Dëshmia/ Bahri Çeprati: 17 vjeç në kanalin e Vlashukut

0
315

I ati dhe xhaxhai, dy nga eksponentët e Ballit Kombëtar për Vlorën, u pushkatuan nga regjimi komunist. Bahriu, sapo mbushi 17 vjeç u arrestua dhe për më shumë sesa tre vjet provoi vuajtjet e kampit të Urës Vajgurore dhe mbi të gjitha, të Vlashukut, ku ushqimi ishte me krimba, uji i turbullt dhe kanali ku punohej, 18 metër i thellë. Një dëshmi për sjelljet çnjerëzore të oficerëve dhe operativëve, por edhe për humanizmin dhe burrërinë e shokëve të burgut

Z. Çeprati kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur në 1933-shin. Familja jonë ka qenë nga fshati Çeprat. Stërgjyshi ynë, Mustafai, ka qenë i shkolluar dhe ka qenë me punë në Shkup.

Në luftën e dytë botërore që u bë tani, këta morën pjesë anti fashizmit në organizatën e Ballit Kombëtar. Të dy: babai im dhe Muçoja, xhaxhai. Vijnë për t'u regjistruar në organizatën e Ballit Kombëtar se Balli Kombëtar nuk ka qenë parti, ka qenë organizatë. Në shtëpinë tonë vijnë Nuredin Vlora, Skënder Muçoja dhe të tjerë, por mbledhja u bë në një fshat, Trevëllazër quhet ai, fshat i madh, 150 shtëpi atëherë dhe u mblodhën nga gjithë krahina. Aty u zgjodh Këshilli Krahinor. E gjithë krahina ishte e Ballit Kombëtar, që nga Kanina në Vjosë, por fshatrat më të fortë kanë qenë Trevëllazër, Çeprat, Oshtimë, Cerkovinë. Këshilli Krahinor zgjodhi komandantin e batalionit të Ballit Kombëtar për krahinën sepse Balli Kombëtar ka pasur një organizim ndryshe nga partia: të gjithë i kanë pasur komandantët nga vendi, kurse ai i merrte i çonte nga Vlora në Mallakastër ose e çonte në një krahinë tjetër. Komandant i Batalionit u zgjodh një Qazim Muharremi, nga Trevëllazër, që u vra në luftë kundër italianëve se këta e kanë harruar historinë, thonë që Balli ka bashkëpunuar, s'është e vërtetë. Komandanti i çetave ka qenë Muço Çaprati, xhaxhai, kurse babai im kryetar i Këshillit Krahinor dhe anëtar i Komitetit Qarkor.

U bë dhe komisar batalioni. U vra ky komandanti në luftë kundër komunistëve, ka qenë shumë trim, nga Oshtima, ky Sali Xhaferaj. Edhe ky na vritet, zgjidhet prapë nga Trevëllazër komandant i batalionit, Hysen Çobo.

Për çfarë vitesh bëhet fjalë?

Filloi nga fundi i '43-shit deri nga fundi i '44-ës, u bënë të gjitha këto që them unë. U vra Skënder Muçua këtu në Vlorë. E vranë gjermanët, por kishin dorë dhe izvorotët, izvorotët nuk e donin këtë, donin të ishin vetë. Edhe Isufi. Ky ka qenë komisar politik për gjithë Jugun, avokat, Skënder Muçua. Kur vrasin dhe Muçon, këtu mori një goditje i gjithë Balli, u ça, sepse izvorotët ishin komplet të lidhur me gjermanët edhe bënë internime me vend e pavend. Në 400 veta që internuan,4-5 ishin komunistë, të tjerët, merr edhe...Historikisht, në Izvorot nuk kanë qenë atdhetarë, kanë punuar gjithmonë me armiqtë. Po dhe kaniniotët e kanë pasur këtë. Në vrasjen e Skënder Muços ka marrë pjesë edhe Isuf Luzaj. Ja pse...Isuf Luzaj mori 12 mijë napolona nga Regjenca. Mirë që i mori këto, po ku i ke? Iu bë gjyqi në Llakatund, se nuk iu thashë. Llakatundi ishte zonë e Ballit, atje ishin dy juristë: Skënder Muçua dhe Kudret Kokoshi. Këta të dy e gjykojnë dhe marrin masa: përjashtim nga Balli, fajtor! Kur del te dera,  "Do ma paguash shtrenjtë!", i tha Isufi.  Atë ditë, se babai im e ka dashur shumë këtë Skënderin, ishte njeri i mirë, patriot, demokrat, nga Tragjasi, kur vijnë në shtëpi nga Llakatundi, kthehen, thotë babai: "Kujdes, do ta vrasë, janë të rrezikshëm kaniniotët". Si përfundim, i thotë kryetari i Komitetit të Ballit, Sadik Shaska, se ishte organizatë Balli. Ky ka qenë zogist, deputet i Zogut ky Sadiku, po ky Skënderi kishte mbesën e Sadikut grua: "Deri sonte, të garantoj, nesër po të kapën...". Ikën ky! Ç'bëjnë këta? I bëjnë një letër me një nga Dukati, i vënë pistoletën në kokë: Shkruaj! I thonë Skënder Muços: "Nuk ke gjë në Vlorë, hajde!". Një ta kapur gjermanët, e vranë! Aty mori një goditje Balli. Me izvorotët vanë ca që ishin me gjermanët, italianët. Atëherë e kam dëgjuar vetë babanë që Balli mori të tatëpjetën me vrasjen e Skënderit, sepse Skënderi kishte lidhje me Misionin Britanik. Pas 10 ditësh, do vinin anglezët në Dukat, do bënin luftë kundër gjermanëve dhe kundër partizanëve. Kjo dështoi dhe kapitulluan këta. Tani, në '45-ën, në Itali, më 14 shtator, me rastin e përkujtimores së Hysni Lepenicës bëhet një mbledhje. Në atë mbledhje, merret vendim që të vritej Vizhdan Risilia, prefekt i gjermanëve, i Ballit, po bashkëpunonte me gjermanët, punoi për së prapthi. Edhe u vra. E vrau Hasan Lepenica, Vizhdan Risilinë, për hakmarrje të Skënder Muços. Tani, në fund, këtu në Vlorë, me atentat, komunistët kanë vrarë Hazis Sharrën. Dha urdhër Enver Hoxha të vritej Skënder Muçoja. Jo, tha Hysni Kapo, se po të vritet Skënder Muçoja, Haziz Sharra e bën naa Vlorën, se ishte shumë trim. "Të vrasim Hazizin!".

Çfarë ndodhi me babanë dhe xhaxhanë tuaj pasi komunistët morën pushtetin?

Mbasi këta erdhën në fuqi, u arrestua babai im dhe u dënua me vdekje. Në fund të '44-ës. Sa erdhën komunistët, e arrestuan. Kurse Muçoja, iku, u arratis, shkoi në Greqi. Duke lexuar gazetat që është dënuar me vdekje, erdhi këtu, të vriste nja dy a tre nga ata që e kishin akuzuar, pa të drejtë.

Si e quanin babanë?

Hamdi Çeprati.

E nxorën në gjyq?

E nxorën në gjyq dhe është dënuar vetë i 11-të dhe këtu është pushkatuar, në Bisht të Kallamit.

Cila ishte akuza?

Akuza ishte që ish organizator i krahinës, eksponent i Ballit dhe komisar politik për krahinën...."Ju e keni mbajtur krahinën kundër partisë", ja kjo, ishte e babait. Xhaxhai si mori vesh për babanë tim, erdhi këtu të vriste nja dy a tre nga ata që e dinte që kishin akuzuar, që kishin përgatitur këtë kurthin, por ata e dinin këtë gjë dhe u mbyllën brenda. Iku ky më vonë, u bashkua me Abaz Ermenjin dhe deri në fund, që erdhi për herë të fundit ishte me Abaz Ermenjin. Aty në Greqi, kishte problem Abaz Ermenji: grekët i kërkonin një dokument për Vorio Epirin si eksponent i Ballit, kuptohet. Ai nuk e pranoi. "Kush del vullnetar, të takohet me Mid'hat Frashërin, të bëjë çmos se mua do më vrasin grekët". Ka dalë Muçua, ka dalë një nga Ermenji, Baki Ermenji, biles ky e ka pasur shok, me atë ka ardhur herën e fundit kur u vra, Tofik Kokla dhe Ali Trebjova. Kanë qenë një grup ata. Kam dhe fotografi që kanë dalë së bashku.

Xhaxhai u rikthye në Shqipëri?

Po, ka ardhur në nëntor të '51-shit. U plagos rëndë. Piu helmin, e volli. Kish ardhur dy-tri herë në Shqipëri. Çdo mision e kishte kryer me sukses, por herën e fundit u plagos rëndë. I kërkon shokut ta vriste, na tregonte shoku që erdhi. "S'më bën dora të vras ty", i tha. Piu helmin, helmin e volli. E morën, e çuan në spital. Kadri Hazbiu ishte zvministër. "Tregohu i sinqertë, i tha, të fal jetën". -"Po më fale jetën, kam vdekur; po më vrave, jam i gjallë", i tha. Këtë, ma kanë thënë shokët që kanë qenë bashkë me të. Unë atëherë, kur u vra ky, kam qenë në burg. Edhe kur erdhi që andej, se unë jam burgosur në '50-ën. Nga fundi i '53-shit kam dalë.

Kur e arrestuan xhaxhanë?

Në nëntor të '51-shit. Në 4 janar të '53-shit e kanë vrarë.

U dënua me pushkatim?

Tri herë i dënuar me pushkatim. E kishte gazeta se morëm gazetën: për pjesëmarrje në luftë kundër partisë, për aktivitet, edhe të tjera...tri herë.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj pasi u vra babai?

Si u vra babai, ne u shpronësuam.

Gjyshërit kur i internuan?

Në '45-ën. Erdhën ata që quheshin Mbrojtja, të Sigurimit, nuk ishte polici ajo, kishte një emër tjetër, edhe: Duam në internim familjen e Muço Çepratit. Gjyshin e morën në burg se e burgosën gjyshin, kurse gjyshen edhe dy çupat i morën në internim.

Ju vetë mbetët në fshat?

Unë kam qenë 12 vjeç. Ne mbetëm në fshat.

Si rodhën ngjarjet?

Shumë të këqija. Mua më morën në burg në '50-ën. Familja jonë punonte argat nëpër vëllazërinë tonë, nëpër fshat, me mëditje. Kur kam hyrë në burg, kam qenë 16-17 vjeç.

Si ishte momenti i arrestimit?

Isha në Vlorë dhe do shkoja në Çeprat. Në rrugë më arrestuan dhe më dënuan pastaj. Dënimin e kam marrë 5 vjet pa të drejtë të votoja dhe ushtri s'kam bërë. Edhe punë, jo.

Sa kohë qëndruat në birucë gjatë hetuesisë?

Shumë pak, mund të them 10-15 ditë, një dënim special, kuptohej ishte një dënim kot ai.

Cila ishte akuza?

"U ke thënë fshatarëve: mos shlyeni detyrimet se për një muaj vijnë amerikanët".

Ju dolën dëshmitarë?

Jo, jo asnjë. Vetëm një. I fshatit. "Ky, tha, këtë punë bën". Të tjerët nuk pranuan.

Ju dënuan vetëm me një dëshmitar?

Po, edhe pa dëshmitarë fare të dënonte ai.

Si ishte përballja e parë me burgun?

U sëmura sapo vajta atje, se mund të duronin edhe më shumë, por për fat të keq ose të mirë, u sëmura nga paratifoja. Më çuan në spital edhe thanë: ky do vdesë. Kur erdhi, i thotë roja: Ky është shumë i sëmurë. "Të vdesë, vëlla". I kujt je ti? I Hamdi Çapratit. Aty të vdesësh. Të nesërmen...Drejtor burgu ishte një nga Skrapari, Kamber Halilaj. Ky Kamber Halilaj e zbatonte pikë për pikë rregulloren dhe po të ishe sëmurë, të çonte të vizitonte. Kur vete atje, thotë doktori: kot që e ke prurë, ky është i vdekur. Kur shkoj atje, tha: -Ka para ta çojmë me karrocë? -"S'kam asnjë lekë unë". -Çojeni në burg! Një shok, nga Dukati, dëgjoi. Sa para do?- tha ai.-150 lekë! Për 150 lekë kam shpëtuar unë. Pagoi karrocën. Që të shkoja nga burgu në spital. Burgu është këtu lart te Bashkia. Kur kam vajtur atje, më vizitoi doktori, po ky doktor ishte miku i babait tim.

Si quhej doktori?

Ishte një doktor, Bakalli, quhej. I thotë një shokut tim... ishte në allçi, shoku. Kishte bërë 6 muaj hetuesi, dënuar me vdekje, iu fal jeta, por në allçi në spital. "Ky sonte mbaron. Po shpëtoi sonte, shpëton." Këtë e dëgjova vetë. Kur në 4.00 të mëngjesit, ai erdhi aty dhe më qëlloi me pëllëmbë: "Ia hodhe", tha. 27 ditë atje në spital. Erdha aty pastaj, kisha shok të babait që nga '44-a që erdhën, kisha kushërinj.

Mbani mend emra nga shokët e burgut?

Kanë qenë Ajazajt e Dukatit, ka qenë Pasho Muhameti nga Trevëllazërit, Brahim Çeprati, një kushëriri ynë, Bexhet Çeprati, ka pasur dhe të tjerë...nga Sevasteri, ai Bexhet Shehu, Shaqo Shehu, Arshi Grabova, Shaqo Grabova, ishin shumë se nga Sevasteri ka pasur shumë në burg dhe nga Dukati se fshat i madh dhe... kanë qenë me Ballin këta, edhe Sevasteri, edhe Dukati. Se ka qenë Çeprati, po Çeprati pesë shtëpi ishin, fshat i vogël.

Kush ishte gjykatësi juaj?

Ka qenë Shefqet Mushi. S'jeton sot se atëherë ishte 50 vjet ai, mos më shumë. Ka qenë edhe një nga Smokthina pastaj, Lavdosh Zaçe, edhe ai ka vdekur. Kanë vdekur të tërë ata se ishin të mëdhenj.

Në cilin burg ju çuan pasi morët dënimin?

Në burgun e Vlorës.

Ku ju çuan më pas?

Në kamp. Në kampin numër 1 në Berat. Atje kam njohur këta kolonjarët, Xhafer Butkën, Emëror Kolecin, Tefik Selenicën edhe shumë të tjerë që nuk më kujtohen emrat. Ka pasur shumë nga Kolonja. Kolonjarë dhe shkodranë kishte shumë. Kishte nga të gjitha rrethet. 1500 veta ishim aty.

Ku ndodhej kampi?

Jashtë Beratit. Në Urën Vajgurore.

Për çfarë punonit?

Për fushën e aeroplanit. Kur shkon rruga për në Berat, në krah të majtë.

Sa qëndruat në atë kamp?

Aty, ndenja nja 6 muaj, pastaj na çuan në Vlashuk. Atje në Vlashuk, kemi hequr keq, atje ka qenë tmerr.

Si ishte puna në Vlashuk?

Vlashuk ishte kanali 18 m i thellë. Pastaj u hap dhe u bë tunel, por ia hoqën dheun se po ta gërmonin, binte dheu. Inxhinierët e dinë atë. Ky bëhej për të tharë kënetën, e Thanës, quhej.

Cilat kanë qenë disa nga momentet më të rënda në kanalin e Vlashkut?

Atje ka qenë tmerr, në Vlashuk. Ja pse ta them: nja një muaj ne ishim pa drita dhe me të perënduar dielli, ne na fusnin brenda. Sikur të dilje përjashta, të vriste ai. Ujë merrnim nga lumi. Ki parasysh lumi e kishte ujin të turbullt, e merrnim, e çonim nëpër kova, nëpër gaveta, nëpër qypa, që kullonte, që pinim ujë. Vinte me pompë, por vinte i turbullt. Ti laje duart, atje unë do vija do pija ujë, nuk kisha çfarë të bëja. Ja unë kam ndenjur katër ditë pa ujë, pa pirë ujë. Pa pirë ujë, unë kam ndenjur katër ditë pa pirë ujë. Kur kam pirë një gavetë, kanë qenë ato gavetat italiane, vrrr më shkriu trupi.

Sa veta ishit në kampin e Vlashukut?

Mbi 1200-1300 veta ishim. Doktor kemi pasur doktor Isufin. Atij i duhet bërë lapidar në çdo qytet. Unë jetën nga ai e kam.

Pse ia detyroni jetën doktor Isufit?

Sepse isha sëmurë dhe më dha raport që me ligjin e atyre, nuk të jepej raport për punë të lehtë dhe ky ndërhyri atje në komision. "Ky është i sëmurë", tha. Edhe më dha raport për punë të lehtë. Puna e lehtë ishte të hapje dhe me lopatë, lart në...jo poshtë në kanal. Atje hapja dhe unë. Puna më e lehtë ajo ishte.

Ka pasur aksidente?

Ka pasur aksidente. I binte guri në kokë, vritej.

Burgun e mbaruat në Vlashuk?

Atje jam liruar.

Si ishin kushtet brenda kapanonit?

Ata kishin bërë për shembull një shtrat tej e tej me dërrasa. Dy. Një nja 30-40 pont nga toka. Edhe njëri mbi të. Po kishe rroba vetë, të flije, mirë; po s'kishe, në dërrasa. Kishte njerëz që flinin dhe me ato thasët e çimentos, i shtronin. Qeveria s'të jepte gjë. Në qoftë se të dërgonte familja. Po të mos dërgonte, nuk kishe.

Ushqimi si ishte?

Jo i mirë. Bullgur, grurë. Kishte raste që ishte dhe me krimba. Ujin do ta merrnim, do ta çonim në një enë që të kullonte, që të pinim ujë.

Cilat ishin ndëshkimet kur nuk realizonit normën?

Të linin pa bukë, të lidhnin pas shtyllës. Ai bënte normën se mendonte që në qoftë se nuk e bëj, do lidhem pas shtyllës aty se ishte shtylla, binte shi, borë, aty do rrinte.

Operativi i kampit si sillej?

Operativi, shumë i tmerrshëm. Nga Kardhiqi i Gjirokastrës ishte. Kaq ishte dhe turinjtë si urith i kishte. Adem e quanin.

Po banorët rreth kampit ku punonit si ju shikonin?

Ata ishin shumë të mirë, ata të Vlashukut. Më kujtohet mua kaluam një herë aty, ishim të burgosur. Kish një man të madh, ai. E tundi atë manin. "T'u jap nga një dorë mana këtyre", i tha policit. "Jo", i tha ai. "Po pse o, i tha, shqiptarë janë dhe këta", i tha. "Rri rehat se do të biem te këta". Nuk ishin të këqij ata, silleshin shumë mirë. Ne nuk na lidhte puna, por që s'e kishin zemrën të keqe.

Kishte bashkëpunëtor të Sigurimit në kamp?

Po, kishte aty. Kishim që edhe bashkëpunonin.

Ju ofruan të bëheshit bashkëpunëtor?

Mua asnjëherë s'më kishin folur. Kurrën e kurrës. Që të më thoshin: hajde. Pastaj ata kishin një gjë: kapnin origjinën, kapnin karakterin. Se unë bëja muhabet me ty, ti shkoje ia thoshe. "O, me atë, mos e bëj llaf dy herë", thoshte ai. Nga Vlora, ne mund të kishim nja dy-tre. Gjirokastra kishte shumë. Gjirokastra, kish Myzeqeja, Durrësi, kurse më të vendosur ishin shkodranët, vlonjatët dhe kolonjarët. Jo Korça e gjithë, kolonjarët. Kolonja.

Kur u liruat?

Në fund të '53-shit.

Sa zgjati dënimi?

Tre vjet e gjysmë.

Ku keni punuar pasi përfundoi periudha e dënimit?

Në ullishte, punëtor krahu.

Vijoi përndjekja ndaj jush?

Na hoqën nga qyteti na çuan në fshat, në Çeprat. Në '66-ën. Pa të drejtë votimi, në mbledhje nuk merrnim pjesë. Vetëm punë, edhe shtëpi.

E ndienit se survejoheshit?

Po, po kuptohej se vinte operativi përditë. Vinte operativi. Atë punë kishte ai. Raportonte.

Me çfarë jeni marrë pas rrëzimit të diktaturës?

Që kur erdhi qeveria demokratike, u zgjodha kryetar i seksionit të të persekutuarve për krahinën, kur u bënë zgjedhjet e tjera, anëtar i kryesisë për rrethin e Vlorë. Plus kësaj u formua dhe partia e Ballit Kombëtar. U zgjodha nënkryetar i Kryesisë së Vlorës, në fillim. Me aktivitet. Nuk më dilte koha të bëja punë tjetër. Kemi punuar mjaft.Në të gjitha vendet kemi vajtur. Në Kosovë. Në Përmet. Jam habitur atje në Përmet se kisha mendime të ndryshme. Një popull fisnik. Ne shkuam për dekorimin e Mid'hat Frashërit.

Jeni i kënaqur me zhvillimet gjatë periudhës së demokracisë?

Kjo kohë me atë kohë, si nata me ditën, por ka shumë mangësi. Mangësia e parë është që në një punë, që duhet të ishe ti, ose unë, është ai që ka qenë dje. Ajo është e papranueshme. E dyta: Se Balli Kombëtar ka qenë për Reformë Agrare. E ka bërë Mid'hat Frashëri. Por reformë agrare, jo të ketë një 500 dynym, një tjetër 5, po duhet të kishte një lëvizje të popullatës. Për shembull marrim Dumrenë e Elbasanit, populloje atë. Hiqi ata që nuk kanë tokë në fshat, për shembull në Çeprat, ose në Kaninë. S'ke tokë? Hajde: 500 dynym këtu, 5 ha, të shpërndahet e barabartë. Ka një diçka tjetër që nuk kanë vajtur ashtu si duhet gjërat që kanë qenë të dëmtuara nga ai sistem. Të shpërbleheshin. Për shembull po të marrim të persekutuarit. As të babait nuk kam marr unë, as të miat, paratë. Një tjetër ka marrë 10 milionë, 15 milionë, por bëj një rregull. Po kush e bën? Një fajtor, ndëshkoje! Ti mos e vrit, por mos e lër që ta bëjë lëmsh. Por ka mangësi shumë, edhe në këtë krahun tonë, ka shumë.

Nga arkiva e familjes Doko

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here