“Dënimi i të rinjve shpreh dashurinë për Bashkimin Sovjetik”

0
128
blank

Në vitin e frikshëm 1951, në të cilin goditja komuniste ndaj elementit antikomunist ishte e ashpër, në kohën kur në Tiranë ishin zhvilluar ngjarjet e dinamitit në legatën sovjetike, në mbarë vendin u kërkuan të zhvilloheshin procese për t’u bërë shembull. Eduard Vata ishte përjashtuar nga shkolla si i biri i Llesh Marash Vatës, duke u quajtur “i pavlefshëm”. Në qershor 1950 Eduardi zhvillon takimin e parë në Zall të Kirit me Zef Kacën e Lin Martinin. Në shtator 1950 bisedon edhe me Qemal Elezin e Zef Smajlin. Zefi zgjidhet kryetar i grupit. Puna e bërë ishte hedhja e trakteve, nga ato që hidhnin avionët aleatë nga ajri. Në shkollën “11 janari” (vendosur te shtëpia e Sulço Bushatit) mundën të marrin një makinë shkrimi për të shkruar traktet e tjera.

 

Më 2-4 gusht 1951 në Shkodër u zhvillua një gjyq kundër disa të rinjve të cilët ishin edhe pasardhës të personave të vrarë nga regjimi komunist.

-Eduard Llesh Vata, u arrestua më 13.3.1951, 17 vjeç

-Shefqet Muhamet Kraja, u arrestua më 13.3.1951, 18 vjeç

-Xhahit Fuat Xhaferi (Dibra), u arrestua më 13.3.1951, 18 vjeç

-Ymer Smajl Smajli, u arrestua më 19.3.1951, 18 vjeç

-Ali Bajram Muja, u arrestua më 12.3.1951, 21 vjeç

Të gjithë u akuzuan në bazë të neneve 2, 3, 6, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1944, për “formim grupi kundër pushtetit popullor”, duke shpërndarë trakte e materiale të tjera propagandistike, duke grisur fotot e Stalinit dhe E.Hoxhës, etj.. Prokurori i çështjes midis të tjerash deklaronte: “Ky gjyq nuk na habit aspak pse armiqtë e përmbysur kërkojnë të rishikojnë atë që u kanë marrë. Por pushteti popullor me në krye Partinë e Punës, shokun Enver dhe me ndihmën e madhe të Bashkimit Sovjetik, godet me ashpërsi gjithë hyzmeqarët, spiunët e imperializmit anglo-amerikan, duke mbështetur me shpatulla në mure fajet e rënda të çdonjërit...Shokë gjyqtarë! Unë sqarova fajësinë e tyre që përmban akuza dhe besoj të kem qenë i qartë, por trupi gjykues do të marrë parasysh të gjitha anët e fajësisë së tyre dhe të dënojë rëndë fajtorët. Vendimi juaj duhet të jetë i drejtë, por i rreptë, ai duhet të shprehë urrejtjen e popullit tonë, të rinisë sonë, për armiqtë e brendshëm, për fashistët e Beogradit, për agjentët dhe spiunët e tyre dhe duhet të shprehë dashurinë e madhe të popullit tonë për liri e demokraci, për Bashkimin Sovjetik, për të gjithë kampin demokratik e antiimperialist dhe për forcimin e paqes. Ju nuk mund dhe nuk duhet të harroni se imperialistët anglo-amerikanë po përgatitin një kasaphanë të re dhe pikërisht në prehrin e saj kishin rënë edhe këta pesë të pandehur, atë rrugë kishin marrë, te qeveria e spiunazhit Tito do të shkonin, pse atje është qendra e spiunazhit të Ballkanit për vendet e tjera...Sot në Republikën Popullore të Shqipërisë ndërtohen vepra madhështore për socializmin, ndërsa në vendet kapitaliste ndërtohen topa e mitraloza për të vrarë popullin. Rruga që kishin ndjekur këta të pandehur atje i shpinte, atje ku prodhohen topa e mitraloza se këta janë me luftën dhe kundër paqes, pse ai që është për paqen dhe kundër luftës është patriot dhe nuk bën punë armiqësore si të pandehurit, por punojnë të qetë dhe të lirë në vendet e tyre”.

Gjykata Ushtarake Shkodër, e drejtuar nga major Ago Çeli, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten II Mina Niço, me vendimin nr.148, datë 7.8.1951, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi me 15 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtave civile për 5 vjet Eduardin dhe Xhahitin; Shefqetin dhe Ymerin me 10 vjet dhe Aliun me 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.454, datë 10.9.1951 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Eduardi dhe Xhahiti u ridënuan dhe vuajtën dënime të gjata me heqje lirie.

Me një proces të veçantë u dënua edhe 18 vjeçari Rauf Uruçi, i arrestuar më 13.3.1951. U gjykua veçan, nuk kish treguar asgjë për grupin dhe 15 mbledhjet e tij. Gjykata Speciale e Sigurimit, me vendimin nr.67, datë 10.9.1951, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet privim lirie.

Në foton kryesore, Xhahit Xhaferi në moshë të madhe.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here