Dëshmia/Muhamet Gjyli: Një jetë si i biri i "armikut"

0
419

Kujtimet e një fëmije nga dita që i arrestuan të atin dhe rrugët e vështira kur shkonte për ta takuar në burg. Muhamet Gjyli dëshmon jetën e një djali armiku, që i jepnin punët më të vështira dhe e mbanin nën survejim dhe presion.

Dëshmia e plotë nga arkiva Doko

Cila është historia e përndjekjes së familjes suaj?

Unë jam i datëlindjes 1955. Rrjedh nga një familje e mesme. Persekutimi i familjes sonë ka filluar në fillim të 1945-ës, pas Çlirmit. Babai kishte gjashtë vëllezër, edhe vetë shtatë dhe dy motra. Xhaxhai i vogël ishte milic, Nazer Gjyli. Është arrestuar nga sistemi komunist sepse ishte punonjës në zyrat e FASHO-s në Korçë, e akuzuan për djegien e zyrave, e arrestuan, e futën në burg. Ai ishte trup i fuqishëm, i zoti. Në fillim të '44-ës e morën atë. Ka hapur burgun e Korçës në fillim të '45-ës. Nxori gjithë ata njerëz që kishin qenë, Emil Xhaxhavicën e shumë të tjerë. Ishin nja 13 veta. E plagosën. Ai i nxori ata, ata ikën, u arratisën. Pastaj atë, sipas të thënave të nënës, babait e xhaxhallarëve, e plagosën dhe e kanë vrarë vetëm me dru. E masakruan. Në fillim të '46-ës, kanë marrë xhaxhanë e madh në burg, Shaban Ali Gjyli dhe xhaxhanë nën këtë të madhin, Selami Ali Gjyli. I kanë marrë të dy, pasi u vranë të vëllanë, i morën në burg ata të dy. Janë liruar me amnistinë e 1949-ës, të dy, të Koçi Xoxes. Pasi u liruan këta të dy, xhaxhain e madh, nuk arriti të rrijë pak muaj këtu, një ta marrë, e internuan në Tepelenë. Në '51-shin kanë marrë xhaxhanë tjetër, Ibrahim Gjyli. Ka qenë kunat i Seit Bylykbashit, ka marrë të motrën e Seit Bylykbashit. E morën, e internuan edhe këtë. Këtë e internuan në Krutje të Fierit, ku ndërroi jetë. Xhaxhanë tjetër, Shabanin, që e morën për së dyti, e shpunë në Tepelenë, nga Tepelena e shpunë në Savër të Lushnjës, me familjen siç ishte. Aty ndërroi jetë dhe ai në vitin '54, Shabani. Kurse Ibrahimi, ky xhaxhai tjetër që ishte kunati i Seit Bylykbashit, ka ndërruar jetën në '57-ën, ka ndërruar jetë në Shtyllas të Fierit. ...Në '56 iu vra një djalë Shabanit. Ishte ushtar. Meqë ishte i përndjekur, i detyronin të zbërthenin dinamitet, t'i nxirrnin nga predhat që iu duheshin për punë në gurore. Është vrarë dhe ky, nipi. Vazhdoi dhe pak rrjedha jonë që nuk u ngacmuam. U bënë nja 10 vjet. Në 16 dhjetor të '68-ës kanë marrë babanë në burg për agjitacion dhe propagandë dhe armëmbajtje pa leje sepse kishte një revolver. Se llogarit domethënë të gjithë këta vëllezër, një ia vranë, dy i vdiqën në internim, erdhi puna e morën babanë, e futën në burg. Unë kam qenë në moshën 13 vjeç kur e kanë marrë babanë.

Ju e mbani mend arrestimin e babait?

Ka qenë ditë e hënë, 16 dhjetor. Unë isha 12 për 13 vjeç. Kam qenë në shtëpi. Motra e nënës kishte marrë në shtëpi nënën tonë, aq sa ne nënës i thoshim teze dhe xhaxhaicës i thoshim nënë se nuk kishte fëmijë. Unë kisha ardhur nga shkolla dhe po rrija në shtëpi. Ishte kohë dreke. Në atë kohë vijnë në shtëpi, ish-operativi, Xhezmi Ahmeti, disa oficerë të Sigurimit të Korçës, anëtarët e Këshillit Popullor të qytetit, se pa ata nuk bënin kontroll në shtëpi ata. U futën në shtëpi, isha unë, nëna dhe xhaxhaica ose tezja. -Kjo është shtëpia e Ramadan Gjylit?-Po. Unë 13 vjeç djalë. I thonë nënës që Ramdanin e kemi arrestuar se është armik i popullit. I thotë nëna: Ju e dini. -Por ne kemi të dhëna që këtu ka armë. -Nuk e di, -i thotë nëna. -25 vjet Çlirim të kemi armë akoma. Megjithatë ai e kishte, një revolver, e kishte vënë në bodrum, biles edhe unë e merrja e shikoja, kur e pastronte. I them nënës: Ta marr, ta heq revolverin. Më thotë nëna: Rri se ata dinë diçka pa kanë ardhur, kot nuk kanë ardhur. E gjetën armën ata. Morën, sekuestruan një biçikletë, një radio, ato kishin mbetur, sepse në shtëpinë tonë ishin bërë katër herë sekuestrime: pronë të paluajtshme dhe të luajtshme, me bagati, me ç'qenë, edhe një palë shtëpi të sekuestruara. Ndërsa atëherë nuk kishin më çfarë të merrnin. E morën armën. I thotë nënës: "E shikon këtë? Do të ta mbaj ty në ballë!". E si përfundim, e nxjerrin në gjyq babanë edhe i tha: ke folur, ke sharë pushtetin...po armën përse e deshe? Unë isha i vogël dhe më bëri përshtypje kur i tha: "Desha të vrisja disa komunistë këtu në Bilisht". -Po kë?, i tha. Dhe i tha ai, filanin...filanin, edhe i tha me emra. -Po pse kërkon t'i vrasësh?-Sepse ata më shkatërruan familjen. Ne jemi familje që nuk i kemi rënë në qafë njeriu, nuk i kemi bërë kurrë keq njeriu. Babai kishte pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë. Më i madhi ishte 18 vjeç. Dy të mëdhenjtë e kanë bërë ushtrinë në Bunë, kurse unë e kam bërë në ndërtim, edhe vëllai i vogël, ashtu.

Ku e kreu dënimin babai? Ju e takuat gjatë asaj kohe?

Babai, pesë vjet ndenji në Spaç. Nga Repsi, deri në Spaç, unë e kam bërë tri herë atë rrugë.

Çfarë kujtoni nga ato udhëtime dhe takime?

Të parën do them kur babanë e morën nga gjykimi dhe e çuan në spitalin e burgut të Tiranës. Mirëpo, ai nga ilaçet ishte fryrë shumë, ishte shumë i shëndoshë. Kur doli në gjyq, ai ishte njëri shfytyruar, qe njeri tjetër, shumë i dobët. Kemi vajtur rreth 10-12 veta në spital. Edhe i thotë xhaxhaicës për mua: të kujt ia keni këtë djalë? I kishte thënë xhaxhaica: Po çfarë llafos ti Dane? Ky është Meti. E nejse...Po ishte shumë i sëmurë. Si përfundim, e shpunë në Spaç. Unë kam vajtur tri herë në Spaç, ndërsa nëna, vëllezërit, kemi pasur dhe një dajë, njeri shumë të mirë, punonte shofer ai, më shumë...Nga Repsi, deri në Spaç, ishte gati nja 3-4 km a më shumë. Një rrugë rrëzë malit. Të ngarkuar me çanta ne. Nga Repsi në Spaç, nuk të merrte shofer, detyroheshim flinim aty një natë pas takimit. Kur shkoje lart, në krah të majtë ishte kampi, në krah të djathtë ishte një barangë, edhe lart shkonte rruga që nxirrte këto kamionët. Aty rrinim që flinim ne se ishte e pamundur të ktheheshim. Biles, një natë, herën e dytë, isha me djalin e xhaxhait të madh, ishin edhe dy nga Kukësi, në atë kohë na i dhanë ato batanijet që sillnim nga shtëpi, ai djali i xhaxhait kishte një mushama meshini, iu dogj te zjarri se ndiznim zjarr ngaqë ishte ftohtë. Kur ktheheshim, mund të na merrte po të rastiste ndonjë shofer shkodran, se çfarë ishin nga këta mirditorët, e pamundur. Kur iknim ishte e pamundur fare, por edhe kur ktheheshim si të qëllonte. Unë dy herë u ktheva me makinë, një herë në këmbë deri në Reps. Pastaj e transferuan atë në Ballsh. Rastisi që unë isha ushtar në Gjirokastër, ishte viti '73. Babai ishte në Ballsh, unë në Gjirokastër. Ndenja nja një vit e ca në Gjirokastër, kohën tjetër e kam bërë në Tepelenë. Kishim një komandant kompanie atje, Vangjel Malta, ishte njeri shumë i mirë ai. Më dha lejën e zakonshme ai mua dhe ika unë. Autobusi shkonte Korçë-Tepelenë-Gjirokastër, edhe kur ktheheshe kështu. Edhe lejën, po të ishte shtatë dite, na e jepnin të hënën ose të enjten, sepse në ato ditë kishte autobus. Mirëpo unë duhet të shkoja të shikoja babanë në burg. Mora fletën e lejës, u nisa për në Ballsh. E mbaj mend, mora 10 paketa cigare "Partizani", i futa në një plastmas të gjatë, vajta në kamp, regjistrova emrin. Kur si mbaroi regjistrimin ai, më thotë: Hajde kalo pak matanë, të kërkon oficeri i rojës. Vete unë atje. Ishte oficeri i rojës, një burrë me mustaqe, i shtrirë në krevat. -Pse ke ardhur këtu?, më thotë ai mua. -Kam ardhur të takoj babanë. -Po nuk lejohet, ai është armik. -Ai mund të jetë armik, por është babi im. Pastaj po të mos lejohej, mund të mos na lejonin të vinim. -Po ti je dhe ushtar...Dhe filloi llafet ai...Çfarë t'i thosha, nuk mund ta kundërshtoja. -Mirë, më thotë mua, ik takoje. Ika, takova babanë unë. Ngrihem unë, atë natë vete në fermë të Çlirimit se nuk shkoja dot në shtëpi, atje kisha njerëzit e mi. Kur kthehem në repart, më thotë ai komandanti i kompanisë: Ore Mehmet, nga kalove ti? -Po unë ika këtej nga Fieri, komandant.-Po pse ike nga Fieri? Pse nuk ike me autobus? I them unë: Po kam babanë në burg, në Ballsh dhe vajta e takova. Po ishte shumë njeri i mirë. "Ore, tha, po pse kujton ti që nuk e dimë ne? Se kur vajte ti, ne na ra telefoni. Na thanë: ta lëmë apo mos ta lëmë? Se vërtet ka lejë, po çfarë njeriu është?" E megjithatë, kishte edhe njerëz të mirë. Pastaj, gjatë punës, llogarit si mund të ishim ne.

Sa vjet u dënua babai?

Babai u dënua 10 vjet, 8 vjet për agjitacion dhe propagandë dhe 2 vjet për armëmbajtje pa lejë. Ai ka bërë 9 vjet e tetë muaj e gjysmë burg.

Ju si ju trajtonin gjatë kësaj kohe?

Ne shumicën e njerëzve e kemi pasur të internuar në zonën e Myzeqesë. Në diskutimet që bënin, edhe ata vetë na thoshin: "më keq jeni ju këtu, sesa ne andej", sepse një familje e sfilitur, e vrarë, e dënuar...LLogarit këtu në Bilisht, ne katër vëllezër, ushtrinë dy e bënë në Bunë, dy në ndërtim. Punët: minierë, gjeologji, bonifikim. Ne punonim se ishim njerëz të punës, edhe prindërit tanë njerëz të punës ishin se kishin gati 300 dynymë tokë. Ata na thoshin: "ju punoni se keni frikë", që të na ngacmonin.

Ju survejonin gjatë kësaj kohe?

Shumë, shumë. Ai daja, që përmenda, na ndihmoi shumë, na mësoi për këto survejimet që na bënin. Por periudha më e keqe për ne, ishte koha e ushtrisë. Atëherë, kur na thërrisnin për ushtar, një natë duhet të rrinim në Korçë sepse duhet të paraqiteshe në mëngjes në orën 6.00 të mëngjesit. Edhe rrinim te daja. Ai na mbante në darkë, i largonte të gjithë fëmijët, na merrte më vete dhe na thoshte: nëse do biesh pre e Sigurimit të Shtetit, je kartë e djegur, mos u mundo të jetosh më. Ishte mënyra e tij si na fliste, nga dashuria, nga dhembshuria. Ai na thoshte: "Do të bëjnë këtë, do të bëjnë atë, ti do përpiqesh të mos pranosh asgjë. Po të arrijë keq puna, do thuash: ore unë, çfarë bëj ditën, e flas natën. Do sakrifikosh, një javë, edhe një muaj, që të rrish pa gjumë, edhe do bësh sikur flet, sikur zihesh me shokët". Edhe ne, na ndodhën. Mua më ka ndodhur, e kam provuar vetë.

Çfarë ju ndodhi saktësisht?

Vajta ushtar në 27 nëntor të '73-shit. Kam vajtur ushtar në Gjirokastër. Atje kishim komisar Flamur Bilica, djalë 30 vjeç, i ri. Ishte njeri i mirë, kështu dukej nga pamja e jashtme. Ne punonim në llaç, bënim shtëpinë e oficerëve. S'vajti as dy muaj e ca, më dërgoi me lejë. As betimi nuk ishte bërë. Vij me lejë në shtëpi, sa u çuditën. U ktheva atje, më priti mirë...Pastaj, filloi të më ngacmonte. Më thoshte: Shiko, se ne e dimë që familja juaj është familje shumë e mirë. Ju keni ndihmuar luftën, keni bërë këtë, atë, pavarësisht që u bënë ca gabime, por ti do shikosh filanin, filanin se i ke nga zona jote". Mos t'i them me emra. "Do shikosh çfarë flasin". "Po nuk jam për këto punë. Ne jemi të djegur vetë. Mua, edhe ata, nuk më afrohen". Unë i kisha të zonës sonë: nga Poçara, djalin e Mustafait, që ia kishin vrarë babanë atij, kisha një Myfterem Hoxha, nga Cangonji...

Si u rezistuat presioneve për t'u bërë spiun?

Duke thënë që mua nuk më afrojnë dhe që unë flas natën. Mësimet që më jepte daja. Që nga koha që më dërgoi me lejën e parë, pastaj nuk donte të më shikonte me sy. Në '74-ën, rastisën dhe ato rastet e Petrit Dumes, Beqir Ballukut. Unë dogja dy gishtat me serrë. Siç e zura kazanin e serrës, atëherë primitive ishin, dogja dy gishtat dhe më dhanë raport. Komandant kompanie kishim një Ramazan, ai ishte shumë burrë i mirë, ishte mbi 50 vjeç. Edhe kishte respekt e donte të më nxirrte një fletë lejë, në bazë të raportit, por atëherë fleta e lejës dilte ja nga komandanti i korpusit, ja nga komisari i korpusit, ja nga shefi i shtabit të korpusit. Futet ky te dy prej këtyre, por ata e shikonin dosjen dhe nuk ia jepnin. Edhe më thotë: Ore çfarë ke ti? Se ata sa shohin dosjen, nuk ta japin lejën. Mirëpo edhe unë kisha respekt për të. I thashë: Komandant, po të jetë për të zeza, ç'mund të shkruhen për mua, i kam në dosje. Më tha: Meqë m'u tregove i sinqertë do të ndihmoj. E ka marrë nga shefi i shtabit të korpusit, firmën time. Edhe në atë kohë kishte njerëz të mirë, kisha edhe komandantin e kompanisë në Tepelenë, edhe komandantin e kompanisë në Gjirokastër. Ishin njerëz shumë të mirë.

Ku punuat pas ushtrisë?

Sa dola nga ushtria, fillova në bonifikim.

Krijuat familje?

Ne si familje, këtu në Devoll, nuk na jepnin. Unë kam marrë në Lushnjë. Edhe vëllai im ka marrë në Fermë. Ishin të internuar, nuk ishin që andej. I ati ishte nga Koshnica, e ëma nga Kolonja, ishin të internuar. Vëllai i vogël, e mori gruan nga Alarupi, e internuar në Shtyllas. Vëllai i dytë, nga Mallakastra, të internuar në Fermë Çlirimi. Ne, këtu nuk merrnim dot.

Si i pritët ndryshimet e regjimit?

Këto momente kanë qenë nga më të mirat, për ne. Por kanë qenë edhe pak të ndrydhura nga njerëzit, sepse Bilishti ishte vend i vogël. Kur vjen puna, më thërret mua sekretari i Partisë Demokratike, kishim muhabet shumë, ishin njerëz të mirë, të nderuar. Më thotë mua: Meti, po e shikoj që nuk po afroheni nga PD-ja. I thashë unë: Firmat e para për PD-në, ku janë marrë?-Në familjen tuaj janë marrë. -Po pse e kërkon të afrohemi?-E kërkoj sepse ju takon.-Po nuk na takon se ne shkollë nuk kemi, por zgjuarsinë e kemi. Tani, pas kujt të vijmë? Dhe ia them ca emra unë se ishin nja tre-katër emra që kishin qenë në Këshillin Popullor të qytetit. Domethënë ne të ligën më të madhe e kishim prej atyre. U thashë unë: Nuk ju vijmë andej. Votën e keni, sa të jemi ne, e keni, por anëtarë të PD-së nuk bëhemi.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here