Hedhja e dinamitit në Legatën Sovjetike në Tiranë mbrëmjen e 19 shkurtit 1951, u shërbeu organeve të punëve të brendshme të arrestonin dhjetëra elementë të konsideruar antikomunistë. Ato ditë në Tiranë u arrestuan rreth 160 persona. Siç dihet 22 veta u ekzekutuan pa qenë të implikuar në hedhjen e dinamitit. Dhjetëra të tjerë, gjithashtu krejt pa lidhje me ngjarjen, u dënuan me burg. Mes tyre, edhe inxhinierët Thoma Filipeu dhe Vasil Noçka. Kastriot Dervishi në librin e tij “Terrori komunist i vitit 1951” sjell historinë e dënimit të tyre
Nga Kastriot Dervishi
Në grupin e të arrestuarve të datës 23.2.1951 gjendeshin edhe dy inxhinierë ndërtimi…Thoma Filipeu dhe Vasil Noçka.
Thoma Filipeu, dënimi i sekretarit të përgjithshëm të Botores
Thoma Filipeu u pyet në zyrat e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, më 6.6.1951 prej kapiten I Lytfi Milorit. Ai pranoi pjesëmarrjen në kongresin e Legalitetit të vitit 1943 pas ftesës që i erdhi nga Abaz Kupi. Thotë se nuk dinte gjë për “sabotimet” e Maliqit të vitit 1946. Më tej hetuesia vazhdon pa prekur gjëra thelbësore duke u përpjekur të implikojë ku të mundet të kaluarën e Filipeut, i cili ishte kushëri edhe me ish-kryeministrin e Shqipërisë Kostaq Kotta. Në aktakuzën e datës 28.6.1951 të hetuesit kapiten II Dhori Gjata, Thoma Filipeu, akuzohej:
-Ka pasur dijeni dhe ka marrë pjesë në kongresin e Zall-Herrit të drejtuar nga Abaz Kupi.
-Implikohet në procesin e Vasil Manos dhe Kujtim Beqirit.
-Ka pasur dijeni mbi ngadalësimin e punës në Maliq dhe nuk kishte raportuar.
-Ka parë të padrejtë arrestimin e inxhinierëve të Maliqit.
-Ka bërë gabim projektin e kanalit të Myzeqesë.
-Ka bërë gabim përllogaritjen e kanalit të Bedenit në Kavajë.
-Ka bërë gabim projektin e Devollit në Korçë.
Meqë kishte mbaruar shkollën në Gjermani dyshohej si “agjent” gjerman. Kishte mentalitet borgjez”, me “rrezikshmëri shoqërore”, por “dukej shumë i butë”, sepse për Sigurimin ishte “njeri dhelprak”.
Karriera e Thoma Filipeut deri në arrestim
Ing.Thoma Filipeu, lindur më 1899 në Leusë të Përmetit. Më 1906-1914 ndjek filloren në gjuhën greke në vendlindje. Më 1915-1917 dhe 1919-20 ndjek gjimnazin grek në Korçë. Më 1917-1919 mësues I gjuhës shqipe në Leshnicë dhe Leusë. Më 1920-21 ndjek gjimnazin e Janinës. Më 1922-1930 kryen studimet e larta në Berlin. Më 1931-1936 inxhinier në Ministrinë e Punëve Botore. Më 1937-44 sekretar i përgjithshëm në M. e Punëve Botore. Më 1944-45 në M. e Punëve Botore. Më 1945-47 zëvendësisht drejtor i ujërave në M. e Punëve Botore. Më 1947-51 shef i sektorit të ujërave në Ministrinë e Punëve Botore. Flet greqisht, gjermanisht, italisht e pak frëngjisht.
Vasil Noçka, dënimi i nipit të ish-kryeministrit
Inxhinieri tjetër që u arrestua ishte nip i ish-kryeministrit Kostaq Kotta. Ai ishte larguar prej vitesh nga Shqipëria për në Gjermani dhe nuk mbante lidhje me dajën e tij. Shkak i largimit ishte mjedisi shqiptar i vitit 1926. Ky mjedis, natyrisht nuk mund të ishte si ai gjerman. Nip e dajë u pajtuan në Paris në vitin 1930. Kotta edhe në emër të Mbretit Zog e ftoi nipin e tij të vinte në Shqipëri. Noçka njihej si inxhinier i zoti. Ai drejtoi apo ndoqi punimet e disa veprave si ura e Murrashit në Librazhd, ura e Kirit, ura e Bahçallëkut, ura e Maliqit, hekurudhat Peqin-Elbasan, Durrës-Tiranë, kontrollin teknik të tyre etj..
Vasil Noçka u pyet në Burgun e Armiqve të Popullit më 3.5.1951 nga hetuesi toger Vasil Sheko. Hetuesia vijon me pyetje të përgjithshme, por nuk del asnjë sabotim i kryer.
Më 28.6.1951, Noçka u akuzua si “njeri i afërt I gjermanëve”, pjesëmarrës në kongresin themelues të Legalitetit, për implikim me “sabotatorët” e Maliqit, lidhje me amerikanët, UNRRA-n. Toger Haki Keta shënoi qëndrimin e tij “armiqësor” në hetuesi.
Karriera e Vasil Noçkës deri në arrestim
Lindur në Korçë më 1899. Larguar nga vendlindja në vitin 1920. Më 1917 mbaron gjimnazin grek në Korçë. Më 1917-1920 punon përkthyes i frëngjishtes në zyrën e bujqësisë të “republikës së Korçës” si dhe daktilografist pranë prefektit të Korçës Reynard Lospinasse. Më 1920-1921 punon në zyrën tregtare “Handem Haus” në Shtutgard, e cila merrej me eksport-importe me Greqinë. Përkthente korrespondencën, por mësonte edhe gjermanisht. Më 1921-22 plotëson studimet në gjimnazin e Shtutgardit. Më 1922-1926 ndjek shkollën e lartë teknike të Shtutgardit. Më 1926 inxhinier në Ministrinë e Punëve Botore dhe Bujqësisë. Më 1927-1930 inxhinier në Ministrinë e Punëve Botore në Landin Wertenberg të Gjermanisë. Më 1929, martohet me gjermanen Arna Elizen Noortuek, student në muzikë. Më 1930-1933 kryetar i Zyrës Teknike në Ministrinë e Punëve Botore në Shqipëri, duke zëvendësuar inxhinierin gjerman Hartus Wais. Më 1944-1951 punon në Ministrinë e Punëve Botore me projekte të ndryshme. Fliste po aq gjuhë të huaja sa kolegu i tij inxhinier me të cilin po dënohej.
Të dy inxhinierët e Ministrisë së Punëve Botore u përfshinë në një akuzë të përbashkët të përpiluar prej prokurorit ushtarak të Tiranës më 26.7.1951. Akuzoheshin si më poshtë:
1 Kanë qenë në dijeni të plotë mbi sabotimet e Maliqit nga grupi që kryesohej nga Abdyl Sharra dhe Vasil Mano.
2 Thoma Filipeu ka sabotuar projektet e mëdha të kanalit të Myzeqesë, ku i janë shkaktuar dëme të mëdha shtetit.
3 Vasil Noçka ka marrë pjesë në grupin e Abdyl Sharrës dhe Vasil Manos, ka qenë përkrahës I tyre në veprat e sabotimit.
4 Ka dëgjuar stacionet e radiove reaksionare dhe këto i ka dëgjuar me shokët e kategorisë së tij, kundra pushtetit popullor, me qëllim për të rrëzuar me dhunë organizimin shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Dënimi i inxhinierëve
Për të rritur akuzat ndaj tyre, më 16.11.1951, prokurori i kërkoi Ministrisë së Punëve Botore, paraqitjen sa më shpejt të sabotimeve të dy inxhinierëve. Asnjë fakt nuk u soll nga kjo ministry, pasi nuk ekzistonin gjëra të tilla.
Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin nr.64, datë 11.2. 1952 i deklaroi fajtorë në bazë të nenit 4 të ligjit nr.372 dhe i dënoi:
Vasil Noçkën me 5 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtave civile për 1 vit.
Thoma Filipeun me 3 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtave civile për 1 vit. Ishte rrëzuar për të akuza e agjitacionit e propagandës.
Vendimi u la në fuqi.
Marrë nga libri “Terrori Komunist i vitit 1951”, Kastriot Dervishi, ISKK, Tiranë 2017
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.