Dëshmia/ Selami Omari: Zoi Themeli ia theu dhëmbët babait në sytë tanë

0
700

Gjyshin e pushkatuan dhe të atin e burgosën, për shkak se kishin strehuar në shtëpi ish-kryeministrin Maliq Bushati. Xhaxhai i babait, ish-deputeti Shaqir Omari, kaloi gjithashtu 15 vite në burgun e Burrelit. Selami Omari tregon përndjekjen e egër që përjetoi familja e njohur shkodrane gjatë regjimit komunist, i cili e kishte halë në sy qëndrimin e saj antikomunist dhe ndikimin e madh që gëzonte në mbarë Malësinë e Shkodrës. Megjithatë, edhe pse patën shumë presione, asnjë nuk pranoi të bashkëpunonte me Sigurimin. Kjo rezistencë është krenaria e familjes së tyre sot.

Dëshmia e plotë:

Z.Selami, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?                                         

Kam lindur në 19/11/1943 në Shkodër. Rrjedh nga një familje e vjetër shkodrane, familje jashtëzakonisht e pasur, çdo gjë e fituar me djersë, me punë. Në ’45-ën, na gjeti jashtëzakonisht ngushtë situata: xhaxhai i babait ishte deputet nga viti ‘39 deri në ’43 të atij sistemi, siç quhet periudha e kolaboracionit. Duke qenë një familje e pasur, një familje e madhe, filloi persekucioni jashtëzakonisht i egër. Babai, në vitin 1944, mori ish-kryeministrin e Shqipërisë, Maliq Bushati, në shtëpi, 369 ditë, për 72 orë u tradhtua ai, u pushkatua. Dënimin nuk e mori babai, veprën e kreu babai, po dënimin e mori gjyshi “se e kam strehuar unë”. Shaqir Omari ishte deputet, u dorëzua në 1947 me një lloj amnistie, u dënua me burgim të përjetshëm, ka bërë nga’47-ta deri në ’62-shin domethënë 15 vjet ka bërë në burgun e Burrelit komplet. Babain e dënuan, mbasi veprën e mori gjyshi. Ka bërë burg në kampin e Bedenit.

Në çfarë viti u dënua babai?

Të gjithë janë dënuar në ’46-tën, babai, gjyshi dhe xhaxhai i babait.

Sa vjet burg bëri babai ?

Babai ka bërë 5 vjet burg.

Cili ishte motivi i dënimit?

Motivi i dënimit ishte “strehues i kriminelit të luftës”, siç ishte Maliq Bushati ish-Kryeministri i Shqipërisë.

Në cilin burg ka qenë babai?

Babai ka qenë në kampin e Bedenit, kampi i vdekjes.

A keni kujtime nga babai, çfarë vuajtjesh pësoi në atë kamp?

Unë di që kur kanë ardhur në shtëpi, për të kontrolluar shtëpinë se ishte informacioni se Maliq Bushati ndodhej në shtëpi, një kriminel i luftës, një Zoi Themeli që ka vdekur sot, aty edhe ai ia ka thyer dhëmbët babait në prani të gjithë pjesëtarëve të familjes, me pistoletë dhëmbët e poshtëm të tërë.

Në sytë e familjes, e goditi?

Brenda në familje, brenda në shtëpi, thoshte: “Nxirre Maliq Bushatin se e ke në shtëpi, kemi informacione”. Babai nuk e denoncoi, ishte në shtëpi, ka ndenjur në shtëpinë tonë.

A tregonte babai për burgun?

Jo. Babai ka vuajtur më shumë se të tjerët të fisit se ishte pak kokëfortë e i pabindur. Edhe bënin përpjekje që ta fusnin në organet e Sigurimit babain, e thërrisnin se hynte e dilte jashtëzakonisht, se kishte lidhje jashtëzakonisht me malësorët e Malësisë së Madhe, pasi xhaxhai i babait kishte qenë debutet i Malësisë së Madhe, i zonës së Kastratit.

Regjimi bënte ç’ishte e mundur që ta bënte bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.

Po.

Çfarë metodash përdorën?

Ata e thërrisnin shpesh në Degë, e rrihnin, vinte me kokë të enjtur, rrinte, nuk fliste absolutisht. Vonë, pastaj, edhe kur kanë dalë në pension, prapë ishte një Xhaferr Rraboshta shef i Sigurimit i Divizionit të Korpusit, mundohej përsëri për ta bërë bashkëpunëtor se kishte jashtëzakonisht influencë te malësorët e Shkodrës .

Gjyshi i pushkatuar, babai në burg, xhaxhai në burg. Si shkoi jeta e familjes suaj?

Jeta  ka shkuar jashtëzakonisht e vështirë, vetëm na ka ndihmuar një pjesë e malësorëve që na kanë sjellë një misër, na kanë sjellë ndonjë mish a diçka tjetër andej.

Ishit në gjendje shumë të keqe ekonomike?

Jashtëzakonisht. Kemi vuajtur për bukën e gojës, madje babai ka punuar roje kuajsh natën se nuk i jepnin punë absolutisht. Sidomos Këshilli Popullor i Lagjes, tek Omarët, ka bërë një luftë të egër klasash, jashtëzakonisht, duke qenë edhe shtëpi e madhe, influencë me meshkuj të bukur, me vajza të bukura.

Ju vetë çfarë pune keni bërë?

Unë kam kryer shkollën e mesme, kam kryer Insitutin Pedagogjik 2-vjeçar, periudha e politikës sovjetike ku lufta e klasave kishte ato oshilacionet, uljet dhe ngritjet. Kam kryer Insitutin Pedagogjik. Ne, 10 vetë, nga 500 vetë, nuk kemi marrë 3 mijëlekësha, quhej bursë ajo, me Tanush Mulletin, me Mirah Pogon, me Gëzim Danin, të sëmurë aty. Më kanë caktuar në Tropojë, kam shërbyer 3 vjet e gjysmë, nuk më kanë dhënë dokumentet, më kanë thënë “hajde prapë në Tropojë” edhe e kam lënë pastaj arsimin unë. Kam punuar punëtor tek studimi i ujërave deri në 2005- ën, deri kur kam dalë, në ’90-ën, u bërë specialist demek.

Deri në ’90-ën keni qenë punëtor?

Po, punëtor.

Si i keni përjetuar momentet e ardhjes së demokracisë në Shqipëri , në vitet ’90?

Për Zotin, entuziast kam qenë, po me thënë të drejtën, mbasi shërbeva në Tropojë, e njihja jashtëzakonisht atë zonë, sa andej- këtëj edhe nuk e di çfarë me të thënë, nuk kam qenë optimist shumë.

Pse nuk ishit optimist?

Isha shumë optimist, por pronat na i grabitën e na lanë fukara prapë.

Mbetët në gjendjen e mëparshme?

Pak më mirë diçka, me liri, me të tëra, me të gjitha. Është marrë një pasuri mbi 500 dynymë në sektorin e izoteknikës.

Jeni i martuar, keni familjen tuaj?

Jam  martuar vonë se s’na jepnin vajza, luftë klasash.

Tani, jeni sistemuar? Çfarë ndjeni për të kaluarën e familjes?

Po, po pjesëtarët janë  të trajtuar, të rregulluar se mbiemri ecën, por kemi pasur një gjë, që nuk jemi bërë punojës të Sigurimit si fis. Kjo është krenaria e familjes sonë.

Nga arkiva e familjes Doko

Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here