Dëshmia/ Valter Dvorani: I gjithë fshati duartrokiti kur arrestuan babanë

0
2496
blank

Valter Dvorani duke qënë djali i Ismail Dvoranit, një nga mbështetësit e platformës demokratike të Ballit Kombëtar, i cili me ardhjen e komunistëve në pushtet u kategorizua si kriminel lufte, si armik i popullit, ai do përballej me privime të vazhdueshme dhe me sfidën e të mbijetuarit si një i deklasuar. Fëmijëria e tij ka kaluar nëpër dyert e qelive të burgjeve komuniste ku kërkonte të shihte sytë e të atit dhe të ndjente shtrëngimin e duarve të tij. Dënimet dhe ridënimet e babait u bënë të shpeshta, përndjekja dhe presionet e Sigurimit po ashtu, fati i familjes Dvorani ishte i mirëpërcaktuar dhe goditja nuk do vononte. Valter Dvorani ka vuajtur sistemin e persekutimit që në vitin 1975 ku u internua sëbashku me të atin, nënën, gjyshen dhe dy motrat e tij, në Çermë të Lushnjës për gati 11 vite.

Dëshmi e plotë për Kujto.al nga Najada Pendavinji

Z. Dvorani, mund të na tregoni diçka për familjen tuaj para se të niste persekutimi komunist?
Unë kam lindur në qytetin e Korçës në vitin 1953. Jam i biri i Ismail dhe Nevreze Dvorani, pinjoll i një nga familjeve të shquara dhe të ndershme korçare. Familja Dvorani përfaqësonte më së miri inteligjencën e shtresës së mesme të shoqërisë e cila përkrahte forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar. Babai im, Ismaili, ishte pjesë e Rinisë së Ballit, i cili dëshironte të shihte një shoqëri demokratike dhe të lirë. Daja im, Hasan Hamatas, i arsimuar dhe i edukuar në Itali mbështeste frymën e demokracisë, që po ashtu vinte nga rradhët e rinisë së organizatës nacionaliste Balli Kombëtar, të cilët luftonin me parime dhe ideale perëndimore. Deri në atë kohe familja ime kishte ngritur një bazë ekonomike dhe kishte krijuar një lloj pavarësie e cila e ndihmonte të ecte përpara duke mbështetur edhe shtresat e varfra të shoqërisë. Gjithmonë e kanë mbajtur kokën lart duke gëzuar edhe respektin e të tjerëve. Por periudha e pasluftës do të krijonte një hendek të madh dhe të dukshëm midis njerëzve, aq sa ne do quheshim armiq të tyre dhe nuk do lejoheshim të përziheshim me ta. Do ishim të destinuar për të provuar një karvan të gjatë vuajtjesh nën terrorin komunist.

Çfarë ndodhi me babain tuaj pasi komunistët morën pushtetin?
Dihet se komunistët i kishin projektuar që në vitet e luftës, eleminimet fizike të kundërshtarëve të tyre, por që në prag të mbarimit të saj do niste ajo vala e çmendur e arrestimeve, ekzekutimeve, burgimeve dhe internimeve masive. Persekutimi i babait tim vjen si pasojë e këtij programi, e këtyre masave ndëshkimore, të cilat synonin dënimin me burgim apo pushkatim të të gjithë “kriminelëve të luftës”, siç i etiketuan ata. Babai nuk pati të njëjtin fund tragjik si daja im Hasan Hamatas të cilin në shtator të ’44 e vranë

blank
Ismail Dvorani

njësitë guerile komuniste. Ishte një humbje e madhe për familjen tonë dhe gjithashtu një fillim tragjik i jetës brenda regjimit komunist. Një vit më pas në 1945 arrestohet babai im nën akuzën si “armik i popullit”. Më 19 shtator 1945 Gjykata ushtarake e Korçës e dënoi me 8 vjet heqje lirie, por më vonë i ulet dënimi duke bërë vetëm 5 vjet burg. Dënimin evuajti në kampin e Vloçishtit, i ashtuquajturi “kampi i vdekjes”. Dhe si pasojë ështëkonsideruar nga të gjithë të dënuarit, por edhe nga babai im si një nga kampet më famëkeqe që u ngrit menjëherë mbas instalimit të diktaturës. Atje babai gjeti edhe viktima të tjerë të regjimit të cilët po vuanin dënimin me vdekje jo të menjëhershme si: Skënder Stefallari, Peti Zizi, Hasan Kalaja, etj.. Dënimi i parë i tij përfundon në vitin 1949. Politika komuniste nuk do lodhej asnjëherë kundrejt tim eti, do ishte e pangopur ndaj dhimbjeve dhe vuajtjeve që do i shkaktonte atij. Kështu, në 9 janar 1959 do dënohej përsëri, por kësaj radhe nën akuzën e agjitacion-propagandës kundër pushtetit popullor me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Dënimin do e vuante në kampin e Thumanës. Një tjetër kamp shfarosës ku ai tregonte se ata keqtrajtoheshin në mënyrën më mizore. Atje përjetoje urinë, torturat, punën e rëndë, saqë shumë të burgosur mund t’i bënin keq vetes për t’i shpëtuar kushteve çnjerëzore në të cilën ndodheshin. Lirohet në 1968 duke nisur jetën me dyshime, me frikëra, por i papërkulur para mizorisë komuniste edhe pse e dinte shumë mirë se syve gjakatarë të tyre nuk do i shpëtonte kurrë. Ishte i sigurt që shoqërohej çdo moment nga spiunët e Sigurimit, të cilët prisnin skenarin e rradhës për ta shkruar në dëm të tij.

Po ndaj jush vijoi përndjekja?
Kuptohet që familja e një të burgosuri politik nuk do kishte qetësi dhe do vuante pasojat sëbashku me të. Ne fëmijët kemi përjetuar le të themi dënimin e dytë dhe të tretë të babait. Tek arrestimi i dytë ishim të vegjël dhe nuk e kuptonim shumë mirë terrorin komunist ndërsa dënimin e tretë e jetuam bashkë me të. Ne jemi 3 fëmijë, unë jam më i madhi dhe dy motrat më të vogla Pranvera dhe Diana Dvorani. Ishim fëmijët e një të dënuari politik, e një familje të persekutuar që në nisje të regjimit komunist, ku do na privoheshin shumë të drejta. Persekutimi ndaj nesh filloi me refuzimin social e diskriminimin nga ana e shoqërisë, me mohimin e së drejtës për shkollim, me privimin nga e drejta e zgjedhjes së punës apo profesionit dhe do përfundonte me nxjerrjen nga shtëpia për të na internuar në një kamp skëterrë siç ishte Kampi i Çermës në Lushnjë për gati 11 vite.

Si e kujtoni ditën e internimit?
1 nëntor 1975. Në qytet mbretëronte kaosi dhe pasiguria pasi një ditë më parë ishte organizuar një mbledhje në të cilën u vendos shpërngulja me forcë i të gjithë familjeve korçare me pozitë nëpër kampet e diktaturës. Të gjithë po prisnim me ankth listën e zezë të firmosur me bojën e kuqe e cila simbolizonte ligësinë dhe pabesinë që po bënte ligjin. Në rreshtat e saj do lexohej edhe emri i familjes Dvorani. Kjo fushatë spastrimi do prekte edhe familje të tjera si: familjet Kolaci dhe Themeli, të cilat ishin filantropë dhe intelektualë të kohës. Ankthi mbaroi, tanimë do i linte vendin peshës së internimit. Ishte një natë e zezë kur në derën e shtëpisë tonë shfaqen policë, civilë, përfaqësues popullor të lagjes, të cilët kërkojnë nga babai, largimin nga shtëpia. Nuk kishim kohë të merrnim as sendet tona personale dhe ashtu siç ishim na hipin në një makinë për të na degdisur në baraka të rrënuara ku mjerimi dhe varfëria ishte ulur “këmbëkryq”. Na internojnë në një fshat të Lushnjës, në Çermë, ku jetesa atje e kapërcente dukshëm imagjinatën e njeriut të sotëm.
Babai juaj kishte përjetuar dy arrestime. Cila ishte arsyeja e ridënimit të tretë?
Po kalonin vitet dhe ne po jetonim brenda skëterrës komuniste, brenda kampit të Çermës. Ishim futur në një gjendje ku po përjetonim trishtim, pesimizëm, pafuqi. Po ktheheshim në qenie pa ambicie, pa dëshira, pa ëndrra për jetën. Por kjo situatë nuk do i mjaftonte regjimit, donte akoma më shumë. Erdhi momenti që familja jonë të merrte goditjen e rradhës. Ishte viti 1979 kur babai dënohet për herë të tretë nën akuzën për agjitacion-propagandë kundër pushtetit popullor. Skenari po përsëritej, rinisi gjithçka nga e para, por tani me një ndryshim, ne familja e tij do vuanim kampeve të internimit ndërsa ai do futej në burg i “braktisur” dhe i vetmuar. Do jetonim paralelisht dy jetë pa ditur asgjë për njëri-tjetërin brenda 10 viteve. Më kujtohet momenti kur babain e arrestojnë përpara të gjithë banorëve të fshatit, ishte një skenë “teatri” ku “spektatorët” të cilët ishin fshatarët atje pranë, po duartrokisnin dhe po shikonin me aq admirim burgosjen e një njeriu. Brohërisnin sikur po shpëtonin veten nga ndonjë kriminel i pamëshirshëm. Edhe pse nuk i vë faj për të vetmen arsye se komunizmi ishte një sistem që kishte shkatërruar karakterin njerëzor ku populli besonte dhe “dehej” nga propaganda komuniste. Tanimë do ishte edhe më e vështirë për ne të jetonim mes përbuzjeve, injorimeve dhe provokimeve të përditshme nga ana e tyre, por edhe nga survejimi i spiunëve të Sigurimit të Shtetit. Megjithëse me besimin në Zot ne do ia dilnim të përballeshim me jetën e internimit.

Si ishte jeta në kampin e internimit? Si ju trajtonte pjesa tjetër e fshatit?
Ato çka iu përmenda pak më lart tregojnë më së miri kushtet në të cilat ne jetonim çdo ditë. Përballeshim me izolimin, me mungesën e lirisë, me mallin për qytetin, me diferencimin dhe diskriminimin në punë, me orët e gjata duke hapur kanale, me paragjykimin dhe refuzimin e fshatarëve të cilët na shikonin si armiq të tyre. Këto situata e bënin më stresuese jetesën në kamp ku mund të them me plot bindje se internimi ishte njëlloj paraburgimi i rrezikshëm që nga çasti në çast priteshin dënime nga më të paimagjinueshmet. Këtu në Çermë ishim të internuara disa familje korçare ku sollëm me vete kulturën dhe edukatën qytetare. Përçuam te ata, dashje pa dashje cilësi apo sjellje për mënyrën e jetesës. Tradita korçare është e veçantë dhe nënat tona ishin zonjat. Ato e ruanin me fanatizëm dhe e trashëgonin brez pas brezi tek vajzat e tyre por edhe te djemtë. Familjet tona ishin familje të arsimuara dhe edukatën apo arsimimin e fëmijëve e kishin si qëllim për të ardhmen, ndërsa familjet e Çermës kishin hall tja mbushnin barkun me bukë fëmijës, jo më ta kishin mendjen tek edukimi i fëmijëve. Gjatë kësaj kohe ne humbëm edhe gjyshen e cila vuante internimin sëbashku me ne. Në shtëpinë tonë nuk hyri asnjë për të na ngushëlluar dhe madje nuk erdhi asnjë në varrim. E kemi varrosur gjyshen vetëm ne, pjestarët e familjes. Nuk afrohej njeri.

Më thoni një ngjarje të veçantë që ju ka mbetur në mendje?
Mbaj mend një ngjarje e cila bëri bujë asaj kohe pasi u mobilizuan të gjitha forcat dhe regjimi ndjeu frikë. Ishte viti 1982 kur në Shqipëri do zbarkonte një prej disidentëve, siç e quajtën ata, Xhevdet Mustafa. Ai kishte erdhur nga Amerika me një mision të sigurt edhe pse në dukje i pamundur, të vriste Enver Hoxhën. Kishte ndaluar në Durrës dhe që andej kishte arritur të prekte edhe qytete të tjera të Shqipërisë. Destinacioni i fundit do ishte Rrogozhina ku makina e tij do ndalonte në kodrat e Dushkut në Çermë. E gjithë Lushnja u fut në një kaos, të gjithë po kërkonin kriminelin dhe fatkeqësisht Xhevdet Mustafa u vra nga komunistët, nga forcat e Sigurimit. Të gjithë po shikoheshin me dyshim, dhe sigurisht që vëmendja do ishte tek ne, tek shtresa e të persekutuarve. Nuk mund të them që ne nuk u ngazëlluem, menduam se i erdhi fundi regjimit monsturioz. Por jo, duhet të prisnim dhe duhet të besonim se ky sistem do zhdukej një ditë.

Si e përjetuat momentin kur ju liruan nga internimi?
Kaluam një periudhë mizore brenda regjimit komunist. Kjo situatë do vazhdonte të paktën deri në “ngordhjen” e Enver Hoxhës, më 11 prill 1985 dhe më pas nisi të jepte shenja zbutjeje, jo nga dëshira e mirë, por sigurisht nga dobësimi i sistemit. Kjo do ndihej edhe në sistemin e burgjeve dhe të internim-dëbimit. Ne jemi liruar nga internimi po në 1 nëntor të vitit 1985 ndërsa babai vuante akoma dënimin me burg. Ishim të lodhur, të dërrmuar, ku do na shoqëronte për gjithë jetën damka e “armiqve”. Nuk kishim një shtëpi ku mund të strehoheshim, na kishin hequr edhe pasaportizimin duke na i vështirësuar akoma edhe më shumë jetën e pas internimit. Deri në momentin e lirimit të babait ne jetonim me frikën dhe tmerrin se në çdo valë spastrimi që mund të bëhej do ishim shënjestër e regjimit dhe do na internonin përsëri. Babi lirohet nga burgu në 1989, kthehet tek ne. Me gjithë dëshirën e tij të madhe për të ndihmuar shtresën e të persekutuarve të cilët kaluan një kalvar të gjatë nëpër burgjet dhe kampet e internimit, ai u bë një nga nismëtarët e Shoqatës së të Përndjekurëve në qytetin e Korçës. Por burgu kishte lënë pasoja të mëdha tek ai. I ishin shteruar forcat, kishte kaluar një sëmundje të rëndë gjatë atyre viteve çka bëri që në vitin 1991 ai të ndrronte jetë./kujto.al

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here