Dëshmia tronditëse/ Rajmond Sejko: Si ma vrau komunizmi gjithë familjen, isha ende fëmijë

0
2648

Pengu im... s’munda të përcjell në banesën e fundit babin Teme, vëllain Sokol e të mirën nënën time, Shpresa. Ende nuk e dimë ku prehen eshtrat e babit.”

Ka edhe burra që lotojnë…”,  thotë herë pas here Rajmond Sejko, i biri i Teme Sejkos, kur rrëfen masakrën komuniste ndaj familjes së tij. Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, pak vite më parë, Rajmond Sejko, djali i admiralit nga Çamëria, Teme Sejko, jep detaje të frikshme të persekutimit dhe ekzekutimit të babait dhe vëllait, Sokolit, nga regjimi komunist.

Rajmondi është ishte vetëm 11 vjeç, kur nisi tragjedia e familjes së tij. Ajo fillon me arrestimin e vrasjen e babait të tij, Teme Sejko, më pas vazhdon me të vëllanë Sokolin, e më tej, me të ëmën Shpresa, e cila i dha fund jetës në pamundësi për të duruar persekutimin ekstrem të diktaturës komuniste, mbi djemtë e saj dhe të shoqin. Shpresa   Sejko vendosi t’i japë fund jetës, kur komunistët arrestuan djalin e saj, tashmë i vetëm pas vrasjes së Sokolit, Rajmondin. Kur Rajmondi u arrestua, e ëma Shpresa u vetëvra.

Për Rajmondin, e enjtja e zezë e 28 korrikut ‘60, ishte fillimi i fundit të Teme Sejkos, që pak nga pak e ditë pas dite, solli një tragjedi të tmerrshme. I mbijetuari i vetëm i familjes Sejko ndalon pak si për të sistemuar mendimet dhe vazhdon i mallëngjyer me momentet, kur ka humbur të dashurit e vet:

I pari, iku babai, Temja. Pas një procesi maratonë, thanë se e pushkatuan. E pushkatuan, por mbeti pa varr. I dyti, im vëlla, Sokoli. E vranë edhe atë me plumb. E pushkatuan si sabotator natën, për ta lënë pa varr. E treta, ime më, Shpresa. E dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme dhe i dha fund jetës me dorën e saj. E mira nënë, mbylli sytë ditën e arrestimit tim. Ikën të gjithë pas njëri tjetrit. Nuk m’u dha rasti të përcjell asnjërin për në banesën e fundit…”

Por, Rajmond Sejko ka edhe një tjetër peng: “Ende nuk di ku pushojnë eshtrat e tyre”. Prandaj, rikthehet herë pas here nga Amerika, ku jeton prej vitesh dhe gjurmon pa pambarim, në kërkim të vendvarrimit të të atit dhe vëllait. Në një rrëfim për “Panorama”, Sejko sjell një pjesë të përjetimeve nga kalvari tragjik i familjes së tij…

Zoti Rajmond, nga familja e Teme Sejkos ju jeni i vetmi që mundët të shpëtoni nga tragjedia e tmerrshme që e përfshiu atë pas arrestimit të babait…

Nuk do kisha dëshirë ta fillonim kësisoj, megjithatë mbijetesa në rastin tim ka qenë krejt e rastit. Fal’ Zotit streha e Teme Sejkos nuk u shua e tëra. Goditja ishte e tillë që ta shfaroste me rrënjë e me degë…

Ju ka qëlluar të përcillni për në banesën e fundit të gjithë të dashurit tuaj…

Në fakt kam përjetuar vdekjen e tyre, por në asnjë rast nuk kam marrë pjesë në përcjelljet mortore. Ky peng torturues do më shoqërojë deri në varr. Të parin humbëm babanë. Pas një procesi maratonë, na thanë se e pushkatuan. U pushkatua, po ku? As sot nuk dihet ku pushojnë eshtrat e tij. Madje për këtë ka me dhjetëra legjenda. Ka ndër to që pohojnë se Teme Sejko është gjallë(!) I dyti iku Sokoli, vëllai i vogël. Me plumb edhe ai. Fillimisht e shpallën armik, sabotator, pastaj e ekzekutuan fshehtazi. Që të mos i dihej varri. E treta ishte nëna. E dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme dhe i dha fund jetës me dorën e saj. Ah e gjora nënë, e dhimbsura Shpresë…

Pra, tragjeditë pasuan njëra-tjetrën pas arrestimit të babait. Çfarë kujtoni nga koha para këtij momenti…

Ishim një familje e plotësuar dhe jetonim në kushte normale. Babai së fundi ishte Komandant i Flotës Luftarake. Për shkak të detyrës së tij, banonim në Vlorë. Mbaj mend që aty vinin gati për natë miq e mysafir të shumtë. Pjesa më e madhe nga Çamëria. Me ta im at mbante lidhje të afërta. Më shpesh na vizitonte gjenerali Abaz Fejzo, që në atë kohë ishte me shtëpi në Vlorë. Kishte ndërkaq ish-kuadro të luftës, partizanë të Brigadës së Parë, drejtues të lartë, gjeneralë, komandues divizionesh etj. Nuk më kujtohet as një mbrëmje pa njerëz…

Teme Sejko ishte gjeneral i ardhur nga radhët e kuadrove të Luftës Nacionalçlirimtare. Çfarë mbani mend nga tregimet e tij për historinë e saj?

Me babanë kemi pasur raporte të veçanta. Natyra e detyrës si ushtarak me funksion të rëndësishëm, e kushtëzonte të ishte në një farë mënyre mysafir në familje. Vitet e fundit ishte Komandant i Flotës me gradën kundëradmiral, e cila njësohej me atë të gjeneralit. Qëllonte që ditë e net të tëra të rrinte në repart. Shumë herë në shtëpi kthehej vonë, gjithnjë pas mbrëmjes. Pak fare pak qëndronte me ne. Nga aq sa komunikonim me të, mbaj mend se kujtimet nga lufta, i kishte mjaft për zemër. Bile dhe shokët, me të cilët krenohej, i përkisnin asaj periudhe. Ai kishte qenë drejtues në Brigadën e Parë dhe fliste me nostalgji për historikun e saj. Tregonte për betejat, për të rënët, për kuadrot e miqtë e llogoreve. Qysh nga ajo kohë ruante si kujtim një bllok shënimesh në formë ditari. E shfletonte shpesh dhe qëndronte për çaste të tëra duke e lexuar. Herë pas here shkëputej dhe na rrëfente ndonjë detaj që i kujtohej aty për aty. Mbaj mend se fliste për Mehmet Shehun dhe vlerësonte rolin e tij. Pjesën më të madhe të suksesit të Brigadës së Parë ia dedikonte Mehmetit. Po kështu fliste me një lloj konsideratë për Shefqet Peçin. Lufta në një farë kuptimi kishte lënë mbresa të pashlyera në kujtesën e tij…

Po me gjeneralët e tjerë çfarë raportesh kishte Teme Sejkoja?

Asokohe unë isha i vogël dhe nuk isha në gjendje t’i dalloja yjet e gjeneralëve. Vezullimi i tyre më dukej i njëjtë. Sa për rastin e Mehmet Shehut, ishte diçka e veçantë. Miqësia me të ishte ngjizur që gjatë luftës dhe për babanë kishte mbetur një figurë interesante. Me Shefqet Peçin kishte punuar në Divizionin e Gjirokastrës menjëherë pas çlirimit. Gjeneralët e tjerë kuptohet, mbeteshin kolegë e bashkëpunëtorë të tij. Nga goja e babait, në asnjë rrethanë nuk kam dëgjuar opinione negative në adresë të tyre…

 Të vijmë tani te momenti i arrestimit…

E enjtja e zezë e 28 korrikut 1960! Kështu e ka quajtur në fillin mamaja, Shpresa. Pastaj të tillë e memorizuam edhe ne ditën e arrestimit të tij. Të zezë, skëterrë! Ajo ditë për familjen tonë shënoi një moment të pakthim. Ishte fillimi i fundit të Teme Sejkos që pak nga pak, ditë pas dite, solli tragjedinë e tmerrshme për krejt familjen…

Çfarë kujtoni nga e enjtja e zezë e 28 korrikut ‘60?

Unë kam qenë i vogli i fëmijëve, në atë kohë nxënës në fillore. Në mos gaboj 11 vjeç. Si i tillë as mund ta mendoja se çfarë po ndodhte. Kujtoja se e kishin thirrur me shërbim dhe do të kthehej si gjithnjë. Po kjo vetëm në ditët e para, se më vonë do mësohesha me të vërtetën. Sidoqoftë, momenti i arrestimit…

E keni parë nga afër prangosjen e Teme Sejkos?

Historia e arrestimit të babait është disi misterioze. Ajo u bë sipas një skenari të parapërgatitur. Fillimisht e lajmëruan se do të shkonte me studime në Bashkimin Sovjetik, duke e urdhëruar të dorëzonte detyrën e komandantit të flotës. Ashtu bëri. Në pritje të procedurave zyrtare, u sistemua me punë të përkohshme në Ministri të Mbrojtjes. Të paktën kështu i thanë. Ndërkaq, ne vazhdonim të jetonim në Vlorë. Në hyrjen dy e kuzhinë te godina dykatëshe, që quhej ndryshe shtëpia e çifutit. Banonim në katin e dytë të saj, në të parin ishte familja e njërit prej këshilltarëve sovjetik të Pashalimanit. Një muaj nga largimi i babait, u sëmur Sokoli, vëllai i vogël dhe mjekët rekomanduan për t’i ndërruar klimë. Me njerëzit që njihnim siguruam një banesë në Pogradec. Aty shkoi nëna me Sokolin. Unë erdha te gjyshja në Tiranë. Si u mbushën disa ditë, babai shkoi për t’i marrë. Duke u kthyer nga Pogradeci konstatoi se e ndiqnin nga prapa. E kuptoi se diçka nuk shkonte…

Pra, e arrestuan gjatë kthimit nga Pogradeci…

Babanë e arrestuan 10 ditë pasi u kthye nga Pogradeci. E mbaj mend si tani. Po lozja me një shok në oborr të shtëpisë së gjyshes diku afër gjimnazit “Ismail Qemali”. Një moment trokiti dera e jashtme dhe hyri rrufeshëm një grup njerëzish të veshur me kostume gri. Pa komunikuar fare nisën nga kontrolli i shtëpisë duke përmbysur gjithçka. Pas një ore dolën. Në mos gaboj ishte ora 11 para dite kur u larguan. Në ikje e sipër i thanë mamasë se Temen e kishin arrestuar. Ajo ngriu në këmbë, por nuk deshi ta jepte veten. E pashë që u trondit. Desha ta pyesja, po aty për aty ndërrova mendje. Nuk mund ta kuptoja ç’kishte ndodhur. Të paktën ato çaste. Pa kaluar gjatë morëm vesh se në të njëjtën orë ishte arrestuar edhe xhaxhai, Tahiri. Babanë, siç e mësuam më vonë, e kishin prangosur në zyrën e Beqir Ballukut…

Admirali besnik, që u pushkatua për tradhti

Me një fluks dekoratash për besnikëri të lartë ndaj Partisë dhe atdheut, Teme Sejko, ish-komandanti i Flotës, u pushkatua për tradhti ndaj tyre. Lajmi tronditës për admiralin nga Çamëria, njeriun që ishte shquar në luftimet e Brigadës së Parë Sulmuese dhe kishte shkëlqyer gjatë studimeve në akademitë më prestigjioze të kohës, bëri bujë të jashtëzakonshme. Ishte maji i vitit 1961. Teme Sejko sa kishte mbushur dy vjet në krye të Flotës Luftarake dhe kishte përballuar me dinjitet situatën konfliktuale midis efektivave shqiptaro-sovjetike, në pragun e divorcit me Traktatin e Varshavës. Për suksesin në sprovën e pazakontë ishte shpërblyer me gardën më të lartë në sistemin e armës ku shërbente. E teksa priste të tjera vlerësime për devocionin ndaj detyrës dhe Partisë në pushtet, u gjend befasisht i kryqëzuar, madje me një mal akuzash të padëgjuara kurrë. Në maratonën pafund të seancave hetimore, i kërkohej për të shpjeguar lidhjet me agjenturën greke, jugosllavëve dhe amerikanëve. Pastaj… Admirali Sejko, nuk do ishte më i tillë, por kreu i një “grupi komplotistësh që do përmbyste pushtetin popullor me dhunë.”

Gjithsesi, diktatura nuk e rezervoi fatin e keq vetëm për të, por për tërë rrethin e miqve e të afërmve. Sakaq familja u përfshi nga një kalvar tragjik i pashembullt. I pari u pushkatua, djali i vogël, Sokoli me akuzën se do hidhte në erë Kombinatin e Tekstileve të Beratit. Djali tjetër, u dënua tetë vjet për agjitacion e propagandë. Shpresa  Sejko, bashkëshortja, disa orë pas arrestimit të tij, vrau veten. Nga tërë familja, jeton vetëm djali i madh, Rajmondi, aktualisht emigrant në SHBA.

/marrë me shkurtime nga gazeta Panorama/

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here