Babai te qelia përballë!

0
2384
blank

Rrëfimi prekës i Rita Koka Koçi,  vajza 19-vjeçarje në burgun e Burrelit ku vuante dënimin edhe i ati i saj, Sami Koka

Kur policët pa fytyrë, me maska e armatime të rënda u sulën nëpër natë për të shembur godinën e teatrit, as që e kishin idenë se pse ajo godinë ishte kaq e rëndësishme për ata aktivistë e artistë që po e ruanin prej dy vitesh. As e kishin idenë se sa e rëndësishme ishte ajo godinë për mijëra shqiptarë të tjerë që atje patën kujtimet për netët e bukura të shfaqjeve e lojës së aktorëve shqiptarë ndër vite. As e kishin idenë se brenda atyre mureve ka shumë kujtime të bukura, por edhe shumë të dhimbshme.  Ajo sallë mbante histori, art e dhimbje.

blankDikur quhej Savoja. Ajo godinë mbahej mend edhe sepse atje ish vënë në skenë pjesa e parë e serialit të gjatë të tragjedisë së shqiptarëve nën diktaturën komuniste. Udhëheqja komuniste e bëri pikërisht aty gjyqin e  parë të intelektualëve shqiptarë që ishin përcaktuar si kundërshtarë të regjimit komunist. Është fjala për gjyqin special të pranverës së vitit 1945, në sallën e Teatrit Kombëtar që paralajmëroi kalvarin e gjatë të të vrasjeve, burgosjeve e internimeve të mijëra shqiptarëve gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste.

Në atë gjyq, u ndëshkuan rreth 45 intelektualë të shquar të Shqipërisë, një ndër ta ishte edhe kolonel Sami Koka. Kishte qenë një ndër ushtarakët më të rëndësishëm gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut dhe diktatori Enver Hoxha e shpalli armik. U dënua me 30 vjet burg. Atë ditë në gjyq ishte edhe e bija 19-vjeçare, Rita Koka. E pa të atin të gjunjëzuar nga dhembja për çfarë e priste Ritën dhe familjen e saj më pas. Qante atë ditë për babain e burgosur nën prangat e diktaturës, por s'e kish menduar se pak vite më pas do t'i provonte prangat e do të burgosej në qelinë afër të atit, përballë tij, në burgun e Burrelit.

Rreth pesë vite pas dënimit të të atit, Rita Koçi u arrestua e akuzuar për agjitacion e propagandë dhe u dënua më 10 vjet burg. U dërgua në Burrel, atje ku ishin të burgosur të tjerë politikë, ku ishte edhe i ati, Sami Koka. Rita e dinte se babai i saj ishte diku aty afër në njërën prej qelive. E kishte vënë në dijeni një gardian burgu i cili sillej pak më mirë se të tjerët me të burgosurit politikë.

blankE ka rrëfyer Rita (Koka) Koçi në prag të ndarjes nga jeta historinë e saj, ku tregon edhe momentin kur e pa të atin në oborrin e burgut, me ndihmën e policit me emrin Ymer.

“Një ditë vjen polic Ymeri në birucë dhe më thotë: ke dëshirë ta shohësh babanë tënd? Pyetje është kjo që më bën?-i thashë. Mirë, -tha,- unë do ta jap mundësinë, por duhet të kesh kujdes të mos bësh asnjë gjest dhe asnjë lëvizje për të treguar se po e sheh. Mirë,- i thashë.-Mos ki merak. Në fakt kur të burgosurit e dënuar po hynin brenda nga oborri për të shkuar lart në dhomat e tyre, polic Ymeri e ndaloi babanë dhe nisi të bisedojë me të. Unë si gjithmonë nga ajo kamare e vockël që bëja kontrollin ngrita cepin e kartonit dhe po e vështroja babanë. Një ngashërim dhe një mallëngjim më pushtoi shpirtin, nga malli që kisha. Por më e madhe nga të gjitha ishte emicioni që ndjeva kur shikoja babanë gjatë kohës së bisedës, kthente sytë majtas e djathtas duke menduar se në cilën nga këto biruca ndodhesha unë, vajza e tij e vetme 19-vjeçare. Pas një copë here bisedë, polic Ymeri e la të lirë që të ikte lart dhe pastaj erdhi tek unë dhe më tha: E pe babanë, u çmalle? -Të jam mirënjohëse Ymer, më bërë një nder të madh”, rrëfen Rita Koka Koçi.

Dhembja e Ritës, e të atit Sami Koka, e familjes së tyre nisi pikërisht tek ajo godinë që u shemb këtë 17 maj të vitit 2020. Pasardhësit e Sami Kokës apo 45 intelektualëve që u dënuan me pushkatim apo shumë vite burg në godinën e teatrit Savoja, u lënduan kur godina e teatrit u shemb pa mëshirë. Shumë prej atyre që u dënuan me pushkatim pranverën e vitit 1945 në atë sallë, nuk iu janë gjetur ende eshtrat, ndaj ajo godinë teatri shërbente për pasardhësit e tyre si një vend kujtese, ku u panë për herë të fundit gjallë njerëzit e tyre të dashur.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here