Burgosja e librit!

0
938
blank

Si sot 74 vjet më parë, të martën e 25 janarit 1947, në ora 12.00 të natës, forcat e Sigurimit i vunë hekurat shkrimtarit Et’hem Haxhiademi… ai u largua nga qyteti i Elbasanit, për të mos u kthyer kurrë më. Në fillim u dënua me pushkatim, pastaj iu fal jeta dhe u dënua me burg. Vuajti 18 vjet në burgun e Elbasanit, Gjiorokastrës e më pas në Burrel. Ndërroi jetë në burgun e Burrelit, gjashtë muaj para se të lirohej. Vepra e tij u dënua gjithashtu, u zhduk për 50 vite për t'u rikthyer pas rënies së diktaturës   

Kur kryetari  i  gjyqit ushtarak  komunikoi  vendimin: "Armiku i popullit, Et'hem Haxhiademi dënohet me vdekje!", salla e gjyqit oshëtiu nga thirrja: ‘RROFTË SHQIPËRIA!’. Ishtë zëri i shkrimtarit të famshëm të viteve ’30, Et’hem Haxhiademi. Regjimi komunist e kishte arrestuar si armik i popullit dhe i partisë dhe vendosi ta ekzekutojë. Ishte viti 1947, koha kur diktatori komunist kishte nisur spastrimin e të gjithë elitës intelektuale të Shqipërisë. Et’hem Haxhiademi ishte njëri prej tyre.

Si përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe, Et’hem Haxhiademi, kishte botuar në vitet ’30 tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Është  gjithashtu autor i një përmbledhje me poezi me titullin “Lyra” (1939) dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).

Bashkë me autorin u burgos edhe vepra e tijj. Ato u zhdukën nga qarkullimi menjëherë. Për çfarë akuzohej Haxhiademi?

I biri, Emin Haxhiademi, ka rrëfyer për “Poeteka” natën e arrestimit: “Natë Dimri… 25 Janar 1947, natë e martë dimri. Ishim mbledhur të gjithë rreth votrës në dhomën e zjarrit, veç Xhaxhait, që nuk di pse atë natë, ra me fjetë më herët se zakonisht. Moma po mundohej të bindtte për gjumë tre më të vegjlit, ndërsa motra ime e madhe dhe unë po merreshim me punët e tona, përgatiteshim për të nesërmen. Baba po korrigjonte hartimet e një klase së Normales së Elbasanit, me temë: “Fëmija pa Nënë, si nata pa hënë”.

Në dhomën e zjarrit mbretëronte heshtje dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se dhe heshtja përgjohej. Nuk na shkonte ndër mend se qetësia jonë familjare ishte vënë në shënjestrën e pushkëve. Duke përfituar nga muri i shembur i avllisë, njerëz të armatosur, nuk e di për sa orë na kishin vu nën hetim. Ata hynë pas pak në shtëpinë tonë, me një shikim triumfal, dhe u paraqitën si njerëz të pushtetit lokal, se gjoja kishin ardhun për kontroll për gjana të ndalume për kohën. Syrin e kishin që të konfiskonin bibliotekën tonë të madhe, të Stërgjyshit, Gjyshit dhe Babës që me aq dëshirë vazhdonte ta pasuronte atë.

blankMbaj mend nga bisedat e Nanës që nuk u gjend asnji libër i ndaluar për kohën ose dokumenta kompromentuese. Në orën 12 të asaj nate, unë si fëmijë s’po kuptoja seç po ndodhte në familjen tonë, veçse në sytë e motrës pashë shumë lot dhe më vonë Babën duke zbritur nga shkallët me duar të lidhura… Pas tij ishte ime Më, e verdhë dyllë sikur të kishte dalë nga varri. Në zemër ndjeva dhimbje prej saj… U shkul me dhunë ai kënd i dashur i ngrohtë familjar, buzëqeshja, gëzimi, ëndrra, shpresa e jonë.. Ato u lidhën me pranga bashkë me Babën, për të mos u kthyer më kurrë në atë shtëpi. Ai iku me kokën lart e me shikimin e dhimbshëm për pasigurinë e jetës sonë. S’do t’i harroj kurrë ata sy që s’i putha më kurrë… Vrisja mendjen pse ndodhi kështu? Çfarë kishte ba?! Ndoshta ishte keqkuptim!! Por jo: Ai akuzohej rëndë dhe dënimi ishte parashikuar. Dënim kapital bile dhe me varje. Këto u bënë të qarta edhe për mue, fëmijë at'here.

Akuzohej për komplot për përmbysjen e pushtetit, për bashkëpunim me angloamerikanët; dhe bashkë me të akuzoheshim edhe ne që bëmë një jetë plot vuajtje e dhimbje dhe ishim dënuar të gjithë si armiq. Midis nesh dhe Homeri i vogël 6 muajsh… Në burgun e përjetshëm kaluam një jetë plot dhimbje, me skamje e të pastrehë, jetë privacionesh të detyrueshme. Nuk zgjati as dy ditë nga nata e arrestimit të Babës, kur nëpunësi i zyrës së pasurisë së shtetit, i shoqëruar me ushtarë të armatosur, regjistroi çdo plaçkë të shtëpisë, deri tek rrobat e djepes së vëllait të vogël.

Për ironi të fatit tonë ndoshta për të s’do kishte nevojë për djep, mbasi ai do rritej e do piqej para kohe, ashtu si gjithë ne. Por nënës sonë nuk i bëri përshtypje ky akt që paralajmeronte nji varfërim total e të paligjëruem. “Kokat, kokat…” kishin rëndësi për të, gjë që ne fëmijët nuk e kuptonim si duhet… Si ta kuptonim që ne dhe kokat tona ishin dënuar me vdekje? Shtëpia u bë e zymtë, e frikshme, e zbrazët..”

Më pas shkrimtari i famshëm i asaj kohe do të dënohej me vdekje. Krahas tij u dënuan me vdekje edhe shumë të tjerë intelektualë nga Elbasani. Pas vendimit të gjyqit, të dënuarit me pushkatim u dërguan në birucat e nëndheshme të Grand Hotelit.

Makensen Bungo, gjithashtu shkrimtar i dënuar politik gjatë diktaturës, ishte aty ato ditë në qelitë e bodrumit të Grand Hotel. Bashkë me katër të burgosur të tjerë, të dënuar politikë, ishin në qelitë afër të dënuarve me pushkatim. Ja si e rrëfen ai momentin kur shtatë të dënuarit me pushkatim u kthyen nga salla e gjyqit. “Të dënuarit me vdekje, të  lidhur  me  pranga, rrinin të  ndarë në  ato  biruca  në  heshtje  në  shoqëri  me  vdekjen. Rrinin  e  mendoheshin,  mendoheshin  dhe  kujtoheshin. Kujtonin  akuzat  e  rrema,  që   u  kishin  vurë,  torturat  që  u  kishin  bërë,  procesverbalet  që  kishin  firmosur  në  gjendje  agonije,  kujtonin  procesin  gjygjësor, fjalët  e  prokurorit, akuzat  e  trupit  gjyqsor  dhe  vendimin  e  gjyqit,  atë  vendim  të  tmerrshëm,  të  hatashëm,  vendimin  me   vdekje ,  që i  ushtonte  ende: "Me  vdekje!  Me  vdekje!  Me  vdekje !" Mendoheshin  dhe   kujtonin   njerzit  e  familjes  së  tyre,  që  nuk  do  t’i  shikonin  më,  kurrë, prindërit, gruan   e  re  të  porsamartuar, fëmijët,  që  pritnin  t’u  ktheheshin  baballarët, por  nuk  do  t’u  ktheheshin  më, kujtonin  kushurinjtë, shokët , miqtë.

Ata  ishin  shtatë  gjithsej: Dhe  midis  tyre  ishte  edhe  Etëhem Haxhiademi.  Po  ky  njeri, Etëhem Haxhiademi, vallë, a  po mendonte  dhe a  po  kujtonte  edhe ai  si  të dënuarit e  tjerë me  vdekje? Edhe   ai  po  mendonte  dhe  po  kujtonte  si   të  dënuarit  e  tjerë   me   vdekje,   por  jo  gjithnjë, sepse  atë, si  kemi  thënë,  vazhduan ta torturojnë  edhe  mbasi  u  dënua   me  vdekje.  Ai  shkrimtar  edhe  pse  jetonte  nën  ankthin  e  vdekjes,  duhej  torturuar, duhej  të vuante,  që   ata  njerëz  të  ushqyer  me  krimin,  të  shuanin  urrejtjen  për  këtë  njeri  të  madh.  Dhe  nga  këto   tortura  të  vazhdueshme  ai  u  bë  një  skelet  i  gjallë,  që,  kur  e  nxirrnin  për  të  shkuar  në banjë,  mbahej  te  muri,  se  nuk  kishte  më  fuqi  të qëndronte  në këmbë  dhe  së  fundi  edhe  të  eci  këmba-doras. Kjo  gjendje  vazhdoi  deri  në  mëngjesin  e datës  9  mars të vitit 1948, kur në bincat e Grand Hotelit zbritën disa oficerë dhe policë duke  uluritur e duke qeshur. Erdhi  dita e pushkatimit. Erdhi çasti i vdekjes.

I  nxuarrën nga  birucat me radhë për  t’i  pushkatuar: Zija  Lunikun, avokatin e nderuar  të Elbasanit, Fadil Gurmanin, mësuesin  idealist të shkollës ushtrimore, Kamber Kazazin, mësuesin e talentuar që kishte mbaruar shkollën e Fullcit, Mahmut Maçin, mësuesin e bujqësisë të shkollës Normale, Mehmet Elezin, atdhetarin e papërkulur të Peqinit dhe  Xhaferr Mirakun, ish-luftëtarin e Luftës së Spanjës, luftëtar dhe bashkëpunëtor i Enver  Hoxhës dhe ish-komandant i një brigade partizane. Etëhem Haxhiademin nuk e nxuarrën nga  biruca. Ai nuk do të pushkatohej. Atij njeriu i ishte falur  jeta”, shkruan i ndjeri Makensen Bungo, në kujtimet e tij për Et'hem Haxhiademin.

blankPor çfarë kishte ndodhur që regjimi kishte pranuar t'i falej jeta një njeriu si Et'hem Haxhiademi që ishte shpallur armik i popullit dhe i partisë dhe padyshim, ishte një ndër njerëzit më të rrezikshëm për diktatorin, pasi ishte një ndër intelektualët më të shquar të kohës? Si i tillë ishte kërcënim për regjimin. Profesor Aleksandër Xhuvani i kishte kërkuar diktatorit Enver Hoxha t'i falej jeta. E kishte rrëfyer vetë Et'hem Haxhiademi, gjatë viteve të burgut, kur u takua në Burgun e Madh  të  Elbasanit me Makensen  Bungon. Et'hemit iu fal jeta, por jo liria. Ai do të vazhdonte të vuante dënimin në burgjet komuniste. Katër vitet e para të burgut i kaloi në Elbasan. Bashkëvuajtësi i tij, Makensen Bungo rrëfen në kujtimet e tij: “Disa  muaj  kam ndejtur në   një kaush me  atë. Madje rastisi që edhe të rrija e  të flija ngjitur me atë. Ishte njeri i heshtur. Nuk fliste pa e pyetur njeri. Më shumë  mendohej,  sesa  fliste. Dhe kur  fliste, fliste me ngadalë dhe me zë të ulët. Nuk hapte  vetë ndonjë  bisedë, vetëm ndëgjonte të  tjerët  dhe nuk ndërhynte në debate. Nuk pranonte të hynte në biseda politike. Kur  fillonte  ndonjë  e  tillë,  largohej. Ndoshta  se  ishte  ende  nën  ndikimin  e  tmerrit  të torturave  të hetuesisë. Kur  i  vdiq  i  vëllai  i  vetëm,  priti  në  heshtje  ngushullimet  nga të gjithë të burgosurit  e kaushit.

Kur  bisedonim për letërsinë, fliste me respekt për at Gjergj  Fishtën  dhe  lavdëronte  Lasgush Pogradecin, Mitrush Kutelin dhe Ernest  Koliqin. Shpesh  thoshte se i vinte  shumë keq që i kishin sekuestruar bibliotekën. Kur  na  nxirrnin në pajdos (pajdos  i  thonin kur na nxirrnin në oborrin e burgut një  orë  në  ditë) ai   nuk  shoqërohej  me  njeri.  Vinte  rrotull  vetëm  nëpër  oborr. Ka  ndodhur që ka ndihmuar me ushqim ndonjë të burgosur   të varfër, por pa rënë në sy”, rrëfen Bungo.

Pas katër vitesh në burgun e Elbasanit, Ethem Haxhiademi trasnferohet në burgun e Kalasë së Gjirokastrës dhe prej andej në burgun e Burrelit.

At Konrad Gjolaj do të rrëfentë bashkëjetesën me Ethem Haxhiademin në burgun e Burrelit. “Kam jetuar 6 vjet me Et'hem Haxhiademin për një kohë të gjatë në Burgun e  Burrelit. Ishte shumë i  sjellshëm, me parime moderne. Aspak  fanatik, jo fetar. Kishte  dijtë  me i ba  ballë "krymave të burgut". Ai kishte  shoqëni  të  gjanë  dhe  konsiderohej  prej  të  gjitheve  zotni. Ashtu ishte. Nuk gabonte kurrë kur i ndante  njerzit ndër  të  kulturuem  dhe  të  pa  kulturë. Ishte qefli diskutimesh në të gjitha fushat dhe e kalonte  kohën gjithmone tue lexue. Diskutimet i kishte koncize dhe me llogjikë. Pranonte gabimet dhe dinte edhe me lypë të falun, gjithëmonë tue u bazue tek e drejta".

blankGjatë qëndrimit në burg, Et’hem Haxhiademi shkroi dy vepra: "Jeta e Njeriut ” dhe dramën ”Koha e premtueme“ të cilat nuk u gjetën kurrë.

Në vitin 1965, ishin mbushur 18 vjet në burg dhe po i afrohej data e lirimit. I duheshin vetëm gjashtë muaj dhe do të fitonte lirinë. Por për fat të keq më 17 mars 1965, në  moshën 63-vjecare, ndërroi jetë në rrethana të paqarta. Thanë se vdiq pasi pësoi një atak, natën në gjumë.

Sigurisht, regjimi nuk ia lejoi familjes që ta merrte trupin e  tij dhe ai u varros si shumë të tjerë në burgun e Burrelit. Kur u rrëzua diktatura, nisën përpjekjet për t'i gjetur eshtrat. Pas shumë përpjekjesh eshtrat e tij nuk u gjenden ashtu si shumë të tjerëve që dhanë shpirt në qelitë e burgut të Burrelit.

E megjithatë, në mes të varrezave të Elbasanit, qëndron një pllakatë e zezë memeri ku shkruhet epitafi:  ET’HEM  HAXHIADEMI, 1902 – 1965. Atje është vetëm pllakata, ndërsa eshtrat e tij vazhdojnë të jenë të zhdukura si mijëra shqiptarë të tjerë të pushkatuar e të vdekur në burgjet e diktaturës.

Ethem Haxhiademi, ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, kryetar i degës së kësaj lidhjeje në Elbasan. Profesor Josif Papagjoni e ka cilësuar Et'hem Haxhiademin si "Dramaturgu i  heronjve mitikë" duke theksuar: Et'hem haxhiademi ishte i pajisur me  koncepte letrare e teatrore të kohës, ai u bë në dramën shqipe një nga stilistët dhe  udhëhapësit e modelit  mitologjik e modernist, duke risjellë në subjektet e moçme  shtresime e ngjyresa të kohëve aktuale me theksa  mbi  anët morale dhe ekzistenciale të  njeriut". Por e gjithë vepra e tij u zhduk nga qarkullimi gjatë kohës së diktaturës. Bashkë me burgosjen e shkrimtarit, u burgos edhe vepra e tij. Ashtu siç ka ndodhur edhe me të tjerë shkrimtarë që u dënuan gjatë diktaturës komuniste.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here