte gra, fëmijë, plaka, pleq...Të ardhur nga Tepelena një pjesë. I kishin ndarë burrin nga gruaja, gratë nga fëmija, kishin prurë familjet më të mira, familjet më të dëgjuara: të Gjon Markagjonit, të Mirakajve, prunë të Cen Elezit, të Muharrem Bajraktarit...Atje, i kishim shumë të vështira konditat. Kemi pirë ujë të kripur. Edhe për të larë, nuk laheshim. Këta të komandës, kishin gjetur burimet, kishin një mushkë dhe e mbushnin ujin nga burimi. Fati ynë që ikëm që andej, ka qenë një anije italiane, ajo ishte ngarkuar me dërrasa dhe shkonte në Greqi. E zuri dallga natën dhe u fut në atë si ujdhesë, kështu që të nesërmen në mëngjes, kur panë atë anije, u tmerruan. Erdhën na panë, ishim a nuk ishim. Lajmëruan Vlorën menjëherë dhe nga Vlora sollën makinat sovjetike, ZIZ. Ato erdhën, na ngarkuan dhe na shpunë në Tepelenë. Kemi vuajtur të zinjtë e ullirit atje në Porto-Palermo. Njerëzit janë qorruar nga sytë. Nuk shihnin, nga mungesa e ushqimit. 400 gram bukë thekër, edhe pesë kokrra grosh, ajo ka qenë ndihma jonë. Unë njihja një polic që ishte nga Qeparoi, një Zaho Dede, ka qenë djalë i mirë. Kishte besim te unë se unë kisha motrën të martuar atje dhe e dinte se kush isha dhe më thotë: "Mjerë ti". Pse?-i thashë unë. Se Porto-Palermo është kamp që hyn e nuk del. Mirëpo atje kishin prurë dhe shumë të burgosur, që liroheshin nga burgu, si Viktor Dostin e, këtë Bardh Kupin e, dy oficera që ishin këtu nga Tirana, oficera të Ministrisë edhe kulakë, atje i kishin prurë.
Si ishin kushtet në Tepelenë krahasuar me Porto-Palermon?
Tani, me thënë të drejtën, ne kujtuam se shpëtuam nga shiu, por ramë në një breshër po çfarë breshëri, breshër kokëmadh. S'kishim absolutisht asnjë të drejtë. Na iku jeta në kampe, u rritëm dhe u plakëm në kamp. Atje, puna ishte shumë e rëndë. Plus që ishte e rëndë, ngarkoheshim me dru, 7 km larg nga Turhani, por edhe ata që ishin si familje, që ishin për shembull dy djem të rinj, i çonin në Luzat, disa në Bënçë, larg nga kampi dhe shkonim të shtunë në darkë dhe ktheheshim prapë të shtunë në darkë. Ajo punë ka qenë shumë e rëndë. Nga rrokullisja e trarëve, e gurëve, që i hidhnim kështu, se s'kishim si i hidhnim, nuk kishte javë pa të plagosur. Ishte tmerr.
Çfarë episodesh ju kanë mbetur në mendje nga Tepelena?
Ata që ishin në Luzat, në një kasolle jetonin. Edhe lageshin, por ndiznin zjarr të shkretët për t'u ngrohur. Një komshi, se ishte afër katundit kjo kasollja, kishte therrur një dhi dhe ua fali ato të përbrendshmet. Këta nga uria hanin edhe thundrat, jo më...Edhe i lanë këto, i futën në një tenxhere dhe i vunë në një zjarr. Mirëpo mbi zjarr kishin vënë çorape dhe ato çorapet ranë në tenxhere. Kur hoqën tenxheren këta, panë çorapet dhe e kuptuan që kishin rënë, por ata nuk pyetën që kishin rënë çorapet e palara, por e hëngrën. Nga uria, çfarë nuk mund të bëjë njeriu. Edhe një rast tjetër, atje në Luzat. Kapteri që na shoqëronte, se ishin këta të Ministrisë së Brendshme, ka qenë batalioni i Ndjekjes në Tepelenë, edhe vinte shpeshherë kapteri në atë dhomë. Në atë dhomë, jetonim 20 burra. Kishim një zjarrm atje, që mund të gatuanim ndonjë send. Edhe njërit nga Dumreja, njerëzit e vet i kishin prurë ca rosnica, edhe po i ziente. Në atë kohë, që ai po ziente ato rosnicat, vjen ai kapteri. Rastësisht. -"Çfarë ere mban kjo?" -thotë. -"Po ziej rosnica, m'i kanë prurë,-thotë,- nga shtëpia njerëzit e mi". "Po sikur të jap 1 kile makarona a mund t'i hash rosnicat kështu duke zier?". -"Posi", thotë ai. Edhe ia filloi. Që unë nuk kisha për ta besuar, kam qenë vetë atje që e kam parë me sytë e mi. I ka ngrënë rosnicat: gaveta duke zier, ai duke i ngrënë. U habita. U habita sesi ka mundësi që një njeri t'i hajë rosnicat...por nga uria edhe që përfitonte atë kilen e makaronave! Që kujtdo që t'ia thuash nuk e beson. Si përfundim, do shkonim në kamp për t'u larë. Na vuri përpara ai, tamam si ato dhitë dhe njëri, Veiz Gjolena, nga Elbasani, e kishte zënë barku..."Kapter, kështu, kështu", thotë. -"Bëje aty në shallvare". Më fal për shprehjen, në shallvare e bëri. Në kamp, na del ai drejtori i kampit, Xhafer Pogaçe, na sheh kështu. "Si shumë të shëndoshë i ke prurë kësaj radhe. Nuk kanë punë këta njerëz?", tha. Merre me mend tani, që ne ishim bërë telef...deshën të na shihnin kështu. Të zezat e ullirit kemi hequr në Tepelenë. Bëmë ca kohë atje. Na transferojnë, na çojnë në Çorovodë.
Kampi i Çorovodës ishte i rrethuar?
Në Çorovodë e gjejmë të rrethuar me tela me gjemba dhe një kasolle në mes të saj. Atje do ndërtonim degën e brendshme. Kishin prurë disa të burgosur me 20, me 15 vjet. Ka qenë dhe një i dënuar me 25 vjet, ka qenë një Stavri Bojaxhi, teknik. Ata ishin të lirë, jo se nuk survejoheshin, por mund të shkonin në çezmë, të laheshin, të pinin ujë, kurse ne në tela brenda. Paskëshim qenë më të rrezikshëm ne, se të burgosurit! Si përfundim, në punë bashkë, grumbullonim gurë nëpër lumë. Ishte bora deri këtu. Hapnim me duar borën dhe nxirrnim gurët. Me gurët e lumit është bërë ajo degë. Edhe atje kemi vuajtur. Që atje, pasi mbaruan punimet, vijmë në fabrikën e tullave në Tiranë.
Çfarë pune bëtë në kampin e fabrikës së tullave?
Unë kam qenë presator, në punën më të rëndë, që prisja tulla. Ishim katër veta ne: dy i kapnin, dy i prisnin. Tirana e Re me tullat tona është ndërtuar. Atje bëheshin me tulla me kumi, kumitë ishin këto primitivet që digjeshin. Si mbaruam këtë punë, na çuan në Lushnjë. U hap ferma më e madhe në Shqipëri dhe duheshin skllevërit, ne ishim ata që do punonim. Na çuan atje. S'kishim as baranga. Ishte sektori i Savrës, sektori i parë.
U përmirësua disi jeta juaj në Savër?
Në atë sektor, disa grekë komunistë që kishin ardhur në kohën e luftës, kishin ndërtuar disa banesa. Ne u futëm atje provizorisht, më së fundi u bënë ato barakat që të jetonim dhe ne. Na tha ai kryetari i Degës: "Këtu, po të doni, edhe mund të martoheni, mund të krijoni familje". Sigurisht që po të martohesh atje, do ngelesh atje se s'kishe ku shkoje. Do ishe skllav atje. "Këtu, tha, ka rregulla. Do ju bëjmë tri herë apel. Dhe kush ikën pa lejë, tre vjet burg ka". Na pajisën me një pasaportë që thoshte "i internuar", filani, fistëku edhe ka të drejtën e qarkullimit brenda për brenda. Kështu që në Lushnjë ne kemi kaluar...ku ishte puna më e rëndë, puna më e largët dhe puna pa para. Kam punuar me gruan time në një brigadë të Aziz Nebiut, tre vjet. Nuk kishim mundësi të siguronim bukën e gojës. Biles, jo bukën e gojës, por kemi dalë edhe ditën e Vitit të Ri, thamë: "ishallah mos kemi ndonjë përfitim!". Edhe atë ditë, 20 lekë kemi marrë, bashkë me gruan. E kishim shumë të vështirë. Kishim një pulë në shtëpi. Para se të iknim në punë, i thosha gruas dhe gocës: "E ka bërë vezën pula?". Merre me mend se ku ishim katandisur. Si përfundim, mbasi bëmë 15 vjet internim, më arrestojnë. Ishte 25 mars 1960.
Si ndodhi arrestimi?
Unë me thënë të drejtën, s'kam qenë mekanik, por kam punuar si elektriçist ca kohë me një shokun tim nga Korça. Ai ishte teknik, kishte mësuar nga ca gjermanë që ishin robër lufte në Valias. Edhe bashkë punonim si elektriçistë, i kemi dhënë dritë sektorit të Savrës, gjithë sektorëve. Edhe një ditë, duke punuar, mungonte një vegël dhe shkova ta merrja në ofiçinë. Atje, më vjen një kapter prapa. Nuk e pashë. "Je i arrestuar", më tha mua. "Pse, çfarë kam bërë?" "Drejtoju xhipsit", më tha mua. Xhipsi ishte në rrugë. Unë shkova te xhipsi: ishin dy oficerë brenda. Njëri ishte Taqo Dhamo, tjetri quhej Gjush Tafili. Ai Taqo Dhamo ka qenë njëkohësisht edhe hetuesi im deri në fund. U futa brenda, më vunë prangat. Deri në shtëpi. Më thonë mua: Kur të shkojmë në shtëpi, nuk do flasësh. U hap, u kontrollua, u lëshua procesverbali që do të ruhen derisa të dalë në gjyq. I thashë: "Në çfarë gjyqi do dal unë? Çfarë kam bërë? Unë s'di që kam bërë gjë". -"Atje, atje, më thanë mua, atje do tregosh se çfarë ke bërë". Shkuam në degë. Nga gëzimi rrugës, Gjush Tafili këndonte: "Unë mor bir ta bëra benë, në ta gjetsha dot folenë". Shkojmë ne, më futën në birucë menjëherë. Andej nga nata, nga ora 11.00 më marrin, më çojnë në zyrën e kryetarit të Degës. Kryetari i degës ka qenë Nuçi Tira.
Çfarë ju tha kryetari i Degës?
Më tha Nuçi: "Tani na trego veprimtarinë tënde armiqësore". Thashë: "Nuk kam bërë gjë". -"Pse kot i biem këtu ne"? -"Nuk e di çfarë kanë bërë të tjerët, unë për vete nuk kam bërë gjë". -"Do tregosh", tha, edhe ua bëri me shenjë atyre të tjerëve, "kapeni", edhe m'u vërsulën. Edhe poshtë m'i vunë duart, më shtrënguan, ca me shqelma, ca andej, ca këndej. Thashë me vete: Unë s'kam bërë gjë. Unë u thashë atyre: Unë nuk kam ardhur me aeroplan si diversant, këtu më keni pasur, 15 vjet në internim. 15 vjet të rrijë njeriu pa hapur gojën, madje ne që nuk kemi mundësi të shprehemi, ne e kemi pasur kyçin në gojë, sepse çdo fjalë që flisje, e quanin politike, me analizat që bënin ata. Si përfundim, shkova në birucë.
Më folën edhe për një njeri që unë nuk e njihja fare. Ai ishte pushkatuar, ka qenë nga Çifligu i Sarandës, në kufi. Më kërkonin llogari: Ku e takova unë atë? Çfarë fola?-"Ore nuk e njoh fare". Para se të ndodhte kjo, tremujorin e parë, kur unë mbarova hetuesinë, vjen hetuesia e dytë. Vjen një kolonel nga Tirana, Shaban Skënderi e quanin. Të them të drejtën u tmerrova. Thashë: "Çfarë është kjo punë?". U habita. "Këta kanë ndër mend të më dënojnë rëndë", thashë se të vijë hetuesi që nga Tirana, kush e di çfarë kanë ndër mend. -"Ulu", më tha mua. "Faleminderit, i thashë, deri tani kurrë nuk e kam pasur mundësinë të ulem". Më zgjati paketën e cigaresh. "S'po na thua gjë", tha. -"Po çfarë të them"?-"Çfarë ke bërë..."-"Çfarë kam bërë? 15 vjet internim, çfarë kam bërë"?-"Po pse kot je këtu"?-"Për mua, kot". -"Për çfarë është i akuzuar"?-i tha hetuesit. -"Për agjitacion".-"Çfarë agjitacioni! Këtej e tutje do thuash spiun".-tha. Thashë unë: "Unë spiun nuk kam qenë asnjëherë, spiun nuk i bëhem asnjëriu, këtë ta keni të qartë. Në dorë më keni, bëni çfarë të doni! Po e lë në ndershmërinë tuaj",- i thashë se s'kisha nga ia mbaja.- "Nëse më akuzoni që kam folur me filanin, më fusni mua mes 20 të burgosurish, silleni atë dhe i thoni me cilin ka folur". Si përfundim u mbyll kjo.
Sa ju mbajtën në hetuesi?
Në hetuesi, unë ndenja 7 muaj. Edhe dy-tre muaj të tjerë, u bënë 9 muaj në hetuesi.
Si ju trajtuan? Patët presione për të pranuar akuzën?
Me thënë të drejtën, boll keq...Unë u revoltova sepse më thanë do ta çojmë gruan tënde në Bedat dhe do vëmë njerëz ta çnderojnë. Unë të them të dretën, nuk llogarita jetën time, thashë edhe me vdekje të më dënojnë. Thashë: "More qelbësirë, more mu...mu.. ti të çosh gruan time? E di ti kush është gruaja ime? Ajo preferon të vritet dhe nuk bie në dorën tënde. Atje të çosh gruan tënde, atë kurvicën tënde"...se e njihja gruan e tij unë kush ishte. Mirëpo nga revolta fola me të madhe dhe të tërë oficerët që ishin atje, u çuan, edhe: çfarë është? çfarë është?-"Dëgjo,- i thashë,- unë kam bërë çfarë kam bërë, më dëno sa të duash, ti e ke ligjin në dorë, do 5, do 10, do 20, do të më vrasësh, por në nder të familjes nuk lejoj të më prekë kush".
Çfarë kërkonin nga ju?
Ata kërkonin: Çfarë thotë njëri? Çfarë thotë tjetri? Ke 15 vjet në internim.
Kërkonin t'ju bënin bashkëpunëtor?
Po. Si përfundim aty ishte një oficer, një Peçi Mandi, një trashaluq. Më thotë mua: O Vasil, a ke luajtur ndonjëherë futboll? -Po, i thashë, kur kam pasur njeri, edhe kam luajtur. -Si i ke rënë topit, më tha mua, kështu? Edhe më jep një shqelm...kaq më ka dhembur sa gati më ra të fikët. -"Ke bërë burrni të madhe", i thashë. Kur dola nga burgu, kisha dëshirë ta takoja atë, që t'i thoja dy fjalë, por nuk kisha mundësi, se atëherë ishte dhe frika, por tani me ardhjen e demokracisë, ai vdiq. Kështu, siç thashë, shumë keq kemi kaluar. Në internim mund të jenë burgosur nja 40 veta, për agjitacion dhe propagandë. Atë listën e kam pasur. Ajo ishte që nga unë, e te Mojs dhe Lekë Mirakaj, Fatbardh Kupi, te Mërkur Lesi, te Mazllëm Kaso, ai akuzohej se deshi të hidhte helm në ujë.
Sa vjet ju dënuan?
7 vjet. 6 vjet bëra, m'u ul një vit e ca.
Në cilat burgje e keni kryer dënimin?
Unë kalova te burgu i Vlorës, nga aty, erdha në Tiranë, te kombinati i mishit, nga kombinati i mishit, te fabrika e çimentos. Pastaj, kam shkuar prapë në Vlorë, në sodën kaustike. Në këto burgjet kam kaluar.
Kur u liruat?
Unë jam liruar, në '65-ën, më 27 gusht.
Vazhduat në internim?
Po, sigurisht. Që nga burgu, sipas rregullit, u paraqita në Degën e Brendshme dhe më thanë: të shkosh te familja jote, atje e ke vendin. Edhe atje, në internim, prapë.
Sa vite jetuat në internim?
Gati që në 1945-ën, deri në 1991-shin, gati 46 vjet.
Po të afërmit tuaj?
Dy xhaxhallarët e mi, kanë bërë nga 25 vjet burg. Dy herë i kanë burgosur.
Si quheshin xhaxhallarët?
Një Vangjel Kokali, tjetri Llambi Kokali. Kurse dhëndri im ka bërë edhe ai nja 30 vjet burg.
Si quhej?
Vangjel Papa. 30 vjet burg ka bërë.
Ju ishit të internuar kur filluan ndryshimet politike. Si i keni përjetuar?
Me thënë të drejtën, nuk kishte gëzim më të madh! Nuk besoj të ketë pasur gëzim më të madh që na ka ardhur liria. Sepse unë edhe sikur asnjë lek të mos marr, mjafton që kam fituar lirinë, liria është gjëja më e shtrenjtë. Ne ishim skllevër, në kafaz. Çdo gjë bëhej me leje, do ta dinte Sigurimi kur shkonim, e kur ktheheshim. Edhe me ardhjen e demokracisë, ne shpëtuam.
Nga arkiva e familjes Doko
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.