Altin Gjuzi: Një fëmijë i lidhur me zinxhirë mes qytetit

0
314

Sistemi komunist në Shqipëri ishte i pamëshirshëm me këdo që për të ishte një armik politik, madje edhe me fëmijët. Historia e Altin Gjuzit tregon se ky sistem shkelte dhe ligjet e tij. U dënua kur ishte minoren, 15 vjeç. Gjyqtari Urim Bejleri i dha 11 vjet burgim, edhe pse prokuroria kërkoi vetëm 3 vite për tentativë arratisje.

I kapur 200 metra në tokën jugosllave, bashkë me një shokun e tij 18 vjeçar, Altini i shpëtoi për pak pushkatimit. Për ta ishte rezervuar një “vrasje” më e ngadaltë. Të dy u tërhoqën të lidhur me litar në mes të Pogradecit një javë rrjesht që t’u futej frika njerëzve që të mos guxonin të kalonin kufirin.

Më pas, kaloi muaj të gjatë torturash në hetuesi, për të zbuluar “grupin armiqësor” që fshihej pas arratisjes së tyre për të përfunduar si i dënuari më i vogël në kampin e riedukimit më të tmerrshëm të viteve të fundit të diktaturës, Qafë Bari.

Kujto.al sjell dëshminë e Altin Gjuzit. Si u arrestua kur ishte vetëm 15 vjeç dhe si njohu torturat e punën e rëndë në galeritë e Qafë-Barit. Në atë moshë ai pa me sy vdekjen, kur miku i tij, Ndue Deda, vdiq nga puna në minierë pasi shefi i togës së policisë Ludovik Cali e urdhëroi të dilte në punë të sëmurë rëndë. Altini jetoi ferrin në vitet më të bukura të jetës...

Si jeni arrestuar?

Historia ime fillon nga viti 1986. Ishim një grup çunash. Në atë kohë ishte shumë e vështirë të realizohej arratisja, sepse mund të thoshe “do ikim, do ikim”, por atëherë çdo gjë ishte politike. Të gjithë merreshim me sport dhe e shihnim që këtu nuk kishte të ardhme, zgjidhja e vetme ishte të iknim, sepse nuk pajtoheshim me sistemin. Për shumë ditë, ne menduam metodat e ndryshme për të ikur nga liqeni. Grupi përbëhej nga 10 veta. Disa do iknin nga Peshkopia, ne do iknim nga Librazhdi.

Si ishte dita e arratisjes?

Dita e arratisjes ishte 1 gusht 1986. Ishim katër veta që do iknim. Gjatë ecurisë, menduam që na kishin spiunuar. E pritëm deri në 6 të mëngjesit një nga shokët, nuk erdhi dhe menduam që na kishte ndodhur diçka. Mundësia jonë ishte të iknim sa më shpejt nga Tirana. Morëm trenin, ikëm në Durrës. Në Durrës, e kishim lënë me Arbenin. Arbeni, në vend të hipte te treni ynë, hipi në tren tjetër. Ne ikëm për në Elbasan, ai iku për në Fier dhe nuk u puqëm. Nga Elbasani në Librazhd e kemi bërë në këmbë. E pamë që kishte shumë polici në Librazhd, morëm trenin të nesërmen, u nisëm në Pogradec. Në Pogradec takuam dy persona. Njërin e njihnim në Tiranë, tjetri ishte vendali dhe e pyesnim sepse nuk ishim fare të orientuar. Ne e kishim marrë vendimin që do iknim, por nuk dinim si dhe e pyesnim: “Kufiri qenka afër, nga iket?” Donim të merrnim informacion. Ne kishim ardhur nga Tirana, pa rroba banje. I them njërit për provokim: na merr një palë rroba banje, të bëjmë not. Ishte ora 10.00 e mëngjesit. Pastaj i thashë shokut tim, hajde sepse ai na ka spiunuar, ngaqë ne po e ngacmonim shumë dhe ashtu ishte, ai e kishte bërë denoncimin, ishte në akt-akuzë. Ishte pogradecar. Ne u nisëm, në këmbë, në Prrenjas. Gjatë rrugës nuk ishim bashkë dhe shihnim makinat e policisë, xhipat e ushtrisë. Po ne ecnim një para, një prapa, ai me bukë, unë me bukë, sikur ishim fshatarë, që po merrnim bukë, po e çonim në katund. Kemi arritur në 6 pasdite, në fshatin Lin. Ku është rruga që ndahet për në Prrenjas. Pamë Këshillin, ku bëheshin mbledhjet, nuk kishte njeri. Aty pamë luginën poshtë. Ecëm në luginë. Pamë klonin. Pritëm sa të errësohej, dy orë. Pamë që nuk kishte njeri. Pamë dhe një fshatar që mblodhi bagëtitë. Ishte ora 8 e gjysmë, 9 e darkës. U menduam shumë: të bënim gropën, që të kalonim poshtë që mos të na kapnin telat sepse sinjalizonin alarm, apo të kalonim sipër. Por një person sipër klonit nuk kalonte dot, sepse ishte në formë T-je dhe kur kapeshe, binte rrjeta. Ne ishim dy persona të vegjël, me trup mesatar. Dhe e kaluam, kur njëri kalonte, tjetri e mbante sepse ajo duhej të rrinte në pozicion dhe kur hipi tjetri, e mbajti tjetri, por aty dha sinjal. Aty filloi arratisja. Kur po iknim, ushtari i kullës së vrojtimit, kishte zbritur poshtë. Ne dy fëmijë, shoku 18 vjeç, unë 15. Ai nuk na ndaloi, na pa, uli kokën. Ne ikëm, kaluam piramidën, Shqipëri-Jugosllavi, piramida ishte e vogël. Aty u çliruam sepse pamë dritat dhe bëmë një vrap të paparë, por ushtari kishte radio që informonte postën. Ne në të vërtetë kishim bërë sinjalizimin nga kloni, por ata nuk e dinin ku ndodheshim. Territori i pritës ishte brenda tokës jugosllave. Filluan të gjuanin nga krahu i Shqipërisë. Ishin 4-5 veta. Por nuk ishte errësirë e plotë, kishte hënë, ishte verë. Ne u shtrimë, sepse ata gjuanin kot dhe u ndamë në dy drejtime të ndryshme, aty pamë që ishin bërë gardh.

Aty kam parë që ushtarët, oficerët, pasi na kapën, grumbulluan gëzhojat në batanije që mos të linin gjurmë në shtetin jugosllav. Këtu fillon poshtërsia e shtetit shqiptar. Në tokën jugosllave, ata mund të bënin çfarë të donin sepse jugosllavia kishte vetëm një postë, nuk i interesonte të ruante kufirin. Aty filloi masakrimi. Më ka rënë të fikët. Jemi lidhur me tela me gjemba, na lëshuan qentë dhe na morën zvarrë rrugës, që të dilnim sa më shpejt nga toka jugosllave. Nga aty deri te posta, nuk e di sa minuta apo sa orë zgjati. Në postë, filloi një masakrim, një rrahje, sepse kishin kapur armiqtë e popullit. Mund të më ketë rënë të fikët mbi 5 herë. Nga posta e Pogradecit ishim direkt për pushkatim. Erdhi toga e pushkatimit, ishin 6 ushtarë, na futën në makinë, na çuan para fshatit Lin dhe prisnin urdhër nga Pogradeci sepse shumica e byrosë bënin pushime në Drilon. Plus asaj na kanë mbajtur 3-4 orë aty, na gjuante populli me gur, me domate, na shanin. Ne ishim kriminela.

Vjen aty Hekuran Isai, ministri i Brendshëm, unë nuk e njihja. Vjen kur ne do ekzekutoheshim. Më ka pyetur: “Kishit njeri?” “Jo”, i thashë. “Sa vjeç je?”, më tha. “15 vjeç”. “Mos më gënje!”. i thashë pastaj 18. Nuk dija çfarë t’i thosha, t’i thosha 15, thashë po më heqin qafe, sepse nuk donin ata 15-vjeçarë, 18 isha krah pune. Në çast të fundit, nuk e di si e dha Zoti, na çuan në Degën e Pogradecit. Sa hipëm në makinë, filloi rrahja. Unë isha i çarë nga qentë. Në Pogradec nuk na kapën me dorë, sepse po të na rrihnin, unë isha i mbaruar. Në Pogradec, ka qenë ditë jave, na nxorën në mes të qytetit, të lidhur me litar. Mendova, të keqen më të madhe të pushkatimit e kalova. Tani të shkojë ku të shkojë. Na mbajtën deri ditën e diel sepse të dielën popullohej qyteti, vinin nga Tirana dhe duhet të tregonin që kishin kapur kriminelat. Na shanin, “kriminel”, “armik i popullit”. Kishte qytetarë që u vinte keq, kishte maskarenj, që na shanin. Mua nuk më interesonte. Doja të mbaronim, të më çonin në birucë të shtrihesha. Pas dy ditësh, na morën, ishin policë të mirë, na çuan në Tiranë.

Altin, gjatë hetuesisë, ju kanë torturuar?

Në Tiranë kisha dy hetues, më maskarenjtë: Maks Ostreni, Fatos Trebeshina, që i mbaj mend. Mendoja: pse unë dy hetues? Çfarë  kam bërë? Këto nuk ishin ligjet, ishin ligje personale, që i bënin vetë për të ngritur vlerat e tyre, të thoshin që ne luftojmë armiqtë e popullit. Më thanë që do bësh një autokritikë në lagje. Si të thoshe po, si jo, ata e kishin marrë vendimin. Ka qenë data rreth 15 gusht. Më nxorën te Ali Demi. Kishin mbledhur gjithë spiunët dhe gjithë shoqërinë time që më shihnin me keqardhje dhe me frikë mos na nxjerr Altini, por ata kishin jetën e vet, unë timen.

Që aty pastaj filloi hetuesia, ku më futën dhe provokatorë. Kisha gati 4 muaj e gjysmë provokator në birucë sepse ata mendonin që këta dy fëmijë, me siguri kanë folur me të tjerë. Dy hetuesit, që nuk e di sot ku ndodhen, kanë bërë çfarë kanë mundur që të fusin njerëz të tjerë në burg. Masakrim total, dru një herë në tri ditë. Edhe vetë ata gjuanin në zyrë. Hetuesit ishin ordinerë. Ata ishin nga 50 vjeç. Si mund t’ia bëje këtë fëmijës tënd? Unë e mora vesh që ky tjetri ishte spiun sepse kur më merrnin mua, merrnin dhe atë. Pastaj, erdhi dita e gjyqit. Pashë një femër aty, më thanë që kishte ardhur nga ambasada, për mua ishte pa interes sepse më kishin thënë që në hetuesi, do flasësh kështu, kështu, nuk do tregosh që je kapur në tokë jugosllave, kjo ishte baza.

Si u zhvillua gjyqi?

U bë dita e parë e gjyqit. Gjyqtar Urim Bejleri, kryekrimineli. Në bazë të asaj, prokurori, Sokoli, tha: Unë e shoh të arsyeshme të jap një dënim minimal 3 vjet për tentativë arratisjeje. Për këtë gjest e respektoj. Të nesërmen, Urim Bejleri, nga 3 vjet, 11 vjet për mua dhe 12 vjet për shokun tim. Unë pashë sytë e  prokurorit u mbushën me lot. Urim Bejleri e kishte vendosur. Shpirt krimineli!

Ku u dënuat?

Pasi mbaruam këtë, nuk na i hoqën spiunët, sepse o do dënonin të tjerë, o s’ka. Nuk na mbajtën shumë, 15 ditë. Na çuan në kaush, as një javë, pastaj na çuan në Qafë-Bari. Aty filloi terrori i paparë. Ne ishim të rraskapitur, ishim nja 20 veta, çuna të rinj të gjithë, kishim dalë nga hetuesia, njëri kishte bërë 8 muaj, njëri 1 vit. Sa zbritëm, terror i paparë, ishin 15 policë. Mua nuk më prekën, por për të tjerët dhunë e paparë. Më çuan në karantinë. Aty më ra të fikët, sepse as 30 kile nuk isha. Filloi prapë dhuna. Ne nuk na dhunonin sepse ishim armiq të popullit, por na konsideronin skllevër.

Keni punuar në minierë?

Unë isha 16 vjeç kur u futa në burg. Në atë kohë nuk më futën në punë, më lanë në prapavijë dhe në momentin që mbusha 17 vjeç, më futën në galeri, e panë që isha krah pune dhe më erdhi shefi i policisë, Ludovik Cali me gjithë shefin e zyrës teknike dhe më tha: “Altin Gjuzi, këto ditë, kemi ditën e Enverit.” Ç’punë kisha unë? Unë isha armik i popullit për ata, ai më thoshte mua ditën e Enverit. “Do punosh në galeri sepse e kërkon partia”. Po të thosha jo, do më thyenin në mes. Thashë po. Me ligj është 18. Unë pa mbushur 17, në galeri. Një presion i paparë, një dhunë e paparë, një spiunllik i paparë, brenda për brenda nga të burgosurit një maskarallëk, nuk e imagjion dot. Ne e kishim të keqen brenda, kishte njerëz, edhe nga të burgosurit që e dashuronin sistemin. Ne hanim dru për një fjalë goje. Vetëm dhunë, nga Edmond Caja, nga kryekrimineli.

Na tregoni një ngjarje të veçantë që ju ka mbetur në mendje?

Unë punoja në prapavijë. Merrja bukën, u çoja ushqimin të burgosurve. Ne në burg kishim ish-ministrin e Jashtëm Vasil Kati dhe Hamdi Gurabardhin. Ata ishin moshë e madhe, intelektualë, kishim respekt gjithë të burgosurve dhe unë u çoja ushqimin sepse ishin pleqëri. Edhe i ndihmoja, duke qenë që ata nuk punonin, u jepja ndonjë konservë një herë në tre-katër ditë. Vasili e kishte familjen e internuar, nuk kishte kush e shihte, unë isha në një dhomë me të, ai ishte i nderuar. Hambiu kishte ardhur nga Australia, e kishin futur në burg, vetëm që t’i merrnin pasurinë. Edhe për atë të vinte keq dhe i çoja ushqim. Të burgosurit e tjerë më spinuan dhe dru një javë rresht: “kujt i ke dhënë? pse i ke dhënë? ku i more?” Aty filloi druri dhe nuk pushoi më deri sa më thanë që do punoja në galeri.

Kishit menduar për arratisje?

Unë e mendoja përditë. Po thosha “Nga do iki? Me kë do flas?” sepse ishte diçka e tmerrshme, por çdo i burgosur me karakter të fuqishëm, e ka pasur mendjen të iki. Ne mendonim më mirë vdekjen sesa këtu, sepse ishte ferr i vërtetë. Më kujtohet një rast tjetër. Një bashkëvuajtësi im ishte i sëmurë me grip, nxorri gjak. Ishte nga Lezha, Ndue Deda. Ne punonim në një brigadë, por na kishin ndërruar, ai ishte turn i dytë, unë i treti dhe u ndodhëm në mensë. Ai nuk hante dot. E çova në infermieri. Doktori, Hasani, i dha ilaçe, çfarë ilaçesh, një aspirinë. Në moment vjen Ludovik Cali, ishte oficer roje. I tha doktorit: “Nduen, në punë”. Mua më tha largohu. Dhe u puqën të dy, 10 cm, haheshin të dy dhëmbë më dhëmbë, nuk mundja t’i dëgjoja dhe aty mendova “çfarë guximi të flasësh me Ludovik Calën” dhe ai e mori guximin, foli. Vetëm kaq dëgjova: “Me vrap në punë!”. Nuk është se e vdiq ai, por e çoi në punë, në galeri. Në ora 9, 10 të darkës, e sollën pa jetë.

Kur jeni liruar?

Unë jam liruar në 15 dhjetor të 1990.

Nuk kishit përfituar nga asnjë amnisti si minoren?

Nuk ishte amnisti, ishte një dekret nga Presidiumi. Lirohej çdo person 18 vjeç e poshtë, që është dënuar 5 vjet, për herë të parë. Unë normalisht duhet të lirohesha. Kam bërë protestë. Familja më priste përjashta. Jo vetëm nuk më liruan, por kam ngrënë një dru që nuk e harroj, vetë kryekrimineli, Ludovik Cali më ka dhënë një shkop në këmbë që ma dha në tru. Unë nuk pranova të dal në punë. Atyre nuk u interesonte çfarë flisje, u interesonte puna. 25 ditë, dru, në birucë, me një batanije, një bluzë, në temperaturë minus 25 gradë. Kur me ligj isha i lirë. Familjes i thanë “ikni sepse është në birucë” dhe më mbajtën pa ligj. Ata i bënin vetë ligjet: “Duam ne, të mbajmë!”. Unë u mbajta si skllav, sepse thoshin do punosh për shtetin shqiptar.

Edhe kur dola, ku ta kërkoja të drejtën? Edhe gjatë këtyre 30 vjetëve, si PD-ja, si PS-ja, njëlloj janë.

Si ndiheni kur shihni që personat që ju kanë keqtrajtuar në burg sot nuk janë dënuar dhe bëjnë një jetë normale?

Mua nuk më vjen mirë, për sa i përket përkrahjes nga shteti, që është zero, në çdo lloj sistemi, sidomos tani. Ne prisnim shumë nga PD-ja, që të hapeshin dosjet, të dilnin kriminelët që i njihnin të gjithë të burgosurit dhe përkundrazi, shteti i ka mbrojtur prapë. Dhe kur unë përmend Ludovik Calin dhe Edmond Cajën, nuk di çfarë të them, më rrënqethet mishi, nuk flas dot.

Si e kujtoni lirimin? Çfarë ndodhi me ju më pas?

Nga Qafë-Bari, në fund gushti, fillim shtatori, ne u transferuam të gjithë si kamp në Burrel, komplet. Transferimi u bë si bagëti. Unë isha 19 vjeç.  Me ligjin e 9 maj 1990, ne ishim thjesht shkelës kufiri, u hoq ligji i propagandës. Në momentin që na çuan në Burrel, filloi dhuna sërish. Aty kam parë një kriminel, një Labo Çapoi, që filloi vuri dorë te të burgosurit. Vuri dorë te një vlonjat, Bashkim Haruni. Aty filloi terrori. Unë aty kam bërë birucë. Nuk pajtohesha unë me sistemin e tyre. Nuk isha vetëm unë. Ishim 15-20 veta. Ne bëmë revoltën. Nuk e pranonim izolimin që donin të bënin këta. Ne e morëm vesh që kishin plasur ambasadat, nuk rrinim dot më.  Mosha ime, të rinj,  nuk përmbaheshim dot. Ludovik Cali, komandant, nuk është futur një herë në Burrel, por aty kishte qenin e tij besnik, nga Tepelena. Unë punë dy-tre muajsh do lirohesha. Në dhjetor, para se të dilja, shteti kishte gënjyer, kishte thënë që kemi liruar gjithë të burgosurit. Dhe aty ka qenë një bashkëvuajtës, Gaspër Gaspri. Më tha “ti do dalësh, unë nuk i besoj njeriu tjetër”. Në fshehtësi bëri një peticion dhe mori firmat e gjithë të burgosurve. Unë e kisha me frikë, sepse më kapnin dhe më eleminonin, kështu ishte sistemi. Megjithatë i thashë “unë do bëj të pamundurën”. Unë do lirohesha në 17 dhjetor, por kartelisti që kishim në Qafë Bari dhe erdhi në Burrel, më informoi “do dalësh në 15, bëhu gati”.

Unë aty, fsheha peticionin, e mora, por një muaj nuk ma merrte njëri përsipër, shkova te zyrat e PD-së që ishin në Qytet Studenti. Këta kishin frikë që të gjithë, me Sali Berishën, me të gjithë, sot janë trima. Asnjë nuk e mori përsipër. Kapa Gramoz Pashkon. Më shihnin mua, nuk më flisnin. Shkova prapë te Sali  Berisha, i thashë “doktor kam peticion nga burgu i Burrelit, do lexohet, sepse janë në burg të gjithë”, ishin 500 veta. Më tha mua: “shko te ajo zyrë”. I rashë derës, më doli Azem Hajdari. Folëm, i thashë kam këtë peticion. Prisja të bëhej mitingu sepse do bëhej mitingu ato ditë në Qytetin Studenti. Më tha “pa problem fare”. Vetëm ai e mori përsipër. Të gjithë kishin frikë sepse sot thonë të gjithë morëm pishtarin e demokracisë, por nuk e morën. Edhe kur dola, kisha shumë pakënaqësi, ika, nuk shikoja dot. Për mua ishte një komunizëm i dytë.

Intervistoi: Blerina Gjoka/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here